Poeti e patrioti i madh i kombit Gjergj Fishta ka qenë po aq i spikatur edhe në gazetari. Lajmet e shkruar prej tij, vecanërisht në “Hylli i Dritës”, revista që ai e drejtoi për shumë vite me radhë, janë shkollë e të shkruarit të lajmit.
Por në të njëjtën kohë ata lajme, ndër të parat të shkruara me mjeshtëri, sjellin me pak radh një atmosferë reale të kohës. Më poshtë janë renditur katër nga lajmet e shkruara për “Hyllin e Dritës” dhe që u përkasin qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Në pak radhë përvec informacionit, shkëlqen edhe humori i jashtëzakonshëm i Fishtës.
Shkodër — Në Shkodër punët si herë për here… rrena, pluhun e baltë, kual e katana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipënija sa të duesh. Por punë, pa të cilat s’ka si rrnon Shqipënija, pak e aspak.
Gjindja janë ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash pale se shka po u bjen nana, vida-Europë, por për nji herë prit, Zot, veç mizat.
E pra atdhetarët e shkretë plasën, plasën, u shkyen gërmazash tuj folë për Shqipëni e tuj punue për vedi! Për Shqipëni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. (Hylli i Dritës, nr 1, 1913)
Lesh — Si filloi me ra dielli kah prendimi, kush muer malin, kush muer fushën e në Lesh s’mbet ma kush i huej, posë mushkajash.
Puna ma e forta e ma e interesantshmja e asajë dite kje, qi nja tre a katër kasapë të pazarit të Lezhës u ngatrruen për nji lëkurë dhijet e kjenë gadi kah coptohen në vërcakë, po mos të qillueke me u hi ndërmjet Bajraktari i ri i Bajrakut të Lezhës. (Hylli i Dritës, nr 1, 1913)
Vlonë — Vlona, qi deri dje ka pasë kenë njoftë në Shqipëni ma së fortit për krypë dhijësh e për gurë pushkësh të gjata, sot, madje, n’uzdajë të Smajl Qemalit e të Qeverisë së tij, si edhe të Doganës, na duel punë e madhe.
Kush për këshill e kush për miell, të gjith po ngasin në Vlonë… E qe se edhe Komisioni Ndërkombëtar, (uh! sa i gjatë me u shkrue ky emën Komisioni Ndërkombtar i Kontrollit u shkarkue ma së parit në Vlonë. (Hylli i Dritës, nr 2, 1913)
Tiranë — Duket se në Tiranë punët janë kambë e krye e, mbas gjaset, kanë me mbetë gjith hera ashtu. Po kah vinë këto ngatrresa? Dikush thotë prej ujit të Tiranës, pse tuj pasë ujët gëlgere, u çon peshë dejt atyne qi rrijnë mrendë.
Disa thonë, me shum arsye, se asht interesa. Të jetë si të jetë, punët janë fort të këqija. (Hylli i Dritës, nr 8, 1921)./D.Heba/