VLLAZNIA, DETAJE TË REJA PËR TRE TË AKUZUARIT

Tv Star Plus ka arritur që të zbulojë disa detaje të reja pas përfundimit të hetimeve për dy ish-administratorët e Vllaznisë Fatos Gjyrezi dhe Neritan Kalamishi si dhe ish-financierin Denis Fani të cilët akuzohet nga prokuroria.

 

Këta tre shtetas janë dërguar si të pandehur në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër me akuzën për shpërdorim dhe një dëm ekonomik prej 300 milion lekësh të vjetër në total në arkën e shtetit. Sipas burimeve në dosjen e prokurorisë për tre ish-zyrtarët e kuqebluve thuhet se blerjet dhe kontratat e ndryshme janë kryer pa procedurë prokurimi.

 

Nga detajet e reja që përban dosja sipas prokurorisë dy-ish administratorët dhe ish-financieri nuk kanë bërë asnjë studim të tregut në lidhje me vlerën e shërbimeve apo çmimin e mallrave të ofruara nga operatorë të ndryshëm në treg por janë kontraktuar ata operatorë ekonomike që kanë qënë të njohur prej administratorëve të klubit apo personave të tjerë të njohur prej tyre.

 

Nuk ka asnjë dokument apo akt formal dhe zyrtar me anë të të cilit të provohet apo vërtetohet se si janë kontaktuar operatorët e ndryshëm ekonomikë të cilët kanë ofruar shërbime apo kanë shitur mallra të ndryshëm për nevojat e klubit të futbollit Vllaznia. Më tej prokuroria pretendon se për shkak të mospasjes së një rregullore të miratuar në lidhje me pagat dhe nivelin e tyre për kategori të ndryshme të punësuarish si dhe mos kryerjes së veprimeve nëpërmjet arkës nuk ka një pasqyrë apo situatë të saktë se ku kanë shkuar dhe përse janë shpenzuar paratë e klubit.

 

Organi i akuzës thotë se nga ana e administratorëve të klubit Vllaznia ndër vite janë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” qëllimi i të cilit është shmangia e shpërdorimit, keqpërdorimit dhe vjedhjes së pasurisë si dhe nga financeri i klubit janë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

 

Prokuroria në dosjen e saj bën të ditur se nga analiza e bankave të shoqërisë “Vllaznia” sh.a rezulton se janë kryer transferta për llogari të futbollistëve/lojtarëve dhe stafit tjetër të klubit të cilat nuk përputhen me fondin e pagave të deklaruara në listpagesat e shoqërisë. Kjo do të thotë se ndër vite për futbollistë të caktuar apo stafin tjetër të shoqërisë janë derdhur më pak ose më shumë paga sesa ato të pasqyruara në listpagesat përkatëse të deklaruara për atë periudhë kohore.

 

Madje nga ana e klubit janë bërë derdhje/kreditim pagash për futbollistë/lojtarë apo stafin e tij administrativ ndërkohë që në listpagesat e asaj periudhë kohore këta persona nuk kanë qënë fare të deklaruar. Sipas prokurorisë këto veprime të kryera nga financieri i shoqëisë janë kryer në kundërshtim me disa ligje në fuqi.

 

Tashmë dy ish-administratorët Fatos Gjyrezi, Neritan Kalamishi dhe ish-financieri Denis Fani do të duhet të përballen me gjykatën e shkallës së parë Shkodër pas akuzave të ngritura nga prokuroria.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME