Një nga fotografitë më të njohura të rinisë së Shenjtores Terezë është pikërisht ajo, ku ka dalë bashkë me të motrën, me kostume tipike të grave katolike, me jelek e dimitë.
Gonxhe Bojaxhi me të motrën, Agen, veshur me kostumin e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar
Pikërisht ky kostum, me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit që Gonxhe Bojaxhiu ka veshur në moshën 1617 vjeçare, u ekspozua dje për herë të parë për publikun në Muzeun Historik Kombëtar, vetëm për disa orë.
Ekspozita e titulluar “Trashëgimi kulturore nga vendi i Nënë Terezës” u mundësua nga Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë. Kostumi përbëhet nga
këmisha, copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtër qëndistarë të qytetit, shalli dhe dimitë.
Sipas studiueses së mirënjohur prof. dr. Afërdita Onuzi, kuratore e ekspozitës, ky kostum ruhet në Fondet Etnografike të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, por për një periudhë të gjatë, ekzistenca e tij ka qenë një sekret.
Në ekspozitë u prezantuan edhe 54 objekte të tjera, pjesë e trashëgimisë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike ekonomiketregtare dhe kulturore shqiptare të shek.
XIX dhe fillimi i shek. XX, Shkodra (vendlindja e babait të Nënë Terezës) dhe Prizreni (vendlindja e nënës së Nënë Terezës).
Janë përzgjedhur stoli grash dhe burrash prej ari dhe argjendi; armë; pjesë veshjesh dhe veshje të plota; si xhubleta e fustanella, pëlhura të mëndafshta për pajisjen e banesës dhe veshjeve të ndryshme; qëndisje të realizuara nga gra qytetare si çarçafë, këllëf jastëkësh,
këmisha etj. Sipas Onuzit, kostumi ka qenë pronë e familjes së Nënë Terezës. Pasi vdiq i ati i Nënë Terezës, ata jetuan edhe disa vite të tjera në Shkup dhe në pamundësi për të përballuar jetën, vijnë në Shkodër dhe më vonë u vendosën në Tiranë, në Rrugën e Kavajës.
Etnografja Afërdita Onuzi
Aty ka jetuar motra, Agia, fëmija më i madh dhe e ëma. Ndërsa i vëllai Lazri jetonte në Itali. Onuzi na tregon më shumë për kostumin, i cili edhe pse nuk përbën ndonjë vlerë të madhe monetare për përbërjen e tij, ka një vlerë të jashtëzakonshme si veshja e një vajze të re,
që vite më vonë do t’i shërbente njerëzimit e do të shpallej shenjtore në Vatikan. Si është ruajtur ky kostum dhe ku ndodhej deri më sot? Veshja është ruajtur nga nëna dhe motra e Nënë Terezës.
Në vitet ’60’70, personi që punonte në atë kohë thotë se ky kostum është shitur në arkivin tonë nga i shoqi i Marie Krajës, për t’i ndihmuar financiarisht familjarët e Nënë Terezës.
Ndërkohë dihet që për Nënë Terezën nuk mund të flitej në atë periudhë. Kostumi është shitur dy pjesësh.
Një herë janë shitur jeleku dhe këmisha dhe më pas brezi dhe dimitë.
Punonjësja e Arkivit Pandora Plaku dhe Rrok Zojzi, që ishte në atë kohë shefi i Sektorit të Etnografisë, që të dy figura të spikatura të arkivit tonë asokohe, e dinin si një sekret dhe e mbanin midis tyre..
Kush e ndau sekretin? Në fillim të vitit 1991, më telefonon Pandora, atëherë shumë e moshuar dhe e sëmurë dhe më thotë që “duke e ndjerë se nga dita në ditë unë mund të marr me vete një sekret,
dua të ta them, që ta dini dhe ta përcillni si një pjesë të rëndësishme të historikut të arkivit tuaj. Në arkiv ndodhet një veshje e familjes së Nënë Terezës, që sipas informacioneve e ka veshur edhe ajo vetë dhe është shitur nga burri i Marie Krajës”.
Ajo më dha detajet e hollësishme. Unë nguroja ta thosha, sepse në arkivin tonë kishim veshje të ngjashme nga Prizreni dhe Shkodra, sepse popullsia katolike e këtyre dy qyteteve kanë mbajtur të njëjtën veshje, me përjashtim të ngjyrës.
Si u siguruat që ishte kostumi i Nënë Terezës? U sigurova për autenticitetin, pasi doli në qarkullim libri “Nëna e dashurisë” e Dom Lush Gjergjit, ku ishte botuar edhe kjo fotografi.
Ndër të tjera, Pandora më dha edhe një detaj, që dantella është vënë nga një këmishë tjetër, e dorës së parë, që ka pasur nëna e Nënë
Terezës, kur është martuar. Këtë element ajo ia ka shtuar më vonë. Po përsëri jemi brenda familjes së Nënë Terezës. Pra, e kemi pasur këtu gjithë kohës?
E kemi pasur këtu gjithë kohës, por për arsye sigurie, por edhe duke parë si po rridhnin ngjarjet, kam dashur që ta them në një ngjarje të madhe, ta nxjerr si një thesar.
E megjithatë, në arkivin tonë ka edhe të tjera gjëra shumë të çmuara dhe ruajtja e tyre përbën gjithmonë problem. Dhe jo vetëm në muzeun tonë, por edhe në vende të tjera nuk thuhen, nuk u jepet numri i inventarit, viti kur kanë hyrë.
Janë sekret i historikut të arkivit. Ndaj po e ekspozoni për kaq pak orë? Po, patjetër. Është një rast tepër special.
Ne e dimë që Mona Liza nuk është ajo origjinalja që del në ekspozita. Origjinalet dalin me raste shumë të rralla. Edhe ky kostum doli sot dhe nuk e dimë se kur do t’i vijë radha.
Kur të kemi një vend nderi, që të ketë më shumë siguri, do ta nxjerrim herë pas here. A i keni kushtet për të ruajtur veshje të tilla, të rralla?
Jo, nuk i kemi sa duhet. Por me ato mundësi që kemi, punonjësit e arkivit dhe të departamentit, për vlera të tilla, përpiqen të kenë kujdes më shumë./Alma Mile-Panorama