Si u ndertuan Hidrocentralet mbi lumin Drin

Bisedoi: Kreshnik KUÇAJ

Zoti Musliu, kur u kuptua potenciali hidrik në Shqipëri? Kur u ndërtua hidrocentrali i parë i pasluftës së Dytë Botërore?

Hidrocentrali i parë që filloi në Shqipëri ishte hidrocentrali i Selitës. Filloi që në 1949 dhe u vu në shfrytëzim në nëntor 1951. Është një hidrocentral me tunele duke filluar që nga Mali me Gropa kalon në Malin e Dajtit ku ka një tunel 1600 metra të gjatë dhe zbret në Lanabregas ku është ndërtesa e centralit.

Është një central i vogël po i vështirë në ndërtim. Ai ka thuajse 66 vite që funksionon dhe nuk i ka ndodhur asgjë. Është i vetmi hidrocentral i inauguar natën sepse në atë kohë me 7 nëntor 1951 ishin grumbulluar në sallën e makinerisë, autoritetet e vendit ndërsa në Tiranë ishin mbledhur qytetarë para bashkisë së Tiranës që prisnin të vinin dritat.

A kishte Shqipëria në atë periudhë dijet e nevojshme për një sipërmarrje të tillë?

Ç’ është e vërteta, në atë kohë, në 1949 ne ishim analfabetë totalisht, që s’merrnim vesh ç’është hidrocentrali, diga etj. Në 1949 erdhi një këshilltar sovjetik Grigori Petrenko i cili kishte aftësi të jashtëzakonshme. Ishte shumë njerëzor dhe na dha një ndihmë kolosale, që bëmë edhe organizimin e punës për ndërtimin e veprave të hidrocentralit.

Si ishte situata e furnizimit me energji në atë periudhë?

Tirana kishte në atë kohë, mesa di unë, një central të vogël që vlente vetëm për institucionet shtetërore dhe disa familje që jetonin në Tiranë. Pjesa tjetër ishin me kandila, llamba me vajguri, ca me pishë e kjo ishte gjendja e Shqipërisë në atë kohë.

Si nisi faza e dytë, pas Selitës a kishte një projekt për të shtrirë programin e hidrocentraleve në të gjithë territorin e vendit?

Në atë kohë u pa që ne filluam të bëjmë një hidrocentral dhe u përgatitën mjaft njerëz të talentuar dhe filluan të aftësohen me mendimet e tyre teknike shkencore. Ishte hidrocentrali i parë i projektuar nga sovjetikët dhe i ndërtuar nga ne. Në hidrocentralin e Selitës, linja e tensionit të lartë 35 kilovolt nga Selita dhe deri ku është qendra kryesore në Tiranë erdhën të gatshme nga Bashkimi Sovjetik. Edhe nënstacionet erdhën të gatshme nga Bashkimi Sovjetik se nuk ishim në gjendje t’i prodhonim vetë. Pas saj, të gjitha linjat e nënstacionit u prodhuan në vend, të gjitha shtyllat e tensionit të lartë e të gjitha ato që duheshin. Pas tij, filloi hidrocentrali i Ulzës që përballoi nevojat e asaj periudhe për Shqipërinë.

Ju thatë më parë që dijenitë për hidrocentralet ishin të kufizuara. Sa rëndësi iu kushtua arsimit në këtë fushë dhe përgatitjes së specialistëve?

Në hidrocentralin e Ulzës, që ishte një hidrocentral shumë serioz, dhe në atë kohë në Bashkimin Sovjetik ishte i dyti që ndërtohej e projektohej. Po ne patëm shumë njerëz të talentuar. Unë isha drejtor i digës së ndërtimit të hidrocentralit. Kisha dhe dy zëvëndës shumë të zotë dhe dhjetëra inxhinierë që u kualifikuan nga dita në ditë dhe i dolën para të gjitha problemeve.

Aq sa në vitin 1956, unë u nisa në Bashkimin Sovjetik për të kërkuar projektet se po na mungonin. Dhe në atë kohë morëm disa masa të jashtëzakonshme. Blloqet e digës nga 3 metra i bëmë 6 metra të larta, blloqet e piklave nga 3 metra gjysmë i bëmë 11 metra të larta, me qëllim që të fitonim kohë. Pjesët e sipërme të urës i bëmë me kapriata çeliku që nuk kishin nevojë për mbështetje. Dhe shumë gjëra të tjera të nevojshme që e bënë të mundur përfundimin e hidrocentralit të Ulzës në 1958. Në janar të 1958 u inaugurua dhe u vu në shfrytëzim.

