Titulli i fundit kampion për Vllazninë ka qenë ai i vitit 2001. Plot para 17 viteve. Një prej protagonistëve të atij suksesi ka qenë edhe shqiptaro- malazezi Asim Gjokoviç.
Mesfushori dha një kontribut jo të vogël për këtë sukses dhe padyshim që në fund ka festuar bashkë me pjesën tjetër të skuadrës por edhe me gjithë Shkodrën.
Jeton në Tuz ku merret edhe atje me futboll, megjithatë përcjell edhe lajmet rreth Vllaznisë. Natyrisht që i vjen keq për situatën të cilën ajo kalon dhe nuk arrin ta shpjegojë këtë gjë.
Në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” Gjokoviç do shprehej: “I përcjell rregullisht lajmet rreth Vllaznisë sepse kjo skuadër më ka mbetur në zemër.
Ndonëse kanë kaluar plot 17 vite që ai nga moment kur e shpallëm për herë të fundit kampion këtë ekip, sërish edhe sot e kësaj dite, ato emocione që kam përjetuar atë ditë i ruaj ende në kujtesë.
Madje, më përcjellin trupin kur mendoj festën që pat ky qytet për atë titull kampion. Si ka mundësi që ky ekip nuk është shpallur asnjëherë kampion që prej atij viti?
Shkodrës, një prej qyteteve më të mëdha dhe më me traditë në futbollin shqiptar të shkojë në këtë gjendje sa për të diskutuar edhe rënien nga kategoria, nuk i shkon për shtat kjo gjë.
Ata që kanë diçka në dorë, duhet patjetër të bëjnë diçka sepse ai qytet, ata tifozë meritojnë një Vllazni ndryshe”.
Aktualisht Gjokoviç punon tek ekipi Deçiç i Tuzit që merr pjesë në Superligën malazeze ku bën punën e drejtorit të Akademisë por edhe atë të zëvendëstrajnerit të ekipit të parë.
39 vjeçari ka dëshirë të bëj një krahasim të kësaj skuadre ku punon aktualisht me Vllazninë.
“Deçiçi ku unë punoj, nuk ka traditë në futbollin malazez dhe ndonëse përfaqëson një qytet të vogël si Tuzi, ia ka dalë të konkurrojë si i barabartë me ekipet e tjera të këëtij vendi. Madje sezonin e kaluar kemi qenë shumë pranë Kupave të Europës por në fund na bënë një “puç” dhe nuk ia dolëm.
Kemi një organizim të mirë dhe kjo i duhet ndoshta edhe Vllaznisë për të dalë nga ky moment ku ndodhet”- thotë Gjokoviç.
© shkodrasport.com