Tërë viti 1967 ka qenë për shqiptarët një i ngjashëm me përsëritjen e një përmbysjeje sociale. U quajt atëherë “revolucion kulturor”. Siç doli më pas, qe një variant i ndikuar edhe prej atij kinez, maocedunian.
Kataklizma shoqërore ndodhi që në janar, kur të rinjtë e gjimnazit durrsak “Naim Frashëri” (vetvetiu siç thonë një palë, të komanduar siç këmbëngul një grup tjetër), shpallën nismën “Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besëtytnitë, zakonet prapanike”. Më 6 shkurt Enver Hoxha u hodh në veprim dhe lëshoi në publik silurën e fjalimit “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”.
Dy ditë më vonë “Zëri i Popullit” i dha mbështetje iniciativës së gjimnazistëve të “Naim Frashërit”. Në titullin e editorialit të saj politik redaksia e gazetës së Komitetit Qendror të PPSH-së përdori termin “shpatë e mprehtë”. Pikërisht kjo, shpata me teh të mprehur mirë, e cila pas vitit 1944 ishte përdorur ndaj “armiqve të klasës”, do të fishkëllente këtë herë mbi kokat e “ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike”. Kështu qe shpallur një luftë totale, në thelb mjaft e çuditshme dhe e jashtëzakonshme, e paformuluar kurrë më parë në ndonjë rresht të doktrinës së Marksit dhe të Engelsit, madje as të Leninit dhe po ashtu Stalinit. Kjo do të qe vetëm e Enver Hoxhës.
Objektivi i saj: Shqipëria do të shndërrohej në vendin e vetëm në botë pa asnjë institucion fetar. Ndërkohë në 6 shkurt 1967 besimtarët myslimanë kishin një rrjet shumë të dendur xhamish. Mes qyteteve kampione qe Dibra me 122 të tilla. Kishat katolike numëronin vetëm në Shkodër 67, kurse ato ortodokse në Korçë kulmonin në 122. Më tërësisht gjithë vendi kishte 2172 faltore, ku xhami qenë 740, kisha ortodokse dhe manastire 609, kisha katolike 158.
Ndërkohë 530 ishin teqe, turbe dhe mekame. Klerikë që ushtronin profesionin e hoxhës apo të priftit qenë 912. Purga e madhe revolucionare zgjati 6 muaj. Në 30 gusht 1967 aparati i Komitetit Qendror të partisë së vetme në pushtet, PPSH, bëri një bilanc. Gjithçka qe kthyer në zero, faltore dhe klerikë, besimtarët, gjithashshëndeti një gjimnazist durrsak, i cili në periferi të qytetit jo vetëm mori kazmën për të shkatërruar një kishë, por edhe e tërhoqi zvarrë priftin. Shehu në një rast tjetër pati telefonuar Ramiz Alinë që t’i hyhej me kazma xhamisë së Ethem Beut në qendër të Tiranës, pranë Kullës së Sahatit.
Sipas tij, ajo duhej të shembej. Alia kërkoi kohë t’i telefononte Enver Hoxhës dhe ky e ndaloi prerë çdo dhunim të ndërtesës së asaj xhamie. Por kur Mehmet Shehu në ditën e parë të shpërthimit të nismës “shpatëmprehtë” kundër fesë dhe institucioneve të saj u rikthye në mbrëmje në shtëpi, e ëma, Sulltana, gati iu hodh në fyt: Po me xhamitë ç’patët? Atëherë kryeministri, i cili nuk guxoi t’ia kthente nënës së vet, në zemërim e sipër telefonoi ministrin e Mbrojtjes, Beqir Ballukun, dhe u ulëriti: Po ti ç’pate që i nxore tanket? Çfarë kishte ndodhur qe krejt e pabesueshme. Në Shkodër minaret e dy xhamive në qendër të qytetit ishin rrëzuar, duke u lidhur me kavo e tërhequr prej tankesh. Kurse në qendër të Fierit kisha e Shën Gjergjit u rrëzua me diagaçe të ushtrisë, deri sa u rrafshua fare.
