Parku Kombëtar i Thethit (foto, histori)

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 96, datë 21.11.1966, zona malore e Thethit, me sipërfaqe 2630 ha, nga e cila 1680 ha pyje dhe pjesa tjetër kullota dhe sipërfaqe shkëmbore, shpallet “Park Kombëtar” dhe administrohet nga D.SH.P, Shkodër.

Mjedisi fizik dhe Pozita gjeografike.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në pjesën qëndrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nëmuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Thethi është një qendër turistike-alpinistike

më e rëndësishmja e zonës veriore, 70 km larg nga qyteti i Shkodrës. Ai bën pjesë në komunën e Shalës, të zonës së Dukagjinit. Parku kufizohet nga të gjitha anët me maja të larta shkëmbore të dy blloqeve më të sipërme, të cilat bien thikë në luginë dhe formojnë pamje të papërseritshme të tilla si: maja e Radohimës, (2570 m), Arapit (2217 m), Paplukës (2569 m), Alisë (2471 m),etj. Në lartësitë 750-800 metër, poshtë në luginë shtrihet fshati piktoresk i Thethit.

Veçoritë gjeologjike: Thethi gjendet 172 kilometra larg Tiranës, nga të cilat, 148 kilometra janë të asfaltuara, ndërsa 24 kilometrat e fundit janë të paasfaltuara.Lugina e lartë e Thethit është një nga zonat më të veçanta të turizmit malor shqiptar, nga më të përmendurit edhe nga të huajt. Në zemër të alpeve veriore, mes shkëmbinjeve historikë, gjelbërimit verbues dhe burimeve të kristalta kjo luginë e rrallë figuron rreth 900 metra mbi nivelin e detit.

Thethi Nature in SpringNë park dallohen dy sektorë:

Sektori i sipërm është shumë më tepër i thepisur, gjë që lidhet me përbërjen e tij prej gëlqerorësh masiv të dolomitizuar. Pikërisht ky dolomitizim kushtëzon zhvillimin intensiv të tjetërsimit fizik të tyre, në kushtet e veprimit të fuqishëm proçesiv, ngricave dhe dëborës, të cilat janë të pranishme në pjesën më të madhe të vitit dhe të ndryshimeve të shpeshta të temperaturës. Në këto kushte litologjike dhe klimatike, aty zhvillohet copëtimi i shkëmbit rrënjësor dhe rrëzime gravitacionale të materialeve copëzore. E gjithë kjo ka për pasojë formimin e majave dhe të kreshtave të thepisura dhe natyrisht, mungesën e plotë të bimësisë dhe të mbulesës së tokave.

Sektori i poshtëm ka pjerrësi më të vogël, duke shënuar kështu një thyerje të dukshme të profilit të shpatit, një shkallë në këtë profil. Formimi i kësaj shkalle lidhet me ndryshimin e karakterit të gëlqerorëve, nga masiv në shtresorë, me shtresa shumë më të holla. Këta lloj gëlqerorësh janë më pak të dolomitizuar dhe më të tretshëm. Për pasojë, në krahasim me sektorin e sipërm, zvogëlohet pjerrësia e shpatit, por përsëri ajo mbetet më e madhe se e pjesës fundore, e përbërë nga terrigjen rreshpor, me pjerrësi shumë më të vogël. Është kjo arsyeja që në sektorin e poshtëm të kreshtave rrethuese, proçeset e rrëzimeve gravitacionale zhvillohen me intensitet shumë më të vogël. Ndërkohë, në këtë sektor edhe proçeset e tjera erozivo-denuduese kanë zhvillim më të vogël. Kjo ka bërë që në këtë sektor të shtohet gradualisht bimësia deri sa merr formën e pyjeve masive të ahut, halorëve dhe dushkut.

Veçoritë e relievit. Parku shtrihet në luginën e lumit të Thethit. Shpatet malore kanë pjerrësi të madhe dhe të thyera me kënde16º-35º, por ka raste edhe të pakalueshme 45º-60º e deri në 90º. Lugina ka formën e një grope, e modeluar nga veprimtaria akullnajore. Lumi i Shalës ka formuar tarraca në dy anët e tij dhe një zallishtore.

