Lëvizjet e fundit të Ramës për rifitimin e bashkive

Teksa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë përqendruar energjitë në funksion të objektivit të shpallur, për rrëzimin e qeverisë ‘Rama 2’ dhe krijimin e një qeverie antimafia, Partia Socialiste ka intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2019.

Në zbatim të vendimeve të miratuara në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, përfaqësuesit e partisë më të madhe politike në vend, ditët e fundit, kanë ndërmarrë disa lëvizje, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Shqiptarja.com ka mësuar se kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS, përpos ndryshimit të disa drejtuesve politikë në qarqe, ka ndryshuar edhe drejtuesit politikë në nivel bashkie.

Deputetët me rezultatin më të lartë në zonat a tyre, në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017, janë caktuar në njësitë vendore, ku Partia Socialiste mori një rezultat negativ në raport me objektivin e përcaktuar. Ndërsa deputetët e zonave ose bashkive humbëse kanë marrë detyra të tjera ose janë caktuar në zonat ku Partia Socialiste nuk e ka vënë në diskutim fitoren. Ndryshimet kanë ardhur pas disa takimeve të Ramës me deputetët sipas zonave.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste po punojnë gjithashtu për ndërtimin e një koalicioni të gjerë, me qëllim zgjerimin e hartës me bashkitë e fituara dhe për të maksimalizuar përfaqësimin në këshillat bashkiake, të quajtura ndryshe parlamentet vendore. PS ka nisur bisedimet me krerët e partive të vogla, për krijimin e një koalicioni parazgjedhor, sigurisht pa LSI.

Në fokusin e PS janë edhe grupe të caktuara sociale, si ish-ushtarakët, minatorët, fermerët, veteranët e luftës etj., grupe me të cilat përfaqësuesit e PS kanë intensifikuar kontaktet për llogari të zgjedhjeve lokale. Gjithashtu ka nisur piketimi i personave të ndryshëm, kryesisht të rinj të paangazhuar më parë, për t’i anëtarësuar në PS. Në muajit në vijim do të nisë edhe një fushatë anëtarësimesh.

Lëvizjet e tjera
Në zbatim të porosive në mbledhjen e Asamblesë, krerët e degëve të PS në bashkëpunim edhe me kryebashkiakët socialistë kanë përfunduar ngritjen e zyrave të bashkëqeverisjes në shumicën e njësive vendore. Kontrolli i regjistrit të afetarisë, me qëllim për ta pastruar nga anëtarët që kanë kaluar nëpër parti të tjera apo që nuk angazhohen më, është një tjetër lëvizje e PS, po për llogari të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Po ashtu, PS pothuajse ka përfunduar zgjedhjet në 193 organizata e mbetura nga 4978 gjithsej. Drejtuesit e organizatave bashkë me përfaqësuesit politikë (ministra dhe deputetë), krerët e degëve dhe koordinatorët do të zbatojnë strategjinë për fitimin e zgjedhjeve.

Ndryshimi i drejtorëve
Largimi i drejtorëve të fundit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjitha nivelet e administratës është një tjetër objektiv që po realizohet nga Partia Socialiste. Ditët e fundit janë shkarkuar në bllok drejtorët e LSI në Mat dhe Lezhë. Ata po zëvendësohen me konkurs.

Drejtorët, edhe për shkak se janë kontakti i parë me qytetarët, kanë një rol më rëndësi në kanalizimin e votave në zgjedhje. Në këtë kuadër, në të gjitha rrethet po monitorohet puna e drejtorëve si dhe çdo emërim. Po ashtu, Partia Socialiste po mirëpret të gjitha ta socialistë, të cilët për arsye të ndryshme i janë bashkuar LSI.

Lëvizjet e PS për zgjedhjet lokale 2019
Përfundon ngritja e zyrave të bashkëqeverisjes në shumicën e njësive vendore.

Fillimi i bisedimeve me krerët e partive aleate të majta, për krijimin e një koalicioni parazgjedhor.

Intensifikohen kontaktet me grupe të caktuara shoqërore si ish-ushtarakët, minatorët, fermerët, veteranët e luftës etj.

Piketimi i personave të ndryshëm, të paangazhuar, kryesisht të rinj, për t’i anëtarësuar në PS.

Hapja e dyerve për rikthimin e socialistëve, të cilët i janë bashkuar në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme LSI.

Ndryshimi i drejtuesve politikë në nivel bashkie dhe njësish bashkiake. Deputetët më të suksesshëm dhe me rezultatin më të lartë në zgjedhjet fundit janë caktuar në bashkitë ku PS mori rezultat më të ulët se objektivi i parashikuar.

Ndryshimi i disa drejtuesve politikë në qarqe.

Përfundimi i zgjedhjeve 193 organizata socialiste nga 4978 gjithsej. Drejtuesit e organizatave bashkë me përfaqësuesit politikë (ministra dhe deputetë), krerët e degëve dhe koordinatorët do të zbatojnë strategjinë për fitimin e zgjedhjeve.

Zëvendësimi i drejtorëve të LSI në të gjitha nivelet e administratës.

Monitorimi i punëve të drejtorëve në të gjitha nivelet.

Monitorimi i emërimeve në organikat e drejtorive në rrethe.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME