Zbulimi që më ka ngelur fiksim kohët e fundit është Kraja. Si mbiemër është goxha i hapur në Shqipëri, por pak veta ia kanë idenë ku i bie.
Edhe nëse dinë diçka, askush s’i ka parë bukuritë natyrore nga afër dhe s’ia dinë rëndësinë. Kraja është trevë shqiptare në Malin e Zi, direkt sapo kalon kufirin.
Biles valët shqiptare kapin shumë mirë dhe me internet 3G po të duash, pasi antenat në majën e Taraboshit janë afër. Kraja është 1 km larg fshatit Zogaj, i cili ndodhet pas Shirokës. Fatkeqësisht nuk ka pikë kufitare aty, pasi malazezët nuk i favorizojnë fare si popull.
Dënimi i tyre është arsyeja, që janë shqiptarë. Nëse do të hapej një pikë kufitare, Kraja do të ishte 20 minuta larg Shkodrës.
Mund të them që, liqeni i Shkodrës këtu është më i pastër. Pa përmendur rreth 15 ishujt përgjatë vijës liqenore. S’di ç’t’ju përmend më parë nga bukuritë natyrore!
Nisem për Krajë bashkë me dy shoqet e mia më dallaveraxhie. Dy çuna të moshës sime, të cilët ishin të zonës, u bënë udhërrëfyesit tanë gjatë udhëtimit. Kaluam në doganën e Muriqanit dhe morëm kthesën te karburanti i parë që shkruan ‘Lluko Oil’. Aty keni dhe një tabelë që thotë “Kraja”.
Sigurisht që edhe kjo tabelë është vënë me kursime të banorëve, pasi askush s’e ka në plan ta ndihmojë zonën nga zhdukja. Të ishte ndonjë vend i shëmtuar, ia bëje hallall, po kaq i bukur e mos të investojë askush, çudi më dukej.
E fshehur pas maleve, pas 15 minutash largësi nga rruga kryesore, pamë një super pamje. Disa ishuj të vegjël poshtë, Shkodra në të djathtën time, Kopliku përballë dhe Alpet Shqiptare që shtriheshin si kurorë. “Shihe more, këta na kanë marrë pjesën më të bukur të liqenit të Shkodrës.”- u them gocave.
Zbresim rrugën poshtë, ku në të dyja krahët kishte gështenja. “Ky është pylli i gështenjave.”-na thotë udhërrëfyesi ynë Agroni. Trungjet ishin të mëdha e të thella. Në disa pjesë të rrugës, gështenjat bashkoheshin në formë tuneli, duke bërë hije.
Akomodohemi në një vilë druri me pamje nga liqeni dhe direkt filluam turin. Kishte aq shumë gjëra për të parë, sa s’kishim mjaftueshëm kohë. Kraja qenka e famshme, për puset e quajtura ndryshe, ubla.
Bëj hesap, këtu nuk ka as ujësjellës, të gjithë furnizohen me ujë pusi. Vizituam disa prej puseve më të vjetra, ku flitet të jenë gati një mijë vjeçare. Bashkë me gocat, nuk na rrihej pa provuar pak nga uji i pijshëm direkt nga pusi.
Ndalojmë në qendrën e Krajës, e shoh disa banorë. Sa njerëz pozitivë dukeshin. Edhe pse me një jetesë të mërzitshme, nuk ngurronin me të të falnin një buzëqeshje.
Momentalisht banojnë rreth 1000 persona, ama edhe ata që kanë mbetur duan të ikin. Shumica në Amerikë, të tjerë kudo të jetë e mundur.
Shtëpitë tradicionale ngjanin me ato të veriut të Shqipërisë. Të larta dhe me gurë të mëdhenj. Pas drekës kishim planifikuar një udhëtim me varkë, që u kthye në të preferuarat e mia.
Liqeni ishte i mbushur plot me gjethe zambakësh. Dukej si fushë jeshile në mes të liqenit. Se keni idenë sa lezetshëm dukej, të lundroje me varkë midis tyre.
Me gocat këputëm disa lule, që e kishin kërcellin të gjatë gati 2 metra. Ca i varëm në qafë, ca i bëmë kurora.
S’kisha parë kurrë lule që rriten në liqen. Ngjanin si lule kauçuku, aq të lëmuara ishin. Nga varka shijonim pamjet e ishujve, njëri më ndryshe se tjetri. “Këtu duhet të ishte plot me jahte si në Laco di Como.”,-thotë njëra prej shoqeve të mia.
Surpriza më e bukur ishte, kur pamë pelikanë 5 metra larg nesh. Aq të hijshëm dhe krenarë dukeshin, sa nuk u bezdisën fare nga prania jonë.
“Peshku i krapit është më i shijshëm këtu se në Shkodër, ngaqë kjo pjesë e liqenit është me gurë”-thoshte Asllani që drejtonte varkën. Pas 3 orësh udhëtimi chill, pushuam për të parë perëndimin. Fillova duke bërë muhabet me bretkosat, të cilat më kthenin përgjigje në tufë kur imitoja dialogun e tyre.
Të nesërmen zgjohemi në mëngjes, duke ngrënë petulla dhe mjaltë bio të zonës. Nuk pushonim së ngrëni, aq të shijshme na dukeshin. Çdo gjë, që hanim ishte e prodhuar në Krajë. Edhe veza kishte shije tjetër, ndryshe nga ato që ha në Tiranë.
Nisemi për në plazh. Pak e çuditshme më dukej ideja e plazhit në liqen, por me atë vapë s’mund të rrinim pa u larë.
30 min larg qendrës së Krajës, u njoha me Llogoranë numër 2. Mos të them që ishte më bukur akoma. Një varg ishujsh që nuk mbaronin. Disa prej tyre kishin ndonjë kishë ose manastir të vogël brenda. Vizituam dhe një kishë ku mendohet të ketë shërbyer Gjon Buzuku. Plot historira Kraja ee!
Në liqen peshqit e vegjël vinin më pickonin këmbët.
Kur isha në Pragë pagova 10 euro për një masazh të tillë. Hajde budallaqe hajde. S’ma merrte kurrë mendja, që do përfitoja trajtim falas në liqenin e Shkodrës. Thonë që ky lloj peshku, të heq lëkurën e vdekur në trup. Mua më guduliste pak e më vinte për të qeshur. Sekreti është që duhet të rrish pa lëvizur ,që të afrohen tufa peshqish.
Dy këshilla nga unë për Krajën: Mbushuni me karburant në rrugën kryesore, pasi nuk ka asnjë tjetër në zonë. Ka plot vende të bukura për të parë e vizituar, prandaj mirë bëni ta keni plot sebatorin.
Gjithashtu mos harroni ilaçe për mushkonjat…që është shumë e rëndësishme. Ah dhe rrini pa ngrënë nja dy ditë, se këtu do të plasni nga ushqimet e mira. Nëse doni të flini një natë në një nga vilat, s’kam ndonjë numër konkret telefoni për t’ju dhënë. Mund të më shkruani mua dhe do përpiqem të lidhem me banorët e zonës për të bërë pritjen që meritoni.
Nga Fjorda Llukmani