Filozofi gjerman që thoshte se shqipja është gjuhë sllave

Gotfried Wilhelm Leibnitz është filozof e shkencëtar gjerman që shfaqi interes edhe për gjuhën shqipe.

 

Në pesë letra shkruar nga 24.6.1704 deri më 15.3.1715 mikut të tij M. V. Ka Krozë (La Crose), kryebibliotekar në Berlin, shtroi problemet e prejardhjes së gjuhës shqipe, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera indoevropiane; theksoi nevojën e dallimit të fjalëve me burim vendës nga huazimet.

 

Lajbnici vuri në dukje përkime e analogji të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve gjermanike, latine etj.. Ai tërhoqi vëmendjen te mëvetësia dhe individualiteti i gjuhës shqipe si gjuhë e veçantë, e dallueshme nga hungarishtja, greqishtja e turqishtja.

 

U interesua gjithashtu për të pasur Fjalorin Latinisht-Shqip të Frang Bardhit dhe një vepër të Pjetër Budit.

 

“… Duke iu referuar përsëri shkrimeve të Lajbnicit, vështirë se mund të përcillet pa mëdyshje teza e tij mbi origjinën ilire të shqipes, të cilën e formulon me një rresht të vetëm, e që shpesh vetëm konstatohet si ‘intuitë e jashtëzakonshme’ e Lajbnicit në historinë e albanologjisë dhe ilirologjisë…” (Bardhyl Demiraj).

 

Por si mund ta lexojmë ne Lajbnicin?

 

Sipas Tefë Topallit leximet e fundit kritike të trashëgimisë albanologjike kanë nxjerrë rishtas në pah dy anë të një problemi, që rëndon prej kohësh shkencën dhe shkollën tonë albanologjike.

 

Duke rishtruar për diskutim shkrimet e filozofit dhe të eruditit të madh gjerman Gotfrid Vilhelm Lajbnic mbi gjuhën shqipe, vëmë theksin mbi nevojën e gjithhershme për plotësimin e analeve të historisë së mendimit albanologjik:

 

Së pari, me të dhëna të sakta të karakterit filologjik e bibliografik për atë trashëgimi që disponojmë.

 

Së dyti, me shkallën e njohjes që përshkon debatin albanologjik në fazën e parë të dokumentimit të tij.

 

Lidhur me trashëgiminë e Lajbnicit, anën e parë të kësaj çështjeje e motivon deri diku shumësi i eseve dhe i veprimtarisë së tij epistolare, botimet e hershme, si edhe mungesa deri sot e ribotimit të veprës së tij në formë të plotë.

 

Sipas Faik Konicës, shkrimet e tij shpesh vlerësoheshin ” prej shkrimtarësh që s’i kishin lexuar fare”.

 

Përcaktimi në kohë i interesimit të Lajbnicit për gjuhën shqipe është i kushtëzuar me trashëgiminë e shkrimeve të tij që njohim deri sot.

 

Kemi të regjistruara gjithsej shtatë fragmente letrash, ku shkruhet për shqipen me emërtimet e barasvlershme: shqipja, gjuha shqipe, gjuha epirote, gjuha e epirotëve, edhe një rast kur parakuptohet ajo.

 

Ndër të tjera është një letër qarkore, ku Lajbnici u drejtohet kohë pas kohëve dijetarëve të ndryshëm, të cilëve u lutej të mblidhnin të dhëna me karakter gjuhësor-historik dhe leksikologjik për gjuhë pak të njohura, ose fare të panjohura për të dhe për rrethet intelektuale ku bënte pjesë.

 

Në një debat drejtuar La Croces më 24 qershor 1705, mësojmë:

 

se korresponduesit s’kanë shtënë ende në dorë material gjuhësor të shqipes;
se Lajbnici shpreh dyshimin e tij për origjinën sllave të gjuhës së shqiptarëve, sepse kjo gjuhë mbizotëron përgjatë brigjeve të Adriatikut, pikërisht pranë Raguzës dhe që e quajnë gabimisht lingua ilirica. Në letër ai përsiat gjithashtu mundësinë e pranisë së ndonjë gjurme të gjuhës së ilirëve të vjetër në malësitë e Epirit, duke saktësuar kështu emrin e asaj gjuhe.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME