Ali Hasani
Pjesë e rëndësishme e historisë, kulturës dhe traditës së Shkodrës është edhe Pazari i Vjetër i këtij qyteti, që, për fat të keq, sot nuk ekziston më. Sipas të dhënave gojore fillimet e tij, mendohet se i përkasin Dinastisë së Bushatllinjve, por që lulëzimin më të madh ai e arriti
gjatë pushtimit osman, duke u bërë pazari më i madh, më i bukur e më me emër në katër vilajetet shqiptare, veçanërisht i krahasuar me Pazarin e Prizrenit. Dikush tjetër na thotë se për nga bukuria, madhështia dhe siguria, ky pazar ishte i dyti mbas atij të Stambollit, si dhe në atë kohë ka qenë tregu më i madh pothuajse në gjithë Rumelinë.
Pazari i Madh ishte vendosur në afërsi të qytetit të vjetër, nga ku ka marrë edhe emrin, në një distancë rreth 2 km. me Shkodrën e Re, në një zonë të pa banuar, por që shtrihej poshtë Kalasë së Rozafës e në breg të liqenit në Shkodër, deri ku del lumi Buna.
Nëpërmjet tyre, ky pazar lidhej me linjat detare e tregtare me botën e jashtme.
Pazari i vjetër në Shkodër në kohën e lulëzimit të tij, u bë vërtetë një qytet i madh tregtar midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, i shtrirë në 1.8 km. gjatësi, ku vlonte tregtia dhe ku madhësia e tij lejonte të punonin dhe të blinin aty mbi 10000 njerëz. Ndërsa në ditët e
pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të ishin prezentë më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtërit” më të shkëlqyer në tregti.
Aso kohe në breg të Liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha deri te avulloret 1000 tonelata, si dhe kishte edhe një pazar anijesh që ishte në “ garë ” me “ Pazarin e Madh ” por që ishte edhe si vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore si edhe banka dhe afër 1500 dyqane
të pa përsëritshme, sot e kësaj dite. Në të djathtë të Urës së Bunës ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare për import eksportet e mallrave në Shkodër.
Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët (rrugët) e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda Pazarit të Vjetër kishte rregull dhe disiplinë të veçantë si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje etj. Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre
komunikonin njëri me tjetrin me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje dhe elemente të tjerë sigurie.
Vlen të informojmë lexuesit se Pazari i Vjetër përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, e konkretisht ka pasur 5 kanale të tillë, të cilët largonin ujin nga pazari dhe ishin afër 1.8 metër të thellë. Kanali i parë mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “ sokakun e pemëshitësve ”, një i tretë kalonte “ skelën e peshkut ”, i katërti
përshkonte “ sokakun e kasapëve “ dhe i pesti kalonte përmes “Pazarit të madh ”, por që të pesë këto kanale ujin e mbledhur e derdhnin në Bunë. Sigurisht që kanalet pastroheshin çdo vit nga punëtorë të veçantë. Pra, që në atë kohë sistemimit të pazarit i është dhënë një
rëndësi e madhe si në anën ndërtimore ashtu edhe në relacion me funksionimin e plotë të tij për zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë. Kështu shumë shpejt Pazari i Vjetër u bë qendra më e madhe tregtare e trevave Shqiptare e më gjerë në eksport – importin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj
kohe. Në planin tregtar dhe financiar, Pazari i Madh në Shkodër është vlerësuar nga të tjerët si “Hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm për
nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra ka qenë Metropoli i Arbërisë.
Krye-pazari
Fjala “sokak” ka kuptimin: rrugë, dhe vjen nga arabishtja “suke”, që domethënë, pazar. Në rastin tonë fjalën sokak e kemi përdorur për të treguar sheshin apo rrugët e secilit profesion ose aktivitet tregtar. Sokaku i parë i Pazarit, fillonte me Krye-pazarin, i cili ishte edhe stacioni i
parë i trafikut për linjën Shkodër – Kosovë, ku gjendeshin edhe bujtinat e udhëtarëve të karvanëve që sillnin apo që ngarkonin mallra në Pazarin e Madh në Shkodër.
Krye-pazari ka qenë edhe një shesh pushimi dhe qëndrimi për pajtonet apo karrocat me të cilat udhëtonin njerëzit nga qyteti në pazar dhe anasjelltas. Në krye të pazarit takoheshin 3
rrugët kryesore si: Rruga e Parrucës, e Tophanës dhe ajo e Molit (portit). Ngjitur me Krye-pazarin, sipër tij, ka qenë edhe Lagja e Gjykatorëve si dhe banesat e tyre, gjatë pushtimit osman. Aty ndodheshin edhe dy saranxha që përdoreshin si depo uji në atë lagje. Rruga që
fillonte në Krye-pazar ka vazhduar deri në fund të Sokakut të Skelës dhe atij të Peshkut, duke e ndarë Pazarin e Madh në dy pjesë.
Bezistani
Në të djathtë të qendrës së Pazarit të Madh ka qenë Bezistani, dmth, pazari ku ruheshin gjerat e mallrat e çmueshme. Ai ishte një galeri e vërtetë dhe moderne për kohën, i rrethuar, i mbyllur, ku ruheshin dhe tregtoheshin mallra nga më të çmuarat si: floriri, xhevahiret dhe
objekte antike të mirë vlerësuara të kohës e të vendosura për këtë qëllim në 40 dyqane dykatësh secili. Kjo vepër mjeshtërore, si një nga ndërtimet më të rralla të kohës, kishte
katër porta të mëdha e dy të vogla dhe është ndërtuar në vitet 1807-1808 nga Ibrahim Pasha dhe pasardhësi i tij, Mustafa Pasha. Edhe ky ndërtim pas vitit 1944 është rrafshuar duke sjellë një dëm të madh, humbjen e një monumenti historik të këtij qyteti.
Objektet kultit si pjesë e pazarit
Në Pazarin e Madh ishin ndërtuar edhe 5 xhami si Xhamia e Teqesë (1756), xhamia e Kullukhanese, xhamia e Skelës, xhamia Mbret ose e Selvisë si dhe “ Mesxhidi “ (xhamia e vogël pa minare), si edhe 5 mejtepe për shkollim.
Fundi tragjik i një gjiganti
Me largimin e turqve nga Shkodra, përveç faktorit natyrorë, Pazarin e Vjetër e kanë dëmtuar edhe shumë faktor të tjerë. Veçanërisht malazezët, kur u tërhoqën nga rrethimi 6 mujorë i Shkodrës më 1913, plaçkitën, dogjën dhe shkatërruan me qëllim më shumë se 250 dyqanet më të mira në pothuajse gjithë Pazarin e Madh në Shkodër. Të njëjtën gjë bënë edhe kolonët grekë, duke e djegur dhe rrënuar atë më pas. Por gjëmën më të madhe këtij pazari ia bëri
komunizmi mbas vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet, i cili u hakmor me Pazarin e Vjetër e të Madh në Shkodër, si dhe vendosi që pak e nga pak, ta fshinte atë nga faqja e dheut si edhe nga harta e Tregut Evropian. Filloi gradualisht, shembja e Pazarit të Madh me mbi 30 sokakët
e afro 1500 dyqanet, ku ishte punuar e prodhuar pothuajse gjithçka artizanale e kohës dhe me një cilësi shumë të lartë. Pazari u la në dorë të emigrantëve grekë si dhe të jevgjve, të cilët në të vërtetë e trajtuan atë keq e më keq. Ata dogjën dyer dhe dritare si edhe rrënuan
sistematikisht gjithçka ndodhej aty. E sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, Partia – shtet e komunistëve, e angazhuar deri në marrëzi për të luftuar kapitalizmin në Shkodër, përpunoi
dhe shpalli “platformën kundër pronës private” dhe kundër Pazarit të Madh, si dhe nxori edhe vendimin për prishjen e këtij Pazari. Kjo u bë në atë kohë për faktin se ky pazar ishte qendra më e madhe e ekonomisë së tregut dhe e kapitalizmit shqiptar, që aso kohe binte ndesh me politikën dhe ideologjinë sllavo – komuniste sepse ata ishin kundër pronës private.
Që pas prishjes së Pazarit, Shkodra nuk ka “ngritur kokë” kurrë!
Pazari i Vjetër dhe i Madh ka qenë forma e parë e fillimit të iniciativës së lirë, e tregtisë dhe prodhimit të madh dhe e zhvillimit të kapitalizmit në Shkodër. Kjo arritje e kishte nxjerrë atë,
në vend të parë, më të fortë e më të pasur se shumë qytete të tjera në Ballkan. Kjo ishte Shkodra jonë, që prosperonte në sajë të punës, tregtisë dhe prodhimit kapitalist, fabrikave të para afër pazarit, si fabrika e miellit, një fabrikë akulli, fabrika e çimentos si dhe dy makineri për grirjen e duhanit etj. Partia – shtet, njësoj si malazezët, prishi dhe shkatërroi çdo gjë që
ishte ngritur e arritur me mund e me djersë nga shkodranët deri në atë kohë. U ndalua tregtia në “ Pazarin e vjetër e të madh ”, u ndalua lundrimi në Bunë e Liqen në Shkodër, u ndalua
edhe dalja në detin Adriatik. Shkodrës iu prenë të gjitha rrugët e komunikimit me Evropën, Botën e zhvillimin kapitalist të asaj kohe. U dëbuan nga puna mjeshtërit dhe tregtarët më të mire e më në zë të këtij qyteti. U shkatërruan si Pazari i Madh edhe Bezistani. U mbyll edhe
pazari javor. U ndalua tregtia për një popullsi prej mbi 200.000 banorësh të asaj kohe, që jetën e tyre e kishin lidhur vetëm me këtë pazar. U nxorën nga veprimtaria tregtare dhe
prodhuese mbi 3000 tregtarë. Pra ideatorët, gjithmonë kanë dashur ta shembin Shkodrën edhe si traditë, edhe si kulturë, por edhe si ekonomi. Dora – dorës ata arritën të shembin tërësisht Pazarin e Vjetër deri aty sa nuk mbeti asnjë shenjë e tij. Në këtë rast Shkodra
humbi një objekt të rëndësishëm historik, pse jo edhe një monument antikiteti por humbi edhe ekonominë e saj që me aq mundë e sakrifica e kishte ngritur ndër vite. Një fatkeqësi
kombëtare! Efekti dhe pasojat e këtij rrënimi kanë qenë katastrofike dhe janë ndjenë vazhdimisht në çdo sektor të ekonomisë në Shkodër. Që atëherë e deri më sot Shkodra nuk ka “ngritur kokë”.
Një memorial i munguar, si pjesë e historisë dhe traditës shkodrane
Në mbyllje të këtyre rreshtave për historinë e një vepre unikale për Shqipërinë dhe Ballkanin, padyshim që mëndja na shkon tek një mundësi : Ngritja dhe ringjallja sot e një Pazari të Ri
në Shkodër, pikërisht në vendin ku ka qenë ish Pazari i Vjetër. Qoftë ky edhe një minipazar,
një ndërtim memorial a diçka tjetër, me çfarëdo lloj emri që mundë ta pagëzonim, mjafton që aty të lihet një “gjurmë historike”. Për të rindërtuar këtë vlerë të çmuar kombëtare, do të dëshironim që zbatimin e një projekti të tillë, sa modern, bashkëkohorë edhe evropian ta
bëjnë biznesmenët e specialistët më të mirë shkodranë, nën drejtimin dhe mbështetjen e Bashkisë në Shkodër. Realizimi i një vepre të tillë, të bukur e memoriale, si pjesë e historisë,
lavdisë, kulturës dhe traditës shkodrane, aty ku dikur ka qenë “ Pazari i Vjetër “, në hyrje të
qytetit, rrëzë Kalasë legjendare të Rozafës, buzë lumit Buna e liqenit në Shkodër, padyshim që do t’i shtonte krenarinë këtij qyteti, por natyrshëm do të ishte edhe një atraksion i pa zëvendësueshëm për turizmin shkodran. Theksojmë se për disa emra, data dhe ngjarje të
shkrimit tonë, u konsultuam me veprën “enciklopedike “Shkodra dhe Mote“ të intelektualit
dhe studiuesit të talentuar të gjuhës, historisë, letërsisë, kulturës, traditës, botuesit dhe përkthyesit, eruditit dhe albanologut të spikatur shkodran, “Mësuesit të Popullit“ Hamdi Bushati.
gazetadita.al