Kampioni i Europës në atletikë Izmir Smajlaj që nga dita e sotme nuk është më pjesë e ekipit të Vllaznisë. Ai ka tërhequr leje- kalimin nga klubi shkodran dhe është bërë tashmë pjesë e klubit Tirana.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë sportisti në një prononcim për “Shkodra Sport”. Sipas vetë Smajlajt, fakti që jeton prej muajsh në Tiranë, e bënte të logjikshme një transferim të tillë por jo vetëm kaq.
Klubi bardheblu mësohet t’i ketë bërë një ofertë më të mirë financiare dhe po ashtu, i ka plotësuar edhe kërkesat për bazë materiale dhe kushte më të mira stërvitore.
Në këto rrethana, ndoshta me keqardhje por Smajlaj është detyruar t’i japë lamtumirën ekipit ku u formua si sportist elitar dhe madje u shpall edhe Kampion i Europës.
Megjithatë, atleti kampion dhe rekordmen i kërcimeve nuk harron të falenderojë në këtë largim nga Vllaznia të gjithë kolegët e tij me të cilët është stërvitur prej vitesh, stafin e trajnerëve dhe në veçanti ish- trajnerin e tij Vildan Tufi për të cilin ka një mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë në rritjen e performancës së tij.
Po ashtu, një falenderim edhe për klubin Vllaznia, pjesë e të cilit ka qenë që në moshë të vogël, megjithatë tashmë për të nis një histori ndryshe.
Izmir Smajlaj pas titullit të Europës kërkon të shohë më larg dhe kushtet që ofron kryeqyteti e kanë bërë për vete.
Prej saj përfiton edhe Klubi Tirana që tashmë do të ketë në rradhët e tij përveç atletes së mirënjohur Luiza Gega, edhe kampionin dhe rekordmenin e kercimeve Izmir Smajlaj.
www.shkodrasport.com