Para se të ndodhte kjo sekretari i parë i PPSH për rrethin, Piro Gusho, pati telefonuar Enver Hoxhën për ta shpjeguar çfarë kishin ndërmend, por shefi i partisë tha se ajo kishte afreske dhe mirë qe të ruhej. Gusho rezistoi: nuk e mbaj dot rininë. Kështu u zhdukën piktura shumë të çmuara të vëllezërve Çetiri.
PRANË KISHËS SË SHËN
ANDOUT, TOPA DHE MORTAJA
Përdorimi i mjeteve ushtarake në luftë kundër fesë nuk ka ndodhur vetëm në Shkodër dhe Fier. Do t’ju rrëfejmë një rast tjetër edhe më të qartë. Kjo ndodhi me Kishën e Shën Andoit në Laç. Burimi i të dhënave për këtë është një libër kujtimesh i një ish-partizani 15 vjeçar, më pas oficer karriere. Quhet Naxhi Zhupa.
Në faqet 162-166 të librit të vet kësaj ngjarjeje ai i kushton vendin kryesor. Të dhënat e nxjerra prej tyre do t’i plotësonim më pas, për qëllimet e këtij shkrimi, me disa takime dhe biseda të tjera me të. Ajo që ka ndodhur vërtet është e paprecedent. Pasi paraqet çfarë u kishte treguar prifti i kësaj kishe për Shën Andoin (Sant Antonin), i cili në mes të shekullit të trembëdhjetë, lindur në Portugali dhe më pas emigruar në Itali, kishte qenë një besimtar, pastaj i shenjtë, mbrojtës i të varfërve, Zhupa shkruan: “…
njëri prej objekteve të kultit të tij, si në tërë botën, ku ngrit edhe në Kurbin”. Qe 600-700 metra në lindje të majës së Divës, e ndërtuar në majën e një shkëmbi, tamam si kalatë e dikurshme”.
“Në majë të Divës, shpjegon Naxhi Zhupa, ishte një prej kalave të vjetra ilire”. Çdo 13 qershor në këtë kishë bëhej pelegrinazh dhe vinin jo pak, por lumenj me njerëz, me mijëra besimtarë, mbërrinin aty të nisur nga zonat përreth e prej tërë veriut të vendit. Ishte pa dyshim pelegrinazhi më i madh fetar vjetor i shqiptarëve.
“Në kuadër të “Luftës kundër zakoneve prapanike dhe fesë, nënvizon autori, u mendua që edhe kjo qendër fetare të mbyllej. Për këtë qëllim 3-4 ditë para 13 qershorit, një mëngjes herët, erdhi në Komandën e Brigadës së Laçit, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Krujës, Lefter Goga, i cili kërkoi nga Komanda e Brigadës që zona përreth Kishën së Shën Andoit në një reze 3-4 kilometra, të shpallej zonë ushtarake, prandaj edhe të ndalohej hyrja e çdo civili ose besimtari brenda asaj zone.
Natyrisht që u diskutuan shumë mendime dhe u konkludua që të zbatohej ideja e sekretarit të partisë dhe territori në fjalë të shndërrohej në Poligon Qitjeje të Përhershme për artilerinë.
Kështu që në ditët në prag, gjatë dhe pas festës së Shën Andoit, zhvilloheshin qitje reale artilerie në atë zonë, duke vendosur njëherësh roje fikse në të gjitha drejtimet që të çonin në Kishën e Shën Andoit”. Vijon më pas Naxhi Zhupa: “Mua, meqenëse isha shef i artilerisë, mu kërkua mendimi, se si mund të realizoheshin qitjet e parashikuara në programin vjetor të qitjes.
U ktheva përgjigje të pranishmëve se qitjet në atë zonë dhe në atë terren ishin “ideale”, sepse përmbusheshin më së miri kushtet që kërkonte “Kursi i qitjes”, porse duhet domosdoshmërisht një vendim dhe miratim nga Komiteti Ekzekutiv i Krujës që ky rajon është “Poligon qitjeje i përhershëm”, dhe njëherësh të lajmërohen këshillat e fshatrave të zonës për këtë vendim.
Po ashtu vendimit t’i bashkëngjiten dokumentet e tjera me firmë e vulë, të cilat duhet të jenë gati dy ditë përpara datës 13 qershor. Sekretari i Parë i Partisë plotësimin e kësaj kërkese e mori vetë përsipër dhe duhet të pohoj se në 11 qershor ato erdhën në Komandën e Brigadës në Laç, ndërkohë edhe unë kisha lajmëruar dhe ishte gati për qitjet vjetore Grupi i Mortajava 120 m/m në Mamurras si edhe artilerinë e dy batalioneve të këmbësorisë, përkatësisht nga dy bateri për çdo batalion”. Këto ditë në disa shënime me shkrim në përgjigje të kërkesës tonë se sa gryka zjarri ishin, Zhupa informoi se grupi i artilerisë së Brigadës kishte 12 mortaja 120 m/m dhe dy batalionet këmbësore që morën pjesë në qitje, 16 topa. Shkruan më poshtë në librin e tij Naxhi Zhupa:
“Në mbrëmjen e datës 12 qershor repartet e artilerisë zunë pozicionet e zjarrit në verilindje të fshatit Gjorm e Sanxhak, dhe në mesnatën e dt. 12-13 qershor, filluan qitjet natën sipas planit”. Pastaj thekson: “Në mëngjes më 13 qershor qitjet u intensifikuan dhe batalioni i xhenios në anën veriore, që të shpie tek Kisha e Shën Andoit, filloi “shkatërrimin” fushor për qëllime “mësimore”.
Në shënimet me shkrim të këtyre ditëve të fundit ai saktëson se batalioni xhenier nuk e preku fare ndërtesën e kishës dhe me dinamit nisën të hapnin rrugën, e cila të çonte deri aty. Më parë ai qe shteg. Sigurisht planifikohej që faltorja e krishterë, tërheqëse si magnet e mijëra besimtarëve, të mbyllej e të shndërrohej në pikë hapjeje ushtarake për vetë batalionin xhenier, çfarë edhe ndodhi.
KU PËRFUNDOI STATUJA PREJ DRURI E SHËN ANDOIT
Shkruan në vazhdimin e rrëfimit të vet ish-partizani 15 vjeçar, i plagosur rëndë në çlirimin e Tiranës dhe ende me copë predhe në njërin gju, pjesëmarrës luftimesh deri në Jugosllavi, Naxhi Zhupa: “Ditën e 13 qershorit (ndërkohë që në afërsi të Kishës së famshme françeskane kishin mbërritur shumë besimtarë-shënimi ynë) e mbyllëm pak a shumë “në paqe”, pa asnjë incident me besimtarët e ardhur, por shkatërrimi skandaloz i Kishës së Shën Andoit, që përveç se ishte objekt i veçantë kulti, qe edhe objekt me vlera të veçanta historike, vazhdoi, sepse atje, me sa kisha pasur rastin të shihja, kishte ikona fetare të rralla, por kishte edhe të tjera të pikturuara të ndërthurura me vlera artistike dhe historike.
Në të ndodhej edhe një bibliotekë mjaft e pasur, po ashtu edhe statuja të derdhura ose të gdhendura nga më të ndryshmet. Për të shkuar në kishë nuk kishte rrugë automobilistike, por në të kishte objekte, të cilat kur njeriu i shikonte çuditej se si i patën çuar njerëzit në atë vend dhe në ato kushte.
Linjë elektrike kisha nuk kishte pasur, por ndriçim përfitonte me anën e dy gjeneratorëve, të cilët nuk munda t’i kuptoja se si ishin transportuar atje pas luftës. Edhe kambanorja ishte ngritur me profile hekuri të larta sa një shtyllë e tensionit të lartë. Të gjitha këto, dhe çfarë kishte brenda në Kishë, u shkatërruan në harkun e 2-3 ditëve pas datës 13 qershor. Kuptohet që çdo ndërhyrje u bë me urdhër nga lart…”
Vijon Zhupa: “Ndërkohë vura re se në Laç zbritën lloj-lloj objektesh, bile edhe në zyrën time të punës më kishin sjellë Statujën e Shën Andoit, e gdhendur në një dru të rrallë me madhësi rreth 50 cm. Gishti i madh i këmbës së tij, nga të prekurit e shumtë të njerëzve gati ishte përgjysmuar.
U çudita kur e pashë në zyrë, por nuk bëra zhurmë, sepse e mora me mend se kisha të bëja me “një shaka” të ideuar prej 3-4 shokëve të mi, të cilët prejardhjen time e dinin që isha nga Fterra, i cili njihet në historinë e Labërisë si fshati i “Hoxhëve dhe i Mullanjve”. Prandaj në darkë, pa e lajmëruar, ia vura në trastë shefit të ofiçinës P. B. nga Fushë Miloti që ishte vartësi im dhe hiqej si ateist i skajshëm, por që të ëmën e kishte ithtare të shënjuar të Shën Andoit.
Ajo kur kishte gjetur në trastë statujën e Shën Andoit ishte skandalizuar me të birin, por kur e mori vesh përse ia çova unë atë statujë asaj besimtareje, këmbënguli që t’i vija në shtëpi për drekë”.
UJI I ÇESMËS SË KISHËS TË SHTONTE AKTIVITETIN SEKSUAL
Kjo që po tregojmë është thjesht një kuriozitet, por, gjithsesi përbën pjesë të ngjarjes. Pasi e morën nën kontroll kishën dhe territorin përreth saj komanda e Brigadës së Laçit caktoi një specialist të saj që t’i bënte analizë burimit të vetëm të ujit që kishte ai mal i thatë në fund të tij, tamam atje ku pelegrinët merrnin rrugën të ngjiteshin në majë, tek faltorja e adhuruar prej tyre.
Duhej të dihej si ishte ky ujë për shëndetin e ushtarëve, sepse edhe ata do ta përdornin për pirje e gatim. Analiza në laborator dha këtë rezultat: ishte i pastër dhe i pijshëm, pa asnjë rrezik për jetën. Ndërkaq qe edhe mjaft kurues: shëronte infeksionet në vijat urinare. Me pak fjalë dukej si ujë i bekuar nga Zoti.
Kur komandanti i Brigadës dëgjoi nga specialisti këtë shpjegim, i cili shkonte në favor të të mirave të Fesë, u përpoq të ndërhynte për të mbajtur heshtje publike rreth kësaj cilësie, por vartësi nuk i dha shumë kohë. U detyrua të dëgjonte edhe një të dhënë tjetër: uji i atij burimi të vetëm qe eksitues i aktivitetit seksual. Komandanti mezi mblodhi veten. Po të përhapej ky lajm pritej një popullarizim edhe më i madh i Kishës dhe një shtim i ri ardhjeje për pelegrinët. Kështu që prej atij çasti efekti seksual i ujit të burimit vetmitar u mbajt çështje e fshehtë. Top sekret shtetëror.
GJASHTË VJET MË PAS
Ndërkaq në 29 prill 1973 Sekretari i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë, Ramadan Xhangolli, i dërgoi këtë letër Sektorit të Edukimit të Komitetit Qendror të PPSH: “Në një bisedë që patëm me sekretarin e Frontit të rrethit të Krujës, rezulton se akoma edhe sot, vazhdon të frekuentohet Kisha e Shnanout në Laç.
Frekuentuesit janë kryesisht nga rrethet Lezhë, Durrës, Mat, Shkodër, Rrëshen, Pukë, dhe Tiranë (zona e Prezës). Me sa duket besimtarët i shpëtojnë kontrollit të masave. Me qëllim që të ndalohet frekuentimi i “vendit të shenjtë” mendojmë, që në pragun e 12 qershorit, festës së Shnanout, krahas punës bindëse, sqaruese e demaskuese për rastet e veçanta që duhet të bëjnë organizatat e masave, ku simbas mendimit tonë duhet të merren dhe disa masa administrative:
Zona e Shnanout të rikthehet në zonë ushtarake…” Por ajo qe zonë e tillë, nuk i ishte hequr ky status. Propozimi bëhej që të përdorej sërish “teknika” penguese e 13 qershorit 1967: këtë ditë të kishte qitje artilerie në të tërë rezen ku ndodhej ish-Kisha. Qindra predha të kërcitnin, të bënin flakë e tym.
Diçka më shumë se një muaj nga letra e FDSH, në Shkodër u krye një gjest mjaft radikal: në 9 qershor 1973 u ngrit dhe përurua Muzeu Ateist. Po zbatohej për të gjithë shqiptarët ajo që ishte e detyruar për vetëm komunistët: të qenë ateistë, luftëtarë aktivë ndaj Fesë.
KISHA E DYTË E SHNA NDOUT
Ka pasur jo një, por dy kisha me emrin e të shenjtit Sant Antonio. Tjetra faltore e Shna Ndout ndodhet afër Kepit të Rodonit dhe ka qenë e Skënderbeut. Bashkëngjitur keni pamjen e saj.
Për këtë temë pati një kumtesë të plotë në Konferencën Albanologjike kushtuar heroit tonë kombëtar në janar 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Ndërsa në tribunë apo lozha të sallës së Kuvendit Popullor (ndërtesa e Akademisë së Shkencave), ndodheshin funksionarë shumë të lartë të partisë së vetme në pushtet, mes tyre herë pas here edhe Enver Hoxha, për këtë kishë u fol me nderim.
POLICËT NË DY KOHË
Ndërkaq në 13 qershor 1994 Kisha e Shën Andonit, siç më në fund ka marrë një emërtim më të plotë për t’u identifikuar nga tërë shqiptarët në veri dhe jug të vendit, e rindërtuar, filloi veprimtarinë e saj me pelegrinazhin tradicional.
Secili që ka patur rastin pas këtij çasti rimëkëmbjeje të shkojë deri atje do të vërë re se me çfarë shqipeje të pastër janë shkruar librat dhe broshurat e lutjeve. Ajo kishë të ngjan me një kështjellë shqiptarie. Dy dekada e gjysmë më pas, saktësisht para një jave, këtë 12-13 qershor 2018, televizionet dhe gazetat, ndërsa njoftonin me titujt “Dukej sikur e gjithë Shqipëria kishte zbarkuar në Laç”, informonin se si pasojë e masave të mara nga policia e Lezhës për lehtësimin e qarkullimit të pelegrinëve si edhe e pranisë së personelit shëndetësor me mjekë, infermierë dhe dy autoambulanca të përhershme, nuk pati ndodhur asnjë shqetësim për jetën e ardhësve.
As edhe në natën e qëndrimit tek oborri i Kishës, në atë majë mali të thepisur, ku edhe ndokush prej turmës së ngjeshur mund të rrëzohej në humnerë. Njëzetë orë uniformat blu patën qëndruar në këmbë, në shërbim të plotë. Këto ditë kam njohur edhe ish-shefin e policisë së këtij territori në fillim të viteve shtatëdhjetë.
Ai më rrëfeu si qenë të ngarkuar punonjësit e rendit publik të ndalonin besimtarët, t’u shkonin nga pas e t’i trembnin të largoheshin sa më parë. Ishte njeri shumë i mirë, human, por për t’i kuptuar duhet të “hysh në kohë”. Sot dhe dje janë të ndryshme.
nga Ylli Polovina