Zbulimet më të fundit arkeologjike në kalanë Rozafa në Shkodër dëshmojnë kulturën e lashtë ilire të zonës ku ajo ndodhet dhe zhvillimin e veriut të Shqipërisë. Ekspedita polako-shqiptare që po kryen gërmimet në parkun arkeologjik të Shkodrës ka përfunduar fazën e dytë dhe së shpejti do të largohet.
Prof. Piotr Dyczek, arkeolog drejtues i ekspeditës, drejtor i Qendrës për kërkime në antikitet për Europen Juglindore në Universitetin e Varshavës në Poloni, shprehet se tashmë puna ka nisur të bëhet shumë interesante.”Nga gërmimet arkeologjike në Kalanë Rozafa dhe në qytetin e Shkodrës po dalin çdo ditë fakte të reja.
Nga puna e bërë deri tani kemi arsye të besojmë se Kështjella e Rozafës ka qenë një fortesë ilire, me siguri e periudhës së Gentit, kjo për faktin sepse ne kemi gjetur dy mure helene dhe disa gjurmë parahelenistike, dhe kështu ne tashmë e dimë se ka qenë një qendër e rëndësishme në periudhën helenistike të shekullit II dhe III para Krishtit. Pra, është e dëshmuar tashmë se gërmimet tona kanë kuptim dhe se bashkëpunimi mes Polonisë dhe Shqipërisë do ketë një të ardhme shumë të mirë.
Të gjitha programet që ne kemi, sidomos programi me Shqipërinë është shumë mirë i organizuar, ka disa nivele, ne në çdo vit planifikojmë hapat që do ndjekim, për të ndjekur gjurmët, duke marrë informacione për kohërat e lashta dhe periudhat e ndryshme në të cilat ka kaluar Rozafa dhe kohërat e lashta të Shkodrës.
Viti i parë i gërmimeve, më 2011, ka qenë thjesht vetëm prodhimi i dokumentacionit dhe ndërtimi i rrjetit. Këtë vit ne kemi vendosur disa piketa (gjurmë) me qëllim organizimin e informacionit arkeologjik për Kalanë Rozafa dhe të ashtuquajturin Pjesa e Ulët e qytetit, ose siç njihet ndryshe Shkodra e vjetër.
Vitin tjetër ne planifikojmë të kemi gërmime më të mëdha në pjesën e së ashtuquajturës Shkodra e vjetër, që ndodhet rreth kalasë dhe vetëm dy gjurmë në kala, dhe po ashtu me anë të gjeo-fizikës dhe fotografive nga ajri”, shprehet profesori polak. Në ambientet e kalasë Rozafa, ku është gërmuar, punimet janë drejt fundit dhe po mbulohen.
Arkeologët polakë dhe dy shqiptarë, si dhe arkeologë të parkut arkeologjik të Shkodrës, po përgatisin mbylljen e gërmimeve për këtë vit, ndërsa testet si dhe vitin e kaluar i nënshtrohen analizave në Francë, në institucionet e specializuara me të cilat ka bashkëpunim Universitetit i Varshavës.
Drejtori i parkut arkeologjik në Shkodër, Nikolin Shati, shprehet se “jemi në ditët e fundit të gërmimeve të vitit të dytë dhe vërejmë me kënaqësi se kjo është një zonë shumë e pasur me objekte arkeologjike. Qëllimi është gjetja e vërtetimi i rrënjëve ilire të zonës. Kjo është e padiskutueshme por përpiqemi të vërtetojmë se këtu ka patur jetë, qytetërim që nga epoka e bronzit e më pas.
Janë gjetur objekte, gjurmë, rrënoja ndërtimesh, muresh etj. Këtë vit janë bërë gjashtë teste, tre në qytetin antik poshtë kalasë dhe katër brenda në kështjellë në ambientet e saj. Dy nga gërmimet në pjesën e sipërme të kështjellës mbesin pa përfunduar, por kjo do bëhet vitin tjetër, përveç hapjes së testeve të tjera”.
Gërmimet në këtë zonë arkeologjike mundësohen nga një marrëveshje 5-vjeçare me të drejtë rinovimi mes Ministrisë së Turizmit, Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit të Varshavës. Çdo analizë bëhet në Francë dhe raporti del një vit më pas.
Sipas Shatit, në këtë zonë, në kalanë e Shkodrës dhe pjesën rreth saj, që përbëjnë dhe parkun arkeologjik të Shkodrës, ka 25 vite që nuk janë bërë gërmime. “Ka qenë këmbëngulja e kryetares së Parlamentit që ka lobuar për disa vite dhe ka arritur që në bashkëpunim me Ambasadën polake dhe Universitetin e Varshavës të krijojë mundësinë e gërmimeve arkeologjike në këtë zone”, shton Shati.
Specialistët polakë kanë qenë dhe në Mal të Zi dhe kanë vërtetuar atë që kryeqendra e parë ilire nuk është Kotorri, ashtu siç u është thënë atyre, por kështjella e Rozafës. Gjetjet arkeologjike të periudhës së bronzit janë të njëjta me ato të traditës e kulturës ilire, krejt e ndryshme nga ajo sllave, shprehen specialistët. Profesori Piotr Dyczek shton: “Ne jemi të sigurt dhe jo vetëm se kemi supozuar se këtu është qendra e periudhës Helenistike dhe jo vetëm gjatë sundimit të Gentit, por edhe me herët.
Unë mendoj se ka qenë qendra më e rëndësishme ilire në rajonin verior të Shqipërisë. Ne tani kemi të dhëna bazuar nga gërmimet se këtu kanë qenë me të vërtetë ndërtesa të mëdha dhe pikërisht në këtë vend ku ne ndodhemi momentalisht dhe se ka qenë një qytet shumë i pasur.
Është e pamundur tani të pretendohet më se kjo Kala ka qenë sllave, sepse të gjitha materialet që kemi gjetur tani dhe ato të mëparshmet na çojnë deri në periudhën e bronzit, por tipike dhe karakteristike për Shqipërinë dhe mandej ne kemi periudhën ilire, që është shumë e vërtetë.
Ilirët kanë pasur lidhje me civilizimin grek, që është mëse e natyrshme dhe ne këtu kemi vetëm materiale të civilizimit grek dhe ilir, nga vitet e para dhe më vonë, siç janë otomane dhe veneciane, por këto janë periudha të tjera më të vona. Por që në fillim çdo gjë që kemi gjetur është e lidhur ngushtë me Shqipërinë dhe sidomos me kulturën e kësaj zone, që është zhvilluar në veri të Shqipërisë”.