NGA MSC YMER VEHAPI
Familja jonë sigurisht para afro 300 vjetëve jetonte diku ne fshatin Skaj të Malësisë së Shkodrës. I pari i yni ishte i varfër sikurse shumica në fshat.
Një ditë aty i vije një mysafir i panjohur. Pasi i bënë konak shkon te komshiu me i kërkua një vorbë për me i përgatitë darkën për mysafirin. Komshiu i thotë “nuk mund ta japë vorbën se ma thyen”. Ky i thotë: “në ta thefsha ti lëshoi trojet”. Menjëherë sa e venë në oxhak vorba plas dhe thyhet. Ky i shkreti ia banë disi pakë darkë e pakë bukë.
Të nesërmen në mëngjes pasi e përcjell mysafirin shkon te komshiu e i thotë o komshi erdha me të tregu se vorbën ta theva prandaj ta dhashë fjalën se ti lëshoi trojet prandaj unë po i marrë fëmijët dhe shkova.
Komshiu i lutet që mos të shkoi për një vorbë por fjala duhej të mbahej dhe ky i morri fëmijët pakë ato tesha që kishte i ngarkoi në kalë dhe u nis të marrë dynjanë në sy.
Kështu erdhi nën fshatin e tanishëm Topojan dhe aty afër akshamit u ndalë të pushoi dhe të banë pak kaçamak për fëmijët. Ndezë një zjarr kurse tymi i zjarrit mbulon një pjesë të madhe të fushës Topojanit.
Në Topojan në atë kohë jetonte një familje e madhe prandaj plaku del e shikon kush është ai i panjohur që e ndezi atë zjarr. I pyet djemtë kush është ai që ka ndez atë zjarr.
Djemtë i thonë se është një fukara me një kalë e disa fëmijë të vegjël. Plaku u thotë s’qenka fukara por zengjin sepse së shpejti ky ka me e marr krejt këtë vend që e mbuloi tymi.
Ky fukaraja pasi u vendos aty dalë ngadalë filloi të punoi e të gjallëroi dhe kështu u bë shtëpi e madhe dhe për disa vjet u ritën djemtë dhe 3 prej tyre shkuan dhe u vendosën në fshatin Brekij.
Ky që mbeti në Topojan u forcua shumë shpejt dhe ariti të bëjë shumë dhen.
Emrat e tyre nuk i diej por pleqtë na kanë thanë se quheshin Ahmati e pasta Sula sepse ne na thon Sulollarët e pastaj vjen Vehap Qehaja i cili arin ti ketë 40.000 copë dele të cilat dimrit i qonin në fushë të Selanikut. Diku nga vitet 1750 Vehapi kishte pasuri të madhe dhe blen vilajet (toka) në rrafshin e Edrenes në Turqi.
Pasi kthehet në Topojan u tregon djemve se ka ble vilajet në Edrene. Por djemtë nuk pajtohen të shkojnë në Turqi. Plaku shkon prapë në Edrene dhe e shet atë tokë i merr lirat në duqi dhe vjen në Kosovë në Ferizaj aty e kishte një burazel dhe e pyet mos dinë a shet dikush tokë në këto anë.
Ai i thotë po begu i Banullës afër Lipjanit i shet 500 hektar tokë në fshatin Robovc. Plaku shkon dhe e blenë menjëherë dhe aty e vendos njërin vëlla Osmanin.
Kur vije në Robovc të banoi kupton se në fshatin Sodoll begu i Sodollit Karabegu gjithashtu po i shet 500 hektar tokë. Plaku shkon në kafen e Lipjanit dhe aty takon begun duke pi raki. E pyet a ke vilajet me shit ky i thotë po sepse nuk ja merë mendja se ky çoban ka lira me ble tokë.
Sa po e shet e pyet? Ai i përgjigjet 500 lira. Plaku i thotë kafegjisë piqe nga një kafe te gjithëve sepse sot po blejë vilajet. Begu kur e shef se plaku po e blen tokën thotë jo se unë jam mahit. Plaku i thotë s’ka mahi me mu prandaj bjere drasën ti numërojmë lirat të cilat i kishte në duqi.
Kur kthehet Vehap Qehaja në Topojan u tregon djemve se kishte ble një vilajet shumë të mirë afër Prishtinës. Djemtë e pyesin çfarë vendi ishte ai u thotë Stamboll kamë pa Sodoll s’kam pa.
Vehap Qehaja dal ngadalë fillon të shpërngulet në Kosovë edhe me stane me dhen sepse atëherë fusha e Kosovës ishte plotë dredhëza të egra.
Topojani i luteshin mos shko në Kosovë se këtu të kemi pas magje sepse ai u kishte ndihmua dhe u kishte dhanë para për martesë dhe për blerje të qeve (kijeve).
Ju thotë djemve për magje e keni Kosovën, për sefallakë Prizrenin kurse për zor Topojanin.
Para vdekjes së tij djemtë mërziten por ky i grumbullon dhe i këshillon. Mos u mërzitni.
Mik me rrafshin e Kosovës nuk ju kam lanë, Tokë nën vadë nuk ju kamë lanë dhe dorgj te Gjakovarët nuk ju kam lanë. Këto tre nuk qiten në krye se tjerat i përballoni.
Djemtë e Vehap Qehajës mbeten në Topojan gjerë në vitet 1912 dhe 1913 kur Ahmet Ilaz Qehaja në vitin 1912 së bashku me krerët e Lumës Islam Spahin, Hoxhë Novosejn e të tjerë organizohen për mbrojtjen e Lumës sepse serbi kishte mësy me disa divizione me okupua Lumën dhe me depërtua gjerë në lumin Shkumbin kurse nën lumin Shkumbin do ta merrte greku.
Në këtë luftë e cila u zhvillua nga 20-25 tetor të vitit 1912 forcat mbrojtëse të Lumës shkatërrojnë divizionet serbe nga qafa e Zhurit deri te kulla e Lumës ku mbushen dy Drinat me shapkat e shijeve 12.000 te vrarë.
Kjo luftë kishte për qëllim të mos lejoi shpalljen e pavarësisë në Vlorë sepse një muaj në vonë Isa Boletini kah Luma ishte nisë të shkoi për Vlorë prandaj në Kolesjan bun një natë te Islam Spahija ky i thotë o Isë kthehu dhe ngrite flamurin në Mitrovicë e Prishtinë se të shkoi Kosova e sa për Vlorën mos ke frikë se s’ta merr kush.
Pasi serbi nuk mundi të realizoi qëllimin e vetë në tetor të 1013 prapë mësynë të okupoi Lumën por këtë radhë edhe të hakmerret për humbjet e 1912.
Në Topojan i vret 640 bura në mesin e tyre nga familja jonë stërgjyshin tim Ahmet Ilaz Qehajën dhe djalin e tij Mahmutin. Ahmetin e vrajn te dera e stanit dhenve në Turaj kurse Mahmutin në Topojan.
Shkau kishte lajmërua se duhet të bahet regjistrimi i popullsisë dhe të merren letërnjoftimet, ai që nuk lajmërohet do të mbetet kaçak në mal. Prandaj Mahmuti i thotë babës Ahmet po shkoi bile un të lajmërohem. Kurë shkojnë në Topojan i lidhin me breza dhe i pushkatojnë 640 vetë bile edhe përkthyesit goran të Shishtavecit.
Kur vinë ushtria te Stanet në Taure tue kërkue udhëheqësit e luftës të vitit 1912 për ti zanë. Tezja gruaja e dytë e Ahmet Ilazit ia sjellë kalin Ahmetit dhe i thotë ik se kanë me të vra ai i thotë jo nuk iki e me mu vra djemtë.
Ia heq kërpeshin kalit dhe e lëshon. Menjëherë vijnë ushtria dhe një shka magjup qet 5 here në Ahmet Ilazin por nuk i kërcet asnjë plumb, nxjerr paqetën tjetër dhe e vret me 5 plumba.
Pasë plagëve Ahmet Ilazi vdes kurse tezja me nuset e marrin e hapin varin dhe me një derë të stanit e varosin dhe kamuflojnë varrin sepse shkijet kërkonin gjenazet për ti masakrua. Burrat tjerë dhe djemtë mbi 7 vjet kishin ikur në mal e disa i kishin veshë me struka të cucave.
Të gjitha stanet dhe shtëpitë i djegin, prandaj nuk kishin as me hëngër bukë disa ditë kishin hëngër djathë të djegur në shekat e djathit.
Babagjyshi im Tosuni mbetet me tre vëllezër Rrahimin e Bajramin bisedojnë çka me bë më tutje. Tosuni thotë unë po i marrë fëmijët e Mahmutit të vrarë e po shkoi në Prizren. Kurse Rrahimi mbetet në Taure.
Tosuni në Prizren fillon nga e para dhe fillojn të mbjellin tokat në Sodoll dhe blejnë nga një shtëpi në Prizren. Në vitin 1927 lindë baba im Ahmeti në Prizren.
Në Prizren qëndrojnë deri në vitin 1941 kur edhe fillon lufta e dytë botërore atëherë ikin në Sodoll dhe aty qëndrojnë deri në fund të luftës.
Në vitin 1944 në verë Tosuni s’mundet prej etheve dhe vdes në Sodoll ku edhe e ka varrin. Tosuni kishte dy djemë Ahmetin dhe Sadikun. Rrahimi baba i Zylfit dhe i Ramizit mbeten në Topojan dhe Taure së bashku me Bajramin i cili e kishte djalin Zenllahin.
Gjatë luftës Zylfi dhe Ramizi ishin në Taure dhe kishin ndihmuar Muharem Bajraktarin dhe dy djemtë e hallës Destan dhe Hamëz Bilallin. Kur ka hy brigada e 5 e Shefqet Peçit në lumë Zylfi me Halim Seranin, Maliq Hisenin e të tjerë i kishin zanë pozicionet qe nuk mundë të kaloi asnjë i gjallë dhe britnin o bini bre komunistave të fllajqët por Shefqet Peçi si çdo here përdori tradhti dhe në ballë të kolonës i kishte qit me duart lartë nipat dhe të afërmit e fshatrave lumjane.
Brigada e 5 hynë pa therë në kamë në Taure e Topojan. Në Novosej e mbështesin për muri te mejtepi edhe nipin tanë Avdi Rrahman Gjaferin te denuar si kullak pasi kishte mullirin në Novosej me dy gurë mulliri. Xhaxhai i Avdi Rrahmanit ngadalë ia lëshon në gjep 2 apo 3 lira një ushtaraku. Ai menjëherë jep urdhër ndal të shqyrtojmë edhe një here vendimet sepse partia nuk guxon të dënoi njerëz të pafajshëm prandaj edhe Avdin e largojnë nga muri dhe shpëton aty i pushkatojnë 4 vetë.
Me mbarimin e luftës fillojnë reprezaljet ndaj familjeve në zë në fshatrat e Lumës e sidomos pas aratijses së Muharem Bajraktarit vrasjes së Destan dhe Hamëz Regjepit që e dinin se kush i kishte dhënë ndihmë. Bajram Bajraktari plagoset rëndë në Maqedoni dhe i dorëzohet Shqipërisë ai në burgun e Shkodrës torturohej që të tregoi ku kanë marrë bukë. Ai nuk i jepte emrat e miqve por të anemikëve prandaj u burgosnin njerëz të panjohur. Zylfi me shok diskutojnë që pas këtyre anemikëve do të na vij radha edhe ne që i kemi ndihmua prandaj një ditë vjeshte të vitit 1948 vendosin të arratisen në Kosovë. Bashkë në këtë kohë dasi disa qindra ose mija banor të fshatrave Taure, Novosej, Brekij, Kollovoz, Buzmadhe, Lusen etj, etj.
Zylfi dhe Ramizi pasi kishin tokën e vetë në Sodoll vinë në tokë të vete.
Emigracioni politik si quhej atëherë në Kosovë hasi në një përkrahje të madhe të sigurimi shtetit UDB-ës sepse përmes tyre tentohej të destabilizohej shteti shqiptar.
Një pjesë e vogël e tyre pranuan bashkëpunimin me UDB-ën kurse pjesa tjetër u integrua në jetën e re në Kosovë.
Pasi UDB-ja tani më nuk kishte nevoj për ta në vitin 1960 disa mija prej tyre i depërtoi në llogoret e përkohshme në Gerovë të Sllovenis nga këtu grupe grupe komisariati për refugjat i dërgonte në Francë, Belgjik, Amerik dhe shtete tjera.
Ata që emigruan në Evropë gati të gjithë u asimiluan kurse këta që mbetën në Kosovë u integruan në shoqërinë kosovare, u shkolluan dhe punuan sikurse të gjithë të tjerët. Është për tu përmendur që shumica prej tyre kryen shkolla të larta dhe jetuan mirë.
Gjenerata ime e viteve 1950 edhe pse me shumë mundime arritëm të shkollohemi me shkolla të mesme, fakultete, magjistraturë dhe doktor shkencash. Unë kamë punuar 45 vite në minierat e njohura të magnezitit, plumbë-zinkut dhe të qymyrit si drejtues i minierave dhe tani si projektues i pavarur në KEK.
Në vitin 2010 fshati ynë u shkëput si zonë katastare nga komuna e Lipjanit të cilën e kemi 2km. dhe iu bashkëngjit komunës Graqanicës të cilën e kemi 25km. E gjithë kjo u bë për qëllime politike por edhe si hakmarrje pasi vendasit gjithnjë na quanin “emigrant” apo “allbaneza” sepse ne edhe më tej mbanim miqësi vetëm me lumjanët dhe Qafë Dule e teposht.
Tani me Asociacionin e komunave me shumicë serbe ne diskriminohemi sepse jemi një pakicë e vogël vetëm me 25 shtëpi dhe rreth 250 banor në Republikën sërbe e cila përdor administratën dhe ligjet e veta. Ne jetojmë në shtetin pa shtet prandaj kemi vendosur të shkëputemi nga komuna e Graqanicës dhe ti bashkangjitemi komunës Topojan.
Të furnizohemi me nënshtetësinë e dytë atë që e kemi pas nënshtetësi të parë. Sepse Asociacioni ka të drejt të bëjë marrëveshje edhe me shtetet e regjionit. Kur serbet dhe goraret e të tjerë kanë të drejt të marrin nënshtetësinë e një shteti tjetër serbisë atëherë edhe ne kemi të drejt të marrim nënshtetësinë shqiptare.
Mbesin me shpresë që kjo dëshirë e jona do të realizohet duke respektuar të kaluarën tonë pasi stërgjyshi im është dëshmor i kombit i shpallur në Republikën e Shqipërisë.
Na mundësoni të jemi më pranë lapidarit të Ahmet Ilazit në Topojan.
Prandaj edhe njëherë lusim të gjithë miqtë dhe dashamirët që mundë të na ndihmojnë mos të kursejnë mundin e tyre.