Është ndarë dje nga jeta, në moshën 98-vjeçare, Rita Marko, njëri prej liderëve të rëndësishëm të regjimit komunist, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë.
Marko ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më besnik të diktatorit Hoxha, që u ka mbijetuar të gjitha goditjeve brenda kupolës komuniste, falë përshtatjes me qëndrimin represiv të kreut të regjimit, shkruan Panorama.
I ardhur në drejtimin e Partisë nga radhët e drejtuesve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte ndër të rrallët byroistë që e mbylli karrierën politike me shembjen e sistemit komunist, ndërkohë që pjesa më e madhe e kolegëve të tij mbetën viktima të diktaturës komuniste.
Rita Marko u lind në Dishnicë të Korçës, më 17 shkurt 1920 dhe u anëtarësua në Partinë Komuniste në vitin 1942. Gjatë luftës shërbeu si komisar i Brigadës së Dytë Sulmuese dhe komisar i Brigadës së Tetë të Mbrojtjes Popullore. Në vitin 1950 u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor.
Nga viti 1966 deri në vitin 1976 kreu detyrën e zëvendëskryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga korriku 1950 deri në mars 1951 shërbeu si ministër i Industrisë. Në periudhën 1970-1982 ka qenë president i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Në prill të vitit 1950, ai u bë kandidat i Komitetit Qendror të Partisë dhe në Kongresin e Dytë të Partisë, në vitin 1952, u zgjodh anëtar i KQ.
Në Kongresin e Tretë të Partisë në vitin 1956 u zgjodh anëtar i Byrosë Politike. Shërbeu si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në rrethin e Korçës nga viti 1949 deri në vitin 1950. Në mars 1951 u bë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë.
Fundi i regjimit komunist e gjeti në pension pas dorëheqjes nga të gjitha funksionet në fundin e viteve ‘80. Në dhjetor të vitit 1991, bashkë me disa liderë të tjerë të PPSH-së, u dënua me 8 vjet burg, me akuzën për shpërdorim të detyrës.
U lirua në korrik të vitit 1995. I tërhequr nga jeta publike prej vitesh, Marko nuk pranoi asnjëherë interesimin e medies për të hedhur dritë mbi bëmat e regjimit komunist në Shqipëri.