Rrëfimi i Luigj Gurakuqit: Takova atë që donte të më vriste

Botimi i veprës së plotë të At Anton Harapit, sjell në vëmendje publicistikën e tij. Nën titullin “Naltimi i ndërgjegjes kombtare”, Botime Françeskane Shkodër, 2017, vepra rrok së bashku shkrimet në prozë të At Anton Harapit botuar në revistën “Hylli i Dritës”.

 

Janë vënë edhe disa shkrime të At A. Harapit botuar në gazetën “Ora e Maleve”, 1923-1924. Përshtypjet e tij për ata që i njohu nga afër, ata që e deshën e ata me të cilët nuk u mor vesh e bëri debat, ata me të cilët qe në një mendje e ata me të cilët ndau mendime të kundërta, parë në dritën e viteve më vonë, peshojnë më shumë e më ndryshe.

 

Prej kësaj vepre shkëpusim rrëfimin e tij për Luigj Gurakuqin. E ka njohur mirë, pasi ka qenë pjesë e grupit opozitar me të. At Anton Harapi, lindi më 5 maj 1888 në Shirokë, studioi në Austri, botoi disa vepra. Me instalimin e regjimit, mbas disa kërkimesh, komunistët e gjetën.

 

Për gati gjashtë muaj qëndroi në birucat e hetuesisë, në Tiranë, nën tortura. U pushkatua natën e 14 shkurtit 1946, në orën 18:30. Eshtrat e tij, kalbur në një gropë të panjohur, në rrethinat e Tiranës, vijojnë të presin një varr. Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Fuat Dibrën dhe Padër Anton Harapin.

 

Ky i fundit asistoi në të gjitha mbledhjet e zhvilluara me praninë e Këshillit të Naltë, porse u betua më 13 janar 1944 pasi kishte marrë edhe lejen e Papës.

 

Nga Pater Anton Harapi

SI E NJOH UNË GURAKUQIN

Ndër shqiptarë nuk njohta kend mâ hije-lehtë se Luigj Gurakuqin. Kujtimit t’êm nuk i çfaqet nji burrë si ai: i urtë, i mendshëm e njiheri edhe trim si zana. Personaliteti i tij qe nji krijesë origjinale, ku shpirti shqiptár, i pajisun me kulturë e qytetnim, shprehej i madh, i naltë, fisnik.

 

Këtê pata fatin me e pasë mik zemre e shoq pune, bashkëpuntuer edhe prîs; me tê përpoqëm idealet, damë gëzimet e idhnimet; lirija e besimi qi patëm shoq me shoq, kaptoi ndër hapat mâ të guxueshëm, u ul e përfshini fjalët e punët edhe mâ të zakonshmet: por deri edhe ndër këto kande të jetës, ku edhe shpirti i fatosit ka hijet e veta, në fundin e zemrës së tij nuk pashë tjetër veç se shka bindë, tërhjekë e bân për vehte.
Në Luigjin gjeta njerín, hetova shqiptarin.

 

Cilësít e rropamet e shpirtit të tij i kam para s?sh porsi idé, porsi symbol, por nuk vêhem t’ i përshkruej. Sferat e jetës së Luigjit, nuk ka pendë shqiptari qi i përfshin. I zoti ndër të zotët, i madhi ndër të mdhejt, i miri ndër mâ të mirët, Luigji qe i mbarë Shqipnís, i të gjithë Shqiptarëvet, por Shqipnija nuk qe për tê.

 

Të parën herë qi më rá t’ a njoh, ishem endè pa h?m ndër valët e jetës. Emzot Doçi, Pater Fishta e Luigji bisedojshin mbi problemin shqiptár. Unë, si i rí, rrijshem e ndigjojshem pa marrë pjesë në kuvend. Abati don me më bâ me folë, e thotë: Po ky frati i rí a merret me çashtjet shqiptare? A e don Shqipnín? Luigji, pa më njohtë pa më dijtë, si më pau ashtu të frikësuem e të turpnuem, mori fjalën për mue: – Po, tha menjiherë, edhe ky e ka për zemër atdhén: edhe ky tash e jep kontributin e vet, por tash don të zâjë prej nesh. M’u bâ se m’u çel perdja: njohta optimistin e dashamirin e të rijvet. Mora zemër.

 

Shkuen vjetë e vjetë pá u pá mâ me tê. Kur, ja, e gjêj në Kuvendin e Françeskanëvet në Troshan, ku i skredituem e i luftuem, me durimin e fatosit, në qetsí të plotë, pritëte të dyndeshin rêt e zeza të gojë-këqivet, të ftofej pasjoni i anmiqëvet, t’a ndiente Shkodra e Shqipnija nevojën e tij. Nuk e mbaj mend shka folëm, por e dij se folëm gjatë, folëm me zemër në dorë, folëm si burrat me kulturë. Këtê veç mbajta mend, se ishem pjekë në nji njeri me ndiesí të nalta shpirtnore.

 

Sikur nuk mjeroi kur Shkodra pa e njohtë e përbuzi, ashtu nuk iu rrit mendja kur Shkodra dhe mbarë Shqipnija brohoriti për tê.

 

Në nji odë, në nji tryezë me tê, me javë e muej bashkëpunuem në fletoren ?Ora e Maleve?. Aty pash zotsín theorike e praktike, aty turret e enthuzjazmit dhe aftësín e përqendrimit, aty syperjoritetin e fisnikín e tij.

 

– Luigj, i thom nji ditë: Na me pendë e të tjerët me pushkë, na me fjalë e të tjerët me plumb, tash po na e dalin e na lanë në záll né me gjithë Shqipní!? E atëherë kush e pat e pat, e mjerë kush i han shpina dhé!

 

– Ani, tha, përzot’a; le të na vrasin, se unë Shqipnín nuk due t’a ngrehi mbi gjaqe e intriga, por mbi idé dhe mbi ndiesí.

 

Nuk kam marrë kurrnji shënimpërmbi ato kohë vërté ideale, këtu vetëm due të përtrîj disa ndër kujtime të çmueshme qi shpirti i êm ruejti mbi ketë shqiptár vërté të jashtëzakonshëm.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME