Për pjesën më të madhe të qytetarëve të Tiranës, ish-Blloku është lagjja më në modë dhe më e gjallë e kryeqytetit. Për guidat turistike ai është vendi që rekomandohet për një pije në orët e vona të natës dhe për te kuptuar jetën vibrante të Tiranës.
Pak qytetarë e kanë njohur atë si “zonën e ndaluar” ku jetonin drejtuesit e lartë komunistë dhe ku merreshin vendimet politike. Po si lindi Blloku dhe cila është historia e tij? Me poshtë shpjegohet historia e lagjes prej nga Enver Hoxha dominoi me dorë të hekurt Shqiperinë për 46 vjet!
“Blloku”
Në dhjetor të vitit 1960, ndërsa avioni zyrtar shqiptar – një “Antonov” me 4 motorë – u ul në aeroportin e Rinasit, Enver Hoxha padyshim që nuk e ka menduar se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit jashtë Shqipërisë.
Për 24 vjet me radhë Hoxha do të ndrydhej në Shqipëri. Do të lëvizte në një territor tejet të ngushtë, në një nga lagjet qendrore të Tiranës, ku qe vendosur që në vitin 1944 dhe ku do jetonte deri në fund të jetës: në një lagje të quajtur “Bllok i Udhëheqjes”, krejtësisht të izoluar dhe të mbrojtur nga forca të armatosura dhe nga agjentë të Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit.
Historia e Bllokut është tejet interesante, një imitim i Kremlinit, por që shërbente njëkohësisht edhe si stil jete, edhe si rang hierarkik, edhe si ndërtim i kultit të individit. Historia e tij fillon në nëntor të vitit 1944.
Liri Belishova, e dërguara e Qeverisë Provizore që do të vinte nga Berati, u befasua kur dëgjoi që komandanti ushtarak i Tiranës Mehmet Shehu kishte menduar për të gjitha. Pas një qëndrimi të shkurtër në hotel “Dajti”, drejtuesit kryesorë do të vendoseshin në një lagje në krah të bulevardit të ri, krejt përballë Kryeministrisë dhe Legatës Britanike.
Enver Hoxha do të qëndronte në shtëpinë e Inxhinier Bellonit, një italian i larguar nga Shqipëria, ndërsa Xoxe në një shtëpi përbri. Blloku përshkohej nga një rrugë e drejtë, që në një anë mbaronte në bulevard dhe në tjetrën në një prej rrugëve të sapohapura të Tiranës së Re.
Hierarkia në Bllok ishte e qartë: aty rrinin familjet e anëtarëve dhe të kandidatëve të Byrosë Politike dhe të kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nuk lejoheshin anëtarët e Qeverisë që nuk ishin anëtarë të Byrosë Politike.
Deri në vitin 1947 rruga që kalonte përballë shtëpisë së Hoxhës ishte e hapur. Që nga ai vit ajo u mbyll dhe, me kalimin e kohës, Blloku filloi të marrë edhe rrugët paralele. Më 1985 ishte një lagje prej afro 151 400 metrash katrorë dhe tashmë, përpara derës së shtëpisë së Hoxhës, nuk mund të kalonin në këmbë as anëtarët e Byrosë Politike.
Jeta në Bllok është njëra ndër temat e ndaluara, por edhe më misterioze të Shqipërisë komuniste. Ruajtja e tij bëhej me aq fanatizëm, sa pushteti në Shqipëri filloi të konsolidohej edhe përmes martesave të brendshme dhe lidhjeve të krushqisë, lidhje që nisën qysh herët në ditët e para të krijimit të tij dhe që u konsoliduan edhe në brezin e dytë e madje edhe të tretin, siç dëshmon Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit për 27 vjet të Shqipërisë, Mehmet Shehut.
Në librin “Vjeshta e ankthit”, botuar në Paris dhe në Tiranë pas daljes nga burgu në vitin 1991, ai e përshkruan kështu rrjetin nepotik të Bllokut:
“kjo u shfaq që në fillimet e këtij pushteti, kur filluan të lidhen varg e varg e radhë-radhë krushqitë brenda tij. Kësisoj, që nga Enver Hoxha që lidhi krushqi me Gogo Nushin,
duke i dhënë vëllait të këtij të fundit mbesën e vet; e pastaj te Hysni Kapo, gruaja e të cilit është motra e Alqi Kondit dhe e Pirro Kondit, i cili është baxhanak i Manush Myftiut, motra e të cilit është gruaja e Pilo Peristerit dhe po kështu, motra e Ramiz Alisë u bë gruaja e Reiz Maliles, motra e të cilit, është gruaja e Xhaferr Spahiut, kurse gruaja e Bilbil Klosit është motra e gruas së Ramiz Alisë.
Të gjithë këta anëtarë të Byrosë, Komitetit Qendror ose ministra dhe zëvendëskryeministra [… ] Dhe nga martesat e njerëzve të pushtetshëm, sikurse më së shpeshti nga çdo martesë, lindën fëmijë dhe këta fëmijë u rritën dhe dikur u erdhi mosha edhe këtyre për t’u martuar […]
Dhe kështu u martuan e bija e Adil Çarçanit me të birin e Manush Myftiut […] thuajse njëkohësisht u fejua i biri i Enver Hoxhës me të bijën e vëllait të Ramiz Alisë […] por edhe Kadri Hazbiu u lidh me Enver Hoxhën, kur të bijën e Enver Hoxhës e mori i vëllai i të shoqit të një mbese të gruas së Kadri Hazbiut…”. (1)
Të njëjtën gjë dëshmon edhe nusja e djalit të vogël të Enver Hoxhës, Liljana Hoxha, në një intervistë të vitit 2010:
“Krushqitë në Bllok ishin të gjitha aleanca politike, por paksa të studiuara që të mos bëheshin në gradën e parë. Për shembull, tek anëtarët e Byrosë, midis fëmijëve të anëtarëve të Byrosë, por të bëhej që një djalë të marrë mbesën e tjetrit e me radhë. Dhe të gjitha martesat u kryen brenda Bllokut…”. (2)
Nuk ka asnjë dyshim që lidhjet dhe krushqitë brenda Bllokut qenë njëra ndër temat më të komentuara në vend. Në vitin 1991,
kur komunizmi ra, gazeta e parë e opozitës së re arriti numrin rekord të shitjeve me një artikull të kryeredaktorit të saj Frrok Çupi të titulluar “Përse nuk çahet Blloku”? Artikulli shënonte se Blloku nuk ishte një nocion gjeografik, nuk ishte një lagje, për një mënyrë të jetuari, anëtarët e së cilit veç statusit politik i lidhin mijëra fije familjare dhe farefisnore.
Pjesëtarët
e Bllokut kishin një trajtim special: personel shërbimi, shitore ku mund merrnin ushqim dhe veshje perëndimore, një seri vilash, shtëpish pushimi në gjithë Shqipërinë dhe shumë favore të tjera. Por me kalimin e viteve jeta e banorëve të paktë të Bllokut u bë më e ndërlikuar. Bashkim Shehu e përshkruan kështu jetën në Bllok:
“Në atë lloj niveli, të atij sistemi, nuk ka miqësi. Në njerëz që kanë qenë të lidhur fort me njëri-tjetrin ka bashkëfajësi dhe lidhje interesi, që shtypin shumë e shumë njerëz të tjerë. Ai që ka epërsi nga pushteti, në këtë rast
Enver Hoxha, është më i kthjellët me idenë që këtu s’kemi të bëjmë me miqësi, ndërsa caku i secilit varet nga numri një, përpiqet që të gënjejë veten që ka besnikëri, miqësi etj. Me sa kam mundur të vëzhgoj tim atë në qëndrimin ndaj Hoxhës, ka qenë një lloj adhurimi ndaj tij dhe një njeri që ai mendonte se duhet të ishte besnik ndaj tij dhe duhet të punonte bashkë me të”. (3)
Mungesa e sinqeritetit në një jetesë të tillë si ajo në Bllok p dyshim që duhet llogaritur në radhë të parë e mbi të gjitha te vetë Hoxha. Në një filmim propagandistik të vitit 1982 ai shfaqet për krahu me Myslim Pezën e Haxhi Lleshin, miqtë e tij të Luftës. Teksti i shkruar nga Nexhmije Hoxha, që i drejtohet mbesës së saj Valbona, fillon me fjalët:
“Ja, erdhën shokët e gjyshit, i ngjitën shkallët bashkë, ngadalë- ngadalë. Vitet dhe sfidat i kanë lodhur, por ata janë të gjithë të rinj, 41-vjeçarë, se kaq është Partia e tyre”. (4)
Sytë e Hoxhës duken të trishtuar dhe të lëngëzuar nga kujtimet dhe nostalgjia për dy miqtë e vjetër. Pak kohë më parë ai i kishte dhënë Myslim Pezës dekoratën më të lartë në vend në një ceremoni në të cilën, ndër të tjera, kishte mbajtur këtë fjalim për të:
“Këtë titull nuk ta japim se je më i moshuari nga ne, por ky ka një kuptim të madh politik për ato që thashë dhe për veprimin tënd që në kohën e Zogut, kur dhe sinjalin e revoltës dhe vrave pikërisht Osman Balin, torturuesin dhe vrasësin e Haxhi Qamilit, shërbëtorin e Vërlacit e të Ahmet Zogut. Gjesti yt trimëror e burrëror s’ishte një gjest i thjeshtë hakmarrës ose terrorist, por një gjest politik, sepse ai simbolizonte dorën e fshatarësisë sonë patriote që ngrihej kundër tiranëve.
Ty këmba- këmbës të ndoqi regjimi i Zogut, prandaj u detyrove të shkoje në mërgim, ku jetove si patriot shqiptar dhe i ndershëm në gjirin e shqiptarëve që jetonin nën varfërinë e kralëve serbe. Ti ashtu jetove, por mendjen e kishe në Pezë, në Shqipërinë e dashur që vuante, pavarësisht se në krye kishte një mbret që vetëm emrin kishte shqiptar, sepse në fakt ai ishte i huaj, i shitur, tradhtar, njeriu i të gjitha të këqijave për popullin tonë fisnik e të shumëvuajtur.
Më ka njohur me ty miku yt dhe i imi, patrioti Esat Dishnica. Kemi kaluar ditë të vështira bashkë, por edhe çaste të lumtura kur kemi parë zhvillimin e vendit në rrugën e Partisë e të marksizëm-leninizmit…”. (5)
Por hapja e Arkivave pas vitit 1992 ka dëshmuar se pikërisht në atë kohë, pikërisht kur ai filmim po bënte xhiron e kinemave në Shqipëri, Hoxha hidhte në ditarin e tij këto mendime për Myslim Pezën, Haxhi Lleshin dhe miqësinë e tyre:
“E hënë 21 qershor 1982.
Me shokët Ramiz [Alia], Simon [Stefani] dhe Kadri [Hazbiu] bisedova për çështjen e shokut Haxhi Lleshi, i cili nuk është korrekt nga ana morale, gjë që e ka shtyrë në një rrugë të kundërt me shokët që punojnë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këta të fundit i kanë vënë në dukje qëndrimet armiqësore të një farë D. S. që punon atje dhe që, duke mbajtur Haxhiu qëndrime jo normale me të, kjo grua po vepron në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor si një provokatore e vërtetë, si një intrigante e përsosur.
E martë 22 qershor 1982.
Po na lind një shqetësim i ri, i rrezikshëm. Kush e shkakton? Ku është burimi? Në kohën kur zbuluam puçin e Beqir Ballukut e kompani, Haxhi Lleshi u fut në konflikt me gruan e tij dhe me të gjithë fëmijët, djem e vajza. Gruaja e Haxhiut, me prejardhje bajraktarësh (Familja Jegeni ka të arratisur politikë në Jugosllavinë titiste) filloi të flasë hapur me këdo kundër Haxhiut. Ajo po bën këtë veprim skandaloz kundër Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Me Hysninë [Kapon] e thirrëm një herë e dy Haxhinë dhe ia kemi vënë në dukje këto që po ndodhin, i thamë të merrte masa ose të ndalonte që gruaja e tij të izolohej në ndonjë fshat. Përgjigjja e Haxhiut ishte: “Ku të thotë Partia!” Po në këtë kohë filloi edhe lufta e fëmijëve kundër babës [Haxhiut]. Djali i tij R. (që punonte në aparatin e Komitetit Qendror) e akuzoi babën e vet si “tradhtar”. U thirr të shpjegohej, ai nguli këmbë në të tijën. U thirr nga Hysniu Haxhiu.
Ky i tha se nuk ka ç’i bën djalit. Hysniu atëherë i shprehu mendimin: Nuk e dërgojmë dhe këtë në fshat të punojë tok me nënën e vet, gruan e Haxhiut?! Ky, si zakonisht, ishte dakord duke thënë: “Si të thotë Partia!” Kështu u mbyll kjo çështje, megjithatë mbeti e dyshimtë për ne. Ku ishin shkaqet?!
