Gazmend SHPUZA / Për ta përftuar në tërësinë e vet, nevojitet të bëjmë fjalë paraprakisht fare shkurt rreth rrugëtimit të mundimshëm që ka ndjekur Rilindja jonë Kombëtare (RKSH) për t’ia arritur qëllimit të vet. Një vend të rëndësishëm në këtë rugëtim e zë Kryengritja e Malësisë e viti 1911, e cila filloi para 105 vjetësh, porse kulmin e arriti në Kuvendin e Greçës me Përkujtesën që kryengritësit malësorë i dërguan Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht Britanisë së Madhe.
Synimi kryesor i Rilindjes për sigurimin e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar u shpall së pari në Përkujtesën që shqiptarët i dërguan kryetarit të Kongresit të Berlinit, lordit Bikonsfild nga Shkodra, më 13 qershor 1878. Programi final i RKSH u shpalos në kushtet e vendosmërisë së fuqive europiane të kohës për ruajtjen e statukuo-së së Perandorisë
Osmane, në Kuvendin themelues të Lidhjes Shqiptare, në Prizren më 15 qershor 1878. Kuvendi i thirrur, i organizuar dhe i mbajtur me sukses nga Pashko Vasa efendiu, Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Dibra, pasi shpalli kombin plurifetar shqiptar, kërkoi autonominë e shqiptarëve në kuadër të “vilajeteve të bashkuara”
Në kuvend morën pjesë delegatë nga vilajetet e Kosovës, të Shkodrës dhe të Manastirit. Abdyl Frashëri dhe Qazim Konica u solidarizuan telegrafisht me vendimet historike të tij, në
emër të vilajetit të Janinës. Kurse në Kuvendin e Dibrës, më 1 nëntor 1878, kërkesa për autonominë e Vilajetit të Shqipërisë u rikonfirmua në praninë edhe të delegatëve të Toskërisë me Abdylin në krye.
Për shkak të interesit afatgjatë të “Koncertit Evropian” për ruajtjen e statukuo-së në Ballkan, LKSH qe e detyruar t’i përmbahej programit automist deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë.
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në janar 1899, Haxhi Zeka, një ndër themeluesit dhe veprimtarët e shquar të saj, u përpoq ta ringjallte organizatën mbarëshqiptare me krijimin e Lidhjes së Pejës. Porse përpjekjet njëvjeçare nuk arritën të finalizoheshin.
Në kushtet e regjimit autokrat të sulltan Abdyl Hamidit programi i RKSH për autonominë e Shqipërisë nuk mundi të shpalosej asnjëherë brenda vendit. Ai botohej i zbërthyer në pesë e më shumë pika në shtypin shqip që dilte jashtë Perandorisë Osmane, ku kishte shqiptarë, që
nga Evropa në Afrikën verilindore e deri në Boston të SHBA-së. Në to programi kombëtar shpallesh në emër të dhjetra organizatave atdhetare. Jo rrallë herë përkujtesat nënshkruheshin sikur niseshin nga Shqipëria dhe për t’i dhënë peshë më të madhe shkruhej
edhe “Nga Malet e Shqipnisë” apo “Nga Gërxhet e Shqipërisë”. Nuk mungonin dhe organet të cilët kënaqeshin vetëm me kërkesa arsimore dhe kulturore. Midis tyre dallohej revista “Albania”. Botuesi i saj F. Konica iu kundërvu me këmbëngulje kërkesave më të avancuara autonomiste, kinse, të parakohshme.
Në vitin 1908, kur po ngrihej vala e revolucionit xhonturk atdhetarët shqiptarë u përpoqën të parashtronin kërkesën për autonominë e Shqipërisë. Përpjekjen e parë e bënë Nexhip Draga me Bajram Currin, që në Kuvendin e madh të Ferizajt. Përballë ithtarëve të sulltan Abdyl Hamidit, Kuvendi të gjitha forcat i përqëndroi në kërkesën për rivendosjen e rendit kushtetues në Perandorinë Osmane.
Çerçiz Topulli i kërkoi të dërguarit të Njazi Resnjes, siç kujton, M. Grameno më 1925, që të garantohej nga komiteti xhonturk, që Shqipëria të “sundohej vetvetiu me një guvernator të dërguar prej sulltanit”. Ai morri premtimin se kërkesat e tyre do të plotësoheshin nga komiteti xhonturk.
Forcat mijëra vetëshe të grumbulluara në Ferizaj të pakënaqur vetëm nga premtimet nisën për në Shkup 4000 përfaqësues të tyre për të marrë pjesë në festimet e shpalljes së Kushtetutës. Qëllimi i tyre ishte, sipas të dhënave konsullore nga qendra e vilajetit, “për të
kërkuar autonominë e Shqipërisë me qendër Shkupin”. Këto forca ndaluan trenin që shkonte
nga Mitrovica në Shkup me delegatët që do të merrnin pjesë në këto festime dhe “kërkuan prej tyre që të shpallnin dëshirën e popullit shqiptar për të krijuar Shqipërinë autonome”. Komiteti xhonturk arriti ta ndalonte këtë lëvizje masive të shiqptarëve për të hyrë në Shkup duke mobilizuar garnizonin e tij dhe duke vënë në gatishmëri artilerinë. Me që nuk kishin
shumë besim në forcat e mobilizuara për zotëruar situatën autoritetet premtuan se kërkesat e shqiptarëve do të shqyrtoheshin nga parlamenti, që do të mblidhej së shpejti.
Rrethet ardhetare dhe shumicën e shqiptarëve pjesëmarrës në revolucion, i bashkonte me lëvizjen antihamidiste jo vetëm interesi për rivendosjen kushtetutës. Ata në thelb shqetësoheshin për fatin e ardhshëm të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane, qoftë dhe të reformuar, nën një regjim kushtetues. Ndërsa xhonturqit, midis tyre dhe shumë shqiptarë, mjaftoheshin vetëm me të drejtat kushtetuese, Lëvizja Kombëtare Shqiptare,
komitetet e fshehta, çetat patriotike, si shprehëse të dëshirave dhe të interesave të vërteta të popullit shqiptar, kërkonin të siguronin pozitën e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë me anën e sigurimit të autonomisë.
Pas hyrjes në veprim të kushtetutës, në Shqipëri shpërtheu një lëvizje e gjerë në fushën arsimore e kulturore nga klubet atdhetare dhe shtypi në gjuhën shqipe, sidomos në drejtim të arsimit shqip. Këto veprimtari kulturore dhe arsimore u shfrytëzuan për të avancuar në kërkesat politike.
Në mbledhje të fshehta në Kongresin e Manastirit u miratuan kërkesa për sigurimin e zhvillimit të arsimit shqip në kuadër të sistemit arsimor osman e tjerë. Këto kërkesa qe menduar të parashtroheshin nga deputetët shqiptarë në parlament, për çka u ngarkua Shahin Kolonja.
Grupi i deputetëve shqiptarë i mbërthyer pas iluzioneve kushtetuese e tashmë dhe parlamentare nuk qe i gatshëm t’u përgjigjej detyrave që shtronte koha.
Në rrugën e përpjekjeve për parashtrimin dhe realizimin e programit të Rilindjes një vend të veçantë luajti Kongresi i Dibrës (korrik 1909). Në këtë tribunë të organizuar nga xhonturqit për të demonstruar besnikërinë e popujve joturq të Ballkanit, në radhë të parë të shqiptarëve, atdhetarët ngritën hapur pikërisht ato probleme që në kongreset e tjera të
mirëfillta të shqiptarëve nuk arritën asnjëherë të ngriheshin hapur, qoftë në Manastir, Elbasan dhe përsëri në Manastir.
Është meritë e pjesëmarrësve të Kongresit të Dibrës që ngritën me forcë dhe mundën të fusin në vendimet e tij kërkesën për hapjen e shkollave shqipe të mbajtura nga shteti dhe futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat shtetërore. Po ashtu ata kërkuan që nëpunësit që shërbenin në
Shqipëri të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit. Ky është një sukses, i cili u arrit dhe u
sanksionua në një tubim me karakter të gjerë politik ku shumica e delegatëve nga gjithë Rumelia nuk qenë shqiptar. Përsa i takonte alfabetit Kongresi i Dibrës iu përmbajt vendimit të Kongresit të Manastirit për të zgjedhur krahas alfabetit thjesht latin dhe alfabetin e Stambollit.
Siç shihet atdhetarët shqiptarë në Kongresin e Dibrës arritën të shtronin dhe të paraqisnin kërkesa me karakter politik kombëtar, që shënonin fillimin e vënies në jetë të autonomisë së Shqipërisë. Ejup Sabri Ohri, i dërguar nga Komiteti Qendror Xhonturk si vëzhgues, pranon se këto kërkesa ishin një përpjekje e hapur për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Prandaj ai
kërkoi menjëherë mbylljen e punimeve të kongresit me miratimin e rezolutës të përgatitur nga organizatorët e tij xhonturq, porse pa sukses.
Krerët xhonturq ngritën disa herë shqetësimin, jo të pabazuar, që kongresi po dilte jashtë rendit të ditës dhe kompetencave të tij. Ndonjëri prej tyre, e quajti kongresin, për vetë karakterin e këtyre kërkesave, jo pa të drejtë, si parlamenti i Rumelisë, gjegjësisht i Shqipërisë. Ata kundërshtuan me forcë kërkesën për institucionalizimin e këtij tubimi, që një kongres kësisoji të mblidhej çdo vit me qëllim që të kërkohej llogari lidhur me zbatimin e programit të miratuar në Dibër.
Kongresi i Dibrës, sapo filloi punimet e tij, pushoi së qeni një forum xhonturk dhe u shndërrua menjëherë në arenë të ndeshjes së atdhetarëve shqiptarë me organizatorët e tij. Për më tepër, Kongresi i Dibrës në sajë të guximit dhe vendosmërisë të tyre u kthye në tribunë të zjarrtë të parashtrimit me forcë të problemeve kardinale që shqetësonin RKSH.
Patriotët shqiptarë nuk u mjaftuan me kaq, por mundën, gjithashtu, që në këtë forum të sanksiononin kërkesa që objektivisht çonin në drejtim të hapjes së rrugës për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Kërkesa të tilla si ajo që nëpunësit të dinin gjuhën dhe zakonet e
vendit, futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak në vend nuk përbënin një fitore të vogël për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Atdhetarët e shquar pjesëmarrës të këtij kongresi shfrytëzuan rastin me shumë aftësi dhe guxim për të realizuar në këtë kongres ato çka prej kohësh po përpiqeshin për t’i formuluar dhe paraqitur. Kërkesën për autonomi mundën ta paraqesin në mënyrë më të plotë dhe më
të avancuar, pas dy vjetësh, më 1911, vetëm kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës.
Me forcën, karakterin e rrjedhimet që pati Kryengritja e Malësisë përfaqëson një moment madhor në procesin përfundimtar të çlirimit të popullit shqiptar nga sundimi osman. Ajo në kuadër të Kryngritjeve të viteve 1910-1912 i parapriu fundit të këtij sundimi në Ballkan. Madje, shqiptarët qëndruan në pararojë të këtij procesi.
Megjithë peshën e papërfillshme specifike gjeografike dhe demografike në kuadër të Perandorisë Osmane, Malësia e Mbishkodrës, më 1911, u bë vatër e një kryengritjeje të fuqishme, e cila e tronditi thellësisht këtë shtet; e angazhoi, për më se pesë muaj, seriozisht,
në rrafsh ushtarak, politik e diplomatik Stambollin për shtypjen e saj. Duke rrezikuar statukuonë ballkanike, të cilës vijonin t’i përmbaheshin ende Fuqitë e Mëdha të kohës, kjo kryengritje detyroi, në një shkallë jo të vogël, dhe diplomacinë europiane të merrej jo pak me të, për shuarjen e saj.
Malësia e Mbishkodrës, nën udhëheqjen e Dedë Gjo’ Lulit, përballoi për muaj me radhë forcat dhjetëramijëshe xhonturke, të komanduara nga Shefqet Turguti. Në hapësirat e ngushta malore të Hotit, Grudës dhe Kelmendit pashaj nuk mundi të triumfojë sikurse u lavdërua kur u
nis për nënshtrimin e Malësisë. Një përballje kjo e pakrahasueshme me luftërat që zhvilloi Perandoria Osmane në këtë kohë në Jemen, në Tripoli dhe në Ballkan. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti që kryengritesit, me luftën e tyre të vendosur, pa iu përulur presioneve dhe
mashtrimeve, luftuan heroikisht, pasi erdhën pranë tyre Ismsail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, në mbështetje të kërkesave kombëtare të mbarë shqiptarëve të përqafuara prej tyre, në sajë të udhëheqësve si Dedë Gjon Luli me shokë, dhe i detyruan autoritetet osmane të ulen në tryezën e bisedimeve.
Pothuajse, po ato forca osmane që qenë përqëndruar në vilajetin e Shkodrës më 1911 kundër 3000 malësorëve, u ndeshën një vit më pas me ushtritë serbo-malazeze gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
Me këto krahasime, të mbështetura në burime të dorës së pare, siç janë ato osmane, del në dritë qartë jo vetëm vendi i Kryengritjes së Malësisë në historinë tonë kombëtare, por dhe kontributi jo i vogl që ka dhënë populli shqiptar me kryengritjet e tij të mëdha më 1909-1912 në luftën për çlirimin përfundimtar të Ballkanit nga sundimi osman.
Gjithë ky realitet historik është në përpjesëtim të zhdrejtë me vëmendjen e pakët të qarqeve diplomatike e gazetareske evropiane të kohës, të përcaktuar nga interesat e Fuqive të Mëdha, në gjeopolitikën e rajoneve si Kanali i Suezit, Gjiri Persik, apo Afrika e Veriut, Mesdheu Lindor dhe Ballkani. Ajo trajtohej ngushtësisht si çështje malësore e, madje, thjesht katolike.
Faktori shqiptar u binte ndesh fuqishëm politikave ballkanike për ekspansion mbi trojet shqiptare dhe qëndrimeve koniunkturore të fuqive evropiane si dhe synimeve të drejtëpërdrejta të fuqive adriatike dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.
Për të përballuar në rrafsh diplomatik këtë front antishqiptar, trajtimin lokalist e, madje, dhe fetar të Kryengritjes, si dhe presionin malazez në të, pranë kryengritësve malësorë shkuan Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi me të tjerë. Ata qëndruan disa ditë në Mal të Zi, duke i dhënë
një mbështetje të fuqishme politike dhe ideore luftës së malësorëve. Kryengritësit e
udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, deri më atëherë, kishin përballuar me sukses sulmin e taborreve të Shefqet Turgut pashës, ultimatumet e tij të njipasnjishëm për tu kthyer në fshatrat e tyre.
Përmasat luftarake të Kryengritjes së Malësisë u përplotësuan me kërkesën kombëtare për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë. Me ndihmën e dy atdhetarëve të mëdhenj dhe bashkëpunëtorëve të tyre kryengritësit përqafuan programin politik të Rilindjes dhe mundën
të shpërfaqin karakterin e vërtetë të luftës së tyre. Edhe pse në kushte tejet të vështira, për rreth dy muaj, ata do t’i qëndronin besnikë emrave që përfaqësuesit e tyre kishin vënë poshtë Memorandumit të Greçës.
Më 25 qershor Ismail Qemali u prit nga princ Nikolla i Malit të Zi. Ai pati dhe një takim me arkipeshkvin Jak Serreqi. Për këto dy takime, deri më tani, nuk kemi asnjë të dhënë.
Në Cetinë I.Qemali deklaronte, siç e njoftonte përfaqësuesi i atyshëm diplomatik i Vjenës qendrën e vet, se veprimtaria e tij i kushtohej ndërmjetësimit për të gjendur formulën e sigurimit të një paqeje të qëndrueshme. Në kundërshtim me politikën xhonturke të kundërvënies së myslimanëve me të krishterët, siç shkruante dhe shtypi londinez, ai synonte
bashkërendimin e shqiptarëve të të dy besimeve në një lëvizje kombëtare të bashkuar me synim sigurimin e autonomisë së Shqipërisë përmes rrugës paqësore.
Nga Mali i Zi I. Qemali largohet më 7 korrik dhe shkon në Vjenë, ku merr një mesazh nga ministri i jashtëm i Austro-Hungarisë në gjuhë tepër diplomatike. Në të kryediplomati i Vjenës theksonte se, rruga më e mire për zgjidhjen e çështjes shqiptare ishte që ajo duhej t‘u lihesh
në dorë Fuqive më të interesuara për Ballkanin Perëndimor, pa e zënë me gojë as me nën kuptim Memorandumin e Greçës, të cilin tashmë e kishte mbi tryezë.
Më 12 korrik I. Qemali pritet në Vjenë nga amabsadori britanik Cartwright, të cilit i shpjegon politikën shtypëse të xhonturqve ndaj shqiptarëve, duke kërkuar ndërhyrjen energjike të Londrës pranë Portës së Lartë për t’i dhënë fund shtypjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve. Ai shpreh bindjen se ajo do të këmbëngulte në Stamboll për plotësimin e kërkesave të
Memorandumit të shqiptarëve, të cilin kryengritësit ia dërguan qeverisë angleze veçanërisht. Ndërhyrja britanike në favor të tyre, sipas I. Qemalit, do të ishte e një rëndësie të veçantë.
Në vijim I. Qemali thekson, se qëllimi kryesor i tij ishte zhvillimi i një lëvizjeje të përgjithshme në rrafsh kobmbëtar në hullitë e kushtetutës osmane për sigurimin e autonomisë vetqeverisëse për shqiptarët. Ai shpresonte se këtij qëllimi t’ia arrinin, sipas dëshirës së
evropianëve, pa pasur nevojë për ndërmarrjen e metodave revolucionare. Më tej Isamil beu nënvizonte para diplomatit britanik në Vjenë, se ndjenjat fetare të shqiptarëve nuk ishin aq të thella sa të cënonin ndërgjegjen e tyre kombëtare.
Misioni i Ismail Qemalit pati rëndësi të veçantë për të paralizuar përpjekjet e Krajl Nikollës për manipulimin e kryengritjes në interes të politikës së tij ekspansioniste në drejtim të vilajetit të Shkodrës. Ai kishte besim te atdhetarizmi i kryengritësve malësorë dhe prijësve të tyre, Dedë Gjon Luli, Mehmet Shpendi dhe të tjerë.
Dedë Gjon Luli u takon ati brezi të krerëve të kryngritjeve massive të shqiptarëve, të cilët mundën të përvetësojnë në shkallë të konsiderueshme mendimin atdhetar më të përparuar të kohës së vet. Duke u ngritur mbi kërkesat krahinore ata luftuan jo vetëm me trimëri dhe
zotësi luftarakë. Përkrah atdhetarëve intelektualë nga prijës luftarakë të kryengritjeve të përmasave lokale apo dhe ndërkrahinore u shndërruan në udhëheqës të lëvizjeve të niveleve
kombëtare. Të tillë përveç Dedës qenë I. Boletini, B. Curri, I. Seferi. Ata qëndruan denjësisht, jo vetëm me armë në dorë, përkrah figurave me të shquara intelektuale të kombit tonë si I. Qemali, H.Prishtina, L. Gurakuqi, F. Noli në dekadat e para të shekullit XX, në prag të shpalljes së Pavarësisë dhe më pas.
Me përvojën më se tridhjetëvjeçare të fituar Dedë Gjon Luli arriti të përvetësojë një përfytyrim politik të mirëfilltë kombëtar. Megjithëse analfabet, ai qëndroi në ballë të
malësorëve, përkrah Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, edhe në vijën e parë të luftës për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar jo vetëm me armë në dorë. Kjo anë shumë e rëndësishme e personalitetit jo vetëm luftarak por dhe atdhetar të Dedë Gjon Lulit edhe sot e kësaj dite lihet në hije.
/gazetadita.al/