Tamara është qendra administrative e Kelmendit që më 1935. Shtrihet buzë Cemit të Selcës, aty ku Cemi i Selcës bashkohet në një lumë të vetëm me Cemin e Vuklit, në lartësi 235 m mbi nivelin e detit. Emri i fshatit vjen nga Tamara, e shoqja e Vezirit të Shkodrës,
me fondet e së cilës u ndërtua në gjysmën e dytë të shek.XVIII një urë e re mbi Cemin e Vuklit, 75 m. Kjo urë mori emrin e Tamarës dhe po këtë emër mori edhe fshati i mëvonshëm. Më parë Tamara ka qenë kullota dimërore e Selcës, kurse më vonë qendër administrative. Më 1945 kishte 19 ekonomi me 116 banorë, me 8.6 ha.
Ndërsa sot, në këtë sipërfaqe toke (8.7 ha) ka rreth 500 banorë. Banorët e fshatit janë të ardhur nga Selca, Vukli, Broja, Kozhnja etj. Eshtë një fshat i vendosur në një gropë të thellë rreth 1000 metra poshtë majave të maleve.
Qendra ka shtëpi dhe apartamente banimi. Në mes tyre është shkolla e mesme, me një kënd të mirë sportiv, dhe, më tej, spitali dykatësh i zonës, kisha, dyqane, bar-restorante etj.
Drejtimi kryesor ekonomik është blegtoria.
Aty ka dhen, lopë dhe njëthundrakë. Nga bimët pëmendim kultura si: misër, jonxhë dhe perime.
Gjithashtu rritet: fiku, kumbulla, mani, pjeshka, thana dhe hardhia. Dimri në Tamarë është relativisht i ftohtë dhe vera e nxehtë. Masat e ngrohta ajrore që vijnë nga Shiroku nuk lejojnë ashpërsimin e klimës si në pjesët e tjera të Kelmendit. Në këtë fshat rrallë zë bora, ndonëse vendbanimi është në thellësi të maleve.
Këtë gjë e tregon edhe bimësia, kryesisht mesdhetare me sherbelë e trumzë dhe dushqe të ndryshme, duke munguar ahu dhe pisha si drurë karakteristikë për luginat alpine. Të zë syri gjatë luginës shegë të egra.
Lumi i jep bukuri fshatit. Në Cem mund të gjuhet troftë e mrekullueshme.
Disa shpella, si: Nënfateshë, e Bunëve të Maçurkut, Lugjeve te Bardhit, etj., i përkasin kohës parahistorike të Arbërit. Shpella me turistike deri tani është ajo e Malqe Gradës, 1,165 m mbi nivelin e detit, me gjatësi rreth 310 m.
Me poshte mund te ndiqni nje reportazh te realizuar nga Anxhela Ujka / StarPlus Tv 2018