Lika s’ka kohë për të humbur. Nesër nis stërvitjen me Vllazninë

Pasi ka marrë fund tashmë saga e gjatë e vuajtjeve për emërimin e drejtuesve të rinj teknikë, tek Vllaznia do të nisë menjëherë puna për sezonin e ri.

Duke filluar nga pasditja e së hënës, ekipi pritet të jetë në fushën e stërvitjes. Trajneri i sapoemëruar Hasan Lika e ka të qartë se koha nuk flet në favor të tij dhe për këtë arsye, do të kërkojë të mos humbasë menjëherë kohë por të nisë punën.

 

Sipas informacioneve që dalin nga klubi shkodran, në dispozicion të tij pritet të jenë rreth 25 futbollistë që aktualisht janë nën kontratë dhe në ditët në vijim, ekipi mund të plotësohet edhe me futbollistë të tjerë sipas nevojave që do të krijohen.

 

Këtu mund të ndërhyjë edhe drejtori sportiv Firat i cili do të shohë mundësinë ndoshta të marrjes së futbollistëve edhe nga jashtë apo dhe nga ekipe të tjera shqiptare.

Objektivi është i qartë se skuadra duhet të rikthehet në Superligë në fund të sezonit të ardhshëm dhe për këtë askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim.

Tek Vllaznia çdo gjë duket gati tashmë. Lika do të mbërrijë paraditen e së hënës në Shkodër dhe pasi të takohet me drejtuesit e klubit për të saktësuar shumë gjëra që kanë të bëjnë me punën e tij të mëtejshme, do të vijojë pastaj stërvitjen me ekipin.

 

Kampionati i kategorisë së parë starton më 9 shtator dhe ndoshta kuqeblutë nuk kanë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të zhvilluar një fazë përgatitore megjithatë stafi i ri teknik do të mundohet të gjejë zgjidhjen e duhur për të bërë gati futbollistët.

 

Janë shumë enigma që presin zgjidhje, si për shembull ato se kush do të jetë stafi i Likës, cilët do jenë lojtarët e Vllaznisë në sezonin e ri dhe shumë gjëra të tjera, megjithatë të gjitha këto do të mësohen në ditët në vijim.

www.shkodrasport.com

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME