Pse më dhemb vendi im?!

Nga MARIN MEMA

Sigurisht nëse Shqipëria do të ishte një vend i shkretë apo i limituar në mundësi do të duhej të ngrinim supet e të pranonim realitetin. Fundja asgjë nuk ndryshohet me shkop magjik e as me fantazi të momentit.

Për fat të mirë apo të keq ky vend ka gjithçka për të qenë një oaz i zhvilluar edhe pse sot nga mundësitë e tij shfrytëzon pak ose thuajse asgjë.

Shqipëria ka pasuri minerare, por askush nuk ka kuptuar kurrë me transparencë e vërtetësi çfarë ndodh realisht me këtë sektor.

Investitorë që ikin e vijnë, falimentojnë, grabisin, kthehen, akuzojnë, zëvendësohen, shantazhohen; me pak fjalë një proces qe i përngjan një mish-mashi që nuk ka shembull të dytë.

Shqipëria ka një vijë të mrekullueshme bregdetare e cila sot shfrytëzohet keq, reklamohet edhe më keq, duke krijuar në këtë mënyre pamundësi për një zhvillim të sigurt e afatgjatë.

I gjithë ky sektor mbështetet tek numrat e hyrje-daljeve të turistëve të huaj, pa përcaktuar qartazi cilat janë prurjet e tyre në ekonominë e vendit dhe si mund të përmirësohet ky raport.

Për fat të keq mbështetja është e pamjaftueshme, investimet jo të qarta dhe projektet të mjegullta.

Pikërisht për këtë arsye turistët shikohen si një objekt fitimi i momentit dhe jo si një mundësi afatgjatë për të forcuar e stabilizuar në kohë këtë sektor. Vetë shqiptarët preferojnë në masë të udhëtojnë në Kolashin, Mavrovë apo edhe sa e sa destinacione të tjera, kur ky vend nga Vermoshi, Lëpusha, Valbona, e deri në Voskopojë, Dardhë, Kolonjë e me radhë ofron mrekulli të natyrës që të paktën në pamje nuk kanë asgjë mangët nga alpet e famshme të Zvicrës.

Për shkak të të qenit një kryqëzim, që në kohët më të hershme, Shqipëria ka sot territorin më të pasur me site arkeologjike. Është e pamundur të mos gjesh çdo kilometër katror një kala, një fortifikim të thjeshtë, një qytezë të lashtë apo mesjetare, një objekt kulti apo vendbanim prehistorik, legjenda, kulte, mite e gjithçka tjetër që e bën këtë vend unikal për ndërthurjen që ofron. Megjithatë shumica e këtyre jo vetëm nuk njihen, por edhe po rrënohen.

Në Gjirokastër, Berat e Krujë gërmime të reja nuk ka, për më tepër shumë shtëpi karakteristike po bien. Në Durrës betoni mbulon ç’të mundet, ndërsa në Fushë Krujë dergjet Albanopoli, në Mallakastër Nikaia, në Lezhë Lisusi, në Dibër Grazhdani, Dimali, Palokastra, Antigonea, Finiqi, Sarda, Danja, Drishti e kështu me radhë.

Më tej akoma, nëse kërkon të prekësh kaosin në Shqipëri mjafton të analizosh sektorin e bujqësisë. Dikush flet për halorë, dikush për shafran, dikush për mollë e dikush për dardha, në fund ajo që mbetet dhe unifikon gjithçka është se prodhimi hidhet në ndonjë kanal anës rrugës.

Sigurisht këtu nuk llogaritet mungesa e tregut, e konkurrencës së drejtë, problemet e pronave, ngastrat e vogla, mungesa e bashkëpunimit mes fermerëve sepse këto janë një realitet i kudogjendur në Shqipëri.

Kështu ndodh me pyjet, me hapësirat e përbashkëta, me lumenjtë e me pasuri të tjera të jashtëzakonshme të këtij vendi, që nuk vlerësohen nga politika e aq më pak edhe nga vetë ne.

Kështu ndodh me arsimin ku fëmijët tanë më shumë njohin telenovelat sesa kush është Petro Luarasi, Fan Noli, Isa Boletini apo Ismail Qemali, ku të rinjtë kanë diploma, por s’mund t’i përdorin për asgjë.

Sot ky vend, Shqipëria jonë, qëndron në dyert e Europës si një jetim që herë e merr dhe herë jo një përkëdhelje mbi krye. Është e njëjta Europë që vështirë se do të ishte e tillë pa Kostandinin e Madh, pa Justinianin, pa Gjergj Kastriotin, e sa e sa figura të tjera qe megjithatë nuk mundet të ndryshojnë fatin e sotëm. Për ketë sigurisht fajin e kanë ata që vetë i kemi zgjedhur, që shkojnë e baltosin njëri-tjetrin në dyert e Brukselit thjesht e vetëm për uzurpimin e poltronës.

Në një territor kaq të vogël sa jemi tkurrur, korrupsioni është gradë, është pushtet, është arritje, është tallje me të ndershmit dhe të pamundurit. Janë të njëjtët që fshehin kokën dhe shmangin drejtësinë duke u përdredhur e shitur dëngla, gjoja parimore.

Pikërisht kjo duhet ndryshuar, kjo mendësi që e ka kthyer Shqipërinë në një vend ku asgjë nuk kryhet pa u përlyer, pa patur miq e shokë, pushtet e mundësi. Ku i pamunduri është edhe më i pamundur, ky pensionisti konsiderohet barrë dhe ku përballë zyrtarëve të gjithëpushtetshëm, qytetari është një qenie pa zë.

Shqipëria ka nevojë për frymë, për energji, për pasion, mendësi, për më shumë dashuri, për më pak fjalë e me tepër punë. Për njerëz të vërtetë qe nuk duan ta ndukin e rrjepin, por te zhvillojnë e forcojnë këtë vend të bekuar nga perëndia, por të mallkuar nga politika.

Ndoshta këto ideale janë të tepruara, sepse e di që një bazë e mirë e tyre tallen me to, tallen me mua, me ty, me të gjithë ne që e duam pa interes këtë vend, që kërkojmë më shumë nga e sotmja dhe e ardhmja e tij.

Tallen me besimin tonë, me pamundësinë tonë, me ëndrrat e sotme e ato të së nesërmes. Kjo është e vërteta, ashtu siç është i vërtetë fakti se ne nuk reagojmë, nuk kërkojmë, nuk flasim, përkundrazi vazhdojmë pranojmë si çdo herë.

Jemi një vend i mrekullueshëm, me mundësi të pafundme, por qe nuk po dimë t’i përdorim siç duhet. Pikërisht për këtë më dhemb vendi im, Shqipëria që e dua kaq shumë dhe si unë edhe plot të tjerë gjithashtu!/JOQ.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Edhe 1 Ditë nga Ndezja e Atmosferës Festive në Sheshin e Bashkisë Shkodër

Shkodra është në përgatitjet e fundit për ndezjen e...

Me 1 dhjetor, në orën 18:00, të gjithë janë të ftuar ne Shkodër

Shkodra, e njohur për traditën dhe mikpritjen e saj,...

Monika Kryemadhi: Divorcin nuk e kisha menduar kurrë, Meta mbetet babai i fëmijëve të mi

Në një deklaratë për mediat, Monika Kryemadhi është shprehur...