Bashkia e Shkodrës ka reaguar pas protestës së disa shoferëve të linjave në zonën e Dukagjinit. Drejtori i Shërbimeve Publike Alfred Luleta dhe përgjegësi i Transportit Vildan Broja, kanë sqaruar situatën aktuale duke nënvizuar gatishmërinë e Bashkisë Shkodër për të bëtë më të mirën e mundshme edhe për transportin qoftë të udhëtarëve, ashtu edhe të mediave.
Alfred LULETA, Drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë e Shkodrës thotë: “Siç besojmë jeni në dijeni, prej 3 javësh Bashkia e Shkodrës me mbështetjet e Forcva të Armatosura po punojnë për zhbllokimin e aksit rrugor Shkodër- Theth.
Me gjithë vështirësitë e mëdha, trashësinë e borës dhe rrezikun e ortekëve, puna vazhdon pa ndërprerje dhe shpresojmë që brenda pak ditëve, rruga deri në Theth do të hapet. Pas zhbllokimit, është planifikuar ndërhyrja për mirëmbajtje në aksin Qafë Thore- Theth- Ndërlysaj gjatë gjithë vitit. Kjo konsiston në riparimin dhe mirëmbajtjen për shkak të amortizimit për periudhën pas
dimrit që të vihet në funksion për turizimin.
Gjithashtu është parashikuar mbajtje në dispozicion e mjeteve për ndërhyrje të zhbllokimit të rrugës për raste emergjente, siç mund të jenë rrëshqitjet e shkëmbinjëve apo dherave.
Sa i takon aksit Prekal- Kir- Breg Lumi- Ndërlysaj, janë bërë përpjekjet maksimale gjatë gjithë stinës së dimrit të mbahej e zhbllokuar, duke ulur numrin e ditëve kur nuk mund të kalohej, krahasuar me vitet e tjera. Kjo, megjithëse sasia e rreshjeve të borës ka qënë më e madhe se vitet e kaluara. Gjithashtu është planifikuar deri në fund të vitit punime të riparimit dhe mirëmbajtjes së saj si dhe mbajtje në dispozicion e mjeteve për ndërhyrje të zhbllokimit të rrugës për raste emergjente, siç mund të jenë rrëshqitjet e shkëmbinjëve apo dherave.
Paralelisht, është bërë vlerësimi për përmirësimin e infrastrukturës në këtë aks dhe po vazhdojmë procedurat për realizimin e mirëmbajtjes së këtij aksi gjatë gjithë vitit, bazuar në fondin e miratuar në Këshillin Bashkiak për vitin 2018. Nga vlerësimi i nevojave të paraqitura nga banorët dhe administratorët, është parashikuar ndërhyrja për riparim e 14 urave të cilat janë dëmtuar në periudha të ndryshme për shkak të kushteve ekstreme atmosferike.”.
Ndërsa Vildan BROJA- Përgjegjës i Sektorit të Transportit në Bashkinë Shkodër sqaron: “Bashkia e Shkodrës, me vendim të Këshilli Bashkiak ka miratuar linjën e transportit Shkodër- Shalë me stacione.
Për këtë linjë, është hapur konkurrimi për të gjithë të interesuarit, të cilët kanë aplikuar. Theksojmë se për këtë linjë ka aplikuar vetëm një subjekt, i cili ka marrë edhe licensën për transport udhëtarësh.
Ndërkohë, ne po vazhdojmë përpjekjen tonë për të ndihmuar të interesuarit për të operuar në fushën e transportit të udhëtarëve, pas kërkesave që kanë ardhur nga Njësitë Administrative Shosh e Pult. Kemi nisur procedurat e nevojshme për kalimin në Këshillin Bashkiak të vendimit për hapjen e dy linjave të tjera Shkodër- Shosh dhe Shkodër- Pult. Në mbledhjen e ardhshme, propozimi do të kalojë për miratim para Këshillit Bashkiak.
Nga ana tjetër, formalizimi apo licensimi është një detyrim ligjor për të gjithë sektorin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave. Kjo i shërben sigurisë së qytetarëvë që qarkullojnë në Njësitë Administrative Shalë, Shosh e Pult. Po ashtu nënvizojmë se taksat dhe tarifat e Bashkisë janë krejtësisht të ulëta dhe të mundshme për tu përballuar.
I gjithë ky proces, është paraprirë nga takime dhe konsultime me operatorët e interesuar por edhe me banorë të zones. Madje, unë personalisht kam takuar disa herë personat e interesuar, të shoqëruar edhe nga administratorët e Njësive Administrative përkatëse, të cilëve për hir të ruajtjes së privatësisë së tyre nuk po ua përmend emrat. Theksoj se personat që sot kanë paraqitur disa shqetësime në media, nuk i kam takuar asnjëhere sepse nuk kanë ardhur të interesohen në sektorin përkatës të Bashkisë Shkodër.
Si deri më tani, Bashkia Shkodër është e hapur për të diskutuar dhe gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme në interes të komunitetit edhe për transportin e udhëtarëve.”