Dhjetë fakte shokuese shkencore mbi ëndrrat

Ëndrra është përjetimi i shikimit të pamjeve, dëgjimit të tingujve, apo ndijimeve të tjera në gjumë. Njerëzit gjithmonë janë magjepsur prej ëndrrave. Poetët dhe filozofët i kanë interpretuar ato si fantazi romantike ose si manifestime të anës më të errët të natyrës njerëzore.

Shumë shkencëtarë kanë mbajtur një qëndrim më praktik ndaj ëndrrave dhe i kanë studiuar si brenda ashtu edhe jashtë mjediseve laboratorike me qëllim për të kuptuar në mënyrë më shkencore vendin e tyre në jetën njerëzore. Ëndrrat kanë të bëjnë shpesh me dëshirat e mundshme e të pamundshme për t’u ndërtuar në jetë, dhe shpesh janë përtej mundësisë së kontrollit nga ëndërruesi.

Ëndrra mund të shkaktojë përvoja dhe ndijime të ndryshme të fuqishme, si p.sh. kënaqësi, pikëllim, frikë (makthe) etj. Dega e shkencës që merret me studimin e ëndrrave quhet onirologji (greq. oniro – ëndërr dhe logos – fjalë; mësim, dije). Më poshtë iu japim dhjetë fakte qe nuk i dini mbi ëndrrat.

Të huajt në ëndrra janë njerëz që i kemi parë në jetën reale

Truri i njeriut është përgjegjës për krijime të shumta komplekse, por ai nuk mund të shpikë imazhe njerëzore. Prandaj, “të huajt” që ju takoni në ëndrrat tuaja kanë në të vërtetë fytyrën e njerëzve që ju i keni parë një herë në jetën tuaj dhe i keni harruar. Njeriu çdo ditë sheh qindra njerëz dhe si pasojë, truri ka një sërë personazhesh me të cilët mund të krijojë ‘skenarët’ e tij. Përveç rasteve të çrregullimeve ekstreme psikologjike, çdo qenie njerëzore ëndërron. Në një studim të kohëve të fundit, studentët që zgjoheshin në fillim të çdo ëndrre, por që arrinin të flinin tetë orë gjumë, të gjithë përjetonin vështirësi në përqendrim, kishin halucinacione, acaroheshin më shpejt dhe shfaqnin shenja psikoze në një periudhë prej tre ditësh.

Së shpejti njerëzit do të mund të ngarkojnë ëndrrat e tyre në YouTube

Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë në Berkley, kanë arritur në një fazë të rëndësishme në krijimin e një teknologjie që do të lejojë aksesin në sistemin e imazheve të trurit. Ata përdorën funksionin e Imazhit të Rezonancës Magnetike dhe modele kompjuterike dhe arritën të dekodonin dhe rindërtonin eksperiencat vizuale të subjekteve të tyre tesuese. Testet realizoheshin me njerëz që shikonin një trajler filmi. Më pas, ata rindërtonin imazhet duke përdorur teknologjinë e re. Ndërkohë që kjo është gjithçka që ata mund të bëjnë deri më sot, arritja e tyre bën që ata të jenë një hap më pranë mundësisë për të patur akses në ëndrrat e njerëzve. Kjo do të ishte një arritje edhe për të komunikuar me njerëzit që nuk mund të komunikojnë verbalisht, si për shembull me njerëzit në koma.

Në një mesatare të përgjithshme, një person sheh 1460 deri në 2190 ëndrra në vit

Pjesa më e madhe e njerëzve që janë mbi 10 vjeç shohin nga 4 deri në 6 ëndrra çdo natë. Këto shifra, po të merren në një hark kohor prej 365 ditësh japin një vlerë prej 1460 deri në 2190 ëndrra çdo vit. Ne ëndërrojmë gjatë fazës REM (që është gjumi me Lëvizje të Shpejta të Syve) që mund të zgjasë nga 5 minuta deri në 30 minuta. Gjatë natës kjo ndodh disa herë. Njerëzit mund të thonë se nuk mbajnë mend të kenë parë katër ëndrra të ndryshme brenda një nate, dhe sigurisht që nuk mbajnë mend të kenë parë mbi një mijë ëndrra çdo vit. Kjo lidhet me faktin se njerëzit harrojnë rreth 95 – 99 % të ëndrrave që kanë. Pjesa më e madhe e ëndrrave tuaja nuk ngjallin interes të mjaftueshëm që jut ë doni t’i mbani mend.

Njerëzit mund të mësojnë të kontrollojnë ëndrrat e tyre

Ekziston një mënyrë se si njerëzit mund të kontrollojnë ëndrrat e tyre, dhe kjo quhet “të ëndërruarit e kthjellët”, që nënkupton se njerëzit janë të ndërgjegjshëm për faktin se po ëndërrojnë edhe gjatë kohës që ata janë duke fjetur. Gjatë këtij lloj gjumi, njerëzit mund të ‘drejtojnë’ apo kontrollojnë vazhdimësinë e ëndrrës. Në këtë mënyrë, ata kanë aftësinë për të zgjedhur se si do të vazhdojë ëndrra e tyre. Në pjesën më të madhe të rasteve njerëzit i kthejnë makthet e tyre në ëndrra të bukura apo ëndrra ku e shohin veten duke fluturuar. Pothuajse gjysma e njerëzve raportojnë të kenë përjetuar të paktën një ‘ëndërr të kthjellët’ dhe ndërkohë që ka njerëz të tjerë që shohin ëndrra të tilla mjaft shpesh.

Origjina e frazës “Ëndrra Kapriçoze” i referohet ideve të menduara gjatë përdorimit të opiumit

Një ëndërr kapriçoze është diçka që i referohet një fantazie apo një shprese jo realiste. Fraza e përdorur lidhet me ëndrrat e para nga përdoruesit e opiumit, që ishin mjaft të përhapura gjatë sek XVIII dhe XIX. Një tjetër referencë që lidhet me këtë frazë, gjendet në Dhjetor të 1890, ku në Gjykatën e Çikagos është thënë “lundrimi ajror është cilësuar si një ëndërr kapriçoze për vite të tëra”. Gjithmonë është thënë se nëse dikush nuk është në gjendje të vërtetojë ëndrrën, ajo do të ngjajë më shumë si një ëndërr kapriçoze e një përdoruesi opiumi.

Gjatë gjumit, trupi i njeriut paralizohet

Gjatë 90 minutave të para të gjumit, njeriu kalon disa faza gjumi që renditen nga gjumi i lehtë deri në gjumë të thellë. Më pas njeriu kalon në fazën e gjumit REM (faza e gjumit me Lëvizje të Shpejta të Syve). Gjatë fazës REM, pjesët e trupit të njeriut bëhen të palëvizshme dhe paralizohen. Çlirimi i disa neurotransmetuesve të caktuar ndërpritet dhe muskujt kryesorë nuk lëvizin. Disa njerëz kanë gjumë të çrregullt gjatë fazës REM, dhe prodhimi i neurotransmetuesve nuk ndërpritet – si pasojë ata veprojnë edhe ‘jashtë ëndrrave’ të tyre. Pjesa më e madhe e ëndrrave që mbajmë mend ndodh gjatë fazës REM, pasi truri i njeriut ka aktivitet më të madh gjatë kësaj faze.

Një pajisje e quajtur “Ëndërruesi REM” lejon kontrollin e ëndrrave

Imagjinoni të mund të kontrolloni ëndrrat tuaja. Ëndërruesi REM ju afron shumë me të! Është një maskë gjumi që lejon të gjithë ata që e përdorin të jenë të ndërgjegjshëm se po ëndërron. Pajisja e arrin këtë përmes përdorimit të sensorëve infra të kuq për të identifikuar se kur njeriu është në fazën REM të gjumit, dhe më pas përdor dritë dhe zhurma për të dhënë sensin e realitetit. Kjo bën që njerëzit të jenë të kthjellët gjatë ëndërrimit.

Drita dhe zhurmat shfaqen në ëndërr në formën e dritës së diellit apo formave të tjera të dritës. Ajo që e bën interesante këtë maskë është karakteristika e saj e ‘komunikimit të dyanshëm’. Kjo lejon përdoruesin të sinjalizojë maskën që ai është bërë i ndërgjegjshëm, në mënyrë që maska të mos dërgojë më shenja të tjera. Maska lejon rregullimin e intensitetit, frekuencës dhe kohëzgjatjes së zhurmave dhe dritës që prodhohen, për tu përshtatur me ndjeshmërinë e ndryshme të njerëzve.

Të zgjohesh dhe të flesh sërish pas një makthi mund ta shndërrojë atë në një ëndërr të këndshme

Duket si diçka pa kuptim, por në fakt është e vërtetë. Të zgjohesh dhe të flesh sërish pas një makthi është një metodë e përhapur për t’u zgjuar nga një ëndërr e pakëndshme, apo për të ndryshuar skenarin e një ëndrre të pakëndshme. Ekziston një ‘udhëzues’ se si duhet të realizohet kjo. Mund të kërkojë pak kohë që të mësohet, gjithashtu kërkon të dihen disa gjëra përpara se të bëhet. Ajo ndonjëherë mund të shkaktojë ‘zgjim të rremë’ kur njerëzit mendojnë se janë të zgjuar por ndërkohë vazhdojnë të ëndërrojnë. Është e rëndësishme të mendohet mbi një ëndërr të re ‘arratisëse’ të cilën do ta ëndërroni kur të flini sërish, në të kundërt nuk do të ndodhë asgjë. Ndonjëherë një ëndërr është aq e frikshme sa që arrin t’i zgjojë njerëzit.

Salvador Dali zgjohej qëllimisht në momentin që binte të flinte me qëllim që të pikturonte imazhet surreale që shihteEndrra, pikture nga Salvador Dali

Pjesa më e madhe e njerëzve e konsiderojnë Salvador Dalin si babain e artit surreal. Arti i tij përqendrohet pranëvënien, renditjen dhe përshkallëzimin e objekteve. Piktura më e famshme e tij, Qëndrueshmëria e Kujtimeve, gjithmonë lidhet me figurën e tij. Surrealizmi është përdorimi i imazheve të ëndërruara, apo sipas përkufizimit, një imazh që është ‘surreal’.

Imazhet dhe imagjinata e Dalit ishin shumë të gjalla dhe të egra sa që pjesa më e madhe e njerëzve shpeshherë kanë pyetur se si ai arrinte të krijonte një art të tillë. Metoda që përdorte: Vendoste një pjatë në dysheme dhe ulej në një karrige, duke mbajtur në dorë një lugë. Në momentin që binte në gjumë, luga rrëzohej dhe përplasej me pjatën duke e zgjuar nga gjumi dhe duke patur në mendje imazhet e freskëta. Logjika e artit të tij ishte sjella e mendimeve të së pandërgjegjshmes në nivel të ndërgjegjshëm.

Jo të gjitha ëndrrat janë me ngjyra

Ndërkohë që rreth 80 % e ëndrrave janë me ngjyra, ekziston një përqindje e vogël njerëzish që deklarojnë se ëndërrojnë vetëm bardh e zi. Në studime të ndryshme, ku ëndërruesit janë zgjuar nga gjumi dhe u është kërkuar të zgjedhin ngjyrat nga një grafik ngjyrat që kanë parë në ëndërr, ngjyrat e lehta dhe të zbehta ishin më të përzgjedhurat. Sipas një studimi të publikuar në 2008, njerëzit nën moshën 25 vjeçare kanë raportuar raste të rralla të të ëndërruarit në bardh e zi, ndërkohë që ata mbi moshën 55 vjeçare kanë deklaruar se ëndërrojë bardh e zi në rreth ¼ e ëndrrave që shohin.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME