Në kujtimet e tij Lambrec, përkthyer me mjeshtëri nga Robert Elsie, shkruan: “U nisëm nga Shkodra në fillim të korrikut dhe kaluam luginën e Kirit përmes Drishtit dhe Prekalit për në krahinën e Shoshit.Udhëtimi na kishte ofruar pamje të mrekullueshme që nga Drishti e më
tej, me male të larta e hijerëndë, me pamje të paqme të luginës në Shosh dhe peizazhe të errëta të Shalës,Kështu shkruan Lambrec në kujtimet e tij një shekull më parë për Tropojën…
Nga Gjon Neçaj
Pjesa dërrmuese e fotografive shqiptare të koleksionit të Maks Lambercit u realizua gjatë udhëtimit të tij në verë të vitit 1916, kryesisht në Shqipërinë veriore, përkatësisht në zonat e thella Nikaj Mertur, Shalë, Shosh, Gash, Krasniqe,etj.
Janë fotografi të peisazheve të veriut, të fshatrave dhe ndërtesave të tyre në mes të Luftës së Parë Botërore. Në pranverë të vitit 1916, Komisioni për Ballkanin i Akademisë Perandorake
të Shkencave në Vjenë dha detyrën që të merrte pjesë në një ekspeditë ballkanike të organizuar nga kjo akademi, në bashkëpunim me Ministrinë Perandorake të Arsimit dhe të Pedagogjisë dhe me Zyrën e Thesarit Perandorak, me qëllim kryerjen e hulumtimeve gjuhësore dhe folklorike në Shqipëri.
Maks Lamberc u nis nga Vjena më 19 maj 1916 bashkë me historianin e artit dhe epigrafistin e ekspeditës.
Në kujtimet e tij Lambrec, përkthyer me mjeshtëri nga Robert Elsie, shkruan: “U nisëm nga Shkodra në fillim të korrikut dhe kaluam luginën e Kirit përmes Drishtit dhe Prekalit për në krahinën e Shoshit. Mark Lulashi nga Shoshi na shërbeu si udhërrëfyes dhe doli se ishte njohës i mirë i dialektit të Shoshit. Ky dialekt karakterizohet nga shqiptimi i q si ç dhe i gj si x. Shënova gjithashtu disa këngë në dialektin e Shoshit.
Nga Qafa e Gurakuqit, rruga na çoi përmes Shoshit poshtë në luginën e lumit të Shalës, prej ku, duke lënë Abatin majtas, u ngjitëm për në qafën e Agrit, e cila është kufiri midis Shalës dhe Merturit. Prej këndej, u ngjitëm përmbi Palç për në Kotec dhe arritëm në luginën e Drinit para Kotecit.
Udhëtimi na kishte ofruar pamje të mrekullueshme që nga Drishti e më tej, me male të larta e hijerëndë, me pamje të paqme të luginës në Shosh dhe peizazhe të errëta të Shalës, por pasi hymë në luginën e Drinit, i cili gjarpëron prej këtu nëpërmjet maleve të Merturit, u mahnitëm nga peizazhet vërtet të mrekullueshme. Nga Koteci në Drin u ngjitëm për në Rajë, vendbanimi i fundit në Mertur.
Kjo famulli, ku Patër Gjoni banon në vetmi, ndodhet aty ku Valbona derdhet në Drin. Më lart në luginën e Valbonës banon fisi mysliman Krasniqi, i cili nuk e meriton aspak namin e keq që ka si popull armiqësor dhe i egër. Në Geghysen u njoha me disa pleq krasniqas dhe vura re se janë njerëz të mençur që dinë të shijojnë një barcaletë të mirë dhe prapëseprapë janë myslimanë me mjaft dinjitet.
Dialekti i tyre i përket grupit të Gjakovës. U ndava nga tre bashkudhëtarët e mi në luginën e Valbonës, të cilët vazhduan në drejtim verilindor, kurse unë u nisa në drejtimin jugor, duke u kthyer në Rajë në hyrjen e luginës.
Aty takova Beqir Ndoun dhe Kolë Markun të cilët u treguan të gatshëm të më informonin për dialektin e tyre në kufirin me Merturin ku, në një qetësi malore të përsosur, Valbona e ëmbël, e mbushur me peshq, derdhet në Drin dhe, fiset Krasniqi, Gashi dhe Thaqi puqen me Merturin.
Burre dhe grua nga Nikajt
Kalova Valbonën poshtë Rajës dhe pastaj kalova Drinin me një pirogë të dyfishtë jashtëzakonisht primitive”.
Kështu shkruan Lambrec në kujtimet e tij një shekull më parë për Tropojën, kujtime të cilat së bashku me fotot kanë vlera të pazevendësueshme historike, duke patur parasysh se aktualisht në Tropojë nuk ndodhet asnjë objekt muzeal për historinë e kësaj treve.