Studiuesi i historisë bizantine, Peter Schreiner, zgjodhi të trajtonte një çështje me rëndësi për shqiptarët, duke sjellë në vëmendje rolin e Shqipërisë në periudhën bizantine por e zhvendosur në kohë, në një moment kur vendi ynë ndodhet më pranë Evropës.
Në konferencën albanologjike kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Schreiner mbajti ligjëratën e tij me këtë rast, duke dhënë mesazhe të rëndësishme për vendin tonë dhe aspiratën drejt Bashkimit Evropian.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ai u shpreh se “jam shumë i surprizuar kur mora ftesën për këtë konferencë me tematikë linguistike të historisë së Shqipërisë sepse nuk jam albanolog, jam bizantolog dhe zgjodha një temë nga fusha ime e studimeve bizantine dhe do të flas për Shqipërinë dhe shqiptarët sipas burimeve bizantine.
Kjo është një temë për të cilën mbase është folur edhe më parë, por nuk ka deri tani një shije kritike, kjo është hera e parë që po vendos bashkë rëndësinë e këtyre burime për historinë dhe kulturën shqiptare”.
Ai e konsideroi nder ftesën e bërë institucionalisht për të qenë protagonist në këtë konferencë ndërsa vlerësoi përparimin e Shqipërisë në aspektin socio-kulturorë. Për herë studiuesi gjerman ka ardhur në vendin tonë në 1989, për t’u rikthyer sërish në këtë konferencë me rëndësi shkencore.
Në këtë pikëpamje konferenca është e një rëndësie të madhe pasi mbledh gjithë këto mesazhe që janë të një rëndësie të madhe për kulturën e Shqipërisë, mbi të gjitha në një moment që Shqipëria po i afrohet Europës, Perëndimit.
“Për mua është një nder të jem këtu. Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri, pasi kam ardhur për herë të parë në vitin 1989, në një moment kritik të politikës shqiptare, nën regjimin e vjetër, por e përjetova Shqipërinë edhe në momentet pas Enver Hoxhës. Kam qenë dy vite më parë, Shqipëria ka ndryshuar plotësisht, me këtë zhvillim të vazhdueshëm dhe shumë mbresëlënës për mua”, përfundoi studiuesi Peter Schreiner.
Konferenca albanologjike vijon të ngjalli interes nga profesorë, studiues të huaj dhe shqiptarë mbi tema, fakte dhe dokumente të padiskutuara më parë të cilat vijnë si risi për vitin mbarëkombëtar të heroit tonë, Skënderbeut. Kjo konferencë na sjell figurën e heroit, si mit, real dhe hero simbol jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë botën.
ATA