Trieshi ishte pushtuar nga Mali i Zi 140 vjet më parë. Sulmet e malazezëve kundër Trieshit kishin filluar në shekullin XVII. Ato kishin qenë sulme barbare. Në Kuç ishin bërë të gjitha ato plane
dhe strategji. Trieshi kufizohet me Kuçin dhe Kelmendin. Trieshi kishte rëndësi të madhe strategjike për pushtimin sllav të Kelmendit.
Kufiri midis Trieshit e Kelmendit fillon në Cem dhe vazhdon deri tek Liqeni i Rikavecit. Këto bjeshkë shqiptare të pasura me pyje, kullosa dhe ujë ishin shkaku kryesor i sulmeve malazeze.
Në atë kohë bjeshkët kishin rëndësi të madhe ekonomike. Bujqësia në fusha nuk ishte shumë e zhvilluar sepse nuk kishte mjete për ujitjen e tokave pjellore. Kelmendi, Trieshi dhe Kuçi jetonin kryesisht me blegtori. Trieshi dhe Kelmendi kishin
lidhje të ngushta, bile Kelmendi kishte luajtur rolin e vëllait të madh, sepse ishte krahinë e madhe dhe shumë e fuqishme, pastaj Trieshi dhe Kelmendi kishin gjuhën, traditën dhe besimin e përbashkët. Në luftëra kundër turqve ata kishin gjetur mbështetje dhe strehim tek njëri tjetri.
Krojet e Vuklit në Triesh edhe sot janë shumë të njohura. Ky emërtim është në Bisaq, që tregon se atje kishin jetuar malësorët e Vuklit.
Shumë meshtarë të Kelmendit kishin shërbyer edhe në Triesh.Trieshi kishte lidhje martesore me Kelmendin më shumë se me asnjë krahinë tjetër të Malësisë së Madhe.
Këto lidhje familjare u vështirësuan pas pushtimit të Trieshit nga Mali i Zi. Pas këtij pushtimi një pjesë e madhe e trieshianëve ishin martuar me gra malazeze. Qëllimi kryesor i malazezëve ishte pushtimi i Kelmendit. Trieshi për malazezët ishte si një fortesë prej ku mund ta pushtonin këtë trevë strategjikisht të rëndësishme të
Malësisë së Madhe. Në këto plane pushtuese bënte pjesë edhe Rusia. Kufiri midis këtyre dy trevave shqiptare u përforcua në vitin 1918, gjatë themelimit të Jugosllavisë së Vjetër dhe vazhdoi me këtë intensitet edhe në kohën e Jugosllavinë së Re.
Kufiri midis Trieshit e Kelmendit ishte dobësuar në fillim të viteve 2000. Trieshi dhe Kelmendi kishin filluar bashkëpunimin dhe lidhjet familjare gjatë pushtimit italian. Për tri-katër vjet të kësaj periudhe u realizuan dhjetëra martesa mes Triershit e Kelmendit. Rojet kufitare të
Jugosllavisë së Vjetër kishin bërë veprime çnjerëzore shumë herë edhe vrasje në zonat e kufirit, sidomos kundër atyre që kishin sjellë duhan kaçak nga Shqipëria. Jugosllavia e parë dhe ajo e dytë kishin ndërtuar 5 karakollë për kontrollin e kufirit midis Trieshit dhe Kelmendit.
Nga viti 1948 e deri në vitin 1966, kur ra nga pushteti antishqiptari Aleksandër Rankoviq, kufiri midis këtyre vendeve ishte shumë i kontrolluar nga pala jugosllave. Këto masa drakonike në zonën e kufirit ishin zbutur pak prej vitit 1966 e deri në vitin 1981, kur shpërtheu Kryengritja e Kosovës.
Në këtë periudhë ushtarakët e lartë jugosllavë dërguan në këtë zonë një sllavo-maqedonas nga Manastiri. Natyrisht se ata kishin gjetur njeriun e tyre besnik për të shkatërruar moralin kombëtar e njerëzor të banorëve të Trieshit.
Kjo bishë sllavo-komunist kishte poshtëruar Trieshin, duke vënë në veprim metodat më barbare, metoda për të cilat njerëzit në botën e qytetëruar dënohen me vdekje.
Për këtë horr kisha dëgjuar dekada më parë. Ky faqezi kishte vepruar edhe më keq se Vuçi Pasha në Koritë me Milicën e Markut, edhe më keq se ushtarët turq në Lemajnë në vitin 1911. Duke frikësuar popullin me gjithë ato armatime, dhe gjithë ata
ushtarë ky e kishte poshtëruar Trieshin dhe nuk e kisha besuar këtë deri kur shikova dokumentarin e përgatitur nga Televizioni i Malit të Zi me titull: “Karakolli i Spasos” (Spasova Karaula). Nostalgjikët malazezë të Millosheviqit e kishin përgatitur këtë dokumentar për kullën e tij të rrënuar, ku i kishte bërë gjithë
ato poshtërsi Spasovski. Pas një udhëtimi relativisht të gjatë nga Podgorica në Triesh ky ia kishte mësyrë për të pushuar shkollën “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” të Trieshit ku e kishte pritur e përqafuar drejtori i shkollës Zef Gjuravçaj. Ai e kishte quajtur këtë përbindësh mikun më të mirë (najboli prijatel) dhe kumar.
Këto nderime të Zef Gjuravçaj shihen në dokumentar. Zef Gjuravçaj i kishte folur për mikpritjen dhe bujarinë e Trieshit. Spasovski ishte kryelartë për gjithë ato kumari në Triesh. Zef Gjuravçaj e kishte puthur e përqafuar këtë bishë si të kishte qenë vëllau i tij. Kur të shkruhet historia e
Trieshit ky do të përmendet si poshtëruesi më i madh që kishte shkelur ndonjëherë tokën e Trieshit. Zotni Gjuravçaj dhe komandiri Spasovski kishin folur edhe për kumarinë e tij me trieshianët. Bëhet pyetja si mund të ishte kumar ky antishqiptar. Kush ishte ai meshtar që u kishte
lidhë kurorë dhe në të cilën kishë e kishin celebruar këtë sakrament të shenjtë? Spasovski në atë kohë ishte ushtarak dhe komunist dhe si i tillë e kishte të ndaluar vajtjen në kishë. Ai kishte luajtur arushë me Trieshin.
Në dokumentar nuk kishte treguar shumë nostalgji për kumari, kishte reaguar më shumë dhimbje për karakollin e tij të rrënuar dhe për gurin e
kufirit midis Trieshit e Kelmendit. Sillej rreth atij guri si të ishte guri i varrit të babait. Vallë mos ishte përgatitur ky skenar filmik qëllimisht për ringritjen e atij karakolli dhe përforcimin e kufirit
shqiptaro-shqiptar. Sillej rreth piramidës së kufirit shumë i emocionuar. Ndërsa po shikoja ato skena m’u kujtua trimi i Kosovës Agim Ramadani. Ky dokumentar meriton titullin:” Spaso Spasovski i Trieshit versus Harvey Weinstein i Hollywoodit. Podgorica e kishte shpallur qytetar nderi për ato faqe të zeza që kishte bërë në Triesh.
Dokumentari tregon se ky komandir i famshëm tani po kalon jetë rojtari me qenin e tij të zi, e me të drejtën duhej të ishte pas grilave për ato
vepra barbare që kishte bërë në Trieshin tonë të dashur (autor i këtij shkrimi është Gjekë Gjonlekaj, isht gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York).
Më poshtë dokumentari për karakollin dhe komandantin e tij Spasovski.
https://www.youtube.com/watch?v=hzhV38vpBgY