Dokumenti i 1948: Si rriheshin në shkollat e Shkodrës, fëmijët e “armiqve” të komunizmit

Dokumenti që dëshmon një fushatë dhune të paprecedentë, që po ushtronin në shkollat e Shkodrës ndaj fëmijëve të kundërshtarëve politikë. Regjimi komunist kishte shpallur luftë të hapur ndaj kësaj kategorie sidomos në Shkodër… 

Kush kishte një të shkuar opozitare me komunistët, apo kush nuk i përqafoi format e regjimit komunist, në vitet e para të pas Luftës futej në kategorinë e reaksionarëve, armiqve të popullit apo siç cilësoheshin ndryshe elementi armik.

Një fëmijë shkolle që vinte nga një familje e tillë, nuk gëzonte të njëjtat të drejta si fëmijët e komunistëve. Madje regjimi kishte përgatitur terrenin se si do t’i thyenin, përmes dhunës e formave të tjera të gjithë fëmijët e shkollave që vinin nga familjet që kundërshtuan regjimin komunist.

Dokumenti që sjellim sot, i përket vitit 1948 dhe është një relacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar Komitetit Qendror për një fushatë dhune që po ushtronin në shkollat e Shkodrës ndaj fëmijëve të kundërshtarëve politikë.

Regjimi komunist kishte shpallur luftë të hapur ndaj kësaj kategorie sidomos në Shkodër dhe përmes kësaj shkrese të Ministrisë së Brendshme bëhet e ditur se deri më atëherë, pra 1948 nuk ishin treguar të ashpër sa duhej me këta “elementë”.

Pas këtij konstatimi, strukturat e Partisë Komuniste në Shkodër ishin konsultuar edhe me seksionin e Sigurimit dhe ishte parë e arsyeshme që të merreshin masa rigoroze dhe më efikase nga ato që ishin ndërmarrë deri më atëherë.

Nga i gjithë raporti informativ ku flitet për këtë problem vihet re se si e ushqenin dhunën në shkollë si mjet për të nxitur e forcuar luftën e klasave, ku fjala rrahje, kapje për gryke, përplasja e kokës për muri, etj, artikulohet nga njerëzit e partisë, si diçka e zakonshme dhe normale.

Në një fragment të raportit shkruhet: “u vendos që të përjashtoheshin deri 6 elementë reaksionarë nga organizata dhe të përgatitej terreni për rrahjen e këtyre elementëve nga nxënësit. Pas kësaj, elementët e tjerë reaksionarë më në dukje të kapeshin nga nxënësit e mirë të organizatës dhe të kërcënoheshin ashpër.

Edhe drejtori duhej të kërcënonte disa profesorë reaksionarë dhe pas kësaj duhej t’i dorëzoheshin Komitetit Ekzekutiv që t’u hiqte vërejtjen edhe ky. Për të gjitha këto vendime Sekretariati i shkollës duhej të bënte planin se si do të procedonte”.

Pas këtij plani rrahja publike dhe kërcënimet kishin sunduar shkollat e Shkodrës. “…disa nxënës të rinj komunistë dhe anëtarë Partie në oborrin e shkollës kapin dhe rrahin disa elementë reaksionarë në dukje. Pas kësaj, në dhomën e sekretariatit të shkollës nga presidenti, sekretari organizativ dhe shokë të tjerë të sekretariatit u thirrën afro 13 elementë reaksionarë ku u kërcënuan duke iu përpjekur kokën pas murit ose duke i zënë për gryke..” – shkruhet në raport, duke shtuar se dhuna ishte shtrirë edhe tek profesorët që cilësoheshin si element armik. “drejtori thirri disa profesorë reaksionarë dhe njërin e kërcënoi duke e kapur për hunde ose për gryke…”

Por në raportin e Ministrisë së brendshme ngrihej problemi se në këtë fushatë dhune ishin bërë disa gabime, se duhet të kishin qenë më të organizuar në këto akte dhunë dhe më të vendosur. Se kishte qenë e gabuar thirrja në shkollë dhe rrahja e tyre ndërkohë që mund ti kishin kapur dhe rrahur në rrugë.

Fushata ishte pasuar me kundërshtimet që kishin hasur me familjet e këtyre nxënësve të cilët e kishin ndaluar vajtjen në shkollë të fëmijëve të tyre duke kërkuar siguri për ta. Ndërsa Ministria e brendshme propozon nje plan masash për vitin e ardhshëm që të kishin më shumë efikasitet në këto fushata dhune ndaj kundërshtarëve politik të regjimit, në të vërtetë të fëmijëve të tyre në shkolla. Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e vitit 1948.

Dokumenti i plotë

RELACION PËR ELEMENTIN KUNDËRSHTAR NË SHKOLLËN E SHKODRËS

Në kohët e fundit elementi kundërshtar në shkollën e Shkodrës kishte marrë mjaft kurajë dhe kishte shtuar aktivitetin në gjithë punët. Kjo shkaktohej se lufta që iu bënte këtyre organizata nuk ishte efikase.

Demaskimi i gjithë veprimeve të tyre para nxënësve si dhe këshillimet që iu bëheshin atyre elementëve që ishin në radhët e organizatës nuk i trembnin. Këtë qëndrim të organizatës ata e quanin si dobësi, mbasi ajo nuk mundej të merrte masa të tjera. Kësaj i shtohet edhe gabimi i bërë nga sekretariati i qytetit që nuk kishte aprovuar vendimin e aktivit të shkollës për përjashtimin e elementëve reaksionarë nga organizata nën pretekstin se “nuk e kishin mbushur kupën”.

Për një qëndrim te këtillë sekretariati i qytetit qe konsultuar edhe me Seksionin e Sigurimit. Këtë qëndrim elementi reaksionar e shfrytëzoi si dobësi të organizatës, se kjo nuk mundej të merrte masa kundrejt atyre.

Ata shtuan aktivitetin e tyre pa frikë, flisnin hapur kundër organizatës dhe rregullit në shkollë, merrnin vendime në mbledhjet e tyre për të rrahur shokët e organizatës etj. Përpara kësaj gjendjeje nevojitej të merreshin masa rigoroze dhe më efikase nga ato që ishin marrë deri atëherë kundër elementit kundërshtar. Për këtë Komiteti i Partisë i qytetit dhe një i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë që ndodhej në Shkodër mblodhi celulën e shkollës për të shqyrtuar këtë çështje.

Këtu u vendos që të përjashtoheshin deri 6 elementë reaksionarë nga organizata dhe të përgatitej terreni për rrahjen e këtyre elementëve nga nxënësit. Pas kësaj, elementët e tjerë reaksionarë më në dukje të kapeshin nga nxënësit e mirë të organizatës dhe të kërcënoheshin ashpër.

Edhe drejtori duhej të kërcënonte disa profesorë reaksionarë dhe pas kësaj duhej t’i dorëzoheshin Komitetit Ekzekutiv që t’u hiqte vërejtjen edhe ky. Për të gjitha këto vendime Sekretariati i shkollës duhej të bënte planin se si do të procedonte. Shokët e shkollës filluan menjëherë t’i zbatojnë këto vendime por rruga që ndoqën nuk ka qenë ajo që u tha më lart por ka pasur gabime.

Pa u bërë asnjë përgatitje në masën e nxënësve që pasditen që u mblodh celula, presidenti dhe sekretari organizativ i shkollës tentuan të rrihnin një nxënës reaksionar, që u iku nga duart. Të nesërmen një shok i këtij në informacionin politik të klasës foli kundër udhëheqësve duke thënë: “Në ç’pikë të Statutit të RP thuhet që të rrihen anëtarët e organizatës”. Kryetari i grup­aktivit pa sqaruar këtë thënie të tij para nxënësve i tha të dilte jashtë duke e ndjekur nga pas.

Në këtë kohë elementët e tjerë reaksionarë duke kujtuar se kryetari i klasës do të godiste shokun e tyre u çuan kundër kryetarit të klasës. Menjëherë pas kësaj disa nxënës të rinj komunistë dhe anëtarë Partie në oborrin e shkollës kapin dhe rrahin disa elementë reaksionarë në dukje.

Pas kësaj, në dhomën e sekretariatit të shkollës nga presidenti, sekretari organizativ dhe shokë të tjerë të sekretariatit u thirrën afro 13 elementë reaksionarë ku u kërcënuan duke iu përpjekur kokën pas murit ose duke i zënë për gryke. Po kështu dhe drejtori thirri disa profesorë reaksionarë dhe njërin e kërcënoi duke e kapur për hunde ose për gryke. Vonë pas 4­5 ditësh elementët reaksionarë u përjashtuan nga organizata.

Gjatë procedimit u bënë mjaft gabime. Këto masa që do të merreshin kundër elementit reaksionar nuk u shfrytëzuan mirë dhe sekretariati i shkollës nuk bëri një plan si të procedohej, por u veprua në mënyrë të çrregullt si i erdhi për dore secilit. Vendimet e celulës nuk u zbatuan sipas radhës që u caktuan. Nuk qe e drejtë që të nxirrej nga informacioni politik ai nxënësi reaksionar por të goditej pikëpamja e tij dhe të përgatitej kështu terreni për ta rrahur.

Nuk qe e drejtë gjithashtu që nga presidenti dhe sekretari i shkollës kapet një nxënës reaksionar për ta rrahur se kjo i lejoi elementët reaksionarë për të goditur organizatën. Aq më shumë rrahja e elementëve reaksionarë në oborrin e shkollës ka qenë e gabuar pse ata elementë reaksionarë e shfrytëzojnë duke thënë se “në shkollë ka anarki dhe terror, atje drejtoria nuk drejton por organizata, dhe drejtoria nuk mban dot rregullin” etj.

Veç kësaj, pas rrahjes shumica e elementëve reaksionarë nuk shkonin në shkollë dhe prindërit e tyre kërkuan nga drejtoria që të siguroheshin se iu ngjiste gjë fëmijëve të tyre, pastaj t’i lejonin të vinin në shkollë. Duke u thirrur elementët reaksionarë në dhomën e sekretariatit dhe duke iu përpjekur kokën për murit organizata u bë tamam si policia, ndërsa këta elementë reaksionarë mund të kërcënoheshim fare mirë nga anëtarë të mirë të organizatës duke u kapur në rrugë.

I njëjti ka qenë dhe gjesti i drejtorisë kur ka kërcënuar dhe kapur për hunde një profesor reaksionar.

Rrahja e elementëve reaksionarë është shfrytëzuar nga organizata për të kërcënuar elementët e tjerë reaksionarë. Tani këta kanë prerë aktivitetin e tyre si më përpara por megjithatë pas rrahjes janë shkruar dy parulla në muret e shkollës. Sekretariati i shkollës ka gabuar gjithashtu pse ai për marrjen e gjithë këtyre masave nuk është konsultuar aspak me sekretariatin e qytetit, as për ta njoftuar se çfarë bëhet në shkollë. Për këtë edhe Sekretari Politik i Komitetit të Partisë pranon gabimin që ata nuk vunë në dijeni sekretariatin e rinisë të qytetit, për të ndihmuar edhe ky shokët e shkollës që vendimet e marra të zbatoheshin drejt.

Reaksioni përgatitet për të pasur baza edhe vitin tjetër në shkolla. Për këtë elementët reaksionarë punojnë me vëllezërit ose kushërinjtë e tyre me qëllim që këta t’i ketë për vitin e ardhshëm në shkollat e mesme. Për të mos qenë kjo gjendje edhe në vitin e ardhshëm në shkollat e Shkodrës dhe për të mos futur elementë të tjerë reaksionarë në shkollë është e nevojshme të merren këto masa:

1 Vitin e ardhshëm 20­-30 nga elementët më reaksionarë të mos pranohen në shkollë. Këta këtë vit do të mbesin edhe në klasë, pse nuk kanë mësuar me qëllim dhe veç kësaj ata kanë qenë më të padisiplinuarit në shkollë.

2 Të mos pranohen në shkollë gjithë ata elementë reaksionarë që vijnë nga uniket.

3 Të hiqen gjithë ata profesorë reaksionarë që janë vendas dhe të çohen profesorë nga qytetet e tjera.

4 Të përmirësohet përbërja e klasave të para duke futur këtu gjithë elementët e shëndoshë që janë në uniket e Shkodrës. Këta të mos lejohen të shkojnë në shkolla të tjera si p.sh. në institutin teknik etj.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME