Autostrada Tiranë-Durrës prej ditës së sotme do të bllokohet në disa pjesë të saj për shkak se ka nisur riparimi i pjesëve të dëmtuara rëndë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore njoftuan se ka filluar riparimi i asfaltit në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe anasjelltas.
Ndërhyrja është pjesë e projektit të mirëmbajtjes të rrugëve të Bankës Botërore me kosto 615 mijë euro. Rikonstruksioni total i rrugës do të behet në një kohë të dytë pasi të sigurohen fondet.
Gjatë ditës së Hënë dhe të Martë do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës.
Qarkullimi drejt Durrësit do devijohet në rrugët dytësore ndërsa lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës. Ndërkohë drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani.
ARRSH më poshtë jep edhe devijimin e rrugës si pasojë e ndërhyrjes për mirëmbajtjen:
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e hënë (dt.11 Qershor), në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore do të fillojë ndërhyrja emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe Durrës – Qafë Kashar.
Ndërhyrja për gjithë autostradën në dy senset do të realizohet gjatë muajit Qershor. Ditën e hënë do të fillojë ndërhyrja në segmentin e parë Qafë Kashar – Vorë.
ARRSH dhe Policia Rrugore kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë Rrugore është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Gjatë ditës së Hënë dhe të Martë do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës.
ARRSH dhe Policia Rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
Lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës nga rreth rrotullimi Casa Italia.
Autoveturat që shkojnë në drejtim të Durrësit do të përdorin daljen tek pika e furnizimit Kastrati dhe mbikalimin për Kashar në drejtim të Vorës.
Drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani si dhe kthimin për Tiranë të përdorin sërish drejtimin nga Elbasani.
Mjetet me kalim nga Rinasi drejt Durrësit duhet të përdorin rrugën dytësore Qafë Kashar-Vorë (300 m përpara mbikalimit të Kasharit) ose në drejtim të aksit Rinas-Vorë në drejtim të doganës.
Në mënyrë të veçantë drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë Rrugore dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqëndruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.
Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.
Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Qafë Kashar – Vorë do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia Rrugore do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik
a.ç