Në këtë pjesë të dytë të rrëfimit të gazetarit dhe shkrimtarit amerikan Peter Lucas, mbështetur tërësisht në dokumentet sekrete amerikane të kohës, tregohet situata në Shqipëri menjëherë pas çlirimit të vendit. Shqipëria e drobitur dhe shkatërruar nga lufta ishte në një udhëkryq historik. Nga do t’ia mbante Enveri për të mbijetuar: nga Perëndimi apo Lindja? Vërtetohet se udhëheqësi komunist i ka shfrytëzuar maksimalisht shanset dhe lidhjet e tij me aleatët e kohës së luftës. Ai u ka kërkuar ndihmë amerikanëve, por ata nuk e njohën qeverinë e Hoxhës…
Në raportet sekrete amerikane shkruhej tekstualisht: Hoxha përsëriste “sërish dhe sërish që ne duhet të ndihmohemi nga Amerika”. Vonesa dhe mungesa e kësaj ndihme bënë që Hoxha të mos u besonte amerikanëve. Ai besonte se anglezët i hiqnin për hunde Shtetet e Bashkuara. Pse Enveri kishte një urrejtje përvëluese ndaj anglezëve dhe pse ai nuk e ndryshoi asnjëherë bindjen se anglezët bënin plane për ta përmbysur atë dhe për ta ndarë Shqipërinë në mes, duke ua dhënë jugun grekëve.
Shumë domethënës është fakti i një vizite (ndoshta e vetmja) që Enveri ka bërë në ambasadën amerikane në natën e 11 shkurtit të vitit 1945, ndërsa priste me ankth përfundimet e takimit të Tre të Mëdhenjve në Jaltë, Stalinit, Rusveltit dhe Çërçillit.
Çfarë bisedoi Enveri me diplomatët amerikanë dhe çfarë u kërkoi për Shqipërinë. Sa ndikoi refuzimi që SHBA i bënë Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Çfarë i kërkoi ai gazetarit Peter Furst në të vetmen intervistë të tij për shtypin amerikan në vitin 1945.
Nervozizmi dhe dyshimet e Enverit me sjelljen e aleatëve që strehonin kriminelë të kohës së luftës dhe përshkrimi i gjyqeve që u zhvilluan në atë kohë në Tiranë e qytete të tjera.
Peter Lucas
Situata ekonomike në Shqipëri ishte e vajtueshme. Jo vetëm që infrastruktura e dobët e vendit ishte shkatërruar, por mijëra fshatra ishin djegur dhe të mbjellat qenë rrënuar. Veç kësaj, në ikje e sipër nga Shqipëria gjermanët plaçkitën sistematikisht vendin. Punonjësit e sektorit shtetëror që kishin muaj pa u paguar, tani ishin krejtësisht pa punë. Nuk kishte industri, as tregti, as punë. Shumë ishin të detyruar të shisnin veshmbathjet dhe sende personale të tyre nëpër rrugët e Tiranës.
Kishte aq pak pará në qarkullim saqë qeveria e përkohshme mund të paguante vetëm ministrat e rinj me pesëdhjetë dollarë në muaj, pagesë që e bënte një privat amerikan.
Hoxha kish nevojë për ndihmë. Shpejt ai pa se dy miqtë e tij të rinj, Stalini në Bashkimin Sovjetik dhe Titoja në Jugosllavi kishin problemet e tyre të mëdha ekonomike dhe mezi arrinin të jepnin ndonjë ndihmë të vogël për Shqipërinë.
Hoxha, megjithë armiqësinë ndaj Aleatëve, ishte i detyruar t’u drejtohej atyre për ndihmë ekonomike, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e kishin njohur qeverinë e tij.
Hoxha në shumë mënyra ishte një njeri i mbetur në udhëkryq. Nga t’ia mbante, nga lindja apo nga perëndimi? Kishte njerëz përreth tij si Nishani që në përgjithësi admironte Shtetet e Bashkuara që e këshillonte të binte në ujdi me amerikanët. Nga ana tjetër ishin një grup komunistësh të vijës së ashpër si Koçi Xoxe që e shtynin Hoxhën drejt Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.
