“Do t’u sekuestrohen pasuritë”
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, mori pjesë në një takim të sigurisë publike, që u zhvillua në Durrës.
Xhafaj u shpreh se në këtë qytet po veprojnë tre grupe kriminale, por sipas tij do të goditen dhe do të vihen përpara drejtësisë.
Pjesë nga deklarata e ministrit Xhafaj:
Forca e ligjit i dedikohet luftës kundër grupeve të strukturuara kriminale. Është bërë skanimi i të gjitha grupeve kriminale, anëtarëve dhe drejtuesve të tyre, si dhe pasurisë që posedojnë këto grupe kriminale e krijuar nga aktiviteti kriminal.
Do t’i vëmë këto para përgjegjësisë, një pjesë janë në proces hetimi, ndërsa janë arrestuar shumë persona si pjesë e këtyre grupeve. Ne do t’i godasim ato jo nga pikëpamja fizike, por nga pikëpamja e ligjit.
Krahas ndëshkimit, jemi të fokusuar edhe te hetimi dhe goditja e aseteve kriminale të tyre, sepse jo vetëm që ata do të bëjnë burg, por edhe pasuria e tyre nuk do të jetë më pronë e tyre, por do të kthehet në shërbim të qytetarëve.
Nuk e pranoj faktin që 2 apo 3 grupe kriminale, që kanë aktivitet të gjatë në vite, për 10-15 vjet këtu në Durrës, dhe janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk janë karakteristika dalluese e këtij komuniteti.