Traditat e shqiptarëve shpesh kanë krijuar raste të paimagjinueshme të cilat tani, kur pluhuri i historisë dhe dashakeqësia komuniste kanë kërkuar të harrohen, na vijnë ne si amanet për t’i shpluhurosur e kujtuar si raste frymëzuese.
Kështu, ndër traditat themelore të shqiptarëve dallohen dy: Besa dhe Bashkëjetesa Fetare e një rast i rrallë kur të dya bashkohen do të jetë ajo çka do të trajtohet në vijim të këtij shkrimi, shumë të dashur për mua.
Në vitin 1891, në një fshat të vogël në rrethin e Shkodrës, në familjen e Dakës e Kaltrinës lindi një djalë i cili ngrohu zemrat e familjes në dimrin e ftohtë të atij viti.
Ai ishte Aleksandri i cili do ta kalonte jetën duke kërkuar plotësinë e Zotit e në emër të së cilës vdiq.
Familja e tij përbëhej nga prindërit, Aleksandri i vogël dhe djali tjetër Gjetoja. Por Zoti, siç do të shprehej më vonë edhe vetë Aleksandri në një letër që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit “… është duke më dërguar vazhdimisht kryqe. Qoftë lëvduar dora e Zotit. Unë i jam dorëzuar vazhdimisht vullnetit të Zotit”. E kryqi i parë që i dërgoi të mbante ishte vdekja e së ëmës. E pak vite pas saj, kur Aleksandri ishte vetëm tre vjeç ndërsa i vëllai nëntë, vdes edhe i ati.
Pas sa e sa peripecish ku familjarët e tjerë, pavarësisht dëshirës së mirë për t’i mbajtur pranë nuk mundnin, del në pah mrekullia e traditës shqiptare. Në një nga fshatrat e Malit të Zi, pranë shtëpisë së hallës së tyre, hoxha i një xhamie dëgjon për rastin e jetimëve të vegjël. Shkon në shtëpinë e hallës së tyre dhe kërkon t’i marrë.
Sigurisht, nisur nga rrethanat historike dhe përçarjet fetare, në fillim dyshimi qe i madh, por kur zgjidhja e vetme ishte hoxha, halla pranon dhe fëmijët strehohen tek ai ku, sipas disa dokumenteve që dëshmojnë rregjistrimin e mëvonshëm të fëmijëve në gjendjen civile, marrin edhe mbiemrin Sirdani.
Pasi hoxha i edukon si të ishin fëmijët e vet, por nuk iu mohon asnjëherë mënyrën të cilën ndiqnin për të besuar në Zot, nxitur nga muslimanët e fshatit që nuk e pranonin diçka të tillë, detyrohet t’i largojë fëmijët nga vetja dhe i dërgon në Shkodër ku në fillim i mbajnë motrat Servite duke i ndarë më pas, në vitin 1900, Aleksandrin në Kolegjin Saverian ndërsa Gjeton në Kolegjin Françeskan.
Të dy vëllezërit vendosën të ndiqnin rrugën e meshtarisë ku Gjetoja, pas shumë viteve studime, bëhet një françeskan i Urdhrit të Fretërve Minorë (O. F. M.) dhe merr emrin atë Marin Sirdani duke shkruar emrin e tij me gërma të arta në studimin e historisë shqiptare. Ndërsa Aleksandri, pasi mbaron studimet në Kolegjin Saverian dhe shpreh dëshirën për t’u bërë meshtar, dërgohet në Insburk të Austrisë ku përfundon Teologjinë e Filozofinë.
Në vitin 1916 shugurohet meshtar dhe aktivitetin e tij baritor e kalon mes fshatrave pranë Shkodrës deri te ato më të largët. Gjatë gjithë jetës pëson 15 transferime ku ai që i ka lënë më shumë mbresa ishte periudha kur ishte famullitar në Bogë.
Nga aty studioi historinë si i vëllai, lëvroi letërsinë si bashkëvëllai dom Lazër Shantoja me të cilin ndau famullinë dhe studio kulturën e folklorin vendas duke shkruar studime të vazhdueshme të cilat i botonte në revistën “Hylli i Dritës”.
Mes varfërisë së skajshme me të cilën u përball në famulli, aq sa i shkroi Ipeshkvit Mjeda me një ironi të hollë “Këtu gjendem shumë mirë duke e ditur se askujt nuk i shkon në mend të vijë e të hapë arkën e parave…
sepse e dinë se do të mbeteshin me një grusht mizash në dorë” dhe sëmundjes së vazhdueshme për të cilën i shkruan sërish Ipeshkvit Mjeda “Jam i përkulur para urtisë mjekësore”, ai asnjëherë nuk qëndroi pasiv në shërbimin që i bënte popullit për të cilin fshatarët e famullisë së tij shkruajnë “Ishte një meshtar që e donte tokën dhe popullin e vet”.
Kur komunizmi nisi të lëshonte rrënjët e tij në Shqipëri, dom Leka (kështu njihej nga të gjithë) bën një predikim i cili nga rregjimi quhet “i tmerrshëm” dhe “tradhtar” ku thotë:
Një re e zezë po afrohet dhe është një re shumë e keqe, por pastaj dielli do të dalë përsëri. Por kur do të dalë? Këtë e di vetëm Hyji.
Menjëherë pas kësaj, agjentët e sigurimit vijnë dhe e arrestojnë. E çojnë në hetuesi ku, pasi e marrin në pyetje të vazhdueshme, si do të thoshte më vonë Rrok Mecaj “e torturuan tre ditë e pastaj e vrasnë”. Skenari i vrasjes ishte i tmerrshëm:
Pasi e torturuan, e hodhën në gropën e hapur të ujrave të zeza të Policisë së Koplikut, ku, pasi e shtynë në fund me një sfurk, vdiq i mbytur sëbashku me meshtarin e lum dom Pjetër Çuni. Gjatë mbytjes, xhelatët i thonin: Ku është Krishti juaj? Pse nuk ju ndihmon?
Pasi vdiq e shkoi te Ai të cilit iu besua, la prapa dëshminë e gjallë të një jete të krijuar nga dashuria, pavarësisht mënyrës së lutjes në Zot dhe të përfunduar nga besa që njeriu i kishte dhënë Zotit. /Konica.al