Hoxha e adhuronte Stalinin, dhe do ta adhuronte deri në fund të jetës së tij, pavarësisht se sovjetët kishin qenë vetëm spektatorë gjatë luftës në Shqipëri. Hoxha nuk u besonte amerikanëve. Ai besonte se anglezët i hiqnin për hunde Shtetet e Bashkuara. Ai kishte një urrejtje përvëluese ndaj anglezëve.
Ai ishte i bindur se anglezët bënin plane për ta përmbysur atë dhe për ta ndarë Shqipërinë në mes, duke ua dhënë jugun grekëve. A nuk ishin anglezët që kishin mbështetur armiqtë e tij më përpara? Dhe a nuk ishin po anglezët dhe amerikanët që tashmë u jepnin strehë në Itali tradhtarëve shqiptarë që kishin ikur?
Megjithë suksesin e Hoxhës në marrjen e pushtetit në vend, as ai dhe as ndonjë nga njerëzit rrotull tij nuk kishin ndonjë përvojë çfarëdoqoftë në qeverisje – as në një fshat, as në një qytetth të vogël, as në një qytet të madh – le më një vend. Ata ishin të rinj dhe pa përvojë, ndërsa vendi ishte në mëshirën e fatit.
***
Në fillim të vitit 1945 Departamenti i Shtetit dërgoi rreshterin e OSS-it Stefën Peters, 39 vjeçar, të shikonte situatën politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Peters, i cili kishte lindur në Shqipëri, ishte një amerikan shqipfolës që kishte mbaruar Harvardin. Ai kishte dhënë mësim në Boston si dhe në Shqipëri. Ai konsiderohej si një intelektual që kishte një qëndrim të prerë për Shqipërinë që duhej ndihmuar të mëkëmbej, sipas një raporti objektiv që ai përcolli. Ai njihte shumë njerëz në vend.
Vizita e tij u bë në një kohë kritike. Në javën e parë të shkurtit 1945, Tre të Mëdhenjtë – Rusvelti, Çërçilli dhe Stalini – u takuan në konferencën e paqes në Jaltë të Krimesë për të gjetur zgjidhjen e një Europe të ndarë dhe vunë në rendin e ditës një konferencë të Kombeve të Bashkuara në San Francisko në prill.
Petersi ishte përkrah Stefanit, Kukiçit dhe O’Kifit në çdo ngjarje. Ata i dhanë atij mundësi të shfrytëzonte dokumentet e tyre dhe t’i jepte ato me informacione shtesë.
Megjithëse Petersi teknikisht ishte një radio-operator, detyra e tij e vërtetë ishte të furnizonte OSS-in dhe Departamentin e Shtetit me informacione që ai do të mund të siguronte me aftësinë dhe me kontaktet e tij në gjuhën shqipe. Por ai shumë shpejt pa se intelektualët që ai kishte njohur dikur në Tiranë ishin tmerrësisht të frikësuar të bisedonin me të. “Ata të gjithë donin të bisedonin me mua gjerësisht, por nuk guxonin që të mos e shihnin veten në burg të nesërmen”, njoftonte Petersi.
Ai theksonte që personeli i Aleatëve ishte “i mbikëqyrur me rreptësi” dhe ata prireshin nga qeveria. “Ka të dhëna që komisarët kanë urdhëruar të shënohet dhe raportohet kurdoqoftë mbi personat që shihen të vizitojnë ose të bisedojnë me personelin e Aleatëve”.
Petersi gjithashtu raportonte se “pak njerëz që u shoqëruan me personelin e Aleatëve, menjëherë pas çlirimit të Tiranës, ishin rrasur brenda për një ditë a më shumë, ose ishin kërcënuar a paralajmëruar hapur apo tërthorazi nga komisarët”.
Petersi pa që Hoxha dhe ekipi i tij udhëheqës favorizonte rëndshëm jugosllavët dhe sovjetët në krahasim me amerikanët dhe britanikët, megjithëse bënte sikur ishte i përkushtuar për miqësi me Shtetet e Bashkuara.
“Si rusët dhe jugosllavët kanë besimin e partizanëve, ndërsa amerikanët dhe anglezët, sidomos tani së fundi po shihen me dyshim dhe mosbesim”, shkruante Petersi. Ai gjithashtu shumë shpejt pa se Qeveria e Hoxhës, e cila është ndërtuar nga shumë “anëtarë pro-rusë” nuk ishte e sinqertë. “Duke ndjekur shembullin e hershëm të rusëve për bllokim thuajse të plotë të informacioneve të brendshme për botën e jashtme, autoritetet e tanishme në Tiranë dyshues siç janë ata ndaj synimeve anglo-amerikane për regjimin aktual, janë duke u përpjekur të shkojnë më tej me programin e tyre me sa më shumë fshehtësi të jetë e mundur”, njoftonte Petersi. “Ndoshta ata janë duke ndjekur verbërisht politikën ruse me ndrydhjen e lajmeve pa i kuptuar qartësisht synimet ruse. Është bërë modë tani në Shqipëri të imitohen mënyrat ruse në bërjen e punëve”.
Petersi theksonte që shumë “pronarë të mëdhenj tokash, konservatorë dhe pro-fashistë janë duke u kërkuar ndihmë anglezëve për shpëtimin e tyre.
Ndërsa ndikimi amerikan vazhdon të jetë i lartë midis njerëzve të thjeshtë sikurse ka qenë dhe më përpara. Deri më tani, shtonte ai, “nuk ka dyshim që njerëzit kyç si Enver Hoxha dhe Sejfulla Malëshova [Ministër i Kulturës Popullore, i cili kishte studiuar në Moskë] po përpiqen të bëjnë pazare me Rusinë në kurriz të popullit shqiptar. Duke vazhduar në këtë rrugë ata mund të zbehin disi ndikimin amerikan.
Gjithashtu, përderisa të mos njihet qeveria aktuale nga Aleatët, pritet të veprojnë jo miqësisht dhe të shohin me dyshim dhe shqetësim qëllimet anglo-amerikane. Si një qeveri e panjohur, ata duket se nuk ndihen të sigurt, edhe pse janë të bindur se gëzojnë mbështetjen e shumicës së populllit. Të gjithë anëtarët e qeverisë janë shumë të frikësuar nga Anglia dhe besojnë që anglezët mund të inkurajojnë reaksionarët dhe profashistët dhe bëjnë kauzë të përbashkët me ta për të sjellë trazira dhe pakënaqësi midis popullit”.
***
Enver Hoxha, pavarësisht servilizmit të dukshëm ndaj sovjetëve dhe jugosllavëve, ishte tejet i shqetësuar për atë se çfarë do të bënin Aleatët në Shqipëri. Në natën e 11 shkurtit 1945, ditën që Tre të Mëdhenjtë lëshuan tekstin e marrëveshjes së arritur në Jaltë, një Hoxhë i shqetësuar bëri një vizitë të pazakontë në legatën amerikane.
Megjithëse anëtarë të tjerë të qeverisë shqiptare si Nishani, Shehu, Çitaku, Baba Faja, Ndreu e të tjerë kishin darkuar në legatë, vizita e papritur e Hoxhës, kryeministrit dhe komandantit të përgjithshëm, ishte e para e tij. Ai theu precedentin. Ai kishte sajdisur gjithmonë më përpara anglezët. Dukej që ai ishte i shqetësuar për fatin e Shqipërisë ndaj shkoi të shihte Stefanin dhe amerikanët e tjerë në një përpjekje për të marrë informacion. Ai shoqërohej nga Omer Nishani, ministri i jashtëm, i cili ishte miqësor me amerikanët dhe e admironte shumë vendin e tyre.
Stefani në raportin e tij dërguar Barit mbi takimin, thotë “Gjenerali [Hoxha] dukej nervoz dhe i mungonte vetëpërmbajtja e zakonshme e tij. Gjatë një periudhe prej dhjetë muajsh [unë] nuk e kam parë atë siç dukej këtë mbrëmje”. Stefani thotë se gjatë takimit, i cili zgjati një orë e gjysmë, “Nishani ndoqi bashkëbisedimin me Enverin duke folur shumë pak”.
Ai thotë se tema kryesore e bisedës ishte takimi i Tre të Mëdhenjve dhe “nëse ne kishim marrë ndonjë informacion në lidhje me të”. Stefani raportonte që Hoxha ishte “me sa duket i shqetësuar” pse nuk kanë mbërritur ndihmat nga Shtetet e Bashkuara, si dhe pse “gjithë propaganda i është bërë Titos për aksionet që formacionet e tij janë duke bërë” kundër gjermanëve në Jugosllavi. Hoxha ishte gjithashtu i shqetësuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë njohur qeverinë e tij.
“Vizita ishte e pazakontë, theu të gjithë precedentët”, njoftonte Stefani. “Nuk kujtohet që Gjenerali të na ketë sajdisur ne në ndonjë aktivitet, përpara se të kishte bërë të njëjtën gjë me anglezët. Vizita e shkurtër sigurisht nuk ishte bërë për shkak të deklarimit hapur të miqësisë së Hoxhës për SHBA.
Mbështetur te qëndrimi i tij i përhershëm ndaj anglezëve duket që ky gjest mund të interpretohet si një lëvizje e parë e hapur për të vënë amerikanët kundër anglezëve. Besoj se ka arsye të tjera të mjaftueshme për të provuar këtë pretendim”.
E dinin apo jo Hoxha ose Stefani, për Shqipërinë mezi ishte folur në Jaltë. Ndërsa Tre të Mëdhenjtë e ndanë Europën midis tyre, Shqipëria nuk ishte përmendur. Shqipëria mbeti nën sferën angleze të interesave, edhe pse partizanët kishin formuar qeverinë e tyre. Për t’i shtuar fyerjes një fyerje tjetër, Shqipëria nuk ishte ftuar të merrte pjesë në mbledhjen e prillit të Kombeve të Bashkuara në San Francisko.
“Çfarë mund të bëhet më shumë për të fyer popullin shqiptar”, i tha Petersit një zyrtar shqiptar, “se sa të ftosh në Konferencën e San Franciskos vende si Liberia, Egjipti dhe Turqia që nuk kanë humbur asnjë njeri në këtë luftë, dhe të injorosh tërësisht Shqipërinë, e cila ka humbur mijëra njerëz. Aleatët e dinë mirë që ajo [Shqipëria] ka bërë më shumë se ç’i takonte”.
Vendet e tjera të ftuara në konferencë kontributi i të cilave për thyerjen e Hitlerit ishte i papërfillshëm, duke përfshirë këtu Haitin, Hondurasin, Kosta Rikën, El Salvadorin, Bolivinë, Paraguajin dhe Meksikon.
Për shumë shqiptarë kjo donte të thoshte që Shtetet e Bashkuara, duke ndjekur shembullin e Mbretërisë së Bashkuar, ishin të vendosura t’i kthenin krahët Shqipërisë dhe qeverisë së saj. Por shenjat ishin dukur me kohë. Uashingtoni dhe Departamenti i Shtetit shpërfillën kërkesat e shumta të Hoxhës që ai të lejohej të dërgonte një përfaqësues në Uashington për të diskutuar ndihmat dhe asistencën ushtarake.
Kur Petersi takoi Hoxhën më 19 shkurt, udhëheqësi shqiptar iu ankua thekshëm për mungesën e informacionit nga Konferenca e Jaltës mbi të ardhmen e Shqipërisë. Kjo e ka “shqetësuar” atë dhe qeverinë e tij, tha Hoxha. “Mungesa e njohjes, ose ndonjë informacioni mbi synimet e Tre të Mëdhenjve për Shqipërinë dhe qeverinë aktuale, është baraz me topitjen e të gjithë anëtarëve të qeverisë, të cilët ndiejnë se po trajtohen padrejtësisht dhe se vendi i tyre po bllokohet nga pjesa tjetër e botës”, njoftonte Petersi.
Petersi thotë se shërbeu si përkthyes për reporterin Peter Furst të zyrës së Romës të Stars and Stripes, i cili e intervistoi Hoxhën për një orë. Megjithëse Hoxha ishte miqësor, ai u ankua për Aleatët, të cilët kishin ndalur furnizimet për dy divizionet e tij që ishin ende duke luftuar në Jugosllavi. Petersi raportonte se Hoxha tha që partizanët e tij në Jugosllavi ishin duke luftuar në “kushte të tmerrshme”.
“Ai lexoi një kabëll që sapo e kishte marrë i cili thoshte që Divizioni i Gjashtë shqiptar në bashkëpunim me Brigadën e 5-të jugosllave, kishin marrë Vishegradin, pranë Sarajevës, me humbje të mëdha për armikun por edhe për formacionet shqiptare”. Dy divizionet shqiptare, pohoi Hoxha, “janë duke luftuar me armët dhe materialet e tjera të kapura nga armiku. Ata luftojnë një ditë ose dy, shpjegoi ai, pastaj riorganizohen dhe mbledhin materialet që i kanë kapur armikut, mjekojnë plagët e tyre, dhe planifikojnë aksionin e ardhshëm.
Ai tha se për shkak të mungesës së furnizimeve të mjaftueshme, formacionet shqiptare në Jugosllavi kanë humbur së tepërmi në çdo aksion, por, shtoi ai, ata do vazhdojnë ta luftojnë armikun e përbashkët deri në fund”. Hoxha këmbënguli që dy kërkesat e tij kryesore për Shtetet e Bashkuara ishin “njohja dhe ndihmat”. Petersi thotë se Hoxha përsëriste “sërish dhe sërish që ne duhet të ndihmohemi nga Amerika”.
Megjithë kërkesat e tij për “njohje dhe ndihma” nga Shtetet e Bashkuara, Hoxha vazhdimisht vendoste pengesa në përmbushjen e tyre. Hoxha e shtoi vazhdimisht poteren në faktin që qeveria e tij e re nuk ishte njohur zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara, si dhe që Shqipëria nuk ishte ftuar në mbledhjen organizuese të Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Ishte një gjendje disi si në librin e famshëm Catch-22. Njohja e qeverisë së tij të re nga Shtetet e Bashkuara varej nga rekomandimet e një grupi zyrtarësh civilë të Departamentit të Shtetit, të cilët Hoxha nuk pranonte t’i lejonte në vend.
***
Gjithnjë e më shumë shqiptarët e uritur vinin në legatën amerikane dhe kërkonin ndihma humanitare, pavarësisht rrezikut që u kanosej nga ky veprim. Në një mesazh drejtuar Fulcit, Stefani i kërkonte të dërgonte furnizime në Shqipëri pavarësisht nga situata politike. “Shumë pak është zgjidhur nga mbledhjet për ushqimet në Itali”, i thoshte ai Fulcit. Ai trajtonte çështjen e ndihmave të UNRRA-s për Hoxhën dhe pyeste se kur udhëheqësi shqiptar do të ndihmonte për mbërrritjen e ndihmave aq shumë të nevojshme. “Reagimi [nga Hoxha] erdhi brenda pak ditësh”, i kabllonte ai Fulcit.
“Ndërsa vija në dukje nevojën për ndihma të menjëhershme, unë kisha parasysh numrin e njerëzve që vijnë në legatë për të kërkuar punë apo vetëm ushqim në vend të pagës. Në një mënyrë arrogante ai mohonte ekzistencën e problemeve të tanishme, rezistonte në përparimin e bërë nga qeveria aktuale për krijimin e agjencive sociale të ndihmës dhe theksonte në mënyrë të veçantë rrëmujën publike dhe mensat për të varfërit.
Koment:
Në lidhje me këtë të fundit, vetëm shtresat e ulëta të njerëzve dhe në disa raste, fëmijët jevgj, kanë përparësinë e këtij shërbimi. Shumë familje, megjithëse në një gjendje të llahtarshme, nuk ua lejon dinjiteti dhe kryelartësia të rrinë në radhë për pak ushqim”.
Ndërsa Hoxha bënte pazare për kontrollin e ndihmave të UNRRA-s me zyrtarët amerikanë dhe anglezë, ndërmori një hetim të gjerë për kriminelët e supozuar të luftës, kryesuar nga tepër i frikshmi Xoxe. Xoxe në këtë kohë ishte i barabartë me Hoxhën në punët e partisë dhe dihej se vëzhgonte me vigjilencë. Ndërsa Hoxha në qarqet partiake shihej si një “intelektual”, Xoxe shihej si një përfaqësues i vrazhdë i “punëtorëve” të Shqipërisë, një njeri i gatshëm të fuste kudo duart e tij të pista. Stefani i tha me radio Fulcit: “E kam njohur këtë njeri për një kohë të gjatë dhe përshtypjet e mija për të nuk janë të mira”.
***
Një Komision Qendror Hetimi u ngrit në Tiranë të shqyrtonte rastet e kriminelëve të supozuar të luftës dhe të të burgosurve politikë. Komisione të këtij lloji ishin ngritur nëpër qytete në mbarë vendin.
