Ka dy lloj burgjesh për njeriun: I pari për trupin dhe i dyti për shpirtin.
Burgosja e trupit gjatë komunizmit nuk ishte në dorën tonë, ama ajo e shpirtit po.
E pkërisht me këtë motiv, kompozitori dhe muzikanti shkodran, Gac Çuni kaloi vitet e burgimit të padrejtë nga një sistem padrejtësish.
Një natë, të gjithë të burgosurit u çuditën kur nga një prej qelive, një zë i ëmbël hyri si dritë mes errësirës së vuajtjes e terrorit.
Ishte zëri i Gac Çunit që i këndoi një këngë të jashtëzakonshme një vajze me të cilën e lidhte ndjenja platonike e dashurisë!
Këngë me natyrën e këngëve të dikurshme greke, pa muzikë të regjistruar e pa tekst të shkruar, por të transmetuar për vite me radhë ndër qelitë e vogla të burgjeve, deri kur pas ’90-tës, bashkë me të burgosurit, fitoi lirinë e saj duke dalë në botën e vërtetë në kërkim të atij frymëzimi platonik që shtyu Gacin të bënte këtë perlë.
Më poshtë janë vargjet e kësaj kënge dhe partitura me notat e saj muzikore, marrë nga libri “250 Këngë qytetare Shkodrane” me autorë Tonin Dajinë e Tonin Zadejën.
Kaçurrelat
Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë permbas tejet, jeten e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!
M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu.