Kjo xhami është ndërtesa më e bukur e vjetër në Shkodër dhe xhamia më e madhe e Shqipërisë (36). Ajo është ndërtuar në vitin 1773/74 nga Mehmed Pashë Plaku, Bushatli themeluesi i kësaj familjeje. (37) Xhamia ndodhet jashtë asaj pjese të pazarit të vjetër që ka akoma disa shtëpi, në një livadh moçalor në fushën e lumit Kir.
Siç u përmend më sipër,
xhamia është lënë e shkretë qysh në përmbytjen e madhe të vitit 1865, kur i gjithë qyteti i poshtëm u përmbyt.
Xhami e Plumbit e Shkodrës është frymëzuar nga xhamitë e mëdha sulltanore të Stambollit. Ajo është një ndërtesë e realizuar në mënyrë perfekte, me dimensione të mëdha dhe me një krijimtari shumë të gjallë.
Pamja që të ofrohet sapo i afrohesh është ajo e një oborri të gjerë të rrethuar (12.50 me 13.80m brenda mureve), i vetmi në Shqipëri. Kjo xhami është një nga të paktat që e ka thyer strukturën perandorake të posedimit të këtij elementi.
Ky kopsht i vendosur tërthorazi ndodhet përballë sallës së faljes. Ajo ka tri njësi (blloqe) në secilën prej anëve të shkurtra dhe katër në anët e gjata. Njësitë janë të mbuluara nga kube, përveç atyre në katër qoshet të cilat kanë kupola me harqe të kryqëzuar.
Një qemer i ngjashëm ndodhet mbi hyrjen e oborrit dhe të dhomës së faljes, me qëllim theksimin e akseve të ndërtesës.
Secila prej njësive me kube apo në formë kubeje (të harkuar, të mbuluar) të oborrit ka një dritare të madhe me bordura hekuri, të rrethuara me gurë dhe të zbukuruar nga një hark osman me majë.
Vendi i faljes duket nga jashtë si një bllok relativisht i ulët, i mbuluar nga një tambur tetëkëndor shumë i lartë, në majën e të cilit ndodhet një qemer gjysëmrrethor.
Pjesa e brendshme shfaqet si një dhomë e lartë dhe e gjerë, edhe pse ka përmasa vetëm 9.15m2 . Nga pikëpamja vizuale, kjo dhomë është e zgjeruar nga një lloj gunge e thellë, ku ndodhet mihrabi. Kalimi i kubesë mbi mihrab dhe katrori i bazës janë mbajtur nga gjysmërrethore, të cilët janë të maskuar nga jashtë nga një tambur pesëfaqesh. Salla e faljes është e rrethuar nga të dyja anët nga portikë të gjerë, të mbuluar me kube. Portiku në të majtë të mihrabit ka tri kube, të mbështetura nga dy shtylla, kurse tjetri në anën e djathtë ka dy të tilla.
Pjesa tjetër e vendit, që rrethon vendin e faljes dhe kamaren e mihrabit është e zënë nga një tyrbe, e cila ka një çati të drunjtë. Pozicionimi i mihrabit është padyshim i frymëzuar nga xhamitë e viteve të fundit të Sinanit. Gjithashtu, dy portikët mund të kenë të bëjnë me prototipët osmanë, por këtu ato kanë një formë të re.
Xhamia, oborri dhe tyrbja janë të gjitha të ndërtuara prej guri gëlqeror të bardhë në blu, që është shumë rezistent ndaj veprimeve gërryese.
Dikur ndërtesa ka qenë e mbuluar me plumb, ashtu sikurse e thotë edhe vetë emri, por ai është hequr kohë më parë.
Një mbulesë çimentoje mbrojtëse i është vënë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në vitin 1978 ndërtesa ishte në një gjendje shumë të keqe, edhe pse ishte e ruajtur mirë nga ana strukturore. Minarja e saj ishte pre e egërsisë së Revolucionit Kulturor.
Xhamia e madhe e Shkodrës është ndërtuar për t’i lënë mbresa vizitorit të saj dhe për të treguar pushtetin e vezirëve Bushatlinj.
Në të njëjtën kohë, ajo tregon se në fundin e shekullit XVIII, nuk mungonin mjeshtëria dhe gustoja e mirë në arkitekturë. Ky është një fenomen që haset edhe në pjesë të tjera të Perandorisë: mund të përmendim këtu xhaminë e Sherif Halilit në Shoumen të Bullgarisë (38) apo xhaminë Çapanoglu në Yozgat (39) në Anadollin Qendror. Aftësitë krijuese nuk janë zbehur akoma nëpër provinca. Megjithatë, mjedisi provincial në të cilin ndodhej xhamia e madhe e Shkodrës, ku të kuptuarit real për rregullat klasike osmane të proporcioneve nuk ekziston më, është i dukshëm që me shikim të parë.
Mbi hyrjen për në sallën e faljes me kube ndodhet një mbishkrim i vogël, i shkruar pa cilësi në turqisht, i cili përmban informacion të vlefshëm historik mbi këtë ndërtesë të rëndësishme. Me aq sa di unë, mbishkrimi nuk është publikuar më parë. (40) Mbishkrimi ka zëvendësuar një mbishkrim të vjetër, që mund të jetë dëmtuar dhe pastaj të jetë hequr. Riparimi i përmendur në tekst u bë përpara se përmbytja e madhe e vitit 1865 të shkatërronte shumicën e Shkodrës së vjetër.