Kaluan vitra. Marrëdhëniet e Myslim Pezës me Haxhi Lleshin, si kurdoherë, ishin të shkëlqyeshme, pa asnjë re. Por gjatë vitit të fundit, papritur e pa kujtuar, filloi të vërehej qielli i kësaj miqësie.
Myslim Pezës, që Partia dhe unë ia kemi vënë shumë mirë në dukje rolin që ka lozur në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i hipi në kokë që në moshën 80 e ca vjeçare dhe i verbër nga sytë të shkruajë kujtime në “tri vëllime”. Ai u mor vesh me Haxhi Lleshin, i cili i rekomandoi që të vinte t’ia regjistronte në shtëpi sekretarja e tij. Dhe kështu u bë. Filloi regjistrimi, por Myslimi nuk “kish durim”, ky donte t’ia shtypte këto sa më shpejt. Pse? Nuk dihet.
Myslimi u zemërua dhe u shpreh se “kjo grua nuk është e mirë, regjistrimet e kujtimeve të mia ajo po i mban në sirtar, pse kërkon t’i përdorë edhe Haxhi Lleshi për veten e tij”. Në fakt, edhe Haxhi Lleshi kishte filluar regjistrimin e kujtimeve të veta.
Të dy po vepronin paralelisht dhe të dyja palëve po ua regjistronte këto kujtime e njëjta grua D. S. Myslimi kërkoi me zemërim t’i dorëzoheshin regjistrimet e tij, pse mendonte që “Haxhiu po i hante bukën”. Iu morën regjistrimet kësaj gruaje, e cila nguli këmbë të mos i jepte, pastaj u urdhërua me protesta në Komitetin Qendror.
Myslimit iu dha një person tjetër nga Partia për të vazhduar regjistrimin dhe ky ia regjistroi, ia zbardhi, ia dha një kopje aparatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe një kopje ia dha vetë Myslimit.
Ky priste që Komiteti Qendror t’ia dërgonte shtypit, por kjo punë po vonohej. Atëherë Myslim Peza shpejt e shpejt ia dërgoi këto Ndërmarrjes së Botimeve, ku personi i ngarkuar me këtë punë, duke i lexuar “këto kujtime”, vuri duart në kokë nga përmbajtja, prandaj lajmëroi Komitetin Qendror të Partisë. Këto kujtime po studioheshin në këtë kohë nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë,
që kishte ardhur në konkluzionin se nuk mund të shtypeshin, pse kishin të bënin me një histori plot aventura të Myslimit, që ai i konsideronte si akte “heroizmi, patriotizmi” etj., deri në fillimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, kur ai mori kontakt me ne.
As ngjarjet historike të Pezës, që janë vepër e Partisë, as lufta e pezakëve nuk përmendeshin në këto regjistrime, bile vetë lufta e Myslimit errësohet aty me gojën e tij, jo vetëm me mendime të çoroditura individuale,
subjektiviste, të përsëritura, duke u futur në cikërrimat e katundit e të fshatrave, por çka është më e rëndësishmja, në këto materiale janë regjistruar pjesë që kanë të bëjnë me plot aventura të Myslimit në emigracion, në Jugosllavinë e kralëve të Serbisë.
Në këtë pjesë të jetës së tij Myslimi tregon se merrte para nga jugosllavët, se këta i kishin propozuar ta bënin agjent, po ai “nuk pranoi”. Megjithatë jugosllavët, tregon aty Myslimi, vazhdonin t’i jepnin rrogë. Kur Myslimi ish akoma në Shqipëri, në kohën e Zogut, Legata Jugosllave i dha 500 napolona, “po Myslimi nuk i mori ato në dorë, por hallexhia”.
Dhe Myslimi vazhdon të tregojë kështu mbi propozimet për të bashkëpunuar kundër Zogut me Gani Kryeziun, familjen e Lleshit [Haxhiut], ose me Irfan Ohrin. Me ndihmën e serbëve Myslimi zgjodhi kështu familjen e Lleshajve, familje “me shumë autoritet në Jugosllavi dhe në Beograd”. Atje ai u njoh me Haxhi Lleshin dhe vazhdojnë të tregohen aventurat e të dyve që i ka regjistruar me gojën e tij.
Gjatë gjithë jetës dhe punës që bëmë së toku me Myslimin asnjëherë ky nuk më ka folur për këto ngjarje të jetës së tij. Pse i mbante ai fshehur këto ngjarje nga unë dhe nga Partia? Pse i nxjerr tash në këtë kohë, kur zbuluam komplotin e Mehmet Shehut? Mos kërkon t’i dalë rrezikut përpara?
Mos ka frikë se ia zbulojnë të tjerët? Me këto kujtime që Myslimi kërkon t’i shtypë me këmbëngulje, ky errëson vetë figurën e tij që ia ngritën lart Partia dhe lufta. Po t’i lejojmë ne të shtypen këto aventura të Myslim Pezës, atëherë i kemi dhënë një armë në dorë armikut dhe opinionit:
“Me të tillë njerëz ka bashkëpunuar Partia?” Po ne nuk do t’ia japim këtë sadisfaksion as Myslimit, as jugosllavëve. Ne do të bëjmë çmos që Myslim Peza ta ngrysë jetën kështu siç është, me të këqijat dhe të mirat e tij.
E martë 22 qershor 1982
Me këtë “çështje të Myslim Pezës” plekset njëkohësisht edhe çështja e Haxhi Lleshit. Nga gjumi i rëndë ku kish rënë, pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, u zgjua edhe Haxhiu [Lleshi]. Gruaja D. S me biografi të mirë, nëpunëse në Presidiumin e Kuvendit Popullor, na është bërë sekretare e Haxhiut, por ky e ka tepruar me të, siç flitet midis nëpunësve të Presidiumit të Kuvendit, të cilët po i shkruajnë Komitetit Qendror të Partisë që “të pengohet ky skandal”.
Por e keqja mbi të këqijat është se kësaj i është rritur aq shumë mendja sa po ngatërron gjithë aparatin duke bërë atje “ligjin” në emër të Presidentit. Por çfarë ligji? Ajo është kthyer në një provokatore pa kufi, flet keq për udhëheqjen kryesore të Partisë dhe arrin deri atje sa t’i thotë një shoku komunist, që punon në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, dhe është ky që i shkruan këtë Komitetit Qendror të Partisë, se “Kur të vdesë Enver Hoxha fuqinë do ta marrë Haxhi Lleshi”.
Është e qartë se këto veprime të rrezikshme janë muhabetet që ia bën asaj Haxhi Lleshi, të cilit e pakta që mund t’i themi është se Haxhi plakut i ka hipur në kokë marrëzia dhe “ç’i ka barku, ia nxjerr bardhaku”.
Kjo është një.
E dyta: Siç duket, Haxhi Lleshi ia futi edhe Myslimit këtë grua që t’ia regjistronte kujtimet për të parë çfarë pohon ky për periudhën kur ishte i internuar në Jugosllavi. Ç’flet për Haxhinë, për babanë dhe xhaxhallarët e tij me Aqif Lleshin? Haxhiu pa se në këto kujtime ai dhe familja e tij po komprometohej me jugosllavët nga ana e Myslimit. Haxhiu nuk ia kthente këto shkrime Myslimit derisa ky u zemërua dhe u detyrua D. S.-ja t’ia dorëzonte.
Është e qartë për ne se Haxhiu u vu në pozita të vështira nga shoku i tij i vjetër, prandaj krijoi një intrigë të re, thelbi i së cilës mund të jetë i vërtetë. Në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor punon edhe një grua tjetër, që është mbesa e Myslim Pezës. Kjo me siguri duhet t’i ketë treguar Myslimit për marrëdhëniet e Haxhiut me D. S.-në dhe ambiciet, xhelozitë e këtyre dy grave janë bërë problem në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Pas çështjes së regjistrimit të kujtimeve të Myslimit, Haxhi Lleshi përpara shokëve anëtarë të Komitetit Qendror, që punojnë në Presidium të Kuvendit Popullor, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit dhe Xhafer Spahiut, ngre çështjen: të përjashtohet nga aparati i Presidiumit një punonjës i Presidiumit dhe mbesa e Myslim Pezës, pse kanë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin”.
Shokët i kërkojnë Haxhiut të japë fakte, po ky nuk dëgjon të japë dhe flet në mënyrë provokative se “duhet bërë kështu si them unë”. Shokët e refuzojnë propozimin e tij dhe Haxhiu, “shoku President”, u thotë: “Dua të shtrohet ky problem në organizatën bazë të Partisë”.
Këtë skandal e mori vesh Myslim Peza, i cili thirri Xhafer Spahiun dhe i tha se “po e bëri Haxhiu këtë, më ka turpëruar mua, dhe unë do të pres çdo marrëdhënie me të”. Haxhiu i thotë Partisë “shkel brezin që po të lëshoj” dhe të bëhet skandal. I bën njëkohësisht shantazh edhe Myslim Pezës, që edhe ky nga ana e vet e kërcënon.
U këshilluan anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit, që ta trajtojnë çështjen me gjakftohtësi të madhe, se ajo po merr formën e një provokacioni nga ana e Haxhi Lleshit. Të mos transferohet asnjë nga ata të dy nga aparati i Presidiumit, siç do Haxhiu dhe asgjë të mos shtrohet në organizatën bazë.
Gjatë kësaj kohe në Komitetin Qendror të Partisë dhe mua më vijnë letra anonime për lidhjet e Haxhiut me D. S. I vinë letra të tilla dhe Ramizit, me firmë nga një shok komunist që është në Presidium, për pikëpamjet armiqësore që shpreh gruaja, e cila punon sekretare e Haxhi Lleshit.
Letra anonime i dërgohet Haxhiut nga sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Simon Stefani, që të marrë dijeni. Haxhiu i përgjigjet Simonit (të gjitha këto letra ndodhen në arkivin e Komitetit Qendror).
Haxhi Lleshi tërhiqet nga kërkesa që kishte bërë për përjashtimin e mbesës së Myslim Pezës, por ngul këmbë që të përjashtohet nëpunësi në fjalë dhe si arsye nxjerr disa gjëra të kota. Shokët i vënë në dukje Haxhiut se arsyet që ai jep nuk janë me vend, sidoqoftë ta përjashtojmë nga aparati si atë, si D. S. se po na bëhet skandal dhe i numërojmë Haxhiut sjelljet arrogante dhe armiqësore të saj (pa i thënë gjë për lidhjet me të).
Haxhi Lleshi u përgjigjet se ai nuk është dakord me ta. “D. S. unë nuk lejoj të përjashtohet nga Presidiumi i Kuvendit dhe të shkojmë në organizatën bazë”. Anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në Presidium, i thonë Haxhiut të mos çohet ky problem në organizatë bazë të Partisë, se atëherë do të na dalin në shesh shumë gjëra, që do ta ulin prestigjin e tij si President i Presidiumit.
Haxhiu shkoi deri atje, sa t’u thotë shokëve “le të më nxjerrë Partia në pension, duke më hequr nga Presidiumi”.
Këto janë dy probleme që këta dy persona i nxjerrin në shesh dhe i krijojnë kokëçarje Partisë në këtë kohë. Të dy këta dhanë një kontribut në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Partia dhe unë i kemi nderuar, kemi vënë në dukje meritat e tyre, në popull ata njihen si shokë udhëheqës.
Për çfarë arsyeje të dy këta, Myslimi dhe Haxhiu, i hapin për herë të parë këto letra të vjetra të tyre dhe në një kohë që Partia po kapërcen me sukses punën shumë armiqësore të Mehmet Shehut si agjent i jugosllavëve? Këta po na krijojnë me këtë një kokëçarje të re. Mos vallë qëndron gishti i jugosllavëve prapa tyre?
Përvoja e luftës kundër armiqve të jashtëm dhe të brendshëm na ka dhënë mësime të mëdha. Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi vigjilentë për të mbrojtur atdheun, Partinë, socializmin.
Do të dëshiroja që në çështjet e këtyre dy shokëve të mos ketë gisht armiku, por vigjilent duhet të jem dhe do të veproj në mënyrë që sadisfaksion armikut jugosllav të mos i jap asnjëherë dhe të mos bie në provokacionet e këtyre dy shokëve në qoftë se janë provokacione.
Me gjakftohtësi do të veproj që të mbrohet atdheu, të shmanget skandali që kërkon të bëjë armiku dhe këta dy shokë “të vjetër” të bëhen të parrezikshëm dhe në interesin e Partisë, që sulmohet vazhdimisht nga armiqtë, të marrim ato masa që vetëm armiku të dështojë, kurse Partia e populli të triumfojë”. (6)
Mbi ditar, nga një njeri i afërt – me gjasë Nexhmije Hoxha – është vënë shënimi: “Ta shohë vetëm shoku Ramiz”. Pas viteve 1976-1978, kohë gjer në të cilën ai e shkruante vetë me dorë ditarin e tij,
Enver Hoxha nuk ka mbajtur ditar të shkruar. Ai i citonte mendimet e tij, ato zbardheshin, shtypeshin dhe kalonin në fondin e tij, mbi të cilin ai përzgjidhte ato që shkonin për botim dhe ato që s’do të botoheshin kurrë, si këto dy shënime.
Ditaret e Hoxhës gjenden tanimë në Arkivin Qendror të Shtetit, të lidhur në disa dhjetëra vëllime.
Liljana Hoxha, nusja e djalit të vogël të Enver Hoxhës, hyri në Bllok në vitin 1973. Ajo ishte studente, kur djali i dytë i tij, Sokoli, i propozoi për martesë. Ishte nga krushqitë jashtë Bllokut dhe vetë Liljana Hoxha është e bindur se vjehrra nuk ia fali kurrë që vinte nga “bota përtej postbllokut”. Për një kohë të gjatë ka mbetur e izoluar, siç dëshmon vetë. Në një intervistë të vitit 2010 ajo kujton:
“Unë jam martuar në vitin 1972 dhe që nga ajo kohë kujtoj se situata në Bllok ka qenë gjithmonë shumë e nderë, shumë e kontrolluar. Mund të them se ai ishte i vetmi vend ku liria mungonte në mundësinë më ekstreme. Kontrollohej çdo gjë, kush hyn, kush del, me kë shoqërohet, çfarë futi brenda”. (7)
Pyetjes se cilat ishin familjet kryesore në Bllok, ato që në njëfarë mënyre i jepnin tonet atij, ajo i përgjigjet:
“ Familjet e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos. Por marrëdhëniet midis këtyre familjeve dukeshin që ishin hipokrizi e gjallë. Hipokrizi dhe kishte dhe disnivele. Kishte arsye për të pasur xhelozira.
Fiqirete Shehu dhe Vito Kapua vetë ishin më inteligjente se Nexhmije Hoxha. Kishin atë natyrën e protagonizmit, flisnin dhe merrnin pjesë në çdo situatë që u ndodhej. Nexhmija kishte natyrën vetëm të heshtte, të vështronte, të studionte dhe të bënte rolin e një gruaje të tërhequr që ishte vetëm në funksion të të shoqit të saj”. (8)
Fati e solli që, me përjashtim të familjes Hoxha, Kapo dhe Alia, gjithë familjet e tjera të Bllokut të ndryshonin vazhdimisht. Spastrimet qenë arsyeja më e shpeshtë. Por i çuditshëm është fakti se, edhe pas dënimit, edhe pas ndryshimeve të vitit 1990, ish-pjesëtarët e Bllokut, rrallë, shumë rrallë kanë folur për jetën e atjeshme.
Në shumë anë, ata i ngjajnë anëtarëve të një sekti, që të detyruar nga një betim a kërcënim, refuzojnë të flasin gjithë jetën për atë pjesë që kanë kaluar aty.
Vetëm në vitin 2011, Spartak Ngjela, djali i ish ministrit të Tregëtisë për 28 vjet, Kico Ngjelës, solli në kujtimet e tij detaje dhe analiza realiste nga jeta në Bllok. Të vetmet shënime që hedhin njëfaqësoj dritë mbi atë që realisht ndodhte aty.
Në kujtimet e tij, Ngjela i jep hapësirë një vendi thuajse dominues, “Shtëpisë së Partisë”. Ishte një lloj klubi, brenda Bllokut, në anë të Komitetit Qëndror të PPSH – së. Një shtëpi e bukur, ndërtuar nga ish Kryeministri Koco Kota në fund të viteve ‘ 30 – të si vilë banimi, por ai nuk hyri asnjëherë aty. Kur vila u bë gati, Kota u largua nga Shqipëria bashkë me Mbretin Zog në mërgim
Ai u vendos në Selanik ku qëndroi nga viti 1939 deri më 1945. Në fillim të këtij viti, 3 oficerë të Sigurimit bashkë me disa militantë komunistë grekë e rrëmbyen në një klub të qytetit dhe e sollën fshehtas në Shqipëri. Kota u nxorr përpara Gjyqit Special dhe u dënua me 30 vjet burg. Ndërroi jetë në Burgun e Burrelit, më 1949, në po atë burg, ndërtimin e të cilit, e kishte firmosur dhe ideuar vetë kur ishte Kryeministër. Shtëpia e tij u shndrrua herët, në fund të viteve ’40 – të si një lloj klubi i Bllokut me emrin “Shtëpia e Partisë”. Ajo kishte disa salla ndenjie, sallë bilardoje dhe një kinema ku shfaqeshin filmat e ndaluar për publikun e gjerë.
Vizita apo kafja në “Shtëpinë e Partisë” ishte një ritual thuajse i përnatshëm, disa orësh, për drejtuesit e lartë komunistë. Udhëheqësit kryesorë qëndronin në katin e dytë, shpesh të kredhur në biseda të gjata, tonin e së cilave e jepte Hoxha. Nga bisedat e thjeshta, ato për politikën e jashtme e deri tek diskutimet që kishin rëndësi jetike për komunizmin në Shqipëri zhvilloheshin kryesisht aty.
Spartak Ngjela kujton se Hoxha donte që gjithë rrethi i tij të ishte aty, përditë, pa mungesa. Ishte një lloj kontrolli, i ngjashëm me atë të Stalinit. Ai donte t’i shihte në sy bashkëpunëtorët, donte ta ndjente dhe ta prekte besnikërinë e tyre. Aq e fortë qe kjo ndjesi, sa një ndër akuzat që i bëri Bedri Spahiut, në vitin 1955 ishte se “prej dy muajësh ai nuk ishte dukur në shtëpinë e partisë”.
Kur nuk ju fliste bashkëpunëtorëve të tij, kur nuk niste ndonjë diskutim të gjatë politik, Hoxha preferonte të luante bilardo. Ai ishte i zoti në këtë lojë. Ata që kanë qenë prezent aty, dëshmojnë se askush nuk e mundte dot. Ishte nga të paktat reflekse të rinisë që i kish mbetur ende. Nuk i pëlqente të pinte.
Herë herë preferonte ndonjë gotë uzo të shuar me ujë dhe me akull; i pëlqenin gjërat pikante dhe kamarieri ja shërbente gjithcka me uthull të fortë. Personeli atje, si edhe ai i shtëpisë dhe thuajse gjithë bashkëpunëtorët, e thërriste Komandanti. Një emër që i kish mbetur që pas lufte nga partizanët që u morën në shërbim dhe me të cilin vijuan ta thërrasin deri në vdekje në vitin 1985.
Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik kulti i Hoxhës kishte filluar të ngrihej në kulm. Hoxha po imitonte gjithnjë e më shumë Stalinin dhe po përfshihej nga paranoja që diktatori sovjetik kishte shfaqur afro 40 vjet më parë.
Një industri e tërë mediatike dhe kinematografike u vu në shërbim të ngritjes së kultit të tij, të ndërtimit të imazhit të “udhëheqësit” të pagabueshëm dhe babaxhan. Çdo imazh që transmetohej shihej dhe rishihej disa herë për të krijuar pamjen sa më perfekte. Hoxha ishte gjithnjë i krehur, i rregullt, i qeshur,
dhe asnjë filmim nuk tregon ndonjë moment dobësie tek ai. Pamjet e transmetuara përcillnin një eufori dhe një entuziazëm të pandërprerë, që të befason.
Por filmimet e paautorizuara, që janë zbuluar më vonë, kanë rrëfyer një Hoxhë krejt tjetër. Në një filmim mbledhjeje të Byrosë Politike, në vjeshtën e vitit 1982, ai është filmuar duke u thënë anëtarëve të Plenumit për Kadri Hazbiun:
“Qijani motrën!”(9)
Në një mbledhje tjetër ai përsëri e pyet me qesëndi Kadri Hazbiun:
“Për kë flet ti mo, për Beqir Ballukun?! Pse s’e dimë ne se ç‘është Beqir Balluku? Një mut muti!”(10)
Filmimet e mbledhjeve të Byrosë dhe të Komitetit Qendror janë të mbushura me fraza të tilla befasuese për një njeri politik.
Me gjasë, këto kanë qenë sjellje normale të Hoxhës, nëse u referohesh njerëzve që e kanë njohur atë.
Që nga viti 1960 Blloku filloi të fortifikohej më shumë dhe siguria e Hoxhës filloi të shndërrohet në një lloj paranoje, një paranojë që do të angazhonte disa mijëra vetë çdo ditë./Opinion.al/
(Marrë nga Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziu)