Amerikanët më 1912: Isa Boletini, heroi që duhet ta njihni!

Një gazetare amerikane që e takoi Isa Boletinin pak kohë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, sjell një korrespondencë interesante mbi bëmat dhe karakterin e shqiptarit më të madh pas Skënderbeut dhe luftëtarit më trim, më të ndershëm, më fisnik e më të famshëm të Ballkanit

Ndër më të famshmet janë rrëfimet e diplomatit e shkrimtarit anglez, Aubrey Herbert, i cili e takoi legjendën e shqiptarëve në vitin 1912 në Mitrovicë e pas një viti në Londër, duke e përjetësuar për karakterin e virtytet që përfaqësonte,

në kapitujt e ditarit të tij “Ben Kendim” (shih:Aubrey Herbert: Ben Kendim, a Record of Eastern Travel – London: Hutchinson & Co., 1924, fq. 198-213).

Por vitet e fundit, publiku shqiptar ka mundur të njohë, falë kontributeve individuale të të pasionuarve të historisë më shumë, sesa “zbulimeve” të vetë historianëve profesionistë, disa intervista të dhëna nga Isa Boletini në vitet 1908-1913,

për mediat ndërkombëtare, e madje edhe ato ruse (shih: Intervistë e Isa Boletinit për gazetën ruse “Birzevijih Vjedomosti” – 20 korrik 1912, gazeta Telegrafi, 13.06.2014).

Është pikërisht kjo periudha kur emri i tij ishte bërë tashmë një legjendë e vërtetë e motiv për të lëvizur shumë larg redaksive e për ta takuar,

për shumë gazetarë e korrespondentë, ndërsa Shqipëria po konsumonte formalisht ditët e saj të fundit nën pushtetin e Portës së Lartë.

Ishte koha kur zienin kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi e ishte pjekur gjithashtu një frymë e qartë kombëtariste e ndërgjegjësim mbarëpopullor, për të arritur objektivat e përbashkët.

Bota po i njihte tashmë shqiptarët më nga afër me të gjitha vlerat e defektet e tyre, dhe aty ku mundej, shtypi po bëhej edhe reklamues i synimeve të tyre të drejta e të kahershme, duke i kaluar kësisoj kufijtë e kontinenteve e çarë oqeanet.

Në këtë kuadër, vjen edhe një korrespondencë speciale, që unë e hasa fillimisht në arkivin e një gazete amerikane (shih: Fighting the Turks – “Monsieur” Issa, Albanian Hero, Type of Warrior That Threatens Ottoman Empire – The Sunday Oregonian, Portland,

USA, 27 tetor 1912, fq. 6), të tetorit 1912, e më pas të riprodhuar në një distancë të vogël kohore, edhe në dy gazeta të tjera: njëra australiane e tjetra neozelandeze (shih:AN ALBANIAN BRIGAND – The Mercury, Australi, e shtunë 14 dhjetor 1912, fq. 9dhe gazetaPress, Zelandë e Re, 23 nëntor 1912, fq. 12).

Përmbajtja e tyre, që rezulton të botohet kësisoj për herë të parë për publikun shqiptar, është një risi më vete, sepse na dëshmon se deri ku kishte shkuar interesi publik ndërkombëtar për trajtimin e çështjes shqiptare në terma gjeografikë dhe, nga ana tjetër, na rrëfen një profil disi “më ndryshe” të Isa Boletinit, të cilin edhe vetë gazetarja amerikane, qysh në krye të herës e cilëson gjithsesi si: “… heroi më i madh shqiptar qysh prej Skënderbeut, në shekullin e pesëmbëdhjetë.

Ai është më trimi, më i ndershmi, më fisniku, më i ashpri dhe më i famshmi i luftëtarëve ballkanas”.

Materiali i mëposhtëm është sjellë i përkthyer i plotë nga gazeta amerikane në fjalë, ku gjendet edhe një foto vërtet sa interesante aq edhe e padokumentuar më parë e Isa Boletinit, veshur me kostum toskë, gjë e cila në fakt mund të ngrejë edhe shumë pikëpyetje.

Ndërkohë që varianti neozelandez e ai australian (ku nuk gjenden foto), janë përcjellë thuajse të njëjtë në përmbajtje, me disa ndryshime të vogla e të pakonsiderueshme, siç janë për shembull përllogaritja e vlerave të dhuruara nga sulltani Isa Boletinit, nga dollarë amerikanë, në paund britanikë, për t’iu përshtatur sigurisht lexuesit përkatës.

Interesante është gjithashtu përqasja e autores së shkrimit, e cila megjithëse i vë në dukje personazhit të saj, shumë karakteristika pozitive, shkon më thellë e sjell detaje mbi jetën e tij personale që ndoshta nuk hasen nëpër intervista, rrëfime apo materiale të tjera dokumentare, pavarësisht se anekdotat për Boletinin, dihet se kanë qenë një material i mirë dhe i pasur për shumë platforma të asaj kohe.

Kështu, për shembull, ndërsa e cilëson si një njeri me shumë humor, ajo vë në dukje sqimën, sipas saj, të tepruar, por të justifikueshme të liderit të madh të shqiptarëve.

Po ashtu, ajo aludon edhe për një arsye dytësore që e çoi në vitin 1904, Isa Boletinin dhe çetën e tij, të vriste konsullin rus në Mitrovicë, për të cilin historia ka dhënë sigurisht versionet që tashmë dihen nga të gjithë, e që lidheshin me rolin e tij tërësisht negativ për fatet e shqiptarëve në Kosovë.

Po ashtu, një informacion për t’u marrë në konsideratë është edhe prania e një anëtari serb të shqiptarizuar në radhët e çetës së Boletinit, që kishte dhunti prej rapsodi.

Shoqëruar kjo me “fiksimin” e Isa Boletinit për t’u paraqitur si “zotni” apo “Monsieur”, e bën kontributin e panjohur deri më tani për shqiptarët, të gazetares amerikane, Bertha Spencer, të gëzojë pra disa vlera të veçanta.

Sidomos shumë mbresëlënës, rezulton parashikimi i saj mbi fundin e një heroi të tillë, ndërsa e mbyll artikullin me fjalët: “Një njeri i tillë, nuk mund të ketë një karrierë të zakonshme. Ai është i destinuar të vdesë në trekëmbësh ose në betejë”.

Sidoqoftë, leximi i plotë i korrespondencës në fjalë, sjellë tashmë më shumë se 100 vite pas botimit në origjinal, na zbulon shumë më tepër rreth figurës së Isa Boletinit, siç e kemi dhe siç nuk e kemi njohur kurrë më parë. /Gazeta Shqip/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME