Shqipëria renditet e pesta më e shtrenjtë në botë përsa i përket çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë, pas Moldavisë, Indisë, Jordanisë dhe Marokut. Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në informacionin mbi çmimin e benzinës që jepet nga Global Price Petrol dhe të ardhurat për frymë sipas metodës së fuqisë blerëse, të Bankës Botërore. Treguesi mat përballueshmërinë, në bazë të përqindje së të ardhurave ditore që duhet për një litër karburant.
Çmimi i benzinës, që merret për referencë nga Global Price Petrol ishte 1.68 dollarë/litër në Shqipëri, në nivele të ngjashme me shtete që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta
sesa Shqipëria, si Gjermania, Belgjika, Holanda, Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia etj. Në vlerë absolute Shqipëria renditet e 23-a më e shtrenjtë në botë.
Shqiptarëve u duhen 5.3% e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Ndonëse Norvegjia, psh, ka ndër çmimet më të shtrenjta në botë të naftës në vlerë absolute (2.05 USD/litër), qytetarët e saj mund ta përballojnë fare mirë, pasi u duhen vetëm 1.3% të të
ardhurave ditore për të furnizuar makinën me një karburant.
Maqedonasve dhe malazezëve u duhen 3.2% të të ardhurave ditore, serbëve 3.7%, ndërsa shtetasve të Kosovës 3.9%. Greqia e ka këtë tregues 2.6%, ndërsa Italia 1.8%, Bullgaria 2.4%.
Në Moldavi, që është më e shtrenjta në botë për karburantet, sipas fuqisë blerëse, duhen 7.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant.
Pse e paguajmë kaq shtrenjtë naftën?
Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat.
“Monitor” krahasoi strukturën e çmimit të naftës në Shqipëri dhe Maqedoni:
Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, nafta kushton aktualisht 63 dinarë maqedonas, ose
130 lekë, ndërsa në Shqipëri nafta kushton mesatarisht rreth 170 lekë, apo rreth 30% më e shtrenjtë. Më poshtë jepet e detajuar se si formohet ky çmim:
Çmimi i blerjes në port llogaritet i ngjashëm për të dy vendet, në rreth 53 lekë për litër në Shqipëri dhe 60 lekë për litër në Maqedoni, pasi ka kosto më të larta transporti për shkak të mungesës së portit. (një ton naftë sot blihet në bursa me rreth 600 dollarë)
Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 20 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 30% më të ulët se në Shqipëri).
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet.
Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.
Në total, në Maqedoni taksat direkte janë rreth 48 lekë për litër dhe në Shqipëri 97 lekë për litër, pra dyfishi.
Krahas tyre, në Shqipëri është rritur ndjeshëm tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, që sipas operatorëve llogarit një kosto shtesë prej 3-5 lekë për litër. Kosto të tjera përfshijnë tarifat për Inspektoriatin Qendror Teknik, taksë tabele, taksë reklame, amortizim etj, që duke shtuar dhe një marzh fitimi e çojnë çmimin final në rreth 170 lekë për litër, ose rreth 30% më shtrenjtë se në Maqedoni.
Taksa për rrugën Durrës-Kukës
Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 120 milionë euro taksa nga qarkullimi (507 milionë litra naftë konsum vjetor me 2016 x 32 lekë taksë qarkullimi + TVSH).
Ndërkohë fondet që akordoi buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve në vend vitin e kaluar, duke përfshirë edhe Rrugën e Kombit ishin rreth 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro. Kjo shumë është sa 18 për qind e taksës që u vol me 2016 nga qarkullimi dhe që ka destinacion mirëmbajtjen.
Këto fonde vlerësohen të mjaftueshme për të bërë mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në vend. Nga Financat nuk ka transparencë se si përdoren këto të ardhura.
Për herë të parë, Shqipëria ka nisur zbatimin e sistemit të rrugëve me pagesë, përmes dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së segmentit Milot-Morinë, ku tarifat janë 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët, sërish ndër më të lartat në Europë. Nga ana tjetër,
juristët kanë pohuar se ato mund të ankimohen në gjykatë, për shkak se cenohet parimi kushtetues se nuk mund të paguhen më shumë se dy lloje taksash për të njëjtin funksion./ Monitor
Indeksi i Përballueshmërisë së Karburanteve, bazuar mbi fuqinë blerëse (%)
RENDITJA VENDI Përqindja e të ardhurave ditore që duhen për të blerë 1 litër karburant (sipas metodës së fuqisë blerëse)
1 Moldova 7.3%
2 India 6.5%
3 Jordan 5.5%
4 Morocco 5.4%
5 Albania 5.3%
6 Vietnam 5.1%
7 Jamaica 5.0%
8 Ukraine 4.8%
9 Philippines 4.7%
10 Guatemala 4.1%