Nga Ben Andoni / Java News
Gjermani i fundit nga Shqipëria iku më 29 nëntor! Kështu dëshmoi i Deleguari Apostolik i Vatikanit në Shqipëri në një raport që është zbardhur vitet e fundit.
Në fakt, edhe kjo s’qëndron pasi vetë gjermanët kanë dorëzuar në vitet e fundit ditarin e njërit prej komandantëve, që drejtoi tërheqjen e trupave nga Shqipëria, ku ikja daton shumë ditë e javë pas 29 Nëntorit.
Gjithsesi, italiani ishte i dërguari i Vatikanit në Shqipëri, Leone G. B. Nigris dhe selia e tij, ishte sipas rregullit në Shkodër dhe ai qytet u çlirua më 29 Nëntor.
Raporti i plotë që delegati apostolik Nigris i dërgonte Vatikanit mbi gjithë periudhën e qëndrimit të tij në Shqipëri, nga viti 1938 deri në 1944, përmban dhe këtë element. Dr. Dom Nikë Ukgjini e ka hasur këtë gjatë kërkimeve të tij studimore.
Imzot Nigris shkruan se: forcat gjermane janë larguar nga Shkodra në mëngjesin e datës 29 nëntor.
“Për fat kontingjenti i fundit gjerman u largua në orën 4 të datës 29, kështu që partizanët mund të hynin në qytet pa asnjë të shtënë”, shkruan Nigris dhe shton se banorët: “Shtinin me armë në shenjë feste, duke krijuar një zhurmë shurdhuese, ndërsa një re tymi shtrihej mbi gjithë qytetin. Dita ishte tepër e gjallë, por nuk pati çrregullime. Paradës së partizanëve i shtoheshin tufa fëmijësh me flamuj kombëtarë e duke kënduar”.
Por me shumë kujdes dhe me dëshmi të pastër ai shkruan për orët e fundit të gjermanëve, reprezaljet e tyre, viktimat e pafajshme, mes të cilëve edhe klerikë. “Dukeshin egërsira. Ndiqnin njerëzit nëpër shtëpi dhe kursenin vetëm në këmbim të arit. Vranë shumë njerëz në kishën e jezuitëve dhe plagosën Padre Giovanni Faustin, që kërkonte të ndalonte këtë masakër”, – komenton Nigris.
Imzot Leone Nigris ishte diplomati i Selisë së Shenjtë që erdhi në vjeshtë 1938, si i fundit i këtij rangu dhe qëndroi deri në 11 tetor të vitit 1945. Nigris ishte doktor i së drejtës kanonike dhe në jug të vendit tonë vepronte në cilësinë e ordinarijatit, duke themeluar disa famulli dhe shumë qendra misionaresh.
Ishte ai që i kërkoi për herë të parë Selisë së Shenjtë transferimin e Selisë Apostolike nga Shkodra në Tiranë, për arsye se situata do ta kishte bërë më të volitshme praninë e Delegatit Apostolik në kryeqytet, si qendër se sa në Shkodër, që ishte në skaj të Shqipërisë.
Por, megjithë angazhimin e tij s’mundi sepse natën e 18 dhjetorit 1943, është djegur Selia Apostolike në Shkodër. Transferimi i Selisë nuk u bë më. Ai do të shprehej në fillim të veprimtarisë së tij se:
“gjatë pushtimit italian vizitova katër Kampe të burgosurish grekë dhe jugosllavë; gjatë pushtimit gjerman u interesova për të burgosurit dhe për qytetarët italianë. Si në regjimin italian, ashtu dhe gjatë pushtimit gjerman, iu bëra mbrojtës Hebrenjve”.
Leone Nigris: Shqiptarët dhe çlirimi i tyre
Ja pjesë nga raporti që ambasadori i Vatikanit i dërgonte Selisë së Shenjtë
-Partizanët ngulmonin në ritmin e tyre dinamik të pushtimit. Nga Zadrima zbritën në zonën e Barbullushit dhe të Bushatit, kur në mbrëmjen e 19 nëntorit sulmuan kolonat gjermane që marshonin drejt Shkodrës.
Prej andej kaluan në Bërdicë, ku në 25 dhe 26 i rezistuan sulmeve të gjermanëve dhe të këmishëzinjve. Në datën 20 ata u shfaqën në Bardh, ku gjermanët dërguan njerëz e topa për t’i përmbajtur, ndërsa gjermanët e tjerë dhe 300 këmishëzinj mbronin zonën fqinje të Jubanit dhe Hasan Isufi me xhandarët e tij qëndruan në perëndim të liqenit në pritje të ndonjë reparti të mundshëm nga Mali i Zi. Arritën të hyjnë në Dukagjin nga ana e Thethit, duke parë vështirësinë për të avancuar përtej Nikajt nga ana e kundërt.
Dukagjinasit kërkuan si fillim përforcime në Shkodër dhe kjo u dërgua në 24 dhe më tej bënë një kompromis.
Por gjysma ishte Shkodra, mburoja e fundit për të shpartalluar në Shqipëri dhe rreth saj rrethi ngushtohej gjithnjë e më shumë, ndërsa repartet e reja marshonin nga disa drejtime, Puka, ndoshta dhe Tivari. Dita e fiksuar për sulm ishte 29, por disa grupe ishin tashmë në qytet në 28, qarkullonin me kujdes, ishin në dijeni që ofiçina elektrike furnizonte me energji qytetin në orën 17 për mesazhin, që kreu i qeverisë do të mbante në radio Tirana.
Për fat kontingjenti i fundit u nisën në orën 4 të datën 29, kështu që partizanët mund të hynin pa problem në qytet. Shtinin me armë në shenjë feste, duke krijuar një zhurmë shurdhuese, ndërsa një re tymi shtrihej mbi gjithë qytetin. Dita ishte tepër e gjallë, por nuk pati çrregullime. Paradës së partizanëve i shtoheshin tufa fëmijësh me flamuj kombëtarë e duke kënduar.
* * *
Trupat partizane në Shkodër janë 4 brigada, dy prej të cilave vijuan për në Mal të Zi në ndihmë të trupave të marshall Titos kundër gjermanëve në tërheqje. Të tjera trupa priten nga Tirana.
Lajmet nga Tirana janë të mira: qetësi dhe pa probleme. Por çfarë kërdie bënë gjermanët në ditët e fundit!
Dukeshin egërsira. Ndiqnin njerëzit nëpër shtëpi dhe kursenin vetëm në këmbim të arit. Vranë shumë njerëz në kishën e jezuitëve dhe plagosën Padre Giovanni Faustin, që kërkonte të ndalonte këtë masakër, duke u thënë se bëhej fjalë për të pafajshëm…
Nuk ka ndonjë statistikë të të vdekurve në ato ditë terrori, flitet për 56 italianë, rreth 500 shqiptarë dhe mbi 1000 gjermanë. Partizanët u ndeshën trimërisht.
Por elementë të papërgjegjshëm shkaktuan viktima edhe mes shqiptarëve, nuk dihet numri, por autoritetet po vendosin rregullin.
* * *
-Nuk duken të qarta raportet mes partizanëve dhe Anglezëve.
Këta kanë misione në disa qytete, por duket se partizanët ushqejnë mosbesim, në Korçë ata refuzuan disa subvencione, në Shkodër pranuan një ngarkesë me materiale sanitare të lëshuara nga një avion, por bën të pezullohen punimet për ndërtimin e një piste aeroporti që gjermanët e shpërthyen me 3000 mina, në përgjithësi nuk pëlqejnë që shqiptarët dhe italianët të kenë komunikim me anglezët, duket se kanë frikë të një pushtimi të tretë të vendit të tyre, ka mundësi që të jetë një antagonizëm politik, në kuptimin që anglezët ndoshta do të duan një regjim demokratik mbi vullnetin e lirë të popullit, ndërsa partizanët do të duan të jenë totalitarë.
Qeveria i kërkoi aleatëve njohjen dhe ky hap mund të çojë më në qartësim. Në të gjitha fshatrat u ngritën këshille, në qytet janë këshillat rajonalë dhe një këshill provincial, në Tiranë është edhe një këshill kombëtar.
* * *
-Raportet e mia me partizanët janë të mira: në Shkodër na bënë vizitë, të cilën e kthyem bashkë me Mons. Peshkopin. Në Tiranë pashë shumë diferencë si nga ana e autoriteteve politike (kreu I qeverisë dhe ministri i Punëve të Jashtme) si nga ana e autoriteteve ushtarake.
Situata nuk është shumë e qetë arrestimet, persekutimet, rekrutimi i të rinjve, mikpritja me forcë e partizanëve në shtëpitë e qytetarëve, gjëra që mund të jenë të kuptueshme në një periudhë të turbullt si kjo, por që nuk janë të pëlqyeshme, krijojnë në qytet e jashtë tij një lloj shqetësimi të përhapur, që mund të bëhet i rrezikshëm.
Do zoti gjendet një zgjidhje pa tronditje të rrezikshme, që të çojë në një normalizim gradual dhe një rimarrje të vrullshme të jetës së qetë, që njerëzit t’i kthehen punës, që të përmirësohen kushtet e popullit, sa fatkeq, aq edhe krenar për pavarësinë e vet, të shtypur për 5 shekuj nga turqit dhe të tronditur, si nga probleme të brendshme dhe nga pushtimet armike dhe nga luftërat.