Për herë të parë “Gazeta” publikon kujtimet e panjohura të Profesor Skënder Luarasitlidhur me marrëdhëniet e kontraditat me kolegët shkrimtarë dhe udhëheqjen e Byrosë Politike.
— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare
Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 40-vjeçari Petro Luarasi, djali i vetëm i profesorit të famshëm, i cili proteston në lidhje me fallsifikimet që vazhdojnë t’i
bëhen jetës e veprës së babait të tij, Skënder Luarasit. Po kush ishte Prof. Luarasi, cila ishte e kaluara e tij dhe çfarë marrëdhëniesh e kontraditash pati ai me kolegët e tij shkrimtarë, si: Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi, Vehbi Bala, Gjovalin Luka, Andrea Varfin, Drago e Llazar Siliqi, Aleksandër Xhuvani, Qemal Draçini e deri tek Ismail Kadareja? Si u manipulua vepra dhe
jeta e Migjenit duke e paraqitur atë se frymëzohej nga idetë komuniste të shokëve të tij, Qemal Stafa, Vojo Kushi etj. dhe si protestoi për këtë fallsifikim Skënder Luarasi? Si deshën ta dënonin Luarasin dy kolegët e tij shkrimtarë, për çfarë e akuzuan ata dhe si shpëtoi ai pas
ballafaqimit me Ramiz Alinë? Çfarë thuhet në kujtimet e Skënder Luarasit në lidhje me nëpërkëmbjen që u bëhej shkrimtarëve të njohur Mitrush Kuteli, Andrea Varfi e Qemal Draçini nga kolegët që drejtonin Lidhjen e Shkrimtarëve dhe si u vidhej vepra e tyre pasi ata kishin përfunduar burgjeve?
Cilat ishin kontraditat e Skënder Luarasit me Enver Hoxhën në lidhje me Luftën e Spanjës dhe çfarë i kërkoi Luarasi Mehmet Shehut për Petro Markon? Për të gjitha këto mistere e plot fakte të tjera nga jeta e Skënder Luarasit, na njeh i biri i tij, Petro Luarasi, nëpërmjet kujtimeve të babait të tij dhe arshivës së familjes që përbëhet prej qindra fletësh, me letra, dokumente zyrtare, kujtime, protesta, replika, diskutime, korespodenca, fotografi e shënime të ndryshme, ku bëhet fjalë për lidhjet e marrëdhëniet e tij me kolegët shkrimtarë e artistë e
deri tek personalitetet e larta të udhëheqjes komuniste si Mehmet Sheheu, Ramiz Alia, Fadil Paçrami Manush Myftiu, Hysni Kapo etj. Pas një përzgjedhje të këtyre materialëve dokumentare që na dorëzoi zoti Petro Luarasi, duke u nisur nga ideja e vetme e ndriçimit të së vërtetës, ne e pamë të udhës botimin e një pjesë të tyre, të cilat pa dyshim mendojmë se i shërbejnë dhe qëllimit që i kemi vënë vetes për këto faqe special në dossierin e rubrikës historike.
Njohja e Luarasit me Migjenin
Lidhur me njohjen dhe takimin e parë me Migjenin, të cilin si shumë letrarë të tjerë të viteve ’30 që e kishin si idhull, prof. Skënder Luarasi ka lënë shumë kujtime të shkruara me dorën e tij. Atë afeksion që kishte për Migjenin, prof. Luarasi e tregoi edhe me martesën që ai bëri disa vjet më vonë, me të motrën e tij, Ollgën, martesë nga e cila ata patën tre vajza. Në
kujtimet e tij për shkrimtarin e madh, i njohur si “Poeti i mjerimit”, i cili u nda nga kjo botë në moshë fare të re, prof. Skënder Luarasi në mes të tjerash ka shkruar: “Një rasti e mbarë e solli që ta njoh personalisht Migjenin, transferimi im në gjimnazin e Shkodrës në vjeshtën e 1934. Ishin kohë të vështira se në rradhë të parë, në asnjë qytet të Shqipërisë nuk ziente përçarja fetare me aq fanatizëm sa në Shkodër. Të dielën e parë time në atë qytet, kur dolla
nga zyra e konviktit të piqesha me një nga miqtë e mij shkodranë, vura re kujdestarin e konviktit tek po i ndante nxënësit në dysh. E pyeta se ç’po bënte dhe më tha se ata në rradhë do t’i shpinte në kishë. Ndërkohë miku im erdhi dhe duallëm të shëtisim: kur iu afruam kafe “Parkut” ndaloi te rruga kryq, ku po afrohej një djalosh, e më foli: “Do të njohë me një koleg të ri, mësues në Vrakë, shumë i mirë… ortodoks”.
Takimi im i parë me Migjenin ish i shkurtër, por më gëzoi se gjeta në këtë djalosh një njeri që qëndronte mbi dasitë fetare. Më vonë u binda se Migjeni kish të drejtë se përbindëshi mund të rrëzohej vetëm me një goditje të fuqishme si ato që dha Migjeni vetë. Ato ditë e dëgjova për
herë të parë emrin e Migjenit, por edhe pseudonimi i tij ato ditë nisi të më bëhej më familjar”. Kështu e përshkruan Skënder Luarasi në kujtimet e tij takimin e parë me poetin e famshëm, Migjenin, (Millosh Gjergj Nikollën) të cilin ai, ndonëse e takoi edhe vetëm tre herë të tjera,
lidhi një miqësi të ngushtë. Lidhur me takimin e fundit që pati Skënderi me Migjenin, në kujtimet e tij ka shkruar: “Më parë se t’i linim shëndenë njeri-tjetrit, Migjeni dhe unë bëmë një shëtitje në Fushën e Shtojit. Duke qenë se Migjeni më ish imponuar si personalitet i fortë, si talent i fuqishëm, u bëra një nga admiruesit më të zjarrtë të poetit. Këtu për herë të parë ia
çfaqa mendimin tim të fundit për vlerën e madhe të veprës së tij dhe e këshillova të mblidhte poezitë që kish botuar në revistat e ndryshme dhe t’i përmblidhte në një numër.
Dhe Migjeni ma pranoi idenë por shtoi se kishte vështirësi të ndryshme për botimin e tyre, duke u nisur që nga ana financiare. Para se të ndaheshim, unë i premtova se do të mundohesha të bëja diçka për botimin e veprës së tij”, ka shkruar Luarasi në lidhje me
takimin e fundit që pati ai me Migjenin, të cilit i sugjeroi që të botonte në një libër më vete “Vargjet e lira” dhe ndihmën që do i jepte ai për atë gjë. Aty nga viti 1936, Skënder Luarasi bisedoi me një nga botuesit e asaj kohe duke paguar dhe kaparin për botimin e “Vargjeve të lira”. Por ai nuk mundi që ta çonte deri në fund përpjekjen e tij për botimin e atij libri, pasi në
dhjetorin e vitit 1936, ai iku për të luftur në Spanjë dhe ai libër nuk e pa dritën e botimit edhe si rezultat i çensurës që erdhi nga ndryshimi i qeverive në Tiranë. Por një pjesë e tyre që ishte shtypur, i shpëtoi censurës e ra në duar të rinjsh, që e daktilografuan në mijra kopje.
Kush ishte Profesor Skënder Luarasi
Skënder Luarasi u lind më 19 prill të vitit 1900 në fshatin Luaras të Kolonjës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila para viteve 1850, ka qenë e njohur me mbiemërin Kostallari. Babai i Skënderit, Petro Nini Luarasi, është i njohur si mësuesi që hapi të parën
shkollë shqipe në Shqipëri që në 7 marsin e vitin 1872, ditë e cila është simbolizuar më festën e mësuesit. Nëna e Skënderit quhej Lino Sevo dhe nga martesa me Petro Ninin ata patën
gjashtë fëmijë: Thomaidha, Shega, Dhimitri, Skënderi, Pirro dhe një vajzë e cila vdiq shumë e vogël. Nga pesë fëmijët e Petro Ninit, vetëm tre patën fatin të jetonin gjatë, pasi Thomaidha e Pirro vdiqën fare të vegjël.
Petro Nin ia vuri emrin Skënder djalit të tij, për nder të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit dhe kumbari i tij ka qenë poeti i madh Naim Frashëri, i cili kur mësoi lindjen e djalit të mikut të tij, u shpreh: “Rroftë 100 vjet dhe i ngjaftë të tet”. Mësimet e para, Skënderi i mori nga i jati i tij, në qytetin e Korçës në vitin 1909 dhe në fshatin Negovan në vitin 1911. Kur kisha
ortodokse dhe shovinistët greke e helmuan Petro Ninin dhe e mallkuan publikisht atë, Skënderi i vogël u dërgua për të studiuar në “Robert Kolezh” të Stambollit. Në vitin 1914,
Skënderi shkoi në SHBA dhe u regjistrua në “Easton Akademi” të cilën e përfundoi në vitin 1916 dhe po atë vit ai ndoqi “Amerikan Internacional Kolezh Spring-field. Mass”, të cilin e përfundoi në vitin 1918. Gjatë asaj kohe që ishte në atë kolegj, ai themeloi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes së Studentëve shqiptarë dhe editor i gazetës “Studenti”.
Kur u kthye në Shqipëri, në vitet 1920-1922, ai punoi si mësues në Qarkun e Elbasanit në shkollat që u hapën nga Kryqi i Kuq amerikan. Në vitet 1922-1926, Skënderi studioi dhe u diplomua në gjimnazin klasik të Freishtadt të Austrisë dhe në vitet 1926-1930, ai u diplomua në fakultetin e Filozofisë së universitetit të Vjenës. Gjatë asaj periudhe, ai ishte kryetar i
shoqërisë “Albania” dhe editor i revistës “Djalëria”. Nga viti 1930 e deri në 1936, Skënderi punoi si mësues në shkollën teknike të Tiranës, në Institutin Tregtar të Vlorës dhe në atë të
Shkodrës. Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, për shkak të pikpamjeve të tija antimonarkiste, Skënder Luarasi u përndoq dhe u burgos tre herë. Në vitin 1936 ai ishte i pari
shqiptar që shkoi për të luftuar në brigadat internacionaliste të Spanjës, ku kreu disa detyra si: përgjegjës për vullnetarët shqiptarë pranë Shtabit, përgjegjës i propagandës e censurës, botues i gazetës “Vullnetari i Lirisë” në gjuhën shqipe etj.
Po kështu në atë kohë ai përgatiti dhe drejtoi disa emisione radiofonike në gjuhën shqipe, nga Radio-Madridi e Barcelona. Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, Skënder Luarasi vuajti nëpër kampet e përqëndrimit në St, Cyprien, Gurs, Vernet e Bordo dhe në qershorin e vitit 1945 ai
u kthye në Shqipëri ku u zgjodh si deputet i Kolonjës në Kuvendin Popullor. Ai qëndroi vetëm
një legjislaturë si deputet, pasi pikpamjet e tij liberal-demokrate binin ndesh me politikën e regjimit komunist në fuqi dhe për shkak të tyre ai u dërgua për të punuar si mësues në shkollat fillore, por nuk pranoi dhe pas shumë përpjekjesh, u lejua të punonte si mësues i
shkollave të mesme dhe në punë të tjera. Nga viti 1946 e deri në vitin 1967 kur e nxorrën në pension, Skënder Luarasi punoi si mësues e historian, në komisionin pedagogjik, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Ndërrmarjen e Botimeve e Institutin e Shkencave, në shkollën
Pedagogjike, në Liceun Arstistik “Jordan Misja” dhe në Fakultetin e Histori-Gjuhësisë, ku hapi për herë të parë degën e anglishtes.
Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, deri kur ndërroi jetë në vitin 1982, për shkak të natyrës së tij jokonformiste, Skënder Luarasi pati shumë probleme e peripecira të ndryshme dhe shpëtoi për fije nga burgu. Të gjitha ato i erdhën vetëm për shkak të shpirtit të tij rebel dhe mos pajtimit me vijën politike që ndiqej nga regjimi në fuqi, sidomos
në arte, letërsi e histori, ku ai shpesh pati konfrontime dhe debate të ashpëra me kolegët e funksionarët e lartë të udhëheqjes, nga lufta që zhvillonte për mbrojtjen e tyre nga shtrëmbërimet e fallsifikimet që u bëheshin. Që nga viti 1917 kur filloi veprimtarinë letrare, e
gjatë gjithë jetës së tij, Skënder Luarasi pati një krijimtari të gjerë, duke lënë të shkruara dhe të botuara me dhjetra libra, në fushën e historisë, poezisë, prozës, romanit, novelës, e përkthimeve të ndryshme nga kryeveprat e letërsisë botërore. Por e gjithë ajo punë krijuese
e Prof. Luarasit, u la në heshtje dhe emri i tij nuk figoronte as në Fjalorin Enciklopedik që doli në vitin 1972 dhe as në Historinë e Letërsisë Shqipe.
Nga fundi i viteve ’70, Enver Hoxha e atakoi me emër Skënder Luarasin në veprat e tij dhe ajo gjë u bë shkak që karshi tij të mbahej një qëndrim i ashpër nga instancat zyrtare të
regjimit. Kjo gjë u reflektua edhe në vdekjen e professor Luarasit në 27 janarin e vitit 1982, ku në varrimin e tij nuk mori pjesë asnjë nga udhëheqja e lartë, ndonëse shumicën e tyre ai i kishte pasur nxënës. Po kështu për të penguar ardhjen e shumë njerëzve në funeralin e
Skënder Luarasit, organet kopetente e urdhëruan familjen e tij që ta bënte varrimin e tij, vetëm pak orë pas vdekjes, ashtu siç dhe u bë në realitet. Vetëm pas viteve ’90 me shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, pati një rivlersim të figurës së Prof. Luarasit dhe veprës
së tij, duke e nderuar veç të tjerave (në vitin 1996) edhe me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.
Migjeni në shtratin e Prokrustit
Flet Petro Luarasi, biri i prof.Skënder Luarasi, përse vendosi të botojë dorëshkrimet e të atit, një vepër për polemikat mbi Migjenin
“Nuk merrem me hesape të trashëguara, por do të botoj gjithë ç’kam ruajtur nga im atë Skënder Luarasi”. Kështu Petro Luarasi, trashëgimtari i intelektualit të njohur prof.Luarasit, i nxitur nga polemikat në media Luarasi-Shuteriqi, për veprën e Migjenit, konflikt që zuri fill në vitin ’48, mes njërit, autor i monografisë së poetit dhe tjetrit, ish- kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve në atë kohë. Petro Luarasi përgatitet për botimin e dorëshkrimeve të të atit “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, mbi atë çfarë përfaqësonte Migjeni për Luarasin, si e ka njohur, si ndodhi botimi i “Vargjeve të lira” më 1936, ç’mendonte në vitin ’48 kur paraqiti veprën për Migjenin në Lidhje, kujt ia dorëzoi materialet dhe si u bënë makinacionet.
Në këtë botim përfshihen letrat që Luarasi ia ka dërguar instancave të larta. “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, është një material i gjerë, janë disa letra letërkëmbimi me Krist Malokin në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me Migjenin, dy letra të Bojkës, të dashurës së Migjenit, për të cilat Petro Luarasi thotë se dy vjet më parë media ka spekulluar. Eshtë gati
një vepër 140 faqe, ku Petro mendon të përfshijë artikuj të Skënder Luarasit, studime mbi Historinë e Shqipërisë dhe debate mbi disa figura madhore, përshi edhe atin e gjuhës shqipe Kristoforidhin, se si “në disa aspekte përzihen interesat personale me interesat madhore kombëtare”.
Pse pikërisht tani po botoni këto dorëshkrime?
Sepse tani e shikoj më qartë që nëpërmjet organeve të shtypit të përditshëm nuk është e mundur të bëhet transparenca e kësaj periudhe. Përmendja e personave me identitet të plotë u bë vetëm për një pasqyrim të saktë të dokumenteve që ruaj. Nuk është çështja për të
sulmuar persona të caktuar, ashtu sikur nuk pretendoj se Skënder Luarasi ka pasur të drejtë, por duke ballafaquar faktet shpresoj që edhe të tjerë të japin argumentet e tyre, për të
hedhur dritë si ka qenë e vërteta. Ndërkohë që im atë kishte çuar për botim në Lidhjen e Shkrimtarëve veprën e tij për Migjenin në vitin ‘48, kjo vepër u pengua dhe në vitin ’53 del një vepër e botuar nga Gjovalin Luka ku thuhet se materialet janë marrë nga Skënder Luarasi.
Ishte ky akt plagjiaturë për Skënder Luarasin?
Plagjiaturë jo, por thënë ndryshe “e kam marrë” për ta botuar.
Si lindi ky debat?
Ime motër Angjelina Ceka ka botuar së fundi “Jeta dhe vepra e Migjenit”, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi. Angjelina për një arsye a për një tjetër nuk i ka botuar të plota materialet e viteve ‘57-‘61. Ajo ka lënë jashtë anën esenciale, konfliktuale, historinë e “Vargjeve të lira”, problemet që ka patur ky vëllim për botim.
Cila ka qenë arsyeja që u bë një botim i cunguar?
Që të mos ketë qejfmbetje nga të tjerët dhe të mos ketë debate. Por kjo bëri të flasin gojët e liga. Dhe tani që u hap ky debat del ndokush dhe thotë se nuk është ashtu siç ka thënë Skënder Luarasi. Përse nuk iu përgjigjën atëherë Luarasit, në ’61, kur u bë botimi zyrtar dhe
kur Dhimitër Shuteriqi mbante përgjegjësi si kryetar i Lidhjes që ishte?
Çfarë argumentesh të Shuteriqit ju shqetësojnë në një shkrim të fundit në një të përditshme?
Ai bën të paditurin për veprën e Skënder Luarasit dhe thotë se duhet të shikoni botimin e Gjovalin Lukës, mbledhur dhe redaktuar nga Gjovalin Luka. Veç kësaj bën të paditurin në
lidhje me disa saktësime të Skënder Luarasit në botimet e vitit ‘57-’61. Ndërsa përgjigjen prof.Shuteriqit unë do t’ia jap me një botim të dorëshkrimit të veprës së tim eti ku flet për mendësitë e Shuteriqit, me qëndrimet karshi Migjenit. Janë në “Kujtimet” në gjashtë vëllime të Luarasit shkruar nga viti ‘70-’81.
Kush janë sipas Luarasit “Prokrustët” e Migjenit?
Janë pikëpamje të ndryshme dhe individë të ndryshëm. Në botimin e afërt do të citoj se ç’kanë thënë ata në veprat e tyre. Mund të përmend Karl Gurakuqin, Dhimitër Shuteriqin, çfarë ka thënë Arshi Pipa në dy raste në vitin ’44 dhe në ’45. Robert Elsie, gjithashtu, një studiues skrupuloz, por në këtë rast ka shkelur në dërrasë të kalbur, duke e cilësuar Migjenin me prejardhje serbe dhe se nuk e ka ditur gjuhën shqipe.
Dritë-hijet e Shuteriqit
Fakte “të harruara” nga Shuteriqi në polemikën: “Ja e vërteta e akuzave të Luarasit” (“Gazeta Shqiptare” 17 maj 2003). Gazeta Shqiptare, dt.15.4-20.4.2003, botoi disa fragmente nga libri i kujtimeve të prof. Skënder Luarasit “Ç’kam pare e ç’kam dëgjuar” ku,
ndër të tjera, mbi bazën e dokumenteve, tregoheshin shkurtimisht peripecitë e botimit të librit të tij për jetën e veprën e Migjenit. Atje përmendej edhe prof. Dh. Shuteriqi i cili ka bërë një replikë…
Publikohen disa fragmente nga dorëshkrimi i Skënder Luarasit “Migjeni në shtratin e Prokrustit”, ku prof.Luarasi analizon disa pikëpamje “tabu” të prof.Dhimitër Shuteriqit mbi Migjenin.Ky material është ofruar nga trashëgimtari Petro Skënder Luarasi, i ngacmuar nga artikulli i akademikut Shuteriqi, botuar në një të përditshme me titull “Ja të vërteta e akuzave
të Luarasit” , duke iu kundërpërgjigjur një artikulli të mëparshëm, fragment nga libri i kujtimeve të prof.Skënder Luarasit “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar” ku ndër të tjera, mbi bazën e dokumenteve tregoheshin shkurtimisht peripecitë e botimit të librit të tij për jetën e veprën e Migjenit.
Shuteriqi
Në monografinë e tij “Migjeni”, botuar në revistën “Literatura Jonë”, viti 1948, prof.Dhimitër Shuteriqi shkruan:
-“Migjeni vdiq më 28 Gusht 1938. Ishte plot 28 vjeç. (Lindi në Shkodër më 30 shtator 1910)…”
-Gjithë shkrimet e tij – merren me vuajtjen fizike të poetit, vuajtje që nuk do parë e shkëputur nga varfëria e tuberkulozi i tij.”
-Influenca të ndryshme kryqëzoheshin në vent tonë. Kështu ndërsa njëri s’kish flakur mirë Baudelaire-in, tjetri nuk shkëputej akoma nga Leopardi, një i tretë nga d’Annunzio, një i katërt Migjeni – nga Dostojevski, dhe ndoshta, nga Niezsche.
-Le të kthehemi edhe një herë tek mosqartësia e Migjenit, karakteristikë e rinisë përparimtare të kohës…. Trajta e mbinjeriut “Dithyramb Nietzsche-an” është një gabim që ridhte nga paqartësia e tij ideologjike.
-Çaste të paqartësisë janë edhe çastet e tij pesimiste, të pazakonshme, të Migjenit i cili zakonisht është optimist…Në çaste të tilla në prag të vdekjes, poeti ka mundur të shkruajë
një vjershë si ajo që mban titullin “Nën flamujt e melankolisë”, vjersha e fundit e librit të tij ku ai shket, dhe përpjekjet e tij e të shokëve e krahason dhimbshëm me atë të malit që polli një mi.
-Nuk mund të thohet me siguri se Migjeni e pat njohur historinë e letërsisë shqipe. Eshtë e vështirë të gjesh te ai gjurmat e një influence brënda përbrënda kufijve tona.
-Migjeni si poet s’ka arritur ta njohë mirë teknikën e prozodisë shqiptare. Kur erdhi në Shqipëri(v.1933) ai e kishte harruar shumë shqipen dhe letërsinë e saj duhet ta njihte tepër pak, që të mos thomi aspak.
-Le të shënojmë gjithashtu se, prej familjes orthodhokse shkodrane, ai kishte si gjuhë të shtëpisë sërbishten.
-Veprat që kemi të botuara prej tij, janë të viteve 1934-1937. Në to, ndihet që Migjeni nuk e zotëron mirë shqipen, me gjithë që nuk ka dobësi të tepruara, që do ta dëmtonin tepër artin e tij.
Skënder Luarasi tek “Migjeni në shtratin e Prokrustit” sqaron:
Megjithëse Migjeni ka rrojtur e ka punuar në kohën tonë dhe shumë prej nesh e kanë njohur e kanë folur personalisht me të, në sa është shkruar për të, janë thënë edhe gjëra që nuk i përgjigjen së vërtetës. Për të dëftyer se të ç’natyre janë këto gabime, të cilat na bie për barrë t’i ndreqim, po e nisim me datëlindjen e Migjenit.
-E bazuar nuk e di se në ç’dokument, “Literatura Jonë”, viti 1948, jep motin 1910. Sipas librit të shtëpisë, në të cilin janë shënuar ngjarjet kryesore të gjithë familjarëvet, gjejmë datën e vërtetë të lindjes së Migjenit: 13 tetor 1911- me stilin e ri kalendarik (30 shtator 1911, me stilin e vjetër); dhe u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare më 26 gusht 1938 (me stilin e ri).
-Më tej në librin e cituar S.Luarasi në mënyrë të hollësishme dëshmon gjakun shqiptar të Migjenit: I gjyshi i Migjenit, Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër gjenerik se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (andej ka
qenë edhe poeti patriot Josif Jovan Bagëri) – qe shpërngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të 19-të. Kemi plot këso familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut:
Gjergaj, Trimçev, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra,etj. Kur shkonte si murator nëpër katundet e
ndryshme, në Mal të Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me Stakë Milanin nga Kuçi, e cila edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, kishte shqipen për gjuhë amëtare. Ata lindën dy djem: Gjergjin(Gjokën) dhe Kriston. Gjergji, tregtar më 17 shtator 1900 u martua me Sofi Anastas Kokoshin. Nga këta prindër shqiptarë lindi Millosh Gjergj Nikolla, nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve.
– Skënder Luarasi pasi analizon në detaje veprën e Migjenit thekson:
Por gjithë këto trajta e shumë të tjera të përdorura drejt prej Migjenit që janë ndryshuar pa ndonjë kriter dhe janë ”përdhunuar”në botimin e tashëm ( botim i Gj.Lukës në vitit 1954):
dëshmojnë se Migjeni më 1935 ka patur kuptim më të drejtë për gjuhën shqipe se shumë shkrimtarë shqiptarë më 1954 , megjithëse Migjeni i bëri mësimet në shkollë të huaj, larg atdheut.
-Jo vetëm në mendimin, por edhe në formën me të cilën e vesh mendimin Migjeni është më i përparuari nga të gjithë shkrimtarët shkodranë bashkëkohës, me tendencën e tij centripetale në lëmën e gjuhës shqipe.
-Që të kuptohet madhështia e veprës së Migjenit, duhet së pari të njihen mirë rrethanat në të cilat shkroi e punoi Migjeni. Fare pak qenë të rinjtë të cilët që më 1935 u bënë ballë këtyre çorbaxhinjve në lëmin e letrave…të rinj si: Andrea Varfi, Petro Marko,Aleks Çaçi,Kristaq
Tutulani, etj. të cilët na bënin pak fllad në atë zagushi mendore. Të tjerët qitnin në dritë xhinde. Kur luhej komedia e 25-vjetorit të indipendencës shqiptare në Tiranë, nja 75 poetastra shqiptare (midis tyre edhe Dh.Shuteriqi me pseudonym ”Shpati’’) i thurnin himne dinastisë së Zogut dhe ”mbarsnin malin”.
Shuteriqi ose nuk e ka njohur fare Migjenin, ose nuk ka dashur ta njohë, dhe ka qëlluar të ç’orientojë gjithë rininë tonë kur shkroi në “Përpjekja shqiptare”, në maj 1937 fjalët e shëmtuara: “Vetëm Koliqi qëndron përmbi shokët me ato novela që na japin disa anë të shpirtit shqiptar. Koliqi ka zotësi të shohë andej…”
– Çudi se me çfarë indulgjence e sheh Shuteriqi letërsinë tonë të atëhershme! Dënon Ernest Koliqin ( dikur idhullin e tij ) se shkruante “Rranishten e Durrësit”, dënon vetveten se nuk e flaku mirë influencën e Baudelair-it (të cilit i dedikon ‘’Kangët Tragji-komike’’ në ‘’Kangët e
rinisë së parë) dhe shkruan për Migjenin: “Po, Migjeni pa kundërshtim, ishte më i pjekuri dhe më i qarti nga të gjithë, ai që u shkëput që në fillim, megjithëse jo i tëri, nga influencat e huaja dekadente.”
– Po zgjatem shumë për gjëra të pa nevojshme. Dhe unë i atij mendimi jam, po ja që të këtilla gjëra të pa nevojshme na shtron Dhimitër Shuteriqi në monografinë e tij mbi Migjenin, mirëpo këto gjëra, pasi shkruhen keq ,duhen ndrequr. Për botimin e veprës së Migjenit iu
afrova Lidhjes së Shkrimtarëve që më 1948; po mbasi ata kanë vendosur që Skënder Luarasit të mos i lëshohet vënd në “Literatura Jonë”, do t’i shtyp si ti lutem ndonjë instance që qëndron mbi Lidhjen e Shkrimtarëve.