Para se të kalojmë te hidrocentralet e Drinit, cilat ishin sfidat e tjera më të cilat u përballët në nisje? Fondet i kishit të siguruara? Si organizohej fuqia punëtore?

Në përgjithësi, në të gjithë këto vepra, krahas projektit, bëhej dhe preventivi I veprës që përcaktonte se çfarë duhej për një vepër të tillë. Dhe aty ishin edhe fondet e caktuara për punonësit që ishin në hidrocentral. Ishin të zgjidhura këto gjëra në ato kohë. Edhe shpërblimi i punonjësve ishte shumë i madh. Sidomos për shoferët, eskavatoristët, buldozeristët, që kishin makineri të mëdha. Ata kishin paga speciale që arrinin nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë në muaj. Kryeministri merrte 22 mijë e unë si drejtor i hidrocentralit 12 mijë e 500 lekë. Ishte stimulim i jashtëzakonshëm i këtyre njerëzve që punonin edhe nga 12 orë në ditë, me turne. Ishte 24 orë punë. Nuk pushonte asnjë minutë puna.

Kishit afate apo vetëm vullnet për t’i mbyllur shpejt?

Krahas hartimit të projekteve bëhej edhe plani e kalendari i zhvillimit të punimeve. Në mënyrë të tillë, me programin tonë arrimin që të bënim projektzbatimin e punimeve 2 muaj para afatit të planifikuar nga qeveria.

A besoni se natyra e ndërtimit të hidrocentraleve ishte në përgjigje të stadit zhvillimor të vendit?

Ishte e jashtëzakonshme, se ne ishim një vend që në 1944 pas luftës kishim 5 kilovat orë energji elektrike për frymë të popullsisë në vit. Ishte një gjë mizerabël. Sot kemi 20-40-50 në ditë dhe atëhere ishte në vit, Ishte e tmerrshme. Pjesa dërrmuese e Tiranës; ne ishim të gjithë me llamba me karbit, me llamba vajguri ndërsa pjesa matanë ishte me pisha e gjëra të tilla që nuk jetonin dot fare.

Hidrocentralet mbi lumin Drin janë hidrocentralet më të famshme le të themi, jo vetëm për shkak të madhësisë së projekteve por edhe për shkak të varësisë së tyre nga zhvillimet politike të kohës. Si u bënë këto projekte, ishin planifikuar në kompleks apo veçmas secili prej tyre?

Me ndërprerjen e marrëdhënieve që u bë në vitin 1961 me Bashkimin Sovjetik, mbetem pothuaj vetëm, se dhe vendet e lindjes nuk na ndihmonin. Ndaj u desh mundësia që të njiheshim me zhvillimin e projektimit dhe ndërtimit të hidrocentraleve me Francën, Italinë, Zvicrën apo Çekosllovakinë. Kjo na mundësoi që të njiheshim deri në themel me këto gjëra, që të merrnim përgjegjësinë për t’i çuar vetë përpara. Në mesin e 1961 na vjen një vendim nga qeveria që të studiojmë skemën e Drinit. Ngritëm grupet e veçanta. Bëmë 12 variante se si duhej shfrytëzuar Drini. Përjashtuam 8 dhe lamë 4 variante dhe u thelluam te këto të fundit. Në këtë variant, ishte varianti i tretë që u vendos që të ndërtohej dhe hidrocentrali i Skavicës, Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe i Bushatit. Me 5 hidrocentrale, skema e Drinit jep rreth 7 miliard kilovat orë energji elektrike në vit.

Cili ishte hidrocentrali i parë që u ndërtua në Drin dhe si u siguruan fondet?

Hidrocentrali i parë në Drin ishte ai i Vaut të Dejës. Vau i Dejës ka diga me lartësi deri në 60 metra për të cilën ne e kishim krijuar një farë besimi në këtë drejtim se kishim ndërtuar Ulzën e Shkopetin dhe 2 Bistricat e ishim në gjendje të bënim atë. Në këtë kohë, u munduam që ta studiojmë në themel të gjithë punën për ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Ishte e vështirë por me ndarjen që bëmë në Institut mes grupeve të projektimit për secilën pjesë të hidrocentralit, u bë e mundur të projektohet dhe pastaj të ndërtohet plotësisht e në mënyrë të shkëlqyer. Ky hidrocentral problemin më të madh e kishte te perdja kundër filtrimit në shtratin e lumit. Sepse aty u desh të bëhej një perde në thellësi 50 metra për të ndërprerë filtrimin. Këtu na ndihmuan realisht kinezët dhe arritëm ta bëjmë siç duhet.

Pastaj nisi hidrocentrali i dytë, Fierza?

Hidrocentrali i Fierzës ishte i dyti. Ka një digë 167 metra të lartë, ka prurje të mëdha që duan tunele të mëdha për devijimin e për shkarkimin, duhen për ndërtesën e centralit dhe tunelet e turbinave që çojnë ujë në hidrocentral. U studiuan me shumë kujdes, me përgjegjësi të jashtëzakonshme, me kontrolle periodike që firmosesin nga një grup inxhinierësh dhe u bë e mundur që çdo gjë të bëhej në rregull.

Sa inxhinierë kishte?

Ishin rreth 70-80 inxhinierë, 100 teknikë dhe punonjës të tjerë që ishin specialist, minatorë, betonistë, karpentierë, saldatorë etj. Në Fierzë prodhuam edhe tubacionet që u futën në tunelet e turbinat me diametër 7.2 metra që ishte e jashtëzakonshme. U transportuan dhe futeshin në tunele e betonoheshin. Të gjitha u bënë sipas një programi, gjithmonë 2 muaj para afatit të caktuar. E kishim si zakon. Edhe në hidrocentralin e Ulzës dhe pastaj sidomos në Vaun e Dejës, bënim çdo vit programimin nga kantierët për punën që do të bënim, vëllimin që do kryhej, njerëzit e materialet që duheshin. Veç kësaj çdo fund tremujor, shtabi i kantierëve vinte para ndërmarrjes e raportonte për punën e 3 mujorit të kaluar e për punën që do bëhej 3 mujorin tjetër. Ishte angazhim serioz që të bëheshin këto vepra.

Në Vaun e Dejës ne filluam minimin e parë të madh kurse në Fierzë arritëm atë më kolosalin, që të gërmohen rreth 600 mijë metër kub gurë në një plasje të vetme ku u desh në një plasje të vetme të fusnim 360 ton dinamit, 360mijë kilogram dinamit, një gjë e paimagjinueshme.

Pasojat?

Vetëm në Bajram Curr ra tërmet 3 ballë. Po realizimi ishte i përsosur.

Një problem tjetër ishte edhe bërthama e digës. Duke qenë se argjilat e Vaut të Dejës ishin të dobëta, ne u munduam shumë gati 1 vit e gjysëm se si do të bënim me këtë punë. Dhe përfundimisht pamë vetëm në Japoni një hidrocentral që ishte ndërtuar me përzierje të argjilës me zhavor për bërthamën e digës. Bëmë 1 milion metër kub argjilë e zhavor për bërthamën e digës dhe që sot diga nuk pyet fare.

A mund të thuhet se hidrocentrali i Fierzës ka qenë projekti më sfidues për ju dhe për Shqipërinë e atyre viteve duke marrë parasysh, jo vetëm kushtet e terrenit por dhe kushtet politike të atyre viteve?

Ne patëm arritur me kinezët, që për hidrocentralin e Fierzës të kishim përgjegjësi të përbashkët për projektimin dhe ndërtimin. Në 1974 kinezët u tërhoqën dhe thanë se do të furnizojnë të gjithë pajisjet, po për projektimin dhe ndërtimin duhet ta mbanim vetë përgjegjësinë. Nga ‘74 e më vonë e mbajtëm ne të gjithë përgjegjësinë për projektimin dhe zbatimin e punimeve.

Çfarë problematikash dha kjo ndërprerje e marrëdhënieve?

Nuk pati probleme. Ne 1961 kishim krijuar Drejtorinë e Përgjithshme të Studimit, Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve. Kisha dy zëvëndësdrejtorë dhe 30 inxhinierë të kualifikuar që u përgatitën për ta çuar përpara. Madje në 1962, ambasadës kineze i kisha kërkuar që të vinin 3 profesorë të njohur kinezë për të punuar e për të bërë si shembull projektimin e Fierzës. Këta erdhën në 1962 dhe unë vë këta të tre me tre nga inxhinierët tanë Farudin Hoxhën, Egon Gjadrin dhe Iljaz Këllezin që të punojnë bashkë në një dhomë dhe për nëj vit të merreshin me studimin dhe projektimin e digës së Fierzës, për të pasur eksperiencën e nevojshme. Kështu që pa krijuar mundësinë për të aplikuar siç duhet zgjidhjet që donte Fierza, ishte e nevojshme dhe e domosdoshme që të merrje eksperiencë nga jashtë. Ne kishim marrë eksperiencë nga Franca, Zvicra, Italia etj. dhe kishim marrë të gjithë eksperiencën e tyre.

Si u projektua terreni për sipërmarrje të tillë si hidrocentrali i Fierzës? Atje rezulton se u krijua një qytezë e tërë…

Terreni ka qenë i vështirë, kishte pak banesa në fillim po më pas u krijua një qytezë. Në ‘77 numri i punonjësve ishte 10 mijë e 3 vetë që kam firmosur borderotë e pagesës së njerëzve. Nga ana jonë u ndërtuan të gjitha godinat. Të gjithë kishin vendet e fjetjes së tyre, kishte 36 menca e të gjitha gjërat e tjera të nevojshme. 1 herë në 2 muaj shkonin në shtëpi e u kishim siguruar linjat e transportit. Po ashtu i ndihmuam punonjësit edhe me të gjitha detyrimet e tjera për çështje familjare nga familjet e tyre, se punonjësit ishin nga e gjithë Shqipëria e jo vetëm nga zona. Krijuam kinemanë, krijuam grupin e estradës nga njerëz që kishin eksperiencën në këtë punë dhe kishin dëshirë. Ishte një qytezë.

Sa ndihmë iu dhanë aksionet e vullnetarëve?

Ngarkohej nga qeveria secili rreth që të dërgonte çdo vit për 1 apo 2 vite specialistë që na duheshin. Shoferët, përshembull i merrnim nga nga Korca, Saranda etj. U speciliazuan edhe më shuëm se morën makina 20-30-40 tonë. Pati një angazhim shumë serioz dhe kishim për detyrë të ndihmonim familjet. Madje, unë ndërtova 1500 apartamente për shkodranët dhe ishim të siguruar nga të gjitha anët që ta përballonim.

Gjatë punës, a kanë ndodhur ngjarje të rënda? Ngaqë kushtet e punës kanë qenë shumë të vështira?

Ajo që ka qenë më e rënda ka qenë vrasja e 9 vetëve. Ne, për gërmimet masive, hapnim tunele nga 1 kilometër thellësi, 20 metra mbi të tunele të tjerë e kështu me radhë. Në një ditë të caktuar fillon një rrebesh i madh dhe një rrufe bie nga pjesa e sipërme e zbret në 40 metra, në një zonë që ishte futur dinamiti dhe shpërtheu. Disa u vranë nga dinamiti dhe disa nga asfiksia. Nuk ishte faji i inxhinerëve po ishte nga natyra. Për këtë raportuam në qeveri.

Në pamjet filmike të atyre viteve vihen re disa automjete shumë të mëdha, Centaurët e famshëm! Si i siguroi Shqipëria këto mjete?

Ne kishim marrë makina nga Verona, në San Bonifacio dhe me ato ecëm. Për Fierzën na u deshën dhe 20 makina të mëdha 40 tonëshe. Kur isha në Kinë me Ministrin e Marrdhënieve Ekonomike me Jashtë i kërkova makinat. Ai më tha se nuk i kishin eksperimentuar ende dhe nuk mund t’i jepnin. Pasi shkoi në sallën matanë, thanë që do na jepnin valutë për blerjen dhe na sugjeruan Anglinë. Ne çuam një grup njerëzish në Angli, me të cilën nuk kishim as marrëdhënie ekonomike e politke.

Kishim marrë oferta nga Franca e Italia, por Anglia në jepte ofertë më të lirë dhe na i sillte më shpejt. Në prill të 1974 erdhën makineritë që u bë pastaj edhe devijimi i lumit dhe u fut në tunele.

Pse kaskada e Drinit u emërtua Kaskada e miqësisë shqiptaro-kineze?

Hidrocentrali i Vaut të Dejës u quajt “Mao Ce Dun” për të nderuar kryetarin kinez dhe ishte për mendimin tim një gjë pozitive sepse tregonte që ne i vlerësojmë ndihmat që na japim. Kur shkojmë atje në vitin ‘70 na duheshin 5 milion dollarë. Kryeministri më thotë që s’ka para dhe me thotë të iki në Kinë. Pasi shkova në Kinë, në vend të 5 milion dollarëve marr rreth 30 milion dollarë pajisje e makineri për ndërtimin

Si ndodhi?

Ndodhi që ishte hidrocentrali “Mao Ce Dun” dhe nuk duhej bërë asgjë për të nënvlerësuar Maon, ndaj na duhen këto gjëra. Edhe ata i ngarkonin eskavatorët, makineritë e buldozerët etj. në trena, u vinin parrulla dhe shkruhej ato shkojnë në hidrocentralin “Mao Ce Dun” në Shqipëri.

Ju jeni takuar gjithashtu me kryeministrin kinez?

Sa i përket takimit me Cu En Lain, me thërret Mehmet Shehu dy ditë para se të nisesha në Kinë. Me thotë: “A jeni përgatitur për Fierzën? I them PO.

Me thotë që “duhet të takosh Cu En Lain”. I them që “si ta takoj, ai është kryeministri i Kinës?!”

Shehu më kthehet duke më thënë që “unë të jap urdhër ta takosh. Nuk e di, gjeje ti”. I them që “do përpiqem. Po çfarë t’i them?”.

“Falenderime nga populli shqiptar, falenderime nga qeveria e kryeminisri Mehmet Shehu. Faleminderit për ndihmën që na keni dhënë për Vaun e Dejës e faleminderit për ndihmën që po na jepni për Fierzën. Gjithashtu kam një propozim, që ta shpallim Kaskadën e Drinit-Kaskada e Miqësisë Shqiptaro-Kineze”.

Kur arrita ta takoj Cu En Lain ia them këto. Me thotë “mirë, nuk është propozim i keq. Por unë do të porosis delegacionin qeveritar kinez që do të vijë në Shqipëri. Vendosni me ata”.

Në maj 1974 vjen delegacioni kinez, takohemi me ta e bisedojmë për çdo gjë. I çoj në Vaun e Dejës dhe përfundimisht hartohet plani 20 vjeçar që Kina do i jepte Shqipërisë 1974-1994. Në këtë plan u vu që edhe Skavica të përfundonte në 1994 sëbashku me hidrocentralin e Bushatit. Qe fatkeqësi e madhe që Enver Hoxha në 1974 i prishi marrëdhëniet me Kinën dhe ne dolëm jashtë. Deri në ‘70 ishim ne të vetmit që shkonim në Kinë dhe nuk kishte asnjë përfaqësues tjetër shteti. Në ‘74 të gjitha shtete e tjera shkuan në Kinë dhe vetëm ne nuk shkuam atje. Ishte fatkeqësi e madhe.

Kur u përfundua vepra e fundit në Drin?

Komani përfundoi në 1986 dhe u bë me pajisje franceze. Edhe aty punuan në mënyrë të shkëlqyeshme. Ismail Ahmeti, drejtor i Përgjithshëm dhe punëtorët e tjerë. Pas Komanit, filloi hidrocentrali i Banjës për të cilin deri në 1991 u përfundua gjysma e punimeve. Më pas u bllokua komplet.

A ishte Skavica projekti që u mbeti peng?

Ne bëmë projektin e Skavicës që edhe pse mbyt 5 mijë hektarë tokë, për vlerën e madhe që ka për rregullimin e të gjitha hidrocentraleve të Shqipërisë ia vlen që të bëhet një vepër e tillë. Në këtë kuptim nuk na ka mbetur peng për ndonjë gjë.

Sa herë ka reshje të shumta, ka pikëpyetje dhe pak janë ata që mund të japin përgjigje. Ju jeni nga ata të paktë që mundeni. Sa të sigurta janë digat e hidrocentraleve?

Hidrocentralet e Drinit janë ndërtuar me dy kritere themelore. Prurjet e Drinit janë marrë 1 herë në 10 mijë vjet. Lufta e Trojës është 3 mijë vjet, ne kemi marrë 1 herë në 10 mijë vjet se sa mund të jetë prurja. Dhe e dyta, janë marrë parasysh termetet 9 ballë, në ndërtimin e hidrocentraleve të Drinit. Duhet të shkatërrohet Europa që të dëmtohen këto hidrocentrale. Në këtë drejtim ka siguri absolute. Vetëm duhet të ketë kontroll e mirëmbajtje. Nga kjo punë nuk ka asnjë dyshim. Ndërsa sa i përket prurjeve, është fatkeqësi e madhe. Pse është fatkeqësi e madhe? Sepse duke e ditur muajt e prurjeve që vijnë, këta që i shfrytëzojnë nuk marrin masa që në kohën e prurjeve më të mëdha të ketë nivelet e liqeneve më të ulëta dhe si pasojë e kësaj kalojnë dhe ujëra më tepër. Por jo se digat mbysin, ato shpëtojnë. Se po të mos ishin digat, kalojnë mijëra kub ujë me sekondë. Ka keqkuptim të rëndë. Digat vetëm ndihmojnë disiplinimin e prurjeve në hidrocentral.

