Në Shkodër, qysh prej shumë shekujsh, kemi një famulli ekzistente e cila është drejtuar nga shumë meshtarë për të arritur në famullitarin e sotshëm Dom Vlash Palaj. Të gjithë ata kanë lënë shenjë të pashlyeshme në historinë e famullisë, Katedrales së “Shën Shtjefnit” dhe vetë qytetit të Shkodrës.
Mes tyre, sot dua të ndalem në një dëshmi të Dom Pashko Jungut. “Et Beatae Virgini” që do të thotë “Virgjëreshës së Bekuar”. Kjo frazë në gjuhën latine qe gdhendur në një gur. Por çfarë ka të veçantë ky gur, pasi në shumë gurë kishash ka fraza të gdhendura?
Ishte pikërisht ky gur, me këtë frazë/dëshmi i cili, shekuj më parë, pak kohë pas ndërtimit, u shkëput nga shenjtërorja e Zojës së Shkodrës në hyrje të qytetit rrëzë Kalasë së Rozafës dhe u përdor si gur themeli për të ndërtuar Urën e Baçallekut, pika lidhëse e qytetit me të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë dhe një pjesë të mirë të fshatrave përreth.
Ura e Baçallekut dikur dhe sot. Fotoja është marrë nga profili i Dom Artur Jakut në Facebook
Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur në gjithë Shqipërinë si Kisha e Zojës së Shkodrës, është vendi i shenjtë që i kushtohet një pikture të Zojës, e njohur botërisht si Zoja e Këshillit të Mirë apo Zoja e Shkodrës. Qysh në kohën e pushtimit osman, Konferenca Ipeshkvnore e ka zgjedhur Zojën e Shkodrës si pajtoren e gjithë Shqipërisë.
Piktura e shtegtimit të Zojës së Shkodrës
Vetë historia e këtij objekti kulti është një tërësi peripecish. U ndërtua në fillim, shumë kohë para ardhjes së osmanëve. Me të ndjerë afrimin e tyre, mbajtur në krah nga dy engjëj, fugurja e Zojës u largua nga qyteti për në Romë ku vazhdon të jetë edhe sot. Me ardhjen e komunizmit, kisha u shkatërrua për t’u rindërtuar vetëm vite më pas, pas lutjes së drejtpërdrejtë nga Papa Shenjt, Gjon Pali i Dytë gjatë vizitës së Tij në Shqipëri e në Shkodër.
Papa Gjon Pali II shenjt duke u lutur para rrënojave të Kishës së Dikurshme, 1993
Sot ura dhe kisha qëndrojnë njëra karshi tjetrës, si dy objekte, njëri arkitekturor e tjetri shpirtëror, të lidhur nga një gur fizikisht e në mision: për të lidhur njerëzit.