Ishin kohërat kur mbi të gjitha qëndronte kombi…

Hafiz Ali Korça e konsideronte Fishtën si një ndër pionierët që bënë të mundur shkrimin e gjuhës shqipe, teksa takimet me të në vitet 1909 – 1910 i përshkruan si tregues të një miqësie e respekti të rrallë.Të dy bashkëpunuan shumë herë me njëri-tjetrin, por padyshim një ndër momentet e rëndësishme ishte pjesëmarrja në Komsinë Letrare Shqipe të themeluar në vitin 1916.

Ata ishin dy klerikë, të dy besimeve të ndryshme. Njëri hoxhë nga Korça, tjetri prift nga fshati Fishtë. Në moshë lëviznin vetëm pak, sepse njëri kishte lindur në vitin 1873 dhe tjetri në vitin 1871. Sigurisht, fatin e kishin të ndryshëm, të shkuarën po ashtu, por ajo që i lidhte më shumë se gjithçka ishte çështja kombëtare.

At Gjergj Fishta dhe Hafiz Ali Korça njiheshin për miqësinë e tyre të veçantë. Në ato kohë të turbullta, kur ndarja fetare nuk ishte e vogël, njerëzit habiteshin jo pak kur ndeshnin këta dy klerikë që bashkëpunonin pa kurrfarë vështirësie mes njëri-tjetrit.

Nipi i Hafiz Ali Korçës, Aliu, që sot jeton në qytetin e Durrësit kujton se jo pak herë gjyshin e tij e gjykonin teksa mbyllej me orë të zgjatura me Fishtën duke punuar nën dritën e zverdhët të qiririt. Puna e tij kombëtare i kushtoi jo vetëm internimin nga autoritetet turke njëherë në vitin 1893 e më pas në 1900-n, por edhe shtytjet e goditjet me gurë që i rezervoheshin shpesh nga besimtarë radikalë teksa ecte rrugës.

Të dy bashkëpunuan shumë herë me njëri-tjetrin, por padyshim një ndër momentet e rëndësishme ishte pjesëmarrja në Komsinë Letrare Shqipe të themeluar në vitin 1916. Ai ishte një komision gjuhëtarësh dhe mendimtarësh që synonte lëvrimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e letërsisë, hartimin e teksteve të ndryshme, njësimin e drejtshkrimit të shqipes,

pasurimin e saj e shumë elemente të tjera. Në janar 1917 u miratua për herë të parë një kod drejtshkrimor e po ashtu u caktuan rreth 500 terma për administratën shtetërore e gjyqet.

Padyshim që ky komision mund të konsiderohet si institucioni i parë shkencor për gjuhën shqipe. Hafiz Ali Korça dhe Gjergj Fishta ishin dy figura kryesore mes shumë të tjerëve, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Pekmezi, Mjeda, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Anton

Paluca, At Ambroz Marlaskaj, Sotir Peci, Vinçenc Prenushi, Luigj Naraçi, Josif Haxhimima etj. Ishin kohët kur çështja kombëtare vinte e para e patriotët qëndronin kah njëri-tjetrit pa i dhënë rëndësi besimit personal. Janë të pafundmë shembujt e këtij bashkëpunimi…

E ndoshta miqësia e këtyre dy klerikëve përbën një nga simbolet që përmbledh e tregon pikërisht këtë frymë që ekzistonte mes figurave kombëtare në atë periudhë të vështirë historike.

Hafiz Ali Korça e konsideronte Fishtën si një ndër pionierët që bënë të mundur shkrimin e gjuhës shqipe, teksa takimet me të në vitet 1909 – 1910 i përshkruan si tregues të një miqësie e respekti të rrallë. Ai mbështeti jo vetëm kongresin e Manastirit, por kundërshtoi fort edhe tentativën e autoriteteve turke për të bërë që shqipja të shkruhej me shkronja

arabe përmes sistemit nga e djathta në të majtë. Sipas të dhënave, ata kishin kontakte të vazhdueshme dhe diskutonin për qëndrimet që duheshin mbajtur për çështje të caktuara, sidomos gjatë periudhës 1916 – 1918.

At Gjergj Fishta e Hafiz Ali Korça nuk ishin thjesht autorë krijimesh me nivel të lartë artistik. Ata hartonin teza të mirëfillta pedagogjike, filozofike e linguistike.

Është e vështirë të përmbledhësh jetët, arsimimin, pjesëmarrjet në kongrese, aktivitete e komisione, veprat e shumta që mbajnë autorësinë e tyre, kualifikimet, sepse qoftë At Gjergj Fishta, qoftë Hafiz Ali Korça gjithçka ia kushtuan aktivitetit kombëtar. E në fakt për atë pjesë

të jetës së tyre duhet shkruar e rishkruar, por pa lënë mënjanë edhe këtë anë tjetër më njerëzore, më të thjeshtë, më të ndjeshme e që është një mesazh i qartë i asaj që kishte më shumë rëndësi në atë kohë.

Në vitin 1940, Fishta vdiq pa mundur të shikonte jo thjesht terrorin mbi klerikët katolikë, por as internimin dhe burgosjen e mikut të tij të dikurshëm Hafiz Ali Korçës. E megjithatë hoxha nuk e harroi e në 1954-n, dy vite para se të vdiste në Kavajë, siç kujton Mërgim Korça (dëshmitar, por jo familjar i tij) shprehu kundërshtinë e tij të hapur ndaj përndjekjes që po u

bëhej priftërinjve katolikë. “Këta (komunistët) nuk kanë as fé dhe as atdhé. Të kish qenë gjallë Patër Gjergji, as para tij nuk do të stepeshin e do ta përdhosnin e ta zhduknin. E kam dashur dhe respektuar pa kufi për vlerat e tij të pashtershme, si edhe për atdhetarizmin e tij, i cili nuk njihte kufij”.

Këto ishin fjalët e Hafiz Ali Korçës e një miqësie që dukshëm shkonte shumë përtej rrobës së klerikut, të interesave të vogla e të mëdha. Ata ishin burra që nuk shikonin pushtetin, as të mirat personale, por përkundrazi dhanë jetët e tyre dhe të familjeve, shkrinë pasurinë për të realizuar ëndrrën e tyre të vetme, të pavarësonin Shqipërinë. Ky ishte ideali i tyre.

Ishin kohët kur mbi të gjitha qëndronte kombi…

Nga Marin Mema

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME