Padyshim që kemi të bëjmë me një takim shumë të vështirë, ndoshta edhe më i vështirë madje se ai i javës që shkoi. Korçarët nuk mund t’ia lejojnë vetes dy gabime njëri pas tjetrit dhe do të fitojnë për të fituar në Shkodër.
Ndërkohë, Vllaznia vjen në këtë përballje me një moral të ulët ngaqë nuk e kishin llogaritur se do ta nisnin me humbje këtë vit.
Nga ana tjetër, mësohet se skuadra do të ketë probleme edhe me formacionin se përveç Gocajt që ende nuk është rikuperuar plotësisht, mund të ketë mungesa edhe për arsye kartonash por kjo gjë do të zbardhet në ditët në vijim.
Kuqeblutë patjetër do të tentojnë të marrin pikë sepse situata nuk flet në favorin e tyre. Ndodhen sërish në vendin e parafundit të renditjes dhe natyrshëm që një situatë e tillë nuk kënaq askënd.
Trajneri Gjoka vazhdon të shprehë besimin e tij tek futbollistët që drejton por ka kërkuar pak durim nga drejtuesit, gazetarët dhe tifozët sepse mendon që Vllaznia e vërtetë do edhe pak kohë për të ardhur.
Dikush edhe mund të presë por situata në fakt nuk lë vend për pritje. Lojtarët e ardhur në merkaton e janarit duhet të tregojnë vlerat e tyre dhe presioni po rritet megjithatë duhet të mësohen me këtë gjë.
Në Shkodër kanë dëshirë që të mos përjetojnë të njëjtin ankth si sezonin e kaluar kur skuadra e tyre shpëtoi vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit prandaj dhe bëjnë thirrje për ndryshim të situatës sa më shpejt. Për këtë arsye, duan që Vllaznia ta tregojë veten që të dielën ndaj Skënderbeut.
© shkodrasport.com