Shqipëria është zgjedhur si destinacioni numër një për t’u vizituar në vitin 2018, shkruan faqja e specializuar për turizmin travellingtoptens.
Më poshtë paraqitet një përmbledhje ku përshkruhen me hollësi 10 vendet më të mira për t’u vizituar nga Tirana në Apoloni.
10 – TIRANA – Sheshi ”Skënderbej”
Lista jonë fillon me kryeqytetin magjepsës të Tiranës.
Ky është vendi ku shumica e vizitorëve mbërrijnë në Shqipëri si rezultat i vendodhjes së aeroportit. Megjithëse nuk shfaq aq shumë interes për udhëtarët sa mund të shfaqin disa qytete të tjera të Shqipërisë, ende ia vlen të shpenzosh disa ditë duke zbuluar Tiranën. Tirana është një vend miqësor, mikpritës me një atmosferë relaksuese, ku mund të gjeni disa nga restorantet, dyqanet dhe tregjet më të mira. Gjendet një lokal që rrotullohet i njohur si “Sky Tower” që ofron pijet më të mira me një çmim të përballueshëm dhe pamje të bukura të qytetit.
Vendet që rekomandohen për t’u vizituar në Tiranë përfshijnë xhaminë e Et’hem Beut, kullën e Sahatit dhe Bllokun, që gjatë periudhës komuniste janë përdorur vetëm nga zyrtarët e qeverisë. Gjithashtu, mund të vizitoni Piramidën, që u ndërtua gjatë periudhës komuniste. Pamja më e qartë e kryeqytetit mund të shihet nga mali i Dajtit. Ju mund të shkoni atje më këmbë ose me anë të teleferikut. Maja më e lartë e malit paraqet një pamje fantastike të Tiranës.
9 – GJIROKASTRA
Gjirokastra është një nga disa qytetet më të lashta në Shqipëri. I përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ju mund të shkoni në këtë qyetet me autobus duke u nisur nga të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Arsyeja kryesore pse qyteti i Gjirokastrës duhet vizituar është mundësia për të eksploruar vendet historike brenda tij. Këto përfshijnë, Pazarin e Vjetër, shtëpitë historike otomane, kishat dhe xhamitë e vjetra dhe Kalanë e Gjirokastrës. Kalaja e Gjirokastrës ia vlen të vizitohet, e përfshirë në Muzeun Kombëtar të Armatimeve , ai paraqet një pamje të shkëlqyer të armëve pas Luftës së Dytë Botërore. Për të realizuar një vizitë më të plotë në qytetin e lashtë të Gjirokastrës ju duhet të vizitoni muzeun e Luftës së Ftohtë. Ky muze ndodhet në një bunker nëntokësor që është ndërtuar për të ruajtur sigurinë e qeverisë komuniste në raste lufte. Gjatë qëndrimit tuaj në Gjirokastër, ju nuk duhet të largoheni pa provuar gatimin tradicional vendas, qifqi. Pëbërësit e kësaj pjate janë veza, orizi dhe erëzat.
8 – APOLONIA
Apolonia është një qytet antik që u themelua në vitin 588 para Krishtit, dhe vazhdon të ruhet në gjendje shumë të mirë. Apolonia ndodhet mbi një kodër rreth 12 kilometra nga qyteti i Fierit. Apolonia është e rrethuar me një mur rreth kater kilometra i gjatë. Gërmadhat përfshijnë një kishë, manastir dhe një teatër. Edhe pse nuk gjenden shumë objekte në këto gërmadha , shumë pranë ju mund të vizitoni një muze të shkëlqyer , që ndodhet në një manastir të shekullit XIII.
7 – VLORA
Vlora është një nga qytetet më të njohura bregdetare të Shqipërisë dhe një destinacion turistik jashtëzakonisht popullor. Arsyeja kryesore pse duhet të vizitoni Vlorën është se ky qytet ofron një nga plazhet më të bukura në vend. Plazhet e bukura shtrihen rreth disa kilometra përgjatë bregdetit dhe njihen si më të mirët në Ballkan. Megjithatë, Vlora përveç bregdetit të mrekullueshëm përfshin gjithashtu një numër të konsiderueshëm vendesh historike për t’u vizituar si kështjella e Kaninës, manastiri i Shën Mërisë dhe teatri Antik i Orikumit. Gjithashtu , Vlora njihet për gatimet e saj tradicionale . Ushqimet e detit konsiderohen si më të mirët në Shqipëri.
6 – BERATI
Berati është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë dhe periudhës otomane në Europë. Berati është një qytet i vogël që mund të eksplorohet lehtësisht më këmbë. Berati iu ofron shëtitje të mahnitshme në rrugët antike dhe të bukura të qytetit dhe një atmosferë relaksuese. Edhe pse i vogël, Berati është qyteti vendeve më të rëndësishme historike. Më e njohur është Kalaja e Beratit, që daton në shekullin e 13-të, duke përfshirë disa kisha dhe xhami të epokës otomane. Për ata që kërkojnë të bëhen pjesë e aventurave, ky qytet ofron sportin e rafting përmes kanioneve të lumit të Osumit.
5 – PARKU KOMBËTAR I LURËS
Ky park i përfshirë në listën e 10 vendeve më të mira për t’u vizituar në Shqipëri është një nga vendet më fantastike dhe me një bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Parku shtrihet përreth malit Kurona e Lurës, dhe është i famshëm për 12 liqenet e tij akullnajore. Nëse e vizitoni parkun në verë, ju mund të shihni “Liqenin e Luleve” plot me zambakë të bardhë. Në parkun kombëtar të Lurës gjenden disa nga kafshët më të rralla në vend si ariu i murrmë europian, rrëqebulli dhe ujku euroaziatik. Gjithashtu, ju mund të eksploroni parkun duke ecur më këmbë.
4 – DURRËSI
Durrësi është një nga qytetet historike dhe porti më i rëndësishëm në vend që lidhet me Italinë me anë të trageteve. Durrësi është një qytet i bukur për t’u shëtitur me një atmosferë relaksuese dhe një numër vendesh historike për t’u vizituar. Vendet me tërheqëse për t’u vizituar në Durrës përfshijnë, Amfiteatrin më të madh në Ballkan, Murin e Lashtë të qytetit dhe Kullën Veneciane të shekullit të 16-të. Qyteti i Durrësit është një destinacion turistik popullor me disa nga plazhet më të mira për të pushuar pranë detit. Plazhi i Lalzit dhe Golemit janë dy nga më të njohurit. Gjithashtu, në qytetin e Durrësit gjendet një punishte vere. Punishtja e verës “Kokomani” që ofron guida turistike dhe është një mënyrë e shkëlqyer për të kaluar pasditen. Pas disa ditësh duke marrë rreze dielli, në mbrëmje ju mund të ecni në shëtitoren fantastike të Durrësit. Nëse jeni duke kërkuar një vend për të ngrënë atëherë bar-restorant ”Kajser” është vendi i duhur që ofron një pamje të mrekullueshme të Durrësit.
3 – SHKODRA
Shkodra është qyteti i katërt më i madh i Shqipërisë. Shkodra është një qytet i lashtë dhe vendrrethimi i famshëm ku Perandoria Osmane humbi rreth 30 000 luftëtarë. Arsyeja kryesore për të vizituar Shkodrën është se vizitorët mund të praktikojnë çiklizmin. Qyteti i Shkodrës konsiderohet si kryeqyteti biçikletave të Shqipërisë, për shkak të terrenit të tij të sheshtë dhe kompaktësisë së zonës urbane. Një nga mënyrat më thjeshta për të eksploruar qyetetin është duke marrë me qira një biçikletë për një ditë. Vendi më i bukur në Shkodër është kështjella mbresëlënëse por edhe kërcënuese që paraqet gjithë panoramën e qytetit. Kalaja e Rozafës u ndërtua nga ilirët dhe rindërtuar nga banorë të ndryshëm, si osmanët ndër viteve, duke u mbajtur në një gjendje të mirë. Kalaja e Rozafës ofron pamje fantastike të qytetit dhe përfshin një muze të shkëlqyer. Në Shkodër mund të vizitoni edhe vende të tjera të rëndësishme si, Muzeun Historik të Shkodrës , Katedralen e Shkodrës dhe Muzeun e Dëshmisë dhe të Kujtesës së Krimeve të Komunizmit. Ky i fundit është një muze mbresëlënës mbi krimet e regjimit komunist shqiptar. Gjithashtu aty pranë ndodhet një nga liqenet më të mëdhenj në Ballkan , Liqeni i Shkodrës.
2 – ALPET SHQIPTARE
Alpet mahnitëse shqiptare. Shqipëria është e famshme për malet e saj piktoreske që përfshijnë Alpet Shqiptare. Destinacioni kryesor turistik për të vizituar Alpet Shqiptare është fshati i mrekullueshëm i Thethit. Ky fshat i vogël është kampi i përkryer për udhëtarët të cilët dëshirojnë të eksplorojnë malet e larta të Thethit, Bogës, Razmës dhe Vermoshit. Ujëvara pranë fshatit të Thethit konsiderohet si një nga pamjet më të bukura të Shqipërisë. Ju mund të shpenzoni disa javë duke eksploruar Alpet shqiptare. Çdo cep në këtë zonë , ka një pamje të mahnitshme, perfekte për përdoruesit e Instagram-it. Gjithashtu, një vend i veçantë për t’u vizituar është fshati i Razmës, që ofron qindra shpella për të eksploruar.
1 – BUTRINTI
Butrinti zë vendin e parë në listën e 10 vendeve më të mira për t’u vizituar në Shqipëri. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është një vend mahnitës për t’u vizituar. Butrinti është një nga xhevahirët e fshehur të Shqipërisë që ndodhet pranë qytetit të vogël të Sarandës. Qyteti i Sarandës është një vend i shkëlqyer për t’u vizituar që ofron një atmosferë mesdhetare relaksuese. Megjithatë, Butrinti meriton të jetë një nga vendet më të famshëm në botë. Butrinti është një park kombëtar i vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Vendi ka qenë i banueshëm që në periudhën parahistorike. Butrinti është një qytet i lashtë i banuar nga grekët dhe më vonë nga një koloni romake. Ai konsiderohet si një nga qytetet më të mëdha mesdhetar, por kryesisht i panjohur nga turistët. Ekzistojnë një numër i caktuar vendesh të rëndësishme arkeologjike dhe gërmadhash të vendosura brenda mureve të Butrintit ku përfshihen, një amfiteatër dhe tempull romak i përbërë nga një dysheme mbresëlënëse mozaiku, e konsideruar si bazilika e dytë më e madhe bizantine dhe një portë e gdhendur bukur dhe gërmadha të tjera arkeologjike.