Në një pushtet të terrorit, mijëra simpatizantë të dyshuar të Ballit Kombëtar dhe familjet e tyre u arrestuan dhe burgosën, përfshi kunatin e Hoxhës Bahri Omarin, i cili kishte qenë anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar. Omari ishte martuar me motrën më të madhe të Hoxhës, Fahrijen. U arrestuan gjithashtu Tefik Mborja, Qemal Vrioni dhe Kol Tromara, të gjithë nga familje të spikatura shqiptare.
Mborja, një mik i Ministrit të Jashtëm italian Galeaco Çiano, dhëndër i Musolinit, kishte strehuar në shtëpinë e tij dikur Hoxhën dhe Nishanin kur ata endeshin poshtë e lart në vitin 1943. Petersi, i cili ndoqi gjyqin e Omarit, thotë se disa shqiptarë të shquar u përpoqën të ndërmjetësonin me anë të OSS-it me qëllim për të shpëtuar Omarin dhe Tromarën, i cili po gjykohej bashkë me të.
Të dy ata kishin qenë drejtues të organizatës shqiptaro-amerikane “Vatra” në Boston si para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Tromara sipas Hoxhës, kishte kryer për më tepër “krimin” e talljes së Hoxhës, duke iu referuar atij si “zoti i Kuq” gjatë diskutimeve të paraluftës.
Si Omari dhe Tromara u gjetën fajtor dhe u ekzekutuan bashkë me një numër të tjerësh. Edhe Mborja e Vrioni u gjetën fajtorë dhe u dënuan me vdekje. Megjithatë, dënimet e tyre u kthyen në tridhjetë vjet burg për të parin dhe burgim i përjetshëm për tjetrin.
Gjyqet, disa nga të cilët zhvilloheshin në kinoteatër, fillonin çdo ditë në orën 9 të mëngjesit. Ato transmetoheshin me altoparlantë, si ndeshjet e sportit. Nëpër Tiranë ishin varur tabela që njoftonin se “Erdhi ora për kriminelët e luftës”. Njerëzve iu kërkohej gjithashtu të njoftonin ndonjë nga fqinjët e tyre që mund të kishte kryer krime lufte.
Dënimi me vdekje jepej me lehtësinë më të madhe prej organeve të hetimit të kontrolluara nga komunistët. Bashkimi, gazetë e partisë, botonte rregullisht si rezultatet e futbollit numrat dhe emrat e njerëzve që ishin ekzekutuar në Tiranë, Korçë, Vlorë, Ersekë e gjetiu.
Anëtarët e Ballit Kombëtar dhe simpatizantët e gjermanëve argumentonin me dëshpërim se kishin interesat e Shqipërisë në zemër kur bashkëpunuan me gjermanët. Ata donin të shpëtonin vendin nga dëmet e pariparueshme të luftës. Ata thoshnin se ishin viktima të rrethanave dhe që kriminelët e vërtetë të luftës ia kishin mbathur në Itali ku jetonin nën mbrojtjen e Aleatëve. Petersi me sa duket ishte dakord me këtë.
Ai raportonte, “Pjesa më e madhe e atyre që kanë kryer krime të qëllimshme janë tashmë ose në kampet e Aleatëve në Itali ose në Gjermani. Dokumentet e dala deri më tani në gjyq duket se tregojnë se aktualisht ka një grusht kriminelësh që strehohen nga Aleatët në Itali”.
Hoxha në mënyrë të përsëritur kërkonte kthimin e këtyre njerëzve që ata t’i dorëzoheshin gjyqit në Tiranë, por Aleatët i hodhën poshtë të gjitha kërkesat. Hoxha me të drejtë dyshonte që këta njerëz, që ishin në Itali nën mbrojtjen e Aleatëve duke komplotuar për përzënien e tij, ishin kundërshtarë të regjimit të tij.
Ata ose kishin shoqëruar gjermanët në tërheqjen e tyre nga Shqipëria, ose ishin nxjerrë jashtë vendit nga Aleatët ndërsa partizanët kërkonin arrestimin e tyre. Në çdo rast ata përfunduan në kampe në Itali. Hoxha ishte i shqetësuar ngaqë, sipas tij, Aleatët po vepronin po aq keq sa edhe gjermanët duke strehuar armiqtë e tij.
/ Gazeta Dita