Një pyetje të fundit nga ana ime. Për shkak të luhatshmërisë së kushteve atmosferike, a duhet të projektojë të ardhmen Shqipëria vetëm te energjia hidrike?

Nga studimi i vitit 1963 ka rezultuar se me ndërtimin e hidrocentraleve në të gjithë vendin, mund të sigurohen 18 deri 20 miliard kilovat orë energji elektrike në vit. Është energji e madhe që përballon çdo nevojë. Por nuk është e thënë që Shqipëria të mbetet vetëm te ndërtimi i hidrocentraleve por edhe të termocentraleve, sidomos i Fierit. Termocentrali i Vlorës duhet shfrytëzuar me gaz, është turp i madh se është ndërtuar gjithë ajo vepër që nuk shfrytëzohet, Mund të ndëtohen centrale elektrike me erë; Llogaraja e zona e Milotit e zona të tjera kanë erë të jashtëzakonshme. Duhet të kesh dëshirë, vullnet e njerëz që i studiojnë këto gjëra dhe japin përcaktimin përkatës.

Unë kam vetëm një gjë. Është e nevojshme që të mendohet mirë nga vijmë. Po u menduam mirë nga vijmë, do mendojmë mirë ku jemi dhe do ndërtojmë më mirë se ku do të shkojmë. Se ndryshe nuk ka si ndërtohet Shqipëria. Dhe është e nevojshme që të krijohen institutet e projektimit të hidrocentraleve, institutet e bonifikimit, hekurudhave, rrugëve, urave e institute të tjera që janë të nevojshme për Shqipërinë. U prishën në 1992 dhe sollën fatkeqësinë më të madhe në Shqipëri. Ndaj qeveria e sotme dhe parlamenti i sotëm duhet të bazohet te struktura të tilla që çojnë para vendin. Duhen krijuar struktura të nevojshme.

Kush është Emin Musliu:

-Ka lindur në Durrës në vitin 1930.

-Në vitin 1949 ka përfunduar shkollën e mesme “Politeknikumi 7 nëntori” në Tiranë

-Në korrik 1949 deri në nëntor 1951 ka qenë përgjegjës teknik i kantierit të parë për hidrocentralin e Selitës

-Në dhjetor 1951 deri në qershor 1955 kreu studimet e larta në “Institutin Politeknik” në Tiranë, dega “inxhinieri ndërtimi”

-Korrik 1955-maj 1958 Drejtor i Kantierit për ndërtimin e digës në hidrocentralin e Ulzës

-Qershor 1958-1960 Kryeinxhinier i Ndërmarrjes Hidro-Elektro Durrës

-1961-1963 Drejtor në Ministrinë e Ndërtimit për projektimin dhe ndërtimin e veprave hidroenergjetike

-Tetor 1963 specializohet në Francë dhe Itali për hidrocentralet

Në tetor 1963 emërohet zëvëndësministër i Ndërtimit

-Në vitin 1968 nënkryetar i delegacionit për hidrocentralin e Vaut të Dejës në Kinë

-Janar 1968-dhjetor 1971 Drejtor i Përgjithshëm i hidrocentralit Vau i Dejës

-1971-1981 kryetar i Komisionit të Ujërave me Jugosllavinë

-Janar 1972-dhjetor 1974 zëvëndësministër për ndjekjen e veprave industriale dhe hidroenergjetike me Kinën

-Maj-qershor 1972 kryetar i delegacionit qeveritar shqiptar për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës

-Janar 1975 emërohet Drejtor i Përgjithshëm për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës ku qendroi deri në vitin 1979

-Nga janari 1980 deri në 1990 drejtor I ISTN

-31 mars 1991 zgjidhet deputet në Parlamentin e parë pluralist

-Qershor 1991 ministër Ndërtimi në Qeverinë e Stabilitetit

-Dekoruar me medalje e urdhëra pune si dhe me çmimin e Republikës Kl.II

-Me 28 shtator 2000 i jepet titulli Mjeshtër i Madh i Punës nga Presidenti Rexhep Meidani

-Me 18 qershor 2014 iu dha Medalje Nderi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Marrë nga emisioni “DOSJA” në TV SCAN

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME