Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu kanë zhvilluar një takim me strukturat e Policisë Vendore Shkodër.
Gjatë këtij takimi, ministri Xhafaj nuk i ka kursyer fjalët e mira për punën e policisë në parandalimin e disa ngjarjeve kriminale të fundit në këtë rreth, por ka pasur një porosi për çështjen e aksidenteve.
“Vlerësim pozitiv për punën e strukturave të Policisë Shkodër. Ju inkurajoj për gjithçka po bëni, me gjithë vështirësitë që keni në punën e përditshme. Keni një vlerësim të veçantë për reagimin policor në parandalimin e disa ngjarjeve të fundit në Shkodër, të cilat kanë rritur klimën e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.
Ajo që kërkoj janë masat shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut të rënduar për shkak të sezonit veror dhe në Pikat e Kalimit Kufitar”, u shpreh ministri Xhafaj.
Nga ana tjetër Drejtori Vendor i Policisë Vehbi Bushati tha se situata e kriminalitetit në qark është nën kontroll dhe ka ulje me 10% krahasuar me 1 vit më parë.
“Janë kryer disa operacione dhe ndërhyrje në kohë të policisë për parandalimin e ngjarjeve me pasoja. Kemi marrë disa masa për sezonin turistik, u ngrit stacioni i Thethit. Ndërkohë kemi ulje të ndjeshme të rasteve të kultivimit të kanabisit”.
Pavarësisht fjalëve pozitive nga Ministri i Brendshëm për Policinë e Shkodrës, një numër i madh ngjarjesh të ndodhura në muajt e fundit kanë mbetur akoma pa autor.