Kulla e Mic Sokolit, historia e heroit në muret e një fortese

Nga: Dod Progni
Në anën e djathtë të lumit Valbona, pranë rrugës që të çon nga qyteti Bajram Curri për në hiderocentarlin e Fierzës, rreth 5 km larg këtij qyteti, në fshatin Bujan, ngihet madhërishëm kulla trekatëshe e Heroit të Popullit Mic Sokoli.

E ndërtuar nga fundi i shek. XVIII, kjo kullë guri, që për nga tipologjia i përket banesës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës, sjell deri në ditët tona, jo vetëm vlerat kulturore të këtij tipi banesash, por edhe imazhin e shumë ngjarjeve historike. Kulla, muret e të cilës janë goditur shumë herë nga predhat e pushtuesëve të huaj, është një dëshmi e qëndresës dhe pathyeshmërisë së malësorve trima të Malësisë së Gjakovës.

Këtu lindën dhe u rritën breza luftëtarësh e prinjës popullorë të kryengritjëvë antiosmane. Këtu u lindi dhe u rrit Mic Sokoli, i cili me 22 prill 1881, në betejën e përgjakëshme të Shtimje-Slivovës që zhvilluan forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ushtrisë osmane të komanduar nga gjenerali Dervish Pasha dha jetën në mënyrë heroike.

Për vlerat e saj kulturore e historike, kulla është shpallur monument kulture dhe restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturësnë, në vitin 1978. Punimet restauruese të kryera nën drejtimin e arkitektit të talentuar Leonard Suli, i kan dhënë asaj origjinalitetin e kullës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës.

Ajo, së bashku me stendat dhe eksponatët muzeal të vendosura këtu, të cilat përfshijnë shumë objektë dhe relikë të Mic Sokolit dhe familjes së tij, na njeh, jo vetëm me zhvillimin tipologjik të banesës së vjetër të kësaj malësie, por edhe me jetën e Heroit Mic Sokoli dhe luftërat e kësaj krahine për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj.

Kulla na paraqet një volum prizmatik prej guri dhe pjesërisht prej druri, e cila kurorëzohet me çati piramidale kater faqesh prej dërrase.

Pjesa e poshtme prej guri të krijon përshtypjen e një prizmi të fortë solid ku mbështëtet pjesa e sipërme e lehtë, plot dritë dhe me një përpunim të pasur arkitëktonik. Gjëja që të bije në sy menjëherë sapo t’i afrohesh kullës, dhe të krijon përshtypjën e një fortifikimi të fuqishëm, janë rreth 90 frengji të shpërndara në të katër faqet e saj, nga themeli deri në çati.

Kati i parë me frengji njëshe, pa asnjë dritare, ka kryer dy funksione: për strehimin e bagëtive dhe për mbrojtje. Ky komunikon me ambjentin e jashtëm me anë të një dere të punuar me gurë të gdhendur dhe të harkuar nga sipër ndërsa me katin e dytë me anë të një dere të hapura në dyshemenë e tij. Kati i dytë, i cili ka sherbyer si ambjenti kryesor familjar,ka një dhomë të quajtur “soba e grave” dhe koridorin që quhej “divanhane”. Nepërmjet një dere të vendosur në faqen prendimore,që është dhe kryesorja e kullës, lidhet me ambjentin e jashtëm.
Ndërsa me bazamentin tokë,oborrin e kullës,ky kat lidhet me anë të një shkalle të jashtme prej druri. Soba e grave është e shtruar me dysheme dërrase dhe mbi të është hedhur një shtresë argjili 4-5 cm e tarshë. Përball derës është oxhaku dhe vatra e zjarrit. Dhoma ka vetëm dy dritare të vogla (rreth 30×40 cm) dhe disa frengji dyshe dhe treshe. Nga koridori “divanhanja” e katit të dytë,nëpërmjet një shkalle elegante të brendshme prej dërrase, ngjitesh në katin e tretë. Kati i tretë, si nga jashtë edhe nga brenda, për nga vlerat funksionale e arkitektonike të tij, është mjaft interesant. Pjesët kryesore të tij janë: “divanhanja”,”dysheklleku” dhe “soba e miqëve” ose “soba e burrave”.

Dysheklleku prej druri, i vendosur në lartësinë e katit të tretë,gjatë gjithë faqes prendimore e një pjesë të asaj veriore, i dalur rreth 20 cm nga faqja e jashtme e mureve perimetrale,dhe i pajisur me 17 dritare të harkuara nga sipër që mbyllen nga brenda me kapak dërrase,i jep kullës një pamje impozante. Ky, së bashku me divanhanen kan sherbyer kryesisht për ndenje. Nga koridori, nepërmjet derës së vendosur në anën prendimore, kalohet në të vetmen dhomë të këtij kati, në “sobën e miqëve”. Kjo në krahasim me sobën e grave është më komode e më e ngrohtë përsa i përket trajtimit dekorativ të elementëve të ndryshëm konstruktivë dhe funksionalë. Një rrugicë e ngushtë që fillon nga dera deri tek vatra e zjarrit e ndan dhomën në dy pjesë të quajtura “markëza”.
Në markzën e vogël majtas rrinte i zoti i shtëpisë, ndërsa në markzën e madhe djathtas rrinin miqtë. Dyshemeja është shtruar me dërrasa dhe mbi to është hedhur një shtresë argjili. Tavani është me dërrasa lisi, ndësa në dy faqet e mureve që komunikojnë me jashtë, ashtu si në katin e dytë, ka dy dritarë dhe disa frengji dyshe dhe treshe. Funksioni kryesor i kësaj dhome ka qenë pritja e miqëve.

Duke qenë e tillë, ajo ka sherbyer dhe si vatër kuvendesh e pleqërishë, Shpëshherë burrat e Malësisë kan ardhur në këtë kullë të njohur për traditat patriotike të brezave që rriti, e pikërisht në këtë sobë miqësh kan biseduar e pleqëruar për problemet e jetës dhe të organizimit të malësorëve në luftë kundër pushtuesëve të huaj. Në këtë kuptim, me të drejtë, kjo është quajtur dhe vatër edukimi. Këtu u rrit dhe u edukua dhe Mic Sokoli.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME