Shkodra është një nga qytetet antik që me të drejtë mund ta quajmë djepi i qytetërimit. Por për ta parë më nga afër se kur është krijuar dhe si ka ecur historia e këtij qyteti le t’i hedhim një sy disa studimeve.
Kohët e fundit një grup prej 15 arkeologësh shqiptarë e polakë, pas gërmimeve të kryera në qytetin e Shkodrës për afro 10 vite, kanë zbuluar fakte të reja për këtë qytet.
Drejtuesi i ekspeditës thotë se jeta në Shkodër ka ekzistuar rreth 5.000 vite më parë, çka e dëshmon mënyra e jetesës dhe objektet e gjetura.
“Deri para gërmimeve tona, në histori shkruhet se Rozafa ishte qendra e qytetit. Këtë na duhet ta kundërshtojmë, pasi i gjithë qyteti ishte qendër e Shkodrës. Kjo vërehet nga niveli i
jetesës, teknikës, jetës sociale e gjithçka që ne kemi mundur të zbulojmë. Jeta në Shkodër ka ekzistuar që përpara periudhës së bronzit, pra që 5.000 vite më parë”, thotë profesor Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës.
Por le ta studiojmë që nga fillimi historinë e Shkodrës.
Territori që ajo shtrihet është një nga më të favorshmit në të gjithë vendin. Nga njëra anë laget nga Liqeni i Shkodrës dhe tre lumenj shumë të rëndësishëm, Buna, Drini dhe Kiri dhe një pjesë e mirë ka mbështetje tek Alpet shqiptare.
Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronxit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë.
Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës, si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.k. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis-sot Shkodra.
Pushtimet e ndryshme ia kanë ndërprerë zhvillimin, e kanë shkatërruar shpesh dhe nga themelet, por Shkodra është ngritur edhe nga hiri. Në afro pesë shekuj të pushtimit osman, shkëlqimi i qytetit u venit, por në shek. XVII do të jetë përsëri një qendër e rëndësishme, jo
vetëm administrative, por edhe ekonomike e Shqipërisë. Në këtë periudhë kishte 1800 shtëpi dhe 25.000 banorë dhe gradualisht bëhet një qendër e rëndësishme kulturore. Në Shkodër lindën institucionet e para kulturore në vendin
Qyteti është themeluar në shek. e IV para Krishtit, prej fisit të Labeatëve gjatë sundimit të Gentit (181-168) përreth kështjellës Rozafa.
Zona përreth vendit ku ndodhet sot Shkodra ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Kjo sepse zona ka një kombinim të rrallë faktorësh fizikë për jetesë.
Rrëzë kodrave të Tepes, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (2000 para Krishtit). Në shekullin V – IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m.
Kështjella Rozafa është monumenti historik me i vjetër ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e
Shkodrës si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe te lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.
Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).
Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 para Krishtit. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, Scodrinon.
Shkodra e fillon njohjen e qarkullimin e monedhave të markave të huaja, rreth gjysmës së parë të mijëveçarit I. p.e.r., ndoshta aty nga shek. VII p.e.r. Pak më vonë aty rreth shek. III
p.e.r., fillon edhe prerja e monedhave dhe njëfarë zanafille e simboleve heraldike të markës lokale vendase ilire.
Me këtë bazament, me këto kronologji dhe me një komuntinuitet banimi qytetar, ne mundemi të pohojmë se, Shkodra e ka pasur qarkullimin monetar dhe elementet e para të heraldikës të pandërprerë, duke u shtrirë në tre mijëvjeçarë. Kur një shumicë e metropoleve të sotme europiane nuk kishin ekzistuar fare, Skodrinoni antik e Shkodra mesjetare stamponte edhe monedhat e veta.
Shkruhet në dokumentet historike se Shkodra kishte pasur edhe një Statut Antik, pastaj edhe Privilegje nga perandorë e mbretër, por e sigurt dhe e dokumentuar tashmë është se Shkodra kishte një Statut të Qytetit Autonom dhe pastaj edhe Statut të Qytetit Komunë të
tipit republikan, kishte simbole e stema antike, stema feudale e stemë qyteti autonom dhe Stemë Qyteti Komunë Republikane. Padyshim të gjitha këto janë elemente krenarie, por mbetet ende shumë për evidentimin dhe sistemimin e tyre.
Në vitin 181 para Krishtit bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullin II para Krishtit në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga
qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja.
Ajo pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shekullin e Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj. Më 1396
kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik.
Duhet thënë gjithashtu se besimi ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm. Në këtë zonë janë krijuar disa kisha, të cilat mbajnë peshë kryesore edhe sot. Kisha me e vjetër në Shkodër është ajo e Sh’na Ndout dhe Kisha e Shën Kollit, në anën tjetër të Bunës.
Nuk ka ndonjë dokument konkret, për të argumentuar të dhënat e ndërtimit të Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, që njihet si Pajtorja e Shqipërisë.
Por nga brezi në brez besimtarët katolik kanë mbajtur gjallë me veneracion bindjen në mrekullinë e datës 25.04.1467, ku këtë ditë figura e Zonjës se Shkodrës, që gjendej në një
afresk të Kishës në fjalë, u shkëput nga vendi dhe e ndjekur prej dy katolikëve shkodranë të quajtur De Xhorxho dhe De Skavis, shkoi e zuri vend në Kishën e Genazzano (në Itali).
Dhe pikërisht besimi ka qenë edhe një nga pikat kryesore pse osmanët kanë dashur ta kenë nën pushtetin e tyre qytetin. Duke qenë se si popullsi isin katolike dhe kishin një marrëdhënie shumë të mirë me Venedikun, Osmanët dëshironin që ta kishin nën pushtet sepse vetëm kështu ishin më afër bazilikës së Shën Pjetrit, qëllimit të tyre kryesir.
Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar.
Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan humanisti At Marin Barleti. Libri i tij: “Rrethimi i Shkodrës”, u botua në Evropë në vitin 1504.
Pas pushtimit qyteti u rrënua, por dalëngadalë u rimëkëmb dhe në shekullin e XVII u bë qendër sanxhaku e Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë qyteti ka mbi 1800 shtëpi dhe ka filluar të shtrihet në fushën ku është sot. Zhvillohen zejtaria, punimi i armëve, punimi i mëndafshit, i bakrit dhe i stolive prej argjendi.
E pothuajse në të njëjtën kohë kanë filluar edhe festimet e karnavalet në Shkodër që duhet thënë se kanë qenë të pranishme që para ardhjes së pushtuesve osman. Në 1499-1500, ndërtohet Ura e Bunës nga osmanët. Thuhet se ka qenë ndërtuar një tjetër më parë përballë ish- Fabrikës së Çimentos, por se kur nuk dihet.
Që në vitin 1565 Shkodra do të ketë Shtypshkronjë. Në shek.. XVII në Shkodër ndërtohet rruga “13 Dhjetori” nën ndikimin venecian.
Në 1718 Shkodra do të ketë 7 selite e konsullatave të Fuqive të Mëdha të Evropës. Si port përdorej Oboti e Ulqini e me vonë Shën Gjini. Në vitet 1757-1831 Shkodra është nën sundimin e Bushatlinjve. Familja feudale shkodrane e qeverisi pashallekun e Shkodrës në formën e një dinastie të trashëguar, thuajse të pavarur.
Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.
Më 1718 janë hapur në Shkodër agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri me 1809 ndërtohet bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit.
Në 1807-1809 ndërtohet Bexhisteni, i cili përmbante 2.500 dyqane të stilit persian (iranian).
Pazari i Vjetër ishte një kompleks i rëndësishëm i ngritur përbri kodrës mbi të cilën ngrihet kalaja Rozafa, dhe ku ushtroheshin rreth 80 lloje zejesh. Afër Pazarit ekzistonte një molo në lumin Bunë, ku akomodoheshin barka e anije të vogla ndërmjet të cilave Shkodra dhe Pazari i saj lidheshin me Adriatikun.
Në shekullin e XlX rritja ekonomike ecën me ritme të larta. Qendra tregtare ose pazari ka rreth 2500 dyqane dhe është më i madhi në Ballkan. Qyteti arrin në 50, 000 banorë dhe bëhet qendër Vilajeti. Këtu prodhohen veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtrohen 80 profesione. Në qytet janë 6 konsullata të fuqive europiane dhe vendeve fqinje.
Rreth viteve 1840 ngrihet ndërtesa e bibliotekës se Bushatlinjve. Biblioteka kishte afro 3 000 volume teologjike, jurisprudence, tekste shkencore, filozofike astronomike e deri në ekzemplare.
Libra me vlera u grumbulluan me vonë edhe nga bibliotekat e urdhrave katolike Jezuite e Françeskane. Po këtë periudhë u themeluan shoqëritë letrare, kulturore e sportive si “Bashkimi” dhe “Agimi”.
Në vitin 1867 qyteti bëhet qendër e Arqipeshkvisë. Ka institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, dogane.
Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Qyteti është kthyer në port lumor dhe tregton me botën nëpërmjet skelave ndërmjetëse si ajo e Obotit, Shëngjinit, Ulqinit, Tivarit. Qyteti shquhet për mjedise të gjelbëruara dhe oborret me lule.
Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për mos copëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra
bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit.
Fillon kështu një periudhe trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë. Shkodranët morën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës.
Bazuar tek studimi Gjon Frani Ivezaj, historian – konica.al