Disa ditë më parë, në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u promovua libri i Dom Ernesto Cozzit me titull
“Studime Etnologjike të Shqipërisë s’Epërme”. Pjesët përbërëse të tij janë tre relacione të mbajtura nga Dom Cozzi gjatë kohës që ky i fundit shërbente si famullitar në Malësitë e Shqipërisë së Veriut.
Me jetën e autorit, besoj se do të merremi në ndonjë artikull vijues, pasi është e përbërë prej shumë komponentëve mjaft interesantë, duke e kthyer Dom Cozzin në një njeri që ka ngjitur shkallët e hierarkisë kishtare, duke shënuar gjithçka për të na lënë ne vepra studimore me vlera të shquara si në rastin e librit të lartpërmendur.
“Fiset e Shqypnisë s’Epërme” është titulli i të parit relacion të Dom Ernestos, botuar nën kujdesin e Atë Zef Valentinit dhe përkthyer nga Willi Kamsi.
Në të flitet edhe për mikpritjen duke dalluar, sipas të drejtës zakonore, tre lloje miqsh, miqësish apo mikpritjesh të cilat po i vendosim si origjinali (fq. 41 në librin e lartpërmendur):
a) Ata që gjinden në mprojtje të dorëzanëve të posaçëm; dorëzanët zgjidhen prej vetë miqve në mprojtje të sigurisë vetjake, sidomos prej njerzish që janë në rrezik të marrjes së gjakut dhe nxjerrin një besatim (besë) prej palës kundërshtare. Kështu në Malsinë e Vogël e tjetërkund e kanë zakon me caktue dorzanë edhe për meshtarin që kujdeset për shpirtnat, për kishen e qelen famullitare, e atyne u përket, po pat ndonji fymje ose dam, me hetue fajtorin e me e dënue.
b) gjithashtu mbahet mik ai që, tue qenë në rrezik për marrje gjaku, nxjerr nji besë prej anmikut të vet, pa u zgjedhë ma parë doraznët për sigurinë.
c) tjetër normë mikpritjeje asht ajo në të cilen nji njëri për siguri të veten ban që ta shoqnojnë në rrugë dikush ose gjen strehim në ndonji familje për nji kohë pak a shumë të gjatë.
Por për të kuptuar këto lloje miqësish, le të japim përkufizimin që vetë atutori jep për mikpritjen:
Mikpritja asht e shenjtë dhe e paprekshme, e për sigurinë e mikut asht dorëzanë njeriu, familja e krejt fisi deri kur ai të bahet mik i nji familjeje tjetër, e kush cënon mipritjen bje në gjak.