Botimi i veprës së plotë të At Anton Harapit, sjell në vëmendje publicistikën e tij. Nën titullin
“Naltimi i ndërgjegjes kombtare”, Botime Françeskane Shkodër, 2017, vepra rrok së bashku shkrimet në prozë të At Anton Harapit botuar në revistën “Hylli i Dritës”. Janë vënë edhe disa
shkrime të At A. Harapit botuar në gazetën “Ora e Maleve”, 1923-1924.
Përshtypjet e tij për ata që i njohu nga afër, ata që e deshën e ata me të cilët nuk u mor vesh
e bëri debat, ata me të cilët qe në një mendje e ata me të cilët ndau mendime të kundërta, parë në dritën e viteve më vonë, peshojnë më shumë e më ndryshe. Prej kësaj vepre shkëpusim rrëfimin e tij për Luigj Gurakuqin. E ka njohur mirë, pasi ka qenë pjesë e grupit
opozitar me të.
At Anton Harapi, lindi më 5 maj 1888 në Shirokë, studioi në Austri, botoi disa vepra. Me instalimin e regjimit, mbas disa kërkimesh, komunistët e gjetën. Për gati gjashtë muaj qëndroi në birucat e hetuesisë, në Tiranë, nën tortura. U pushkatua natën e 14 shkurtit 1946,
në orën 18:30. Eshtrat e tij, kalbur në një gropë të panjohur, në rrethinat e Tiranës, vijojnë të presin një varr. Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Naltë,
Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Fuat Dibrën dhe Padër Anton Harapin. Ky i fundit asistoi në të gjitha mbledhjet e zhvilluara me praninë e Këshillit të Naltë, porse u betua më 13 janar 1944 pasi kishte marrë edhe lejen e Papës.
Nga Pater Anton Harapi
SI E NJOH UNË GURAKUQIN
Ndër shqiptarë nuk njohta kend mâ hije-lehtë se Luigj Gurakuqin. Kujtimit t’êm nuk i çfaqet nji burrë si ai: i urtë, i mendshëm e njiheri edhe trim si zana. Personaliteti i tij qe nji krijesë
origjinale, ku shpirti shqiptár, i pajisun me kulturë e qytetnim, shprehej i madh, i naltë, fisnik.
Këtê pata fatin me e pasë mik zemre e shoq pune, bashkëpuntuer edhe prîs; me tê përpoqëm idealet, damë gëzimet e idhnimet; lirija e besimi qi patëm shoq me shoq, kaptoi
ndër hapat mâ të guxueshëm, u ul e përfshini fjalët e punët edhe mâ të zakonshmet: por deri edhe ndër këto kande të jetës, ku edhe shpirti i fatosit ka hijet e veta, në fundin e zemrës së tij nuk pashë tjetër veç se shka bindë, tërhjekë e bân për vehte.
Në Luigjin gjeta njerín, hetova shqiptarin.
Cilësít e rropamet e shpirtit të tij i kam para s?sh porsi idé, porsi symbol, por nuk vêhem t’ i
përshkruej. Sferat e jetës së Luigjit, nuk ka pendë shqiptari qi i përfshin. I zoti ndër të zotët, i madhi ndër të mdhejt, i miri ndër mâ të mirët, Luigji qe i mbarë Shqipnís, i të gjithë Shqiptarëvet, por Shqipnija nuk qe për tê.
Të parën herë qi më rá t’ a njoh, ishem endè pa h?m ndër valët e jetës. Emzot Doçi, Pater Fishta e Luigji bisedojshin mbi problemin shqiptár. Unë, si i rí, rrijshem e ndigjojshem pa marrë pjesë në kuvend. Abati don me më bâ me folë, e thotë: Po ky frati i rí a merret me çashtjet
shqiptare? A e don Shqipnín? Luigji, pa më njohtë pa më dijtë, si më pau ashtu të frikësuem e të turpnuem, mori fjalën për mue: – Po, tha menjiherë, edhe ky e ka për zemër atdhén:
edhe ky tash e jep kontributin e vet, por tash don të zâjë prej nesh. M’u bâ se m’u çel perdja: njohta optimistin e dashamirin e të rijvet. Mora zemër.
Shkuen vjetë e vjetë pá u pá mâ me tê. Kur, ja, e gjêj në Kuvendin e Françeskanëvet në Troshan, ku i skredituem e i luftuem, me durimin e fatosit, në qetsí të plotë, pritëte të
dyndeshin rêt e zeza të gojë-këqivet, të ftofej pasjoni i anmiqëvet, t’a ndiente Shkodra e Shqipnija nevojën e tij. Nuk e mbaj mend shka folëm, por e dij se folëm gjatë, folëm me
zemër në dorë, folëm si burrat me kulturë. Këtê veç mbajta mend, se ishem pjekë në nji njeri me ndiesí të nalta shpirtnore.
Sikur nuk mjeroi kur Shkodra pa e njohtë e përbuzi, ashtu nuk iu rrit mendja kur Shkodra dhe
mbarë Shqipnija brohoriti për tê.
Në nji odë, në nji tryezë me tê, me javë e muej bashkëpunuem në fletoren ?Ora e Maleve?. Aty pash zotsín theorike e praktike, aty turret e enthuzjazmit dhe aftësín e përqendrimit, aty
syperjoritetin e fisnikín e tij.
– Luigj, i thom nji ditë: Na me pendë e të tjerët me pushkë, na me fjalë e të tjerët me plumb, tash po na e dalin e na lanë në záll né me gjithë Shqipní!? E atëherë kush e pat e pat, e mjerë kush i han shpina dhé!
– Ani, tha, përzot’a; le të na vrasin, se unë Shqipnín nuk due t’a ngrehi mbi gjaqe e intriga,
por mbi idé dhe mbi ndiesí.
Nuk kam marrë kurrnji shënimpërmbi ato kohë vërté ideale, këtu vetëm due të përtrîj disa ndër kujtime të çmueshme qi shpirti i êm ruejti mbi ketë shqiptár vërté të jashtëzakonshëm.
ZGJEDHJET
Ishte koha e zgjedhjevet. Enthuzjazmi i ynë kishte shtî, deri në popullin e ulët, nji interesim të gjallë. Lufta elektorale vlonte, njimend e qetë dhe e organizueme, por me të tanë intensitetin e vet. Kurr Shkodra me rrethe nuk u gjet në nji lëvizje mâ ideale, mâ të madhe e mâ
t’organizueme. Ishte e para herë qi muhamedanë e katholikë të lidhun sinqerisht në njênën anë, e muhamedanë e katholikë në tjetrën anë, Opozitë e Popullore, luftojshin shoq me shoq
si ndër vende të qytetnueme, jo me armë, por me fjalën e lirë e me propagandë.
Na e kishim shpallë listën e deputetëvet. I kishim bâ llogarít dhe me sigurí përfundojshin me
fitim, deri në nji kandidat. Natën e zgjedhjevet kundërshtarët na çojnë fjalë për nji kompromis, po deshëm t’a qesim atë deputet. Kjo punë veç nuk kishte si me u bâ pa nji dredhí, qi ishte trathtí. Qe kush tha se do bâ dredhija mbasi qellimi ishte i shêjtë. Nguli kambë
Luigji: – Kurrën e kurrës – tha – nuk e pranoj intrigën, me e dijtë se e bjerrim krejt çashtjen ndër zgjedhje! Qe i ndershëm e burrë në veshtrim të fjalës. Si ai…
Kishin shtî njerín m’e vrá. Merr vesht se kush âsht. E kërkon dhe e gjên natën tue këthye në shtëpí, vetëm për vetëm në rrugë. Të nesërmen me buzëqeshje dhe me nji qetësí të
kandëshme shpirti më kallxon: – P. Anton, e bâna duelin! Mbramë u ndesha me N. N., i dola para dhe me dorë në revolver i thashë: Në qofsh burrë, më vrà njitash, se sa për mbas gardhi qet pushkë edhe i dobti. – Po shka bâni? Shka të tha? Si u dave shëndosh? Kështu unë
gëzueshëm, por turrshëm. – Uli fjalët – tha e më bâni bé e rrëfé se nuk do të më vritëte në kurrnji mënyrë. – Po ti? … – Shko, i thashë, se megjithëse mundem me të vrá, po të fali, jo
për bé rrêjshëm qi po bân, por pse nuk âsht burrní për mue me shtî në nji njerí të lig sikurse t?. Luigji qe vërté trim, por trim i urtë e fisnik.
Njimend se nuk kishte të holla për të marrë njerí mbas vehtes, por nuk donte t’a marrë as kur me lëmoshë t’atyne qi e çmojshin dhe e dojshin, i a imponova gati përdhuni. – Po pse, more Luigj, ti kështu po don me e marrë në qafë vehten dhe të gjithë ndjekësit e tú? – P.
Anton, më thonte me të gjitha ndiesít e zemrës, m’âsht mbushë mendja se e para pushkë nuk më mbytë, e sa për të dytën e shprazi vetë.
Mbasi e provoi njerín qi i dhashë rojë mbas vehtes, të tanë gëzim më tha: – P. Anton, me kësi burrash, po, mund t’a bâjmë Shqipnín! Kur prekej në dellin e vet ishte enthuzjast i madh, u derdhte në nji optimizëm të çuditëshëm, gadi me thanë të tepruem.
Ashtu si ishim të përveshun tue shkrue, ai në njênën anë të tryezës e unë në tjetrën, vjen postari dhe i dorëzon nji telegram. Porsa e çeli, ngeli me tê në dorë. Përdîhet e përmblidhet në vetvehte. Si e shoh ashtu të prém, e pyes: – Shka âsht, Luigj? – Na kanë fikë, P. Anton; ja, e kanë shpallë revolucjonin atje në Vlonë deputetët t’anë, por âsht e kotë të qajmë;
duhet të jemi solidarë me shokë; çou të fillojmë edhe na. – Larg-pamës dhe i kujtueshëm, syperjoriteti i shpirtit të tij kapërcente sferën e njij karakteri të zakonshëm; ai, për besë e burrní, qe i zoti të veprojë edhe kundra bindjes së vet.
Ishte emnue Ministër i Financavet e nuk kishte të holla as sa me shkue në Tiranë. – P. Anton, më thotë, m’i jep dhetë napoljona uhá, se për fjalë të nderit po më vjen turp me i a lypë kujt, mbasi nuk m’a zên besë kush. Edhe vonë m’i pagoi, jo pse nuk donte a pse harronte, por pse nuk i tepronte gjâ në xhep prej rrogës si ministër. Shpirtin plot e xhepin thatë, rroi
pernjimend i vorfën, pse vërtè idealist i pastër.
Kishte nji mamendje të çuditëshme. Nuk mbante ‹notes› me vehte, as nuk merrte ndonjiherë shënime për mos me harrue. Nji ditë e nguca fort në ketë pike dhe i u vûna tepër
të mirrte shënim për nji punë. – Më provò, tha, P. Anton, a shkruej gjâ për mos me harrue, dhe a harroj gjâ, kur thom ‹po›. E provova dhe më duel ashtu.
Si u thye Opozita, shkova dhe e ndesha. Me lirín e zakonshme turrshem i bâj dý pyetje të thata, por të forta: Si me falimentue kështu, Luigj? Si me dalë e me hikë Ju tash prej
Shqipnije? – Kishte vdekë në kambë burri i dheut; me e pasë pré gjak s’kishte qitë. U kuq, i u muer goja, shtërngoi buzët e i dha vehtes: P. Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na
kanë deklarue komunista n’opinjonin publik t’ Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndêja unë këtu, e dij se derdhet gjak, e derdhet kot. Të kishte pse, nuk po shikojshem fort për gjak qi derdhet, se mâ për vehte jo se jo, por po më vjen si trathtí t’a marr në qafë popullin e shkretë.
Doli dhe e la Shqipnín, për të mbramen herë. Në Brindisi nji fletorár del t’a ndeshë dhe i kërkon nji intervistë. E mbaj mend, se n’atë rasë tha nji fjalë, qi qe testamendi i tij: Partít e rrymët shkojnë e vijnë, por don me thanë shumë, se me kaq Shqipnija e humbi Pavarsín e vet.
Luigj, përmallshëm të falem! Me të gjitha ndiesít e zemrës të kujtoj! Në kujtimin t’êm, për pa vdekë nuk të lëshoj! Ti njimend qé, por edhe jé. Njimend nuk lae as bír as bijë; nuk shkrove shumë, as nuk u ndjeve aq fort: e po me ketë modestí t’anden lae trashigim të pavdekshëm
nji ideal të mishnuem, nji jetë të dêjë për shqiptarë; madhnín e shpirtit shqiptár ti e shprehe në të tanë vlerën, sinqeritetin e vërtetsín e vet. Ti vdiqe Luigj! Kjo âsht kunora, qi në ketë
përkujtim due të vê mbi vorrin t’ and: I njêjtë, i pa dangë si në jetë si në vdekje! Pastë kush të ndjektë!