Deputetja e Partisë Demokratike, e zgjedhur në Qarkun e Shkodrës, Izmira Ulqinaku, e konsideron diferencim të dukshëm krahinor me një orientim të qartë politik të kësaj qeverie diskriminimin
që i është bërë Veriut të vendit, me mungesë të theksuar investimesh dhe jo vetëm. Në një intervistë ekskluzive për 55news.al Ulqinaku thotë se asnjë qeveri nuk ka qenë kaq e kontestuar dhe zhgënjyese sesa qeveria Rama
2. “Shoqëria shqiptare është e orientuar përfundimisht drejt Bashkimit Evropian, nuk kemi më kohë për të humbur, dhe të gjithë e pranojmë se me këtë model qeverisjeje, me këtë lulëzim trafiqesh,
me zgjedhje të blera e të manipuluara nuk mund t’i bashkohemi familjes së cilës i përkasim”, tha ndër të tjera deputetja e PD-së, Izmira Ulqinaku.
Znj. Ulqinaku, ju jeni në mandatin tuaj të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe duket se nuk është një mandat i thjeshtë. Situata nuk është normale në politikën shqiptare.
Krim, korrupsion, luftë e ashpër politike. E prisnit një legjislaturë kaq të ashpër?
Parlamenti është një vend i veçantë. E them këtë në kuptimin që është një përvojë unike kur ulesh në vendin e përfaqësuesit të popullit, një përgjegjësi dhe nder i veçantë. Padyshim që, pavarësisht nga perceptimi i përgjithshëm i opinionit qytetar,
parlamenti mbetet institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi. Vendi, ku me të vërtetë debatohet shpeshherë ashpër, ku politika sidomos në seancat e së enjtes bëhet protagoniste me veprimet e saj, por edhe institucioni ku hartohen
e diskutohen ligje. Në fillim edhe unë kisha përshtypjen se jeta parlamentare do të ishte ajo që shihja në seancat plenare nga ekrani, por puna në komisione është më voluminozja dhe më e rëndësishmja.
Por për hir të së vërtetës, përsa i përket zhvillimeve që ndodhën që nga shtatori e këtej nuk është se më surprizuan shumë. E kam pritur që do të ishte
dhe do të vazhdojë të jetë një legjislaturë parlamentare jo e qetë dhe e ndezur nga debati politik, kjo për arsye se kemi një mazhorancë të dalë nga një palë zgjedhje të diskutueshme,
me mjaft probleme, duke filluar që nga blerja e votës, nga presioni qeveritar dhe elementi kriminal. Kështu që do të ishte “naivitet” të prisja një situatë të qetë dhe normale në Parlament.
Screenshot_2.png
Ka pasur një deklaratë tuajën në Kuvend, fjala juaj e parë, ku thoni se
“Etika ma do që fjalën ta filloj siç do ishte më normalja, duke përshëndetur edhe kryetarin e Kuvendit por historia e familjes time nuk ma lejon”. Çfarë do të thotë për ju Gramoz Ruçi në krye të parlamentit?
Gramoz Ruçi, për shumë kënd në këtë vend, e sidomos për mua, familjen dhe shtresën që unë përfaqësoj, është një prej simboleve të diktaturës komuniste,
një prej elementeve të fundit të saj që donte ta mbante ende në këmbë atë në fillimin e viteve ’90, edhe pse komunizmi i kishte ditët e numëruara. Besoj se në vitin ’92, kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet
pluraliste, askush nuk e mendonte se 25 vite më vonë, pra më 2017-ën, në krye të parlamentit shqiptar do të ishte ish-ministri i brendshëm i diktaturës, personi mbi të cilin rëndon drejtpërdrejtë vrasja e 4 dëshmorëve të 2 prillit. Gramoz Ruçi më kujton se motoja që zgjoi shqiptarët nga letargjia komuniste “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, vazhdon dhe mbetet një ëndërr.
Diktaturën e vjetër e përmbysëm, por nuk hoqëm rrënjët e saj që nxorën filizat e rinj të Bllokut. Besoj se shumë kujt i ka bërë përshtypje fjala e z. Ruçi në “Ditën e Europës”. Kush e ka dëgjuar ka kuptuar se këta nuk ndryshojnë. Trafikun dhe korrupsionin e kemi dhuratë nga jashtë –
tha, nuk i kemi krijuar ne, farën e kanabisit na e sollën nga Holanda dhe janë vendet evropiane që e blejnë drogën që ne e mbjellim dhe prodhojmë.
A e imagjinoni, jemi në 2018, e pikërisht në Ditën e Europës, kryeparlamentari Ruçi na flet për “rrethimin imperialist”. Po të mos e dëgjoja vetë, nuk do ta besoja. Kur themi që këta që po na qeverisin janë pinjollët e Bllokut, janë pasardhësit biologjikë dhe ideologjikë të nomenklaturës
komuniste, nuk është se duam të bëjmë politikë. Është e vërteta më trishtuese për një popull që ka dalë nga diktatura më e egër komuniste.
Jeni deputete e Qarkut të Shkodrës, qark i cili është lënë pas dore nga qeveria për sa i përket investimeve. Kujtojmë këtu përmbytjet e para pak kohëve. Ndërkohë që qarqet e tjera të Veriut të vendit gjithnjë e më shumë po zhyten në varfëri. Çfarë po ndodh sipas jush? Pse ky qëndrim i qeverisë ndaj Veriut?
Një prej problemeve që ka krijuar kjo qeverisje është diferencimi i dukshëm krahinor.
Mjafton të shihen të dhënat e investimeve për të parë se bashki të tilla si ajo e Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Hasit, Tropojës, të gjitha së bashku nuk marrin as 5% të fondeve të investimeve nga fondi i zhvillimit të rajoneve. Shihni të dhënat e INSTAT-it gjatë katër viteve të fundit.
Nuk ka asnjë kilometër rrugë të shtruar, nuk ka asnjë shkollë, asnjë spital apo qendër shëndetësore të re të ngritur. Nuk ka asnjë investim as në kuadër të së famshmes “Rilindje Urbane” që s’na doli gjë tjetër veçse mashtrimi dhe modeli më i madh i korrupsionit.
Por përveç mungesës së investimeve, këtë diferencim e shpreh qartë edhe politikat sociale që ndjek kjo qeveri. Kujtoj këtu të ashtuquajturën reformë për ndihmën ekonomike, ku mijëra familje kryesisht të qarqeve të Veriut u privuan nga kjo ndihmë e papërfillshme për të siguruar mbijetesën.
Banorët e Kukësit e dinë më mirë represionin që iu bë për ditë me radhë pas protestës në rrugën e kombit, kur qyteti ngjante si në gjendje shtetrrethimi nga forcat e shumta policore të sjella aty. Por rasti më i fundit, që po ndodh këto ditë, largimi i nga Shkodra e Drejtorisë Vendore të Arkivave. Po kërkohet t’i hiqet qytetit kujtesa dhe identiteti historik i tij.
A nuk është një veprim i ngjashëm me atë të paraardhësve të tyre komunistë që sapo erdhën në pushtet shkatërruan arkivat e kishave, e institucioneve të tjera duke krijuar një prej dëmeve më të mëdha kulturës dhe kujtesës historike të shkodranëve në veçanti, por edhe shqiptarëve.
Apo në rastin e Bordit të Kullimit që u largua nga Shkodra dy vite më parë, ndërkohë që përmbytjet e muajit mars treguan se ka qenë një prej veprimeve më të gabuara. Unë besoj se ky është një orientim i qartë politik i kësaj qeverie.
Si e komentoni ju qëndrimin e Kryeministrit për sa i përket hetimit të ish ministrit të tij të Brendshëm? Kujtojmë këtu që nga pengimi i prokurorisë për arrestimin e
Tahirit dhe deri të vendimi i fundit i kryeprokurores për shkarkimin e prokurorit të çështjes, Hajdarmataj.
Ky kryeministër po na surprizon me skandalet që ndjekin njëri-tjetrin. Nuk është për tu besuar që nga një ministër aq i përfolur për përfshirjen në trafikun e
drogës si Saimir Tahiri, të tejkalohet nga pasuesi i tij Fatmir Xhafaj, që jo vetëm është i lidhur familjarisht me trafikun e drogës, vëllai i tij rezulton edhe i dënuar në Itali, por arrin të bëjë atë që askush nuk mund ta imagjinonte,
ka ndërhyrë dhe ndryshuar ligjin për të mos ekstraduar të vëllain. Dhe kushdo mund të pyesë veten, si është e mundur që në të dy rastet Rama i paska përzgjedhur rastësisht këta dy ministra të jenë në krye të forcave të rendit.
Përgjigja është vetëm një: përmes forcave të rendit kontrollon trafikun dhe me paratë e kontingjentin e tij blen zgjedhjet. Edhe pse u dha masa e arrestit të shtëpisë për S. Tahirin, mendoj se që në fillim hetimi mbi të është kompromentuar.
Pengesa që iu bë prokurorisë nga mazhoranca në parlament ishte shfaqja më e qartë e përfshirjes së Ramës dhe ministrave të tij në trafikun e drogës. Gati gjashtë muaj kohë, të mjaftueshme për të fshirë apo për të ndryshuar provat.
Po t’i shtojmë këtu kapjen që i është bërë prokurorisë dhe intimidimin që po i bëhet Prokurorisë së Krimeve të Rënda, shihet qartë se kemi të bëjmë me një farsë të radhës së kësaj mazhorance. Është një gjetje e saj për të shmangur presionin ndërkombëtar që po vjen në rritje, por besoj se nuk do t’i ketë sukses.
Shqiptarët janë ngritur në revoltë. Çdo ditë ka protesta kundër kësaj qeverie. Çfarë duhet të bëjë më shumë opozita shqiptare në këtë drejtim? Si e parashikoni ju jetëgjatësinë e kësaj mazhorance?
Asnjë qeveri nuk ka qenë kaq e kontestuar dhe zhgënjyese sesa qeveria Rama 2. Ende nuk ka bërë 9 muaj dhe që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar e
deri më sot ka pasur me dhjetëra protesta të opozitës, shoqërisë civile dhe banorëve në lokalitete që janë prekur nga veprimet arbitrare e korruptive të kësaj qeverie. Opozita ka qenë protagonistja kryesore e protestave më të mëdha dhe do të vazhdojë të jetë në rrugën e
protestave për të mbrojtur të drejtat dhe interesin e qytetarëve dhe biznesit, të cilëve
kjo qeveri po ua vështirëson jetesën me taksat dhe pasigurinë. Opozita po përgatitet për një protestë të madhe, për të treguar reagimin e fortë popullor ndaj gjithë
këtyre padrejtësive dhe varfërisë që vijnë nga keqqeverisja e këtij kryeministri dhe rrethi i tij. Besoj se kjo qeveri nuk do ta mbyll mandatin e saj katër vjeçar. Duke parë situatën, mendoj
se më 2019 së bashku me zgjedhjet lokale do të kemi edhe ato të përgjithshme. Shoqëria shqiptare është e orientuar përfundimisht drejt Bashkimit Evropian, nuk kemi më kohë për të humbur,
dhe të gjithë e pranojmë se me këtë model qeverisjeje, me këtë lulëzim trafiqesh, me zgjedhje të blera e të manipuluara nuk mund t’i bashkohemi familjes së cilës i përkasim. /55news.al/