Veçoritë klimatike. Parku ka klimë të ashpër në dimër me rreshje dëbore që shkojnë nga 1.5 m në pjesët e ulta e deri në 3 m në pjesët e larta. Parku ka mesatarisht 2900-3000 mm rreshje shiu në vit. Temperaturat luhaten nga +20ºC deri +26ºC në qeshor dhe shkojnë deri në -14ºC deri -20ºC në dimër.

Thethi Nature in SpringVeçoritë hidrografike. Në Okol buron lumi i Thethit, i cili pasi bashkohet me përroin e Kapërres në fshtin Ndërlysë, formojnë lumin e Shalës, i cili derdhet në Drin. Lumi i Thethit është i kthjellët e i shkumëzuar, me prurje 1000-1300 l/sek e temperaturë mesatare të ujit 7ºC, dhe është i pasur me troftën e malit. Parku ka përrenj të shumë si ai i Dhenve , i Gurrës, i Shkafit, etj. Gjithashtu ka dhe burime të shumta si në Okol, Nikgjonaj, etj. Egziston një mrekulli në Theth që e quajnë Ujëvara e Grunasit e cila ka një lartësi mbi 30 m të rrënjës së ujit .Një tjetër ujëvarë në Theth është dhe Ujëvara në Gjeçaj e cila ka nje lartesi mbi 24 m të rrënjës së ujit nga një grykë shkëmbore.

Veçoritë e tokave. Parku shtrihet në toka të murme pyjore, mbi të cilat janë të vendosura pyjet e parkut, dhe pjesërisht në tokat livadhore malore, mbi të cilat janë të vendosura kullotat alpine. Në pjesën jugore të parkut është i formuar kanioni i Grunasit rreth 2 km i gjatë, 60 metra i thellë, dhe varion nga 2-3 metra deri në 30-40 m i gjerë. Në Theth ka edhe shumë shpella të famshme si ajo e Harapit dhe Bira e Rrathëve, ku ka liqene nëntokësore dhe galeri e sifone gjigante. Thethi ka edhe 12 mullinj të vegjël dhe një hidrocentral funksional. Në periudhën maj – shtator Thethi vizitohet nga 5000–10.000 turistë të huaj dhe pothuajse të gjithë vizitojnë kanionin e famshëm të Grunasit.

Mjedisi-biologjik dhe Flora.

Thethi Nature in SpringParku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zënë ato të pyjeve të ahut (Fagus silvatica), por ka dhe formacione shkurrore me mbizotërim të boronicës (Vaccinium myrtilus) apo kullota alpine (Poion alpinae), të cilat bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine si: (Juniperus communis nana; Juniperus sibrica.), driada tetëpetalshe (Drias octopetala), etj. Në park rriten rreth 1500 lloje bimësh, të cilat përfaqësojnë gati gjysmën e florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore dhe tanifere shumë të dobishme ndërsa rreth 70 lloje bimësh janë të rrezikuara për zhdukje. Nga shoqërimet më të zakonshme të Fagion illyricum janë: Fagetum oxalidosum, Fagetum vaccinosum, Tremuleto-Fageto asperulosum, Fageto-allietosum ursinum, etj. Për t`u vlerësuar janë prania e drurit relikt të tisit (Taxus baccata), brenda katit drunor të pyllit të ahut, megjithëse në ekzemplarë të rrallë, si dhe bimët endemike (Ëulfenia baldacci; Viola dukagjinica; Lilium albanicum.), dhe bimët subendemike (Aquilegia dinarica dhe Teucrium arduin). Në Theth gjendet edhe Gentiana, lulja që përdorte mbreti Ilir Genti në mjekësi.

Në parkun e Thethit dallohen 3 kate bimore:

Visitor in ThethKati i dushkut, shtrihet në lartësi 600-800 m dhe takohet në fundet e shpateve malore si në Fushë të Thethit, Gjelaj, etj. Ndër bimët më të rëndësishme të këtij kati janë: qarri (Quercus ceris), mëlleza (Ostria carpenifolia), shkoza (Crapinus orientalis), frashëri i bardhë (Fraxinus ornus), thana (Cornus mas), etj.

Kati i ahut shtrihet në lartësinë 700-1900 m. Si pasojë e kushteve të përshtatshme klimatiko-tokësore të favorshme, pyjet e ahut zënë pjesën më të madhe të parkut. Ndër bimët më të rëndësishme të këtij kati janë: ahu (Fagus silvatica), bredhi i bardhë (Abies alba), panja e malit (Acer pseudoplatanus), etj. Kati i kullotave alpine shtrihet në lartësitë 1900-2300 m mbi nivelin e detit. Ky kat përbëhet nga bimë barishtore dhe pak shkurrëza siç janë : dëllinjat (Juniperus), shelgjet (salix), etj. Ndër bimët më të rëndësishme të këtij kati janë: flokëzi (Poa alpina), pirrgjaksja (Sesleria nitida), bishtpelza (Festuk sulkata), asteri (Aster alpinus), tërfili i alpeve (Trifolium alpestre), thuepule (Lotus cornicultus) etj. Për shkak të largësisë nga zonat e mëdha të banuara, gjendja e pyllit të ahut është përgjithësisht e mirë. Por ka pasur dhe raste të dëmtimit nga zjarri, prerja, etj.

Në vende të sheshta me një farë shtrese toke e me lagështi mesatare me PH acid takohet xhufka, vlera ushqyese e së cilës është e dobët dhe kafshët nuk e hanë.

Mbulesa bimore e kësaj pjese është e hapur, e ulët dhe relativisht e rrallë, prandaj dhe vlera ekonomike e këtyre kullotave është e pakët.

Karakeristike për thepat e Thethit në lartësi mbi 2300 m, mbi nivelin e detit, është dhe prania e kërlekës ose centinaku (Pinus mughus), një lloj pishe në formë shkurreje me gjatësi deri në 3 m.

Fauna e parkut është e pasur dhe e larmishme. Ka rreth 20 lloje gjitarësh, 50 lloje shpendësh folenizues, afro 10 lloje zvarranikësh dhe rreth 8 lloje amfibësh. Rëndësi paraqesin gjitarët dhe shpendët e lidhur me pyjet e larta dhe ekosistemet malore e alpine. Ndër gjitarët më të mëdhej të parkut janë: ariu i murrmë (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), Rrëqebulli (Lynix lynix), dhia e egër (Rubicapra ribicapra), dhe kaprolli (Capreolus capreolus), etj.

Në pyllin e lartë nga shpendët mbizotërojnë kryesisht pjestarët e familjes së Fragillidae (4 lloje), dhe Paridae (4 lloje). Përbërës të tjerë më të rrallë janë elementë tipik të pyllit të lartë si: qukapikët (3 lloje), zvarritësi i drurëve (Sitta europea), etj.

Në katin e shkurreve hasim lloje të tjera si: gushkuqi (Erithacus rubecula), mëllenja (Turdus merula), larashi kurrizkuq (Lanus collurio), etj. Gjendja e përgjithshme e habitateve është relativisht e mirë.

Visitor in ThethPjesëmarrja e popullsisë lokale në menaxhim. Megjithëse në kushte social-ekonomike jo të mira, popullsia vendase mban një qëndrim kritik ndaj çdo ndërhyrjeje apo veprimi, i cili dëmton parkun dhe ka raporte të mira bashkëpunimi me personelin pyjor të zonës. Kjo është rezultat edhe i veprimtarive ndërgjegjësuese të zhvilluar nga shoqata mjedisore vendase dhe të huaja, të cilat vitet e fundit kanë qënë aktive në zonë. Ka prirje për levizje të popullsisë vendase për në zonat fushore, por gjatë verës ata rikthehen për pushime, si dhe kanë filluar të ofrojnë kushte për zhvillimin e turizmit familjar. Në përgjithësi kushtet e jetës në familjet vendase janë të favorshme për një turizëm të rehatshëm dhe të qetë.

Habitatet natyrore.

Rajoni i Thethit karakterizohet nga një larmi e madhe habitatesh, si pyll ahu, rrobulli dhe shkoze:

Livadhe subalpine;

Shpate të thepisura gëlqerore e gropa nivale.

Përrenj me zallishte e çakëllishte dhe ujë lumi;

Shpella e gjysëm shpella.

Toka të lagështa dhe toka bujqësore.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME