Para e pas: Distancat në histori. Kur ranë Kruja dhe Shkodra

Nga Ardian Vehbiu

Një koleg, emër i njohur në media, duke rrëfyer një bisedë imagjinare me të birin gjatë një udhëtimi në Veri, i thoshte këtij se “kështjella e fundit që pushtuan turqit në Shqipëri, 20-30 vjet mbas rënies së Krujës së Gjergj Kastriotit, ishte Shkodra.” Më bëri të shkoj t’i verifikoj datat në një libër historie: në fakt, vetëm një vit pati kaluar midis rënies së Krujës (1478) dhe rënies së Shkodrës (1479) në duart e osmanëve.

Të dyja këto kryeqendra, tashmë në duart e venedikasve, u pushtuan njëra pas tjetrës, pas rrethimesh të ashpra dhe të përgjakshme. Po si ndodhi që u kalua kështu nga një vit në

“20-30 vjet”? Nuk dua të gjykoj personin më lart; edhe unë mund ta kisha bërë një gabim të ngjashëm.

Madje më duhet të rrëfej se, kur po e lexoja, pata një ndjesi kontradiktore – edhe e kuptova se kish diçka që nuk shkonte në atë distancë 20-30 vjeçare të projektuar nga kolegu midis dy eventeve që në fakt i ndan një vit i vetëm; edhe m’u duk sikur një farë distancë kohore e konsiderueshme përnjëmend ekzistonte.

Prandaj më intereson më tepër të diskutoj këtu se për ç’arsye i bëjmë gabime të tilla historike elementare, pa thirrur në ndihmë “efektin Mandela”, ose ekzistencën e asaj bote paralele, ku Shkodra vërtet ra në duart e osmanëve disa dekada pas Krujës. Një hipotezë së cilës i besoj, do të ishte se ne ngatërrojmë rënien e Krujës me vdekjen e Skënderbeut, në

vitin 1468; çfarë do të thotë se, me mendjen tonë, rënia e Krujës dhe vdekja e Skënderbeut janë në thelb një ngjarje e vetme, së paku në kalendarin e madh të Historisë kombëtare.

 

Përkundrazi, Shkodra nuk pati qenë ndonjëherë pjesë e Arbërisë së Skënderbeut, madje nuk më rezulton që heroi i rezistencës anti-osmane të ketë dhënë e të ketë marrë shumë me

këtë kryeqendër të Arbërisë Venedikase (por mos ma merrni për të mirëqenë këtë pohim; nuk e kam verifikuar); ndryshe nga ç’ka ndodhur, bie fjala, me Lezhën. Çfarë do të thotë se, gjithnjë në mendjen tonë prej shqiptarësh të shekullit XXI, Shkodra dhe Kruja nuk bashkëjetonin brenda të njëjtit realitet gjeo-historik.

Gabimi, në një rast të tillë, do të ishte të projektonim në histori një konfigurim gjeografik, demografik, politik dhe kulturor që i përket bashkëkohësisë; ose shpërfillja e mundësisë që realitete të tilla ndryshojnë në kohë.

 

Ky lloj aberracioni, në përfytyrimin që kemi për historinë kombëtare, nuk është veçse pasojë e faktit që shqiptarët – dhe arbrit para tyre – kanë jetuar gjatë nën regjime kohore të ndryshme: Bizanti, Venediku, Perandoria Osmane; të cilat nuk janë detyrimisht të bashkëmatshme (çfarë e dëshmon edhe përdorimi zyrtar i tre kalendarëve të ndryshëm, edhe pse kjo nuk është krejt relevante për temën këtu).

Rënia e Krujës në 1478 ishte akti përfundimtar i një drame historike, e cila e ka fillimin në 1443, ose momentin kur Krujën e shtiu në dorë Gjergj Kastrioti, për ta shndërruar nga një qytet të kontrolluar prej osmanëve, në një bastion të rezistencës ndaj ekspansionit osman

drejt Perëndimit.

Rënia e Shkodrës, përkundrazi, i përket historisë së zotërimeve të Venedikut në Arbëri (brenda së cilës histori, Durrësi ra në duart e osmanëve në 1501).

Të dyja këto histori kanë pika të përbashkëta, sepse tek e fundit Skënderbeu dhe Venediku shpesh bashkëpunuan në përpjekjet e tyre për t’ua ndalur vrullin dhe oreksin pushtues osmanëve; por nuk janë e njëjta histori, sa kohë që synimet e Venedikut në trojet që kontrollonte në Ballkan nuk përkonin gjithnjë me ato të Skënderbeut.

Për arsye të ngjashme, ne e kemi të vështirë të themi, sa për të sjellë një shembull, nëse Pjetër Bogdani e ka shkruar “Çetën e profetëve” para apo pasi të shkruante Nezimi “Divanin”; ose, ngjashëm, para apo pasi të shkruante Jul Variboba “Gjellën e Shën Mërisë Virgjër”.

Madje në këto kontekste ndoshta as do të kishte kuptim të flisje për “para” ose “pas”, sepse konteksti kulturor i Bogdanit nuk kish ndonjë lidhje organike me kontekstin kulturor të Nezimit; dhe lidhjet organike të Bogdanit me kulturën arbëreshe nuk mund të konsiderohen veçse të dobëta e sporadike, edhe në skenarin më të mirë.

Mënyra si zgjedhin të veprojnë tekstet e historisë së letërsisë shqipe, kur i vendosin këta autorë brenda së njëjtës kronologji, është në fakt një orvatje për të bashkuar, në histori, atë çfarë e bashkon kryesisht, në mos vetëm gjuha.

 

Shembulli i rënies së Krujës dhe të Shkodrës ndihmon, në këtë mes, jo ngaqë këto dy ngjarje historike nuk kanë lidhje organike mes tyre (doemos kanë); por për të kuptuar se, edhe kur lidhja organike në fakt ekziston, ne sërish priremi ta rindërtojmë kronologjinë sipas atij vizioni subjektiv që e kemi krijuar nëpërmjet leximeve, muhabeteve, përvetësimit të mitologjisë kombëtare dhe historisë që na kanë mësuar në shkollë.

Në fakt, Kruja dhe Shkodra ranë njëra pas tjetrës, si efekt i së njëjtës përpjekje osmane për t’i dhënë fund përgjithmonë rezistencës në këtë anë të Ballkanit, veçanërisht pas vdekjes së Skënderbeut; dhe Shkodra ndoshta nuk do të kish rënë, po të mos kish rënë më parë Kruja.

Lidhja organike ndihmon, kështu, për t’u dhënë një kuptim të pranueshëm koncepteve para dhe pas përtej krahasimit mes datave në kalendar; por – sikurse e tregon edhe shembulli i sjellë në krye – nuk ndihmon për të përfytyruar distancat kohore.

 

Ndoshta po për këtë arsye, e kemi të vështirë të përfytyrojmë se çfarë ka ndodhur në trojet shqiptare gjatë shekujve XVI dhe XVII; njëlloj sikurse nuk e rrokim dot vërtet hapësirën prej gati pesë shekujsh, që ka zgjatur sundimi osman mbi këto troje. Kjo, megjithëse jemi të sigurt që Ali Pasha, bie fjala, ka ardhur pas Ballaban Pashës…

(Gazeta Shqiptare)

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME