Mikel Koliqi, kardinali i parë shqiptar

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. I ati, Mark Koliqi ishte tregtar dhe e ëma, Age Simoni, ishte bijë tregtari.

Mikeli qe fëmija i parë i një vargu prej 8 fëmijësh, ndër të cilat pesë djem dhe tri vajza: Mikeli, Ernesti, një ndër yjet e letërsisë shqiptare si shkrimtar dhe njeri me kulturë shumë të madhe) Leci, Gulielmi, Margerita, Antonieta, Viktori dhe Terezina.

Koliqi i ri studioi dhe arriti të luante në piano pjesë nga Moxarti dhe Bethoveni. Studioi pjesë pianistike të Shopen-it, duke luajtur sidomos valset dhe nokturnet e këtij autori. Njohu autorë bashkohorë, si: Debysi, Ravel etj.

Lexoi dhe studioi me kënaqësi muzikën operistike, ndoqi me intensitet zhvillimin e veverizmit muzikor, por në të njëjtën kohë kishte adhurim të veçantë për Vagnerin, veprat e të cilit i njihte shumë mirë.

Ai frekuentonte shfaqjet operistike në Milano (ku në Politeknik studjoi dhe Inxhinieri Mekanike) dhe në qytetet e tjera të Italisë, dallonte qartë karakteristikat interpretuese të njërit këngëtar apo tjetrit, përshkruante atrmosferën e koncerteve dhe operave si spektator.

Shkollen fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin “Arici” te Etërve Jezuit në Breshia të Italisë, një koinçidencë e bukur, në klasë me të ishte edhe Papa i ardhshëm, Pali VI.

Gjimnazin e kreu ne Itali pjesërisht në Monxa, në Bergamo dhe në Bari. Në periudhën kur vinte në qytetin e lindjes, Kardinali i ardhshëm Koliqi shkonte në piknik në periferi të Shkodrës, si në Shirokë, Zogaj e gjetkë, dëgjonte në shtëpitë e shokëve dhe miqve muzikë me gramafon.

Diskoteka e tij filloi të pasurohej në mënyrë sistematike me veprat dhe kryeveprat e autorëve të ndryshëm, si: Moxart, Verdi, Puçini, Vagner, Rossini, Donixetti, Maskanji, Leonkavalo, Boito, Hendel, Bach, Hajden, veprat vokale nga Palestrina, Laso, Kerubini, Perozi, Kasimiri, Paxhela etj.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi studimet e larta në Politeknikumin e Milanos në degën e inxhinierisë mekanike.

Por gjatë kësaj periudhe mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjysëm studimet e vitit të dytë, duke vijuar me studimet teologjike në seminarin “Corso di Venezia” të Milanos, dhe më vonë në seminarin Vonogonos.

Atje studioi nga viti 1928 deri më 1930. Në 30 maj 1931, në moshën 30 vjeçare, u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Lazër Mjeda (1869-1935).

Studiuesi muzikolog, me veprën e vet përkushtuar Kardinal Mikel Koliqit, hedh dritë për herë të parë në pasionin e madh që meshtari kishte për muzikën, krahas adhurimit për meshtarinë dhe punën e përditshme me rininë në Veprimin Katolik, me shtypin, themelues dhe drejtues i revistës popullore të përjavshme shkodrane “Kumbona e së diellës”.

“Gjatë studimeve teologjike”,- vlerëson studiuesi Prof.Gjon Simoni: “Mikelit i besuan drejtimin e korit të kolegjit. Siç duket, Mikeli nga Shqipëria, ishte më i afti nga muzikantët seminaristë që kishte kolegji.

Ai tregonte se për të shoqëruar korin, caktuan një tjetër seminarist që kishte përfunduar studimet në konservator dhe luante mjaft mirë”. Duke ditur se priftërinjtë katolikë që shërbenin në atë kohë në Shqipëri konsideroheshin nga Selia e Shenjtë si misionarë, ky “status” u jepte lejen dhe mundësinë që, sipas rastit, të studionin e të diplomoheshin edhe në fusha të tjera të tjera të kulturës dhe artit.

Kështu, sapo mbaroi studimet, para se të vinte në Shkodër për të filluar punë si ndihmësfamullitar, Mikeli iu drejtua imzot Luigj Bumçit që ta dërgonte në ndonjë shkollë muzikore për të mësuar muzikë.

Me rekomandimin e Ipeshkvit, Mikeli shkoi në Austri (kryeqytet i muzikës operistike botërore, ku çdo vit jepet me 1 janar Koncerti i Madh I Vjenës, pranë një kori të famshëm.

Siç duket atje studioi elementët e dirigjimit lokal, duke vënë në bazë profesionale njohuritë që kishte marrë autodidakt dhe nga përvoja artisitike, dhe kjo jo e pakët.

Dom Mikeli nuk erdhi në Shkodër si prift i zakonshëm, për t’iu nënshtruar rutinës, për të kryer vetëm detyrat fetare si ndihmësfamulltar dhe më vonë famulltar në qytetin e Shkodrës së tij të dashur. Plane ambicioze dhe realizimin e menjëhershëm të tyre, kishte në kokë prifti i ri.

Ai e kishte të qartë se çfarë duhej bërë dhe si duhej bërë sa më mirë. Me një përvojë të pasur evropiane, menjëherë i hyri punës për t’i shërbyer sa më mirë bashkësisë katolike, dhe jo vetëm asaj.

Profesor Simoni, duke hulumtuar mbi jetën dhe veprën e Kardinal Koliqit, ndër të tjera vlerëson: “Gjatë kësaj periudhe arriti të organizonte korin e Katedrales, të cilit i vuri emrin ‘Scola Cantorum’ (1932)

Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik. Kompozoi edhe 30-40 pjesë të ndryshme korale, shumica me objekt kishtar.

Ai themeloi dhe drejtoi për shumë vjet revistën e njohur “Kumbona e së diellës” dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numri i parë (1938), deri sa u mbyll nga censura komuniste në vitin 1945.”

 

Kalvari komunist

Kardinali Mikel Koliqi, pati një kalvar të vërtetë në kohën e komunizmit. Në vitin 1952-1953 filluan presionet dhe përpjekjet e diktaturës për të krijuar Kishën Katolike Autoqefale, pra të pavarur nga Selia dhe Ati i Shenjtë në Vatikan.

Në vitin 1953-1954 një valë arrestimesh përfshiu shumë intelektualë në mbarë Shqipërinë. Prof. Gjon Simoni, duke shkruar për këtë dramë tragjike, që preku mbarë popullin shqiptar dhe më së shumti klerin katolik shqiptar në Shkodër, për Kardinalin Koliqi vë në dukje: “Mbaroi kështu koha e parë e simfonisë së jetës së tij.

Akordet dramatike mbyllnin këtë pjesë. Megjithatë, buzëqeshja e tij e vazhdueshme që vinte nga qetësia shpirtërore bënte që tragjedia e kësaj jete të merrte një pamje pothuaj joreale, gati-gati teorike. Si lufta e së mirës kundër së keqes”.

Kështu për dom Mikelin filloi epoka më e zezë e jetës, ajo e privimit të përhershëm të lirisë, pa asnjë kuptim për botën e tij intelektuale.

Nga ana e tjetër vuajtjet dhe torturat rriteshin, duke lënë përshtypjen se do të vazhdonin përgjithmonë. Megjithëse i burgosut dhe i internuar, ai vazhdoi të kryente detyrën e vet, fshehtas.

Zhvillonte me shumë kujdes ungjillizimin e bashkëvuajtësve, kur ata e kërkonin, kryente ritet fetare, si pagëzim dhe kungim, dhe megjithëse larg nga Shkodra, jepte këshilla dhe udhëzime dhe së bashku me kolegët meshtarë merrte vendime për problemet e famullive, që ishin në gjendje përndjekjeje të jashtëzakonshme.

Kështu në vitet 1954-1986, kaloi në burgim dhe internim për 32 vjet. Në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, dënohet për të tretën herë me 15 vjet burgim.

Absurdi kishte logjikën e vet djallëzore. Vitet e burgimit dhe internimit i kalon në disa krahina të Shqipërisë, si në Lushnjë, Fier, në zonën e maleve të Vlorës dhe në vende të tjera syrgjynimi.

Më vonë do të tregonte për torturat e tmerrshme që pësonin në burg: rrahje deri në gjakosoje, elektroshok, varje nga duart e lidhura disa ditë me radhë, përve urisë, etjes e të ftohtit.

Gjatë kohës së gjatë të burgimit shumë qenë shokët e tij klerikë, por edhe bashkëvuajtës të tjerë, që u vranë ose vdiqën nga torurat mizore.

Pra me të drejtë çuditemi kur shohim se dom Mikelin nuk e zhdukën që në vitet e para (1945-1950).

Në librin e tij Prof.Simoni, thekson se ai ishte një peng i çmuar në dorën e diktaturës për t’i bërë presion vëllait të tij, Ernestit, që të mos merrte iniciativa dhe të zhvillonte aktivitet politik kundër pushtetit komunist në Shqipëri.

Madje kur e pyetnin dom Mikelin për vuajtjen e tij përgjigjej: “… të tjerët kanë vuajtur më shumë se unë nga torturat…”. Gjithsesi, ai është “Mandela i Shqipërisë” me 40 vite burg… dhe Zoti shtriu dorën pranë Nënës Shqipëri për të vlerësuar si KARDINAL…/konica/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME