SHQIPTARËT DHE SHQIPËRIA SIPAS DORËSHKRIMEVE QË RUHEN NË BIBLIOTEKËN APOSTOLIKE E VATIKANIT
Pasuria Shqiptare në Vatikan
Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë për historinë e krishterimit, dhe ndoshta më e pasura në botë për sa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politik-administrativë.
Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishterimin e këtyre trojeve. Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shkruara që nga shek. XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për një studiues që të punojë i papenguar nga burokracitë institucionale me një material të tillë burimor dhe sekondar, pa llogaritur pastaj kënaqësinë që mbart me vete zbulimi i një dorëshkrimi apo inkunabule të shfrytëzuar pjesërisht ose të pashfrytëzuar që mund të dhurojë puna me dorëshkrimet që ruhen në këtë bibliotekë.
Deri më 1 janar të vitit 1996, Biblioteka Apostolike e Vatikanit zotëronte 1, 600.000 libra të botuar, 8.300 inkunabula (nga të cilat 65 janë të shtypur në vellum, pergamenë), 150.000 vëllime dorëshkrimesh, 100.000 shtypshkrime dhe gravura, 300.000 monedha dhe medalje, dhe rreth 20.000 objekte arti.
Si u grumbullua kjo pasuri e paçmuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit?
Koleksione librash në Romë ose Vatikan kanë ekzistuar që prej antikitetit, por ato përdoreshin ekskluzivisht nga papët dhe nga Kuria, dhe ishin të mbyllura për publikun e gjerë. Në përgjithësi, ekzistenca e këtyre koleksioneve është bërë e njohur nga referenca të gjendura aty-këtu. Megjithatë, biblioteka e papës Bonifaci VIII (Benedetto Caetani, 1294-1303), katalogu i të cilit u hartua në vitin 1295, është mjaft e famshme, ashtu siç është edhe biblioteka e Avinjonit, e cila pjesërisht u transferua në Romë nga Gregori XI (Pietro Roger de Beaufort, 1370-1378) në vitin 1377.
Papa Nikolla V (Tommaso Parentucelli, 1447-1455), humanist dhe pronar i një koleksioni jashtëzakonisht të madh, ishte i pari që duke përdorur edhe koleksionin e tij privat vendosi të hapte një bibliotekë publike në Vatikan. Biblioteka filloi me 350 dorëshkrime latine, që deri në atë kohë ishin përdorur kryesisht për nevojat e Kurisë Papnore, të cilave iu shtua dhe biblioteka personale e papës, në të cilën përfshiheshin shumë vëllime që ai kishte blerë, kopjuar apo dhuruar. Madhështia e kësaj sipërmarrjeje mund të shihet nga inventari i përpiluar me rastin e vdekjes së këtij pape, ku janë regjistruar rreth 1.500 kodikë.
Iniciativa e Nikollës V, u përkrah nga pasardhësit e tij, dhe veçanërisht nga papa Siksti IV (Francesco della Rovere, 1471-1484), i cili i dha bibliotekës formën juridike me bulën Ad decorem militantis ecclesiae të 15 qershorit 1475. Ai gjithashtu bëri një zgjerim të bibliotekës dhe caktoi një fond të ardhurash fikse për të. Në të njëjtën bulë, ai emëroi edhe bibliotekarin e parë, i cili ishte Bartolomeo Patina, gjithashtu edhe prefekt i bibliotekës. Si ndihmës iu dhanë tre asistentë dhe një libralidhës.
Vendi i tyre i punës i kishte dritaret mbi oborrin e Belvederes, dhe përbëhej nga katër dhoma të zbukuruara me afreske të pasur. Këtu ruheshin edhe dorëshkrimet greke, latine dhe shumë nga kodikët më të çmuar. Në atë kohë ishte e mundur që librat të huazoheshin dhe për këtë dëshmojnë regjistrat e ruajtura nga vitet 1475-1547. Brenda një kohe shumë të shkurtër, nga viti 1475-1481, numri i dorëshkrimeve u rrit aq shumë (nga 2.527 në 3.500) saqë lindi nevoja për hapësira të reja për to, dhe këto hapësira u dhuruan nga papa Gjulio II (Giulianno della Rovere, 1503-1513). Megjithatë shpejt pas kësaj ndodhi fatkeqësia e madhe e plaçkitjes së Romës (1527) dhe koleksionet e Vatikanit u dëmtuan shumë nga kjo plaçkitje, ndërsa duhet theksuarkëtu se një pjesë tepër e madhe dorëshkrimesh dhe librash qoftë në gjuhën shqipe, qoftë që kishin të bënin me Shqipërinë dhe shqiptarët u zhdukën përgjithmonë.
Midis viteve 1587-1589, papa Siksti V (1585-1590) porositi Domenik Fontanën të ndërtonte Sallonin Sistina, ku vëllimet e ruajtura në kabinete posaçërisht të ndërtuar për to, ndenjën deri në kohën e papa Leonit XIII (1878-1903). Salloni Sistina është një sallë e madhe 70 m e gjatë e 15 m e gjerë, e zbukuruar me afreske te shumta dhe me dy nishe. Kabinetet e mbështetura në mur dhe rreth e rrotull shtyllave, në të cilat ruheshin dorëshkrimet, mund të shihen edhe sot e kësaj dite, megjithëse kjo sallë tani i përket muzeut të Vatikanit.
Në kohën e Palit V (Camillo Borghese, 1605-1621), u vendos që dokumentet arkivore të bibliotekës të ruheshin në një vend të veçantë, por fqinj. Në këtë mënyrë u krijua edhe Arkivi Sekret i Vatikanit. Duhet theksuar që sot Arkivi i Vatikanit (Arkivi Sekret) është një institucion i ndarë dhe i pavarur nga biblioteka, me prefektin dhe stafin e tij.
Në shek. XVI, Biblioteka e Vatikanit, e cila në atë kohë ishte më e madhja bibliotekë e botës perëndimore, vazhdoi të rriste koleksionin e saj të dorëshkrimeve, falë shumë blerjeve dhe dhurimeve. Rreth fundit të shekullit, kardinali Guiglielmo Sirleto, i dhuroi koleksionin personal bibliotekës, dhe gjesti i tij u ndoq nga kardinali Antonio Carafa në vitin 1591. Pas kësaj, karakteri humanist i bibliotekës, u pasurua me kalimin e shekujve nga shumë dhurime të rëndësishme si p.sh. Biblioteka Palatine e Heidelbergut (1623), dorëshkrimet e dukës së Urbinit (1657), dorëshkrimet e mbretëreshës Kristina të Suedisë (1690). Papa shqiptar Klementi XI (Giovanni Francesco Albani, 1700-1721) iu drejtua kryesisht lindjes për të pasuruar bibliotekën në fjalë, dhe themeloi një koleksion të pasur oriental, kryesisht me vëllime të sjella nga Siria dhe Palestina, por edhe Shqipëria. Ai u përpoq që të mblidhte edhe dorëshkrimet shqiptare dhe t’i ruante në këtë bibliotekë, por për fat të keq kjo iniciativë e tij u shoqërua me një fatkeqësi të madhe për ato dorëshkrime, të cilat nuk arritën kurrë të shkonin në Itali, ngase në forma të ndryshme ato u penguan për të arritur në destinacionin e duhur. Psh. një pjesë e mirë e tyre u shit, një pjesë tjetër humbi pa gjurmë, siq ishte rasti me një qerre të mbushur plot me dokumenta dhe dorëshkrime origjinale që u mbyt në lumin Drin, etj. etj.
Në shek. XVIII, koleksionet e Markezit Alessandro Giorgio Capponi (1746) dhe papa Aleksandri VIII (Pietro Ottoboni, 1689-1691) shtuan koleksionit me emrin e familjes Ottoboni (1748). Gjatë kësaj periudhe, filloi edhe një projekt për të publikuar një katalog të plotë të koleksioneve të dorëshkrimeve. Nuk ishte mbaruar akoma, kur një zjarr në vitin 1768 shkatërroi variantin e punës së vëllimit të katërt dhe kopjet e tre vëllimeve të parë, ku ndër të tjera, pothuajse ishin indeksuar të gjitha dorëshkrimet që kishin të bënin me Shqipërinë ngase katalogu kishte renditje alfabetike.
Në vitin 1797 dhe 1809, trupat e Republikës Franceze, dhe më vonë ato të Napoleonit, e transferuan një pjesë të madhe të dorëshkrimeve dhe pasurive të tjera të bibliotekës në Paris, të cilat u kthyen pas Kongresit të Vjenës (1815), por me shumë dëme dhe humbje.
Koleksionet e librave të botuar u pasuruan në vitin 1855 nga koleksionet Cicognara, që kryesisht përfshinte libra mbi artin dhe antikitetin. Nga viti 1891 e tutje, duke filluar me dorëshkrimet Borghese, bibliotekës iu shtuan shumë koleksione të tjera kryesisht dorëshkrimesh si fondi Barberini (1902), Chigi (1923), Ferrajoli (1926), arkivat Rospigliosi (1926) dhe Caetani (1935), si dhe arkivat e Kapitullit të Shën Pjetrit (1940) dhe koleksioni Patetta (1945). Vitet e fundit janë shtuar edhe koleksionet persiane dhe etiopiane të Cerulli-t, dhe koleksioni etiopian Raineri.
Në kohën e Leonit XIII (Gioacchino Pecci, 1878-1903), filloi një proces modernizimi. I filluar tashmë nga Kardinali Jean-Batist Pitra, i udhërit të Benediktinëve, puna u udhëhoq nga prefekti (më vonë Kardinali bibliotekar) Franc Ehrle S. J., i cili hapi sallën e sotme të leximit, për librat e shtypur (Sala Leonina) dhe luajti një rol vendimtar për adaptimin e rregullave të detajuara për katalogizimin e botuar të dorëshkrimeve, që akoma është në përdorim sot. Janë rreth 400 vëllime vetem me katalogë librash.
Katalogu i librave të botuar u kodifikua shpejt pas luftës me titullin “Norme per il catalogo degli stampati” i cili është ribotuar disa herë dhe është përkthyer edhe në gjuhë të ndryshme.
Sot Biblioteka e Vatikanit është një bibliotekë kërkimesh shkencore, me koleksione të mëdha të famshme në të gjithë botën, veçanërisht përsa i përket fushës së shkencave humane dhe shoqërore, por edhe të tjerave. Të gjithë librat, duke filluar që nga ato të shek. XVI-të janë në rafte të hapura për përdorim të lirshëm nga ana e studiuesve, dhe janë të organizuara kryesisht sipas emrave të shteteve, dmth., rendit alfabetik dhe brenda për brenda tyre edhe sipas provincave apo sipas subjekteve më të rëndësishme. Përveç këtyre janë edhe ndarjet e mëdha sipas fushës, ndër të cilat më të rëndësishmet janë seksionet e paleografisë dhe papirologjisë, heraldikës e epigrafisë, artit e arkitekturës, hagjeografisë e vjetarëve pontifikë, biografive e bibliografive, e së drejtës kanonike dhe e së drejtës civile, seksionet e koncileve, urdhërave fetarë, patrologjisë e shkrimeve të shenjta, historisë kishtare, por edhe historisë së përgjithshme, teogjisë e filozofisë, studimeve të ipeshkvive, manastireve, papëve e kardinalëve, orientit e bizantit, letërsisë greke e latine, mesjetare e paramoderne etj. etj.
Sigurisht që nuk mungojnë as leksikonet, enciklopeditë, dhe fjalorët më me emër të të gjitha kohërave, në të gjithë vëllimet e tyre seriale, si Fjalori historiko-eklesiastik i Moronit (nga vitet 1840-1861), Enciclopedie d’Islam, Enciclopedia Dantesca, Lexicon des Mittelalters, etj. etj. dhe deri tek botimi i vitit 2003 i The New Catholic Encyclopedia. Ndër fjalorët e të gjitha vendeve dhe kohërave, një vend mjaft të rëndësishëm zënë edhe ato të gjuhëve orientale.
Brenda përbrenda këtyre gjenden koleksione që rrallë mund të gjenden në ndonjë vend tjetër në formë kaq të plotë. Kështu seri të tilla monumentale si: Acta Praedicatorum, Acta Salmanticensia, Acta Sanctorum, Annales de Literature, Annales Ecclesiastici, Annales Ecclesiastique, Basilicon, Bullarium Franciscanorum, Bullarium Praedicatorum, Bullarium Romanorum, Codex Diplomaticus, Codex Theodosianus, Codicem Juris Canonici Orientalis.Corpus Juris Canonici, Du Cange, Fontes Pontificia Commissio ad redigendum,Illiricum Sacrum, Lequin, Monumenta Germaniae, Monumenta Ragusina, Monumenta Slavorum, Muratori, Patrologia Latina dhe Patrologia Graeca, Tabula Peuntigeriana,Theiner, etj. etj. të gjitha janë të plota dhe në rafte të hapura, për përdorim të lirë, ku ndër të tjera, pjesa dërmuese ka të dhëna për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Ndër librat që janë ekskluzivisht për historinë e Shqipërisë, janë veprat e Barletit; 25 vëllimet e Valentinit (Acta Albaniae Veneta), përveç Acta Albaniae Juridica, dhe Saggio di un Regesto Storico dell’Albania, të punuar bashkë me Fulvio Cordignano, veprat e Thalloczy-t, Jirecek-ut, Theineri-t, Ughello-s dhe Šufflay-t: Acta e Diplomata Res Albaniae illustrantis, si dhe studimet e tyre në Illyrisch-albanische Forshungen, Studimet e Borgia-s, të Hahn-it, të Petrott-ës, të Almagia-s, të Fulvio-s, të Tacchella-s, etj. etj.
Në serinë Studi e Testi që sponsorizohet dhe botohet nga vetë Biblioteka Apostolike e Vatikanit, botohen herë pas here edhe studime që kanë lidhje me Shqipërinë si psh. studimi i Matteo Sciambrës për doktrinën e krishterë të përkthyer nga Lukë Matranga, apo ribotimi dhe transkriptimi i Mesharit të Buzukut nga Namik Resuli. Po ashtu është edhe përmbledhja me dokumente latine Acta Albaniae Vaticana i Igantius Parrinos, etj.
Salla e periodikëve përfshin të gjithë periodikët më me zë në botë, duke filluar që nga periodikët e vjetër të École Française de Rome si: Acta orientalia, Analecta Bollandiana, Archivio storico della Calabria, Archivio Storico per la Dalmazia, Ars islamica, Beihefte zur mittelateinischen Jahrbuch, Biblioteca orientalis, Bibliotheque de l’ecole de Chartes, Oriens Christianus, Rivista degli studi orientali, Bolletino di studi latini, Bulletin du Cange, Revue du Moyen age latin, Byzantinische Archiv, Byzantinische Forschungen, Byzantinische Zeitschrift, Civilta Cattolica Archiv für literatur und Kirchengeschichte des Mittelalters,Civilta classica e Cristiana, Classica et mediaevalia, Croatica Christiana periodica, Medieval and renaissance studies, Mélanges d’archéologie et d’histoire, Melanges de l’ecole francaise, Mitteilungen zur geschichte der Medizin, Oientalia Christiana analecta, Orientalia christiana periodica, Revue d’Histoire ecclesiastique, Rivista di studi bizantini e slavi, Rivista Storica Calabrese, Studien und mitteilungen aus dem Benedictiner und dem Cisterciensen Orden,The journal of medieval latin, Zeitschrift für slavische Philologie, e shumë e shumë të tjerë, ku ka me mijëra studime e artikuj që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose indirekte me Shqipërinë.
Ndër perlat e vërteta të kulturës shqiptare në sallën e periodikëve mund të konsiderohen pa frikë: Lajmtari i Zemers s’Jezu Krishtit, që filloi të botohet në vitin 1891, në Shkodër; Shejzat po ashtu janë të ruajtura kompletë në dy seri, në këtë bibliotekë; Shpirti Shqiptar që ka filluar të botohet që nga viti 1954; Rivista d’Albania, e drejtuar nga Francesco Ercole dhe e botuar në Milano që nga viti 1940 deri në vitin 1943 dhe shumë revista të tjera. Katalogu i librave të botuar mund të kontrollohet edhe online që nga viti 1985, kurse katalogët e botuar dhe ribotuar, indekset e shtypur dhe inventarët me shkrim dore mund të kontrollohen vetëm duke qenë prezent në bibliotekë dhe në dhomat përkatëse të saj.
Fondet e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
Fondi Vatikani Latini është më i vjetri, dhe në të gjenden shumë dokumente për Shqipërinë, sidomos përsa i përket vizitave apostolike të shekujve pesëmbëdhjetë e në vazhdim.
Fondi Alexandrin, Fondi Barberini, Fondi Borghesiana, Fondi Borgia, Fondi Capponiana, Fondi Chigi, Fondi Ferraioli, Fondi Jean-François de Rossi, Fondi Ottoboniana, Fondi Palatin, Fondi Urbinate, fondet e dorëshkrimeve orientale etj. etj. Secili prej këtyre fondeve ka vëllime të tëra indeksesh, me titujt e dokumentave që përmbajnë, dhe që deri më sot janë akoma të paeksploruara nga studiuesit tanë. Kështu sa për të ilustruar mund të japim disa shënime nga dokumentat që kemi gjetur në këto fonde.
Codex Ottobanianus 2536 ndër të tjera përmban edhe një dorëshkrim nga shek. XVII që është një relacion i kryeipeshkvit të Tivarit për gjendjen e krishtërimit në Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Bulgari nën sundimin turk. Codex Ottobanianus nr. 1941 sjell relacione për Shqipërinë nga shek. XVII. Në Codex Borgiani Latini nr. 749, flitet për martirizimin e Antonio Negrit, ipeshkvit të Shkodrës, më 2 shkurt të vitit 1698. Nën emrin Codex Barberini Latini nr. 3454 ruhet në formë tripleksi përkthimi në shqip i Doktrinës së Krishterë i Lekë Matrangës. Po kështu Codex Ottobanianus nr. 3154, përmban infomacione të gjendjes krishtërimit në shek. XVIII.
Me rëndësi të veçantë janë po ashtu edhe dorëshkrimet në pergamenë nga fund shekulli XV dhe fillim shekulli i XVI, të familjes së Engjëllorëve të Drishtit, pastaj ato të pasardhësve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut që jetuan në Itali, qofshin ato në formë kronikash, letërkëmbimesh apo dokumente të tjera.
Gjatë shek. XVIII u krijuan dy sesione të bibliotekës, që iu dedikuan materialeve jo-libra: u themelua koleksioni i medaljeve, ose Kabineti i Numizmatikës, (1738), i cili filloi me koleksione medalionësh romakë dhe grekë që ishin pronë e Kardinalit Aleksandër Albani (1738). Në atë kohë ky koleksion ishte i dyti në botë për nga madhësia, pas koleksionit të famshëm të mbretit të Francës.
U themelua edhe Muzeu i Artit të Shenjtë (1755), i cili që prej atëherë është plotësuar me objekte të ndryshme kryesisht të ardhura nga katakombet romane. Ky Muze më vonë u nda në një sektor tjetër që e mori emrin Muzeu i Artit Pagan (1767). Këto muze të bibliotekës tani janë pjesë e Muzeut të Vatikanit.
Koleksioni i Monedhave ose Medaljeve, i cili është një sektor i bibliotekës, zotëron koleksionin më të plotë të medaljeve dhe monedhave papnore, si dhe një ndër më të plotët përsa i përket monedhave të periudhës së Republikës Romake, kurse koleksioni i gravurave dhe i vizatimeve përfshin, përveç të tjerave, rreth 161 vëllime të lidhura më herët se viti 1793 dhe përmban rreth 42.000 gravura të renditura sipas kritereve të ndryshme, këtu do veçonim dy gravura të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pastaj gravurën e Pjetër Budit dhe atë të Pjetër Bogdanit etj. Në këto fonde ruhen një numër i madh i stemave origjinale të fisnikëve shqiptarë, p.sh. ato të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Engjëllorëve të Drishtit, Dukagjinëve, Muzakajve etj, pastaj një numër i konsideruar medalionesh dhe veçanërisht është i rëndësishëm koleksioni i monedhave, i cili përmban disa qindra monedha të panjohura fare të princërve dhe fisnikëve shqiptarë.
Në BAV ka rregulla shumë strikte, të cilat ruhet të respektohen me përpikëri nga ana e studiuesve, psh. në të gjitha sallat për shfrytëzim dhe konsultim, brenda ditës, nuk mund të futen më shumë se 200 studiues. Në sallat nuk mund të hyjnë më shumë se 200 persona. Kur kërkohet të shfrytëzohet për punë një dorëshkrim apo libër shumë i rrallë, zakonisht, shërbehet me kopje të tij, qoftë ai riprodhim anastatik, mikrofilm apo fotokopje e thjeshtë, në raste të veçanta, me leje speciale mund të konsultohet edhe origjinali, por nën kushte të larta kujdesi e sigurie si dhe nën përcjelljen e specialistëve të BAV-it gjatë tërë kohës.
Rast i tillë, psh., pas vitit 2005, është me “Mesharin” e Buzukut.
Kushtimi i vëmendjes së duhur ndaj një institucioni shkencor, dhe pasurie materiali burimor është detyrë e çdo studiuesi serioz, dhe Biblioteka Apostolike e Vatikanit është e hapur për çdo studiues (d.m.th. që ka një titull shkencor dhe të paktën disa studime dhe tituj shkencor të botuar) pa dallim feje, race, kombësie, dhe ne si studiues shqiptarë jemi mirënjohës për këto dyer që na janë hapur për të hedhur më shumë dritë mbi të kaluarën e popullit tonë në çdo aspekt